Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Dedaj: Koha e pashmangshme e Kadaresë

| E diele, 10.01.2016, 09:04 PM |


KOHA E PASHMANGSHME E KADARESË

NGA NDUE DEDAJ

1

Na i përshpejtoi këto shënime të hedhura muajt e fundit dekorata e lartë “Komandant i Legjionit të Nderit” me të cilën Presidenti i Francës, zoti Fransua Holland, nderoi shkrimtarin tonë të shquar Ismail Kadare. Doemos një shteti si ai francez nuk i shpëtojnë ngjarje të tilla si 80-vjetori i një shkrimtari me përmasa europiane, që e ka kaluar pragun e letërsisë së përbotshme përmes kulturës franceze. Kulturat dhe kancelaritë perëndimore nuk gjendën asnjëherë të vonuara në këso rastesh, ndryshe ndodh me ne që kalendarin më së shumti e shohim për të ditur se kur e kanë ditëlindjen udhëheqësit politikë të vendit, që të bëjmë gati, sipas rastit, për të shuarit lotët e nostalgjisë e për të gjallët dhuratat e shtrenjta mijëra euroshe. Jo më kot në vendet diktatoriale koha është matur me udhëheqësit e tyre, në Shqipëri është thënë “Koha e Zogut”, “Koha e Enverit”, kurse në Francë ndryshe nga këtu ka patur kohë të Balzakut e Hygoit po aq sa dhe të Napoleonit. Në Angli ka patur kohë (të përkohshme) mbretërish, por pas shekujsh do të mbetej vetëm koha e pamatë e Shekspirit, ashtu si në Itali e Dantes, duke shkuar kështu deri te epoka homerike.

Natyrisht Kadare bën dhe pa këto analogji historike, por koha e shqiptarëve nuk bën pa të. Ai, me sagën e tij romanore, krijoi përmasën moderne të qytetërimit shqiptar me rrezatim global, në vazhdën e Eposit të Kreshnikëve, Formulës së Pagëzimit & Alfabetit (si akte shuguruese të shqipes), Kanunit të Lekë Dukagjinit etj. Letërsia e Kadaresë përftohet nga humusi pjellor i baladave të moçme shqiptare, si ajo e besës, mishëruar në figurën e motrës së gjallë dhe “vëllait të vdekur”, i cili krishtëron mbi vdekjen dhe kalëron male e shekuj për të mbajtur fjalën e dhënë; apo përpajnimi rruzullor në prozën e tij i miteve, legjendave, historive, ngjarjeve, personazheve, filozofive nga Piramida e Keopsit, Troja, Ura e Qabesë, Kisha e Shën Sofisë, Gjirokastra, Bjeshkët e Namuna, Moska, Pekini, Parisi etj. Në letërsinë shqipe të vonë Kadare fitoi popullaritetin e gjerë që kishte patur Fishta në gjysmën e parë të shekullit XX. Por ishte ndryshe të shqiptoje “Lahutën e Malsisë” në një popullsi që vazhdonte ta kishte përzemër rapsodinë homeriade dhe ndryshe të lexohej semantika nëntekstore moderne e “Pallatit të Ëndrrave”. Ishte një opus letrar me shkëlqim mbretëror, mesharian, kodikësh të purpurt, që nuk mund të mos i qaseshe me ndjesinë e së madhërishmes, njëlloj si para pikturave të Onufrit, afreskave e gravurave të tjera monumentale të tempujve të shenjtë. Ismail Kadare nuk mund të hynte me veprën e tij në Europë pa patur në indët dhe ashtin e krijimtarisë këso rrënjësh kulturologjike europiane, që fatmirësisht kultura shqiptare i kishte referenca të vetat. Është intersante të vëresh se Kadare hynte në letërsinë europiane, kur ende në Europë nuk kishte reshtur jehona e folkut dhe vendi i tij fitonte kurorën e artë të Dizhonit me çiftelinë proverbiale e lahutën mitike të maleve. Deri atëherë vendi i shqipeve, siç thirrej nga të huajt, kryekrejet kishte krijuar poema epike në stil klasik, pa harruar disa diamante letrare që vezullonin me Bogdanin, De Radën, Seremben e deri te Mjeda, Migjeni e Lasgushi, çka e afronte triumfin letrar kadarean në botën moderne.

