Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Asllani: Abetares i tranferohet mësuesja e abetares!

| E enjte, 14.01.2016, 09:16 PM |


SHKOLLËS “ABETARJA” I TRANSFEROHET MËSUESJA E ABETARES!...

Nga Ramadan ASLLANI

Lajmi i medieve publike-lokale të Ferizajt, se mësuesja e shkollës së Softajve “Abetarja”, me një vendim të DKA-s së Ferizajt, po transferohej në një shkollë tjetër, në Papaz, duke i lënë nxënësit në klasën e dytë, krijoi një pakënaqësi të madhe te fatosat dhe prindërit e tyre. Kjo është një papërgjegjësi e institucioneve komunale arsimore a trysni politike, që luhet me ndjenjat dhe liritë e nxënësve e të prindërve... Megjithatë, kushdo që të ketë këmbëngulur në këtë vendim, duke u nisur që nga kryetari i komunës Muharrem Svarça e deri te drejtori i DKA-s, Muhamet Halili, mësuesja nuk është dashur të bie në këtë ndikim të atij vendimi, nëse do t’i kushtonte edhe me përjashtim nga puna, për t’i treguar opinionit, se sa rëndësi i kushton DKA-ja motos “nxënësi në qendër të vëmendjes”, duke pasur parasysh edukimin i tij në mësimdhënie e mësimnxënie në shkollë.

Nëse, sipas udhëzimeve administrative të Republikës së Kosovës dhe sipas metodikës dhe pedagogjisë evropiane e ndërkombëtare për institucionet edukativo-arsimore, nxënësi është në qendër të vëmendjes, e jo ndikimet çfarëdo qofshin ato, e aq më keq kur janë politike, klanore, fetare etj., mohojnë lirinë dhe të drejtën e nxënësit dhe të prindit për ta zgjedhur mësuesen, e cila detyrimisht i lë në klasën e dytë.

Ishte pamje jashtëzakonisht emocionuese e TV Temës, përqafimi i nxënësve me mësuesen, të cilat e shtrëngonin atë sikur nënën e tyre. Ky ishte një çast rrëqethës, sikur nëna kur ndahet nga fëmija për arsye të ndryshme. Çka do të thotë, të ndahesh prej edukimit të fëmijës, ku prindërit ta kanë besuar si fëmijë tëndin për edukim dhe arsimim deri në klasën e pestë.

Drejtori i shkollës në fjalë, Xhevdet Shabani, ndihet i pafuqishëm të bëj zgjidhjen e kësaj çështjeje, sepse siç thotë ai: “Unë nuk kam kompetencë të sjell mësimdhënës këtu e as të largoj nga këtu. Ky është një vendim dhe kompetencë e drejtorisë komunale”.

Absurdi i këtij të fundit është me papërgjegjësi totale, kur nuk di të prononcohet për vendimin e vet që e ka marrë dhe i përgjigjet gazetarit: “Përgjigjen për këtë çështje do të mund ta japë nesër, pasi nuk kam informacione të bollshme për ngjarjen e sotme”.

Sido që të jetë, këta 11 fëmijë, kurrë nuk do ta harrojnë, se si Drejtoria Komunale e Arsimit të Ferizajt, ia mori mësuesen, duke ua lënë Abetaren në gjysmë. Çka do të thotë t’i thyesh fëmijët emocionalisht, por edhe prindërit e tyre, duke ua mohuar të drejtën e edukatores dhe të edukimit, e në anën tjetër rrahagjoksin, se po punojmë për ardhmërinë e fëmijëve tanë. Ja si duket ardhmëria e fatosave…

Ferizaj, më 13 janar 2016