| E enjte, 07.08.2008, 05:37 PM |
Trimi i pamposhtur, Gjeto Coku (1854 –1913), mik i të gjithë shqiparëve
Kelmendi,
tokë e begatë trimash
Nga Gjon Frani Ivezaj, historian
Nju Jork (ShBA)
Malësia e Mbishkodrës, nuk mund të kuptohet pa Kelmendin, djepi i hershëm i lindjes së kreshnikëve, që janë dëshmia më e hershme e ekzistencës së popullit shqiptar në trojet e veta kryekëput e safi shqiptare, duke dhënë provën e mbijetesës dhe të rilindjes së vijushme. Në çdo periudhë dhe brez mbas brezi çdo shtëpi, katund, vllazni, fis, bajrak ka nxjerrë trima, mendimtarë, prijës të luftës dhe kuvendeve në odat e moçme të burrave të Alpeve të Veriut të Shqipërisë.
Kelmendi dhe bijtë e saj kreshnikë, kanë mundur të përballojnë furtunat e egra të pushtuesve shumëshekullorë turq dhe shovinistëve fqinj sllav. Autorë të ndryshëm, e më së shumti studiues albanolog të huaj, që kanë vizituar e qëndruar shpesh mes bjeshkëve të maleve të thepisura, banesat bujare të malësorëve, duke gërmuar historinë e Kelmendit, saktësojmë origjinën e hershme të saj.
Kështu, sipas albanologut kroat Dr. Milan Shuflai: “Një qytet i këtillë ndoshta në shek. IX shtrihej në bregun e detit afër Shën Gjinit dhe shërbente si pikë mbrojtëse kundër piratëve arabë.” (Dr. M. Shuflai: “Serbët dhe Shqiptarët”, Bargjini, 2002.).
Gjatë fundit të shekulli XX në Kelmend, janë zbuluar shumë gjetje arkeologjike, si monedha bronzi të shek. II - III mbas Krishtit, si dhe nuk mungojnë banesat me një urbanistikë të rregullt, mjaft të avancuar për kohën, të së njëjtës periudhë me ato të stilit romak (Itali) dhe helen (Greqi). Më vonë më epokën e Mesjetës, Kelmendi, do të ketë emblemen ose Stemen e titulluar: “Arma et Insignia”. Ajo është botuar për herë të parë nga revista shkencore autoritative të kohës “L.E.K.A.” (viti 1930), që drejtohej nga Kuvendi Franceskan në qytetin e Shkodrës. Pra Kelmendasit dhe bijtë e saj, kanë luftuar brez mbas brezi, për liri dhe pavarësinë e tokave shqiptare në male dhe zonat fushore.
Në këtë truall plot tradita, u mëkuan edhe të parët e familjes Coku, që herët e lanë Kelmendin e u vendosën me banim në zonën e Bregut të Matës. Biri kelmendas, Gjeto Coku, në një prononcim për kohën, duke luftuar sëbashku me trimat e tjerë u shpreh: “Jam gati me e shkrii gjaan t’eme, e me baa armë e fushekë për luftarët, mjeft qi Turku t’dalin faret.” (Po atje, f. 7).
Ai ndihmoi, me sa mundi të gjithë komitët e malit me armë, municione e ushqime. Askohe gjatë kryengritjes, turqit kërkonin t’i çarmatosnin malësorët e Bregut të Matës. Luftarët, jo vetëm që nuk i dorëzuan armët mbrojtëse, por i bënë thirrje taborreve turke, që të largohen menjëherë nga tokat shqiptare: “Por kta i bane me dijt turkut, se nuk ishin pula që tremben prej nji “ish - ish”; “pushkët e mbushuna nuk lshohen, por t’viin me e marrë vetë.” Për afro 17 orë rresht, luftëtarët shqiptarë i rezistuan ushtrisë mizore turke, e armatosur gjerë në dhëmbë. Edhe pse me ndihmen e disa trathtarëve shqiptarë muslimanë (që luftonin nën flamurin turk për nder të “baba Dovletit”), garnizonet turke, nuk mundën që të gjunjëzonin e mposhtin Gjeto Cokun me shokë. “Gjeto Coku praa kje nji i krishtenë me nam, nji atdhetar i paa shoq. Ktii ja muer kamen vllaj Ded Coku, i cilli i pergiaan e ndjek gjurmat e tii, prandej i krishtenë si i vllaj, atdhetaar si i vllaj. Rrnoftë e kioftë per ndeer t’Shqipniis!” (f. 9)
Kush ishte patrioti Gjeto Coku?
