| E diele, 17.01.2016, 01:12 PM |
Një vepër dokumentare për Gjilanin me rrethinë gjatë luftërave ballkanike 1912-1913...
Nga Tefik Selimi
Gjilani është bërë një qendër e kulturës ku po promovohen vepra të ndryshme jo vetëm nga arti letrar, por edhe nga fusha të tjera të dijes. Kësaj here, në sallën e KK, në Gjilan, u bë promovimi i monografisë dokumentare “Gjilani me rrethinë gjatë luftërave Ballkanike 1912- 1913” nga Mr. Enver Sadik, profesor nga Gjilani. Jo vetëm kaq. Në këtë promovim u gjenden shumë familjarë, kolegë, profesorë të historisë, qytetarë e gazetarë, të cilët këtë “festë” të librit e përcollën në mënyrën më të mirë, të mundshme. Fillimisht, dr. Fehmi Rexhepi, historian tha se, këtu në këtë monografi vërehet qartë mënyra objektive e qasjes dhe e trajtimit të lëndës për një kohë të kaluar që flitet për padrejtësitë që u janë shkaktuar shqiptarëve në përgjithësi, dhe të rrethinës së Gjilanit, në veçanti, para një shekulli. ”Në mesin e këtyre studiuesve entuziastë padyshim i pa tejkalueshëm është edhe Mr. Enver Sadiku me veprën “Gjilani me rrethinë gjatë Luftërave Ballkanike 1912-1913“. Ky studim monografik është studim i parë serioz dhe kontribut për ndriçimin e një periudhe shumë të rëndësishme të historisë sonë të fillim shekullit të kaluar, kur shqiptarët u ngritën në luftën çlirimtare kundër sundimit osman, shpallën pavarësinë, por Fuqitë e Mëdha vendosen për fatin e popullit tonë, duke e lënë gjysmën e tij nën sundimin e shteteve fqinje. Studimi në fjalë ka gjithsej 203 faqe tekst të sistemuara në: parathënie, hyrje, kapituj, përfundimi, treguesi i emrave dhe burimet e literatura e shfrytëzuar. Në autori flet për rezistencën që bëhet në Gjilan e rrethinë ndaj Perandorisë Osmane në fillim të shekullit XX. Mandej bënë fjalë për Kazanë e Gjilanit në fund të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX, ku theks të vaçantë i kushton popullsisë, infrastrukturës, tregtisë, zejtarisë dhe bujqësisë e blegtorisë, për të vazhduar me të dhëna për kontributin e gjilanasve në Kryengritjen e Kosovës të vitit 1910, duke spikatur posaçërisht kontributin e Idriz Seferit dhe bashkëluftëtarëve të tij, si: Mustafë Kabashi, Ramë Avdyli, Zeqë e Islam Pira, Shabi Kajolli, Murat Bilalli etj”. Mr. sc. Fitim Rifati, tha se, vepra në fjalë mbështetet në argumente të bollshme, të cilat autori i ka hulumtuar me kujdes në arkiva dhe biblioteka. “Materia themelore, në aspektin metodologjik-shkencor, trajtohet e ndërthurur mirë, duke respektuar strukturën e shtjellimit dhe përpunimit të rrjedhshëm të lëndës së grumbulluar. Ky projekt i realizuar, të cilin po e promovojmë sot, në këtë eveniment, shtjellohet në mënyrë studimore përbrenda hyrjes, pesë kapitujve dhe përfundimit. Autori E. Sadiku i ofron lexuesve dhe qarqeve shkencore të dhëna për lëvizjet e armatosura kundër pushtetit e administratës osmane në Gjilan e viset përreth, që nga gjysma e dytë e shekullit XIX e deri në vitet e para të shekullit XX, ku me theks të posaçëm parashtron Kryengritjet e viteve 