Kadare, me letërsinë e tij, ndryshoi kuotat e deritat’hershme (vitet ’60-’70) të gjuhës shqipe, duke i dhënë një përmasë të re asaj në gjysmën e dytë të shekullit XX e përgjithmonë, bash në kohën kur me Kongresin e Drejtshkrimit (Tiranë 1972) binte paskajorja, mbretëresha e shkurorëzuar e shqipes. Pa cekur këtu mënyrën se si u sendërtua standardi ynë letrar, për t’u shënuar është se atë materie të gjallë gjuhësore plot ngjyrë, shprehësi e tingëllimë që nuk e ndeshnim më në realitetin shkrimor letrar, e gjenim të endur në romanet e Kadaresë në trajta përherë e më gjuhëkrijuese. Ai hyn në ata shkrimtarë që identifikohen genetikisht me veprën e vet, veçse në rastin e tij njëjtësimi autor - vepër është thuajse titull për titull, pra, jo vetëm kur thua “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, por dhe “Kronikë në gur”, “Dimri i madh”, “Prilli i thyer”, “Viti i mbrapshtë” e deri te “Darka e gabuar” lexuesi nuk ka nevojë t’i bashkëshoqërojë ato me emrin e shkrimtarit. Ndërkohë që lexuesi më i madh numerikisht i veprës së Kadaresë prej vitesh është ai i huaj. Kadare lexohet në dyzet gjuhë dhe ka arritur në 1000 numri i botimeve të tij jashtë vendit, duke u përafruar me botimet për Heroin tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotin - Skënderbun, qysh nga dalja në dritë e veprës së Barletit në fillimet e shekullit XVI. Kjo ka bërë që prej një çerek shekulli ai të nominohet vit pas viti për çmimin Nobel, por për habi pa e arritur atë.

2

Koha si rrjedhë ditësh, javësh, muajsh e vitesh është e pashmangshme për askënd, kalendari nuk ndalet as për Kadarenë, ai mbush 80 vjeç këtë fundjanar, por për shkrimtarin si i tillë ka një kohë matanë caqeve të jetës njerëzore dhe Kadare e ka mbërritur atë qyshkur. Ngjarja në tokë ka ndodhur, nga ato lloj ngjarjesh që nuk buçasin si përrenjtë që fryhen në dimër e thahen në verë. Ai vazhdon të shkruaje “mëngjeset” në Kafe Rostand në Paris, apo në Tiranë, pa u përzier në zgjyrën mediatike, ku ende aty - këtu vazhdohet t’i bëhet portreti sipas stilit të organizatës - bazë, si në vjeshtën e 90-s, kur jepej direktiva nga KQ: Kadaresë nuk do t’i ndalohet vepra, ngaqë ajo është pasuri kombëtare, kurse vetë Ismaili është i papranueshëm pasi “shkoi e u bashkua me borgjezinë”(!) Muri i Berlinit ka rënë me kohë, kurse “muri” i mendësisë bolshevike që e ndan shkrimtarin nga vepra nuk ka sosur as sot. Kështu jemi sjellë ne dhe me Poradecin, Maleshovën, Paskon, Shllakun, Gjeçin, Trebeshinën, Ndojën, Myftiun etj., që i kishim mes nesh e s’i dëgjonim, pa shkuar te “reaksionarët” e mëdhenj: Fishta, Konica, Koliqi, Haxhiademi, Pipa, Camaj etj. Para njëzet e pesë vitesh Patër Zef Pllumin e kishte kuptuar vetëm një dorë e vogël intelektualësh në Tiranë, që i ishin përbashkuar nismës së tij për rikthimin e “Hyllit të Dritës” - ai kalonte përditë rrugës së Kishës Françeskane në kryeqytet, por pak kush e dinte se cili ishte. Vetëm vitet e fundit të jetës ndërgjegja shqiptare u zgjua, u bë e vëmendshme karshi tij, dhe pse në personalitetin e fratit bohem asgjë nuk ishte “zmadhuar”, librin emblematik “Rrno vetëm për me tregue” e kishte botuar pjesë - pjesë vite më parë. Në këtë kontekst, të vjen thart nga ato që lexon nëpër librat - dosierë që botohen në Shqipëri me lëndë nga survejimi mbarëpopullor i Kadaresë. Çfarë do të thoshte Oruelli për këtë sjellje tribale ndaj primatëve të kulturës sonë? Paçka kësaj Kadare ka qenë dhe mbetet shkrimtari më i lexuar e i adhuruar i shqiptarëve, të paktën i brezave të fundit. Ai jo rastësisht iu ka adresuar bashkëkombasve si porosi të madhe të tijën, “raportet i Shqipërisë me vetveten”, si një testament historik.

Së fundi, nuk është se e kishim harruar ditëlindjen e Kadaresë, ama Franca na e shtiu në mend në dy-tri ditët e para të fillimit të 2016-s, si për të na thënë se ka gjera për të cilat nuk duhet vonuar. Por nuk është se ne nuk jemi vonë. Ka qenë dhënë një çmim me emrin Kadare për autorët e huaj, por që u nda vetëm një a dy herë. Ka filluar të jepet një tjetër çmim me emrin e shkrimtarit të mirënjohur, nga një kompani mediatike - universitare, por për mendimin tonë herët a vonë është i pashmangshëm krijimi i çmimit të madh “Kadare”, në rang (bashkë)qeveritar, që të jepet çdo 28 janar nga Shqipëria dhe Kosova së bashku, për autorë të vendit dhe të huaj.