Ky bir i denjë malësor, ishte një nga udhëheqësit luftarak më popullor, organizator kryesor i kryengritjeve kundër Perandorisë Osmane të vitit 1912, të malësorëve në krahinën e Bregut të Matës të Qarkut Lezhë. Gjeto Coku, ishte i biri i Cok Prekës, që kishte pesë djemë të tjerë, si: Tomën, Nikollën, Prekun, Markun dhe Gjergjin. Kurse Gjeto Coku kishte vëlla Mashin dhe Dedën. Dedë Mashi, ka lindur në Nikç të Kelmendit, ndërsa të tjerët në Shën Koll në Breg të Matës.
Cok Preku, baba i Gjetos, ka ardhur nga krahina malore e Kelmendit, e përmendur për besë, trimëri, burrëri, mipëpritje dhe kryengritje të njëpanjshme me armë në dorë, kundër pushtuesve të ndryshëm, që janë përpjekur të nënshtrojnë Malësinë e Kelmendit të panënshtruar ndër shekuj. Vajzat fisnike të Gjeto Cokut ishin: Dila, Maruka, Terezja, Filja. Maruka, ka qenë murgeshë e Kishës katolike në një kuvend motrash në Zagreb të Kroacisë. Për patriotin trim dhe bujar Dedë Cokun dhe Mashin e Çokut, shkruan edhe “Poeti Kombëtar” At Gjergj Fishta (1870 – 1940) në kryevepren “Lahuta e Malcis”.
Për sundimtarin e Lezhës Gjeto Coku, flet revista “Përparimi” e vitit 1914 (f. 5 – 7), ku i kushtohet një artikull i veçantë prej 3 faqesh. Aty ekskluzitivisht trajtohet atdhetari Gjeto Coku si sundimtar në bajrakun e Nikshit. Nga dokumentet arkivore dhe shtypi i kohës thuhet se ai e drejtoi vendin me drejtësi, paqe dhe tolerancë.
Gjeto, ishte një familje me tradita të hershme atdhetare dhe krishterë i devotshëm në udhën e Zotit. Patrioti i zjarrtë ruajti lidhje të ngushta me Kishën katolike dhe kishte shumë miq të shtëpisë priftërinj dhe ipeshkëvij të kohës, duke mbetur (deri sa ra dëshmor nga dora trathtare) një burrë trim, i nderuar dhe respektuar dhe i dashur për të gjithë.
Ndër të tjera shkruhet: “Nder Shqyptarë qi maa fort se t’tanë u perkujdesne per miradijet t’komit e s’ditne me kursye kurr farë mundimit, por u munduene saa ku mujtne me e pshtue Shqypniin prej thojve t’pangiishem t’ Mbretniis s’ Turkut, e nder saa e saa Shqyptarë tjerë, qi shkrine mallë e gjaa per Shqypnii, i dejë m’u njoftun e m’u permendë asht Z. Coku. Ah! Per t’ saktë burrnia e atdhedashtnia e ktii shquptarit nuk do t’qitet n’harresë, per se i cilli atdhetarë do t’rreket me e ndjekun e me ecë mas gjurmve t tia. Gjeto Coku, ishte i Bajrakut t’Nikshit. T’ lemit e pat prej nji babet e nanet qi shkojshin jeten si i perket nji t’krishtenit t’mirë, e prej ktyne xuni hem me i sherbye Zotit, hem me punue e me e dashtë atdheen si duhet e si kaa hije nji atdhetarit t’vertetë.” (f. 5)
Vargu i burrave, që kanë qenë garant të insitucioneve të Kanunit në Malësi të Veriut dhe zonat fushore, ku këto malësorë, për arsye të kushteve ekonomike u vendos në qendrat e reja të banimit, është i pafund. Në çdo vllazni e katund, ka pasur shumë burra të tillë, që ishin krenaria e trojeve shqiptare edhe për kryengritje të njëpanjshme, kundër ushtrive pushtuese turke e shovinistëve serbomalaziase. Besa e lidhur për nder e flamur, në këto troje trimash, kishte një rëndësi të dorës së parë. Atë e vinin në lëvizje malësorët sypatrembur si Gjeto Coku me shokë, sepse në luftë ai ishte shumë i zoti, për t’i bashkuar të gjithë trimat në një qëllim të përbashkët atdhedashës.