1910 dhe 1912, në të cilat Gjilani dhe rrethina e tij treguan rol qendror e domethënës nën drejtimin e prijësit të njohur të Lëvizjes Kombëtare, Idriz Seferi. Vlerësojmë, si shtoi Fitim Rifati se, vepra “Gjilani me rrethinë gjatë Luftërave Ballkanike 1912-1913”, e autorit Mr. Enver Sadiku, fuqizon dëshminë e provave për qëndresën epike shqiptare, aktet çnjerëzore që janë ushtruar ndaj tyre para një shekulli dhe për historiografinë është një dokument e studim i mirëseardhur, që do të zgjojë kureshtjen e lexuesit dhe do të pranohet e mirëpritet në rrethet shkencore, aq më tepër kur të arriturat e tilla që për bazë kanë shtjellimin e problemeve në rajone të veçanta. Ai shtoi edhe këtë se, Mr. Enver Sadiku, profesor, me veprën e tij në fjalë pasuron fondin e bibliografisë për historinë e kësaj treve dhe, si studiues i ri dhe i zellshëm, në mënyrë serioze hyn në radhët e historianëve të Anamoravës, disa nga të cilët sot ndodhen në mesin tonë, që me hulumtimet dhe studimet e tyre kanë dhënë kontribut të çmuar me vepra të veçanta dhe të mirënjohura”. Naim Musliu, në punimin e tij me titull: “Dhuna ndaj popullsisë shqiptare të Gjilanit pas pushitmit serb më 1912”, pos tjerash, ka shtuar: “Në librin dokumentar “Gjilani me rrethinë gjatë luftërave ballkanike (1912 - 1913)” të autorit Enver Sadiku, jam munduar në këtë eveniment të rrallë të librit të paraqes disa të dhëna për dhunën dhe terrorin serb ndaj shqiptarëve në këtë rajon të Shqipërisë. Kështu, si shtoi ai, vendosja e sundimit pushtues serb në vilajetin e Kosovës, në fund të vitit 1912, është pasuar me vrasje, plaçkitje, terror e masakra mbi shqiptarët. Kështu ndaj popullsisë shqiptare të Gjilanit me rrethinë, veprime më çnjerëzore ushtroi Armata e Tretë Serbe, njësitë vullnetare të komitëve serbë, që përkraheshin edhe nga serbët lokalë. U rrahën e u keqtrajtuan dhe u vranë shumë qytetarë të pafajshëm, u vodh pasuria, u dogjën shtëpitë dhe u përndoqën mijëra shqiptarë. Sipas autorit të kësja monografie dokumentare, në fshatrat e Malësisë së Karadakut u rrënuan 29 katunde shqiptare, u dogjën e rrafshuan 280 shtëpi dhe janë vrarë e therur shumica e meshkujve. Nga ushtria serbe kanë pësuar rëndë fshatrat në thellësi të Malësisë së Kardakut, si: Depca, Caravajka, Peçena, Kurexhajt e fshatra të tjera. Burrat e këtyre fshatrave pasi u kapën nga ushtria serbe, të lidhur u grumbulluan te Kodra e Peçenës dhe u masakruan në mënyrë më mizore. Në dy gropa që u hapën, mbi 160 burra të këtyre anëve u therën, u përvëluan dhe u dogjën nën zhurmën e daulles e të surleve. Masakër u bë edhe në fshatin Gruhali, ku u vranë 18 burra, gra e fëmijë, të cilët iknin nga shtëpitë e tyre. Në Pidiq, fshatarët bënë rezistencë përmasash të vogla, dhe gjatë luftimeve pati të vrarë e në shenjë hakmarrjeje u dogjën të gjitha shtëpitë e fshatit bashkë me plevicat, ahuret e bagëtinë, ndërsa vrasjet e djegiet vazhduan edhe në fshatrat përgjatë Grykës së Karadakut në Haxhaj, Selishtë, Zhegër etj. Në Bresalc, në mënyrë barbare vritet Murat Bilalli me 26 bashkëluftëtarë të tij, që ishte bashkëpunëtor i afërt i Idriz Seferit. Të vrarë kishte edhe në fshatrat e malësinë e Zhegocit. Në fshatrat Tërstenik, Vërban, Lubishtë dhe Gjylekar, u torturuan dhe u vranë 238 burra e gra. Për krimet e ushtrisë serbe në Lubishtë ishte njoftuar edhe komandanti i Divizionit të ushtrisë serbe të Kosovës, ku e njoftuan se ushtarët serbë kanë rrethuar fshatin dhe të gjithë fshatarët e moshës madhore i kanë nxjerrë jashtë, kanë bërë kontrollin e tërësishëm dhe e djegin tërë fshatit. Po ashtu, si shtoi N. Musliu, “serbët kryen masakra dhe demonstruan dhunë edhe në Malësinë e Gollakut. Në dhjetor të vitit 1912, një ekspeditë e armatosur bashibozukë nga Kolloleqi, e udhëhequr nga mësuesi serb Llazar Zeqeviq iu vërsul Shipashnicës. Pas torturimeve të mëdha ndaj shqiptarëve, i ndau pesë veta, katër prej të cilëve i pushkatuan në malet e fshatit. Në Sfircë shpëtuan pa u djegur vetëm tri shtëpi. Nga dhuna serbe pësuan edhe qindra fshatarë nga Tygjeci, Sfirca, Hogoshti, Gmica, Zajçeci e fshatra tjera të Gallapit. Mr. Aliriza Selmani, historian tha se, ne të vjetrit është koha e vendi t’ua lëshojmë rendin të rinjve tanë studiues. “Unë, Fehmiu, Reshati etj., kemi bërë aq sa kemi mundur dhe aq sa kemi pasur kohë. Ajo kohë, kur jemi marrë me shkrime, ka qenë kohë me ty teha të shpatës. Më pëlqen vepra e Enver Sadikut, profesor, për faktin se, ai e ka shkruar kë monografi jo aq voluminoze, por aq sa duhet të jetë e tillë. Kjo vepër dokumentare flet për një periudhë shumë të rëndë, ku sipas thënies hamletiane “Të jesh apo të mos jesh”! Ishin, shtoi Aliriza Selmani, -ujqit e Ballkanit, të cilët deshën zhbëjnë popullin shqiptar nga faqja e dheu. Por, ja erdhi koha dhe na ndihmoi Amerika e të tjera shtete dhe, jemi ku jemi tash në liri. Libri nuk ka parafrazime të mëdha. Është punuar me përkushtim dhe zell nga autori, i cili ka hulumtuar mjaft literaturë të huaj shkencore. Ajo çka unë po e pëlqej është fakti se, libri që ka mbi 400, 500 faqe nuk është libër aq me vlerë, për faktin se autori po i përsërit gjërat e njëjta. Andaj, ky dokumentar ka fakte, argumente të plota. Historia nuk shkruhet pa dokumente. Më brengos fakti se na mungojnë ekipet që të dalin në teren dhe të hulumtojnë apo ta vjelin tek të moshuarit të kaluarën tonë të hidhur. A e dini se Ranilluku po shkruan libra si Cvejiqi, ku Serbia gjithmonë ka gënjyer, por edhe tash po prodhon gënjeshta, të cilat po bëhen të “vërteta”! Në fund, Enver Sadiku tha se, në këso raste, mbase mua më së paku më bie të flas për librin, ngase për të folën parafolësit e librin do t’a vlerësoni edhe ju pasi ta keni lexuar. “Unë konsideroj se vetëm kam kryer një obligim për ata që dhanë jetën për lirinë e Shqipërisë, një obligim për trevën ku jetoj, për vendin tim, në përgjithësi. Jam falënderues i Zyrës së Kryetarit të Komunës, z. Haziri, që financiarisht e ka përkrah botimin e librit tim. Ju faleminderit të gjithëve!
Nje pamje nga promovimi i vepres se Enver Sadikut, profesor nga Gjilani