Ndër këto burra të malësisë, mund të përmendim: Dedë Gjon Lulin, Lucë Nika, Gjokë Luci, Mark Toma, Kolë Gjoni, Ndue Dushi, Dedë Coku, Lush Llani, Gjeto Coku, Sadri Keqi, pjetër Llesh Nikë Daka, Sokol Djala, Llesh Gjeri, Pjetër Bici etj. Burra të tillë të paharruar në “Malin” e Kastratit kanë qenë: Dodë Preçi, Gjelosh Gjoka, Shaban Elezi, Gilë Marku, Dulo Staka, Kot Nika, Zenel Shabani, Vuksan Leka, Pjetër Dulja, Dosh Sadria, Ndrekë Kaçeli, Marash Gjekë Mali, Mirash Luca, Brahim Vuksani, Nikollë Mirash Luca, Prekë Brahimi, Gjeto Shyti, Ndokë Gjoni, Nish Gjeto Daka, Lukë Deda, Çok Zefi, Lucë Tagani, Llesh lekiqi, Nikollë Marku, Gjeto Daka, Nikë Ivani, Dash Preçi, Mark Dashi, Ujkë Gjeto Shyti, Dedë Gjon Ujka, Lucë Gjeka, Dodë prendash Zefi, Smajl Shpendi, Nuk Puli, Marash Vata, Qerim Sokoli, Halil Ujka, Oso Rama, Prek Gjon Rrethatokja, Llesh preluca, Nikë Gjelosh Gjoka, Kolë Gjeloshi, Nikë Gjeto Koti, Mar Gjoni; burrat e Shkrelit, si: Marash Vata, Vatë Marashi, Tomë Nika i Shkrelit, Rrushman Hasani, Zef Tomë Nika, Gjon Deda i Shkrelit, Kanto Marashi, Mark Tomë Pllumbaj Bajraktar i Kelmendit, i cli mori pjesë në Kryengritjen e vitit 1912 dhe më pas ngriti flamurin e Pavarësisë në trevën e vet.
Ai me armë në dorë, mori pjesë në mbledhjen e organizuar në Zejmen më 11 Maj të vitit 1912, me përfaqësues nga krahinat e tjera fqinje, si: Mirdita, Malësia e Lezhës, Kthella etj. Ai ishte ndër të parët, që këmbnguli të zbatohen deri në fund të gjithë vendimet historike, që do të merren nga të gjithë shqiptarët e tubuar atë ditë.
Kësisoj që nga ajo ditë, Gjeto Coku, u bë një nga patriotët më të vendosur të luftës për liri e pavarësi të popullit shqiptar, që prej 50 dekada qëndronte i robëruar nga kthetrat e ushtrisë mizore koloniale turke.
Historia e Gjeto Coku, përmes dokumenteve historike të Arkivit të Austrisë
Duke shfletuar disa dokumenta, që janë marrë nga Arkivi i Vienës (Austri), që disponohen në Insitutin e Historisë në Tiranë, shohim se Dokumenti #10, Dosja #20, ka të shkruar detajet interesante, se: “Ambasadori Zambaur në Shkodër, njofton Vjenën, më 11 Maj 1910, se më tha Gjeto Coku, se “rebelët” po e mendojnë seriozisht punën me u shkëput nga Turqiq….” dhe më poshtë njoftonte ai “e porosita, që të përdor influencën e tij, që as shokët e fisnit, as malsorët e tjerë mos të hidhen kundër Qeverisë.”
Ndërsa Vjena, i shkruante ambasadorit të ri në Shkodër Zambaur-it, më 14 Shkurt 1911: “Një i fortë: Prek Gjeto Coku nga fisi i Kelmendit, i cili kishte marrë pjesë në emigracionin e malësorëve të vitit të kaluar për në Mal të Zi, ka disa kohë që ndodhet në Monarki dhe nëpërmjet të tjerëve ka pasur korelacione… me Dr. Fran Baron Nopçen… na është drejtuar dhe ka kërkuar, që të lejohet kthimi përsëri në atdhe, duke ndërmarrë pranë qeverisë turke hapa që do t’i duken të përshtatshme… mbasiinformatat e pakta që disponohen për lutësin nuk janë aq të favotshme edhe se dyshimi nuk mund të hiqet, se kthimi i tij për në Vilajetin e Shkodrës, ai mund t’a përdorë për qëllime të agjitacionit.”
Një këngë popullore, që këndohet me lahutë dhe çifteli brez mbas brexi, e ka përjetësuar kështu figurën e Gjeto Cokut, me trimat e tij besnikë në mbrotje të trojeve të vatanit:
Në çdo mbledhje kanë ngritur zanin
Me çdo kusht me mbrojt vatanin
Si në luftë kundra Turqisë
Në prag të Shpalljes së Pamvarësisë.
Qenë malësorët sokola malit
Në fshat Shenkollit në Breg të Zallit
Që ja vunë pushkën nizamit
Shumë ushtarë ja vranë Sulltanit.
Në krye të luftës së Pamvarsisë
Gjeto Cokun kishin prijës
Lëgjandar bashkë me malësorë
Ngreu flamurin vetë më dorë.
Disa trima lufta i mori
Me pushkë në dorë në mbrojtje këtij troi
Pjetër Bici, Gjergj Nikolla
Llesh Nik Dake, Pjetër Sokola,
Tuj luftua kundra Turqisë
Ranë si trima të Pamvarsisë.
Në një dokument tjetër top - sekret, njoftohej Viena nga të dërguarit e saj në Shkodër, lidhur me qëllimin e Preng Pashës dhe rrezikun e atentatit kundër Gjeto Cokut. Në dokument thuhet: “Preng Pasha, nxit banorët kundër Emzot Kolecit dhe vëllezërve Coku, Emzot Serreqit, Kolecit e Bumçit… kishin frikë për trazira serioze, bile dhe për atentat eventual kundër Emzot Kolecit dhe Cokut…”
Më 4 Shtator 1913, nga Durrësi njoftohej Viena, se “Katolikët e Bizës e të rethit të saj, nuk duan që të njohin qeverinë provizore të Durrësit. Ata duan që t’i nënshtrohen vetëm shefit të malësorëve katolik të Bregut të Matit Gjeto Cokut…”
Dokumenti #177, dt. 17 Nëntor 1013, është një letër e Eqerem Bej Vlorës. Në të thuhet, se: “Në Lezhë e në Shën Gjin, është formuar një Qeveri Kombëtare nën drejtimin e malësorëve të Lezhës, si armiq të Bib Dodës. Ata janë edhe kundër Esat Pashajt… Bib Doda ka siguruar krahinën e Mirditës… Vrasja e Gjeto Cokut e ka armiqësuar atë me katolikët e Malësisë së Lezhës…”
Në Tetor të vitit 1912, Esat Pash Toptani, mblodhi Redifet e Krujës dhe Tiranës, gjithsej rreth 10.000 vetë. Ai u nis për të shtyp kryengritjen nga Mati deri në Malësinë e Madhe. Bregamatësit, i vunë pritën në Kodrat e Pllanës dhe nuk i lëshuan rrugën për 3 ditë. Vetëm pas luftimeve të ashpra, Esat Pash Toptani, mund të kalonte, duke kallur gjithë Bregun e Matës, ndër to edhe shtëpinë e Priftit (Çelën). Ai dogji gjithsej 100 shtëpi.
Të besëlidhurit e Bregut të Matës edhe mbas 12 tetorit 1912, kur Lufta Ballkanike kanoste copëtimin e Shqipërisë, luftëtarët shqiptarë u ngritën me armë në dorë, rrethuan garnizonin turk në Pllanë, ku ndodhej një batalion dhe e detyruan të dorëzohej dhe mbasi e çarmatosen e lanë të lirë të largohej.
Asnjëherë shqiptarët e për më tepër malësorët nuk e kanë patur traditë që të vrasin në nore (në besë) robët e luftës. Këtë përjashtim do ta bëj vetëm regjimi komunist në Shqipëri, që do të instalohet dhunshëm në periudhën e zezë të historisë së popullit martir shqiptar prej viteve (28 nëntor) 1990 deri më (13 dhjetor) 1990.
Më 14 Nëntor 1912, trupat e ushtrisë së kryemonarkut malazias, pushtuan Shën Gjinin dhe pak ditë më vonë, trupat serbe të Krajlit pushtuan Lezhën. Kryengritësit gregamtas, bashkë me krahinat e tjera të Lezhës, krijuan Qeverinë e Lezhës me kryetar udhëheqësin e kryengritjës së Bregut të Matës patriotin kreshnik Gjeto Cokun.
Me shpalljen e Pavarësisë Kombëtare, Qeveria e Lezhës, me në krye Gjeto Cokun, u bashkuan menjëherë me Qeverinë e sapoformuar të drejtuar plaku i urtë i Vlorës historike, kryeministri i parë Ismail bej Qemali. Ai nuk pranoi propozimet e Preng Pashës dhe Esat Toptanit, për t’u shkëputur nga Qeveria e Ismail Bej Qemalit. Për këtë edhe e pagoi me jetën e vet më 7 Tetor 1913 në Lezhë.
Kryengritjet e drejtuar nga
fatosi i lirisë nipi i Kelmendit Gjeto Coku
Në dhjetëvjeçarin e parë të fillimit të shekullit XX, Lëvizja Kombëtare, lufta e gjithanshme e popullit shqiptar për liri e pavarësi mori një hov të madh. Kjo u pasua nga kryengritjet e njëpasnjëshme pararendëse të viteve 1909, 1910, 1911, që ishin preludi frymëzues për kryengritjet e reja, që do të vijnë në vitet në vijim.
Lëvizjet e fuqishme kundërturke, tronditën themelet e kalbura të Perandorisë Otomane, që kërkonte dorën e fundit për t’a rrëzuar përdhe, duke tronditur serizisht pushtetin e Xhonturqve të Rinj, që ndonëse me ambicie për pushtet, pretendime reformuese sipërfaqësore, ishin baza e Perandorisë së vjetës otomane.
Në këtë situatë të elektrizuar, me inisiativën e Gjeto Cokut, u organizuan kryengritje kundër garnizoneve turke. Beteja ishte e ashpër dhe e përgjakshme. Këto fitore të bujshme, ndezën flakën e kryengritjes dhe në krahina të tjera të trojeve etnike. Grupi i të besëlidhurve i udhëhequr nga Gjeto Coku, Zef Harapi etj., goditi forcat armike në Mirditë, në Bregun e Matit dhe garnizonin ushtarak në Lezhë, duke intensifikuar edhe më shumë veprimet ushtarake me armë në dorë. Madje shumë patriotë të mërguar, po ktheheshin nga vendet e huaja, për të marrë pjesë drejtpërdrejtë në luftrat kryengritëse, kundër pushtuesve kolonialë turq e çlirimin e Shqipërisë.
Megjithatë duhet thënë, se kryengritjet zinxhir, që plasën në disa shtet të Ballkanit dhe më sëshumti në trojet etnike shqiptare, ushtritë turke përdorën forcën më të madhe për shtypjen e tyre me një egërsi e tërbim të pashembullt. Kjo nuk e uli tempin e revoltave me armë në dorë, por bëri që shtetet dhe popujt nën robëri të jenë përherë në ballë të përleshjeve vendimtare për liri e pavarësi nga suaza e Perandorisë Otomane.
Kësisoj, qëndresa me tytën e pushkës dhe luftrat e njëpasnjëshme të popullit shqiptar, po merrte një fizionomi të plotë dhe frymarrje më të gjërë, falë angazhimit në rritje të forcave përparimtare, që aspironin prej shekujsh mëvetësinë kombëtare, sociale, kulturore, gjuhën amtare, shkrimin shqip, historinë, traditat, doket dhe ruajtjen e vlerave të paçmuara të identitetit kombëtar të trashëguar brez mbas brezi në tokat e veta ilire.
Atdheu ynë, përmes bijve të dashur të saj, kishte filluar një rilindje e fryumarrje. Koha kishte thirrë në skenën historike amtare, zgjimin për liri dhe të drejta shoqërore, kthimin tek historia e pararendësve ilirë arbërorë të epokës së Gjergj Kastriotit.
Të gjithë shqiptarët, e privilegjuar në parlamentin, qeverinë dhe dikasteret e tjera të Perandorisë Turke treguan një zell, duke justifikuar shprehjen popullore, se “qeni leh aty ku han bukë”, duke dërguar taborre të panumërta drejt tokave të të parëve të tyre, për t’i treguar pushtetit të perandorëve turq, se ne jemi besnik të dhuratave dhe xhevahireve verbuese, që ajo u ofroj një herë e një kohë princëve arbërorë, që nga koha e Gjergj Kastriotit.
Por kishte edhe nga ato filoturk, që pas një pendese të gjatë, u rikthyen në tokat shqiptare dhe jetën politike të vendit, për të larë mëkatin e shumë viteve më parë në shërbim të Perandorisë Turke. Nga ana e tjetër, në kampin e Perandorisë Otomane, lëvizjet kundër xhonturqve të rinj disa herë ishin bërë shumë shqetësuese për krerët drejtues, që e njihnin mentalitetin dhe dëshirën e zjarrtë e vendit të shqiponjave, për të qenë i lirë dhe i pavarur.
Për më tepër, këtë gjë e dinin edhe 45 ish guvernatorë, që ishin me origjinë shqiptare qysh nga periudha e Gjergj Kastriotit. Ata herë mbas here kishin qenë në krye të Perandorisë Otomane, si governator e z/guvernator të saj. Ata gjithashtu e njihnin shumë mirë historinë e popullit të vet, por më shumë u pëlqente profesioni i mercenarit. Ato ndonëse i shërbenin verbërisht ose me ndërgjegje Perandorisë Otomane (në saj të privilegjeve, që u ofroi si dhuratë verbuese), nuk arritën të mposhtin gjakun e pastër ilir.
I tillë është rasti i Ismail Bej Qemalit, që mbasi kishte shërbyer për shumë vite në Parlamentin turk, kthehet në vendin e origjinës së të parëve të tij. Diplomati i karrierës, duke gjetur edhe zemërimin e madh të popullit e Rilindasve shqiptarë, fillon organizimin e kryengritjeve, duke e kurorëzuar me sukses rezistencën kundërturke, me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor të vitit 1912 dhe ngritjen madhështore të Flamurit në Vlorën historike…
Një rrezik tjetër asokohe i kanosej kombit tonë. Shetet monarkiste shoviniste fqinje, në aleanca të fshehta, me synimin për të larguar influencën e Perandorisë Otomane në Ballkan, pretendonin të ndanin trojet shqiptare mes vedit, a thua se Shqipëria ishte një plaçkë tregu apo copë torte që kapërdihej lehtë.
Lufta me armë në dorë, e drejtuar nga fatosat e lirisë në Veri dhe Jug të Shqipërisë, kudo ku flitet gjuha shqipe, e drejtuan tehun e lëvizjeve në dy drejtime: sëpari, kundër pushtuesve të Portës së Lartë Otomane, që kishte shkatërruar në mënyrë sistematike gjithçka shqiptare dhe kishte bërë që një pjesë e shqiptarëve të flisnin e shkruanin gjuhën e pushtuesit e t’i shërbenin atij, për të shtypur vëllezërit shqiptarë (për të marrë lavde dhe poste nga Perandoria Turke) dhe së dyti, kundër pretendimeve shoviniste të morkive fqinje, që mbroheshin në synimet e tyre nga vetë Fuqitë e Mëdha të Europës, që nxisnin dhe përkrahin në rrugë diplomatike synimet e fqinjëve grabiqarë.
Në situatën tepër të rrezikshme dhe të vështira për fatet e kombit, Grupi i Deputetëve Shqiptarë në Stamboll, i kërkoi Qeverisë së Xhonturqve të Rinj, që t’i njehte menjëherë popullit shqiptar të drejtën kombëtare për vetëvendosje. Xhonturqit, të tërbuar nga kërkesat e deputetëve shqiptarë, i hodhën poshtë pretendimet e tyre njëzëri, duke rritur masat e shtypjes dhe represionit ndaj elementëve të rrezikshëm për vijimin e sundit të tyre në Shqipëri.
Në kushtet pa udhëzgjidhje, popullit dhe trimave atdhetarë, që mbështeteshin në lëvizjet e tyre liridashëse nga shtresat e popullit, nuk i mbetej gjë tjetër, veçse t’i fitonin këto të drejta të njeriut dhe të një kombit që nuk kishte asgjë me kolonët turq, që t’i rifitonte me luftë dhe gjak të pastër arbëror. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, një grup të vonuar patriotësh shqiptarë, u mblodhën në Stamboll, në udhëheqjen e Ismail Bej Qemalit. E gjithë kjo tashmë kishte ndodhur kur Perandoria Otomane ihste buzë greminës, falë grindjeve për pushtet përmes vrasjeve që kishin plasur në klanet e dinnastisë së pushtetarëve të lartë. Megjithatë, ujku turk edhe pse i plagosur rëndë me vdekje ishte tepër i rrezikshëm.
Në mbledhje u vendos, që në vendin e shqiponjave të rifillonin kryengritjet e njëpasnjëshme, duke rikujtuar, ndonëse me vonë, peridhën e lavdishme të Gjergj Kastriotit. Për organizmin e kryengritjeve me armë në dorë në Veri të Shqipërisë dhe pjesën e Mesme të saj, do të vepronte patrioti liberator Luigj Gurakuqi dhe në Kosovë Hasan Prishtina, ndërsa në Shqipërinë e Jugut, ishte caktuar ish - deputeti në Parlamentin Turk Ismail bej Qemali, i mbështetur nga Rilindasit e tjerë.
Ngjarjet historike, që paraprijnë shpërthimin e Kryengritjes së Përgjithshme të vitit 1912, lidhen ngushtësisht me luftën e ndezur politike dhe përpjekjet e para më armë, që u zhvilluan gjatë fushatës së zgjedhjeve për deputetë.
Xhonturqit e kishin shpërndarë Parlamentin, me qëllim që të jepnin një goditje shkatërrimtare opozitës që kundërshtonte gjithnjë synimet e tyre. Në grupin e deputetëve në Parlamentin Turk, bënte pjesë edhe Grupi i Deputetëve Shqiptarë. Ata qysh në fillim i ishin bashkuar forcave reformatore në Turqi, që kërkon, përmes programit të tyre të detajuar politik “Liri dhe Marrëveshje”.
Duke parë aktivitetin e madh politik, që luante forca patriotike shqiptare, të drejtuar nga Ismail bej Qemali, Bajo Topulli, Hasan Prishtina etj., në Parlamentin e Përandorisë Turke, Xhonturqite Rinj të Stambollit, synonin që këto deputetë shqiptarë të mos fitonin një mandat tjetër në Parlamentin turk, sepse kishin dalë nga synimet e Xhonturqve si “bukëshkalë të Perandorisë”.
Për t’a ishte më e mirë të zgjidheshin deputetë kukull, që mund të vepronin sipas porosisë së Xhonturqve të Rinj, duke i përdorur si vegël qorre në synimet e tyre shtypëse dhe zgjatjen sa të jetë e mundur të pushtetit të tyre kolonial në Shqipëri. Por koha e tyre kishte perenduar, bashkë me tjetërsimin e ndërtesës prej rëre të Perandorisë, që ishte mbuluar nga korrupsioni, rryshfeti, nepotizmi, intriga, mashtrimi, kulti i madhështisë, degjenerimi moral dhe politik, brenda vetë Perandorisë, që me paterica kërkohej të mbahej gjallë nga “reformatorët” e rinj me emrin e çuditshëm Xhonturqit e Rinj.
Në ballë të kryengritjeve të njëpasnjëshme
Atdhetari i flaktë Gjeto Coku, drejtoi shumë aksione luftarake të kryengritësve në krahinën e tij, duke qenë një shembull konkret i vetëmohimit të binomit jetë a vdekje. Kryeprijësi luftarak me mbështetësit e tij patriotë nga krahina e Bregut të Matës, organizuan me sukses sulmin luftarak kundër garnizoneve të taboreve turke të stacionuar asokohe në Lezhë, që në histori ka mbetur e gdhendur data 29 maj e vitit 1912.
E paharruar, mbetët edhe beteja e përgjakshme e organizuar në në vendin e quajtur Kodrat e Pllanës dhe Trapin e Gurëzit më 22 qershor 1912, prishja e vijës telefonike të komunikimit midis trupave pushtuese osmane më 5 korrik të vitit 1912.
Një muaj me vonë Gjeto Coku, do të gjendet shumë kilometra larg vendlindjes së tij. Ai ishte vendosur për disa ditë në qytetin e Durrësit, nga ku po përgatitej të realizonte planin e detajuar të sulmit kundër ushtarave turq, të stacionuar në disa qendra të qytetit. Falë aftësisë dhe përvojës, në luftën kundër ushtrisë turke, Gjeto Coku, sulmon në mënyrë të rrufeshme depot e armëve në Durrës, më 16 korrik të vitit 1912, mbasi kishte elemeinuar fizikisht rojet mbrojtëse të ushtrisë turke.
Këtu varrohet (plagoset) vëllai i Gjeto Cokut, Deda dhe Llesh Nikë Daka prej Kelmendit. Ata qëndruan si burrat në fronin e luftimit, duke mos u dorëzuar. Edhe të plagosur , ku plagët i pikonin gjak, ata shtinin me armë në dorë mbi armikun, deri sa shokët e tyre luftërarë vijnë dhe i marrin në krah dhe i dergojnë për mjekime në shtëpitë e tyre…
Ishte merita e patriotit të zjarrtë Gjeto Coku, që në kështjellën legjendare dhe historike të Lezhës historike ngriti me plot nder dhe lavdi Flamurin e Lirisë të Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti, atë Flamur Kuq e Zi, të larë ndër shekuj me gjak trimash shqiptarë. Kjo ngjarje e rëndësishme për qytetin e vogël të Lezhës vinte menjëherë disa ditë pas aktit historik të Shpalljes së Pavarësisë dhe ngritjes së Flamurit shqiptar në Vlorën e Ismail Bej Qemalit më 28 nëntor 1912.
Ka qenë Ismail Qemali, admiruesi dhe miku i tij i afërt që e nxiti të lartësojë simbolin e shqiptarëve në Lezhë, duke i dhënë një shembull të mirë të gjithë patriotëve shqiptarë që e kishin mbështetur në luftrat kryengritëse të organizuar nga vetë Gjeto Coku në krahinën e tij dhe në disa zona të tjera të Shqipërisë.
Fatosi i lirisë Gjeto Coku, me pathosin e pashquar për pavarësinë dhe prosperitetin e vendit të tij pranë familjes së vjetër të Europës përparimtare, bëri që ai shpesh të jetë kundërshtarë pikëpamjesh me disa krerë lokalistë, që kërkonin lirinë e vendit me kushtet që kishin vendosur xhonturqit (Qeveria e Turqve Rinj në Shqipëri), që dëshironin të zvarritej pavarësia e vendit të shqiponjave.
Gjeto Coku, asnjeherë nuk u pajtua me procesin e osmanizimit të detyruar, që do të thoshte thellim i metejshëm në hendekun e shkombëtarizimit të popullit tonë, nështrimin në të gjithë rrafshet e jetës së banorëve autoktonë, duke humbur të drejtën për të qenë shqiptar të lashtë pasues të denjë të të parëve tanë ilirë.
Gjithsesi duhet pohuar, se vendi ynë asokohe gjendej para një katastrofe ekonomike, sociale, kulturore dhe asgjesimi të ndërgjegjes kombëtare në mënyrë graduale dhe të studiuar mirë nga ana e kolonizatorëve të vjetër turq, kur vetë Perandoria Otomane ishte përfshirë nga tërmeti i shkatërrimit të plotë. Patriotët e vertëtë shqiptarë, me në krye Rilindasit diturakë, kishin vite që përmes medias së shkruar përpiqeshin të zgjonin nga gjumi letargjik ato pjesë energjike të popullsisë, që do t’i sillte më vonë shumë telashe Perandorisë së kalbur turke, e cila më vonë do të t’kurrej në strofkën e vet në Bosfor…
Ai e priti me armë në dorë pushtimin e Lezhës nga ushtritë serbe në nëntor të vitit 1913. Pas largimit të tyre nga Lezha, në gjysmën e dytë të muajit prill të vitit 1914, Gjeto Coku, u vu menjëherë në krye të lëvizjeve reformatore të kohës. Kështu, ai ishte ndër të parët që u vu në krye të administratës që u ngrit në Krahinën e Matës dhe pranoi njëzëri kërkesën e Qeverisë së Vlorës për të bashkëpunuar me të. Ai u vra trathtisht në Lezhë nga agjentët e qeverisë serbe, të cilët me kokë kërkonin elemnimin e tij fizik, si një pengesë serioze për arritjen e synimeve të tyre shovinste ndaj tokave shqiptare në Veri të Shqipërisë.
Në lidhje me këtë vrasje shtypi përparimtar i kohës reagoi menjëherë nëpërmjet një sërë shkrimesh, ku vlerëson rolin e madh patriotik, që kishte luajtur patrioti i vendosur Gjeto Coku, ku, ndër të tjera, analizohet situata politike në Lezhë dhe Skuraj. Popullsia vendase dhe vetë administratorët e Qeverisë së Qarkut të Lezhës, ishin shumë të idinjuar për vrasjen e atdhetarit me vizione të pastra përparimtare.
Duke shfletuar shtypin e kohës,ndër të tjera lexojmë:
“Lezhë. – Me 7 të tetorit, një rrezik i madh e gjeti Qeverinë e Lezhës, Malësinë e Madhe e, të thuesh, Shqipninë mbarë; pse në këtë ditë Gjeto Coku, kryetar i Qeverisë së Lezhës, qe vra në tradhti prej njëfar Preng Gjakove, një mirditas, dalë tash vonë në Gjakovë e shkrue, së mbami, në xhandarmëri të Lezhës.
Gjeto Coku qe i krishtenë imirë, atdhetar i njimendët e burrë i drejtë e trim. Pa qenë vetë nevoja e kujt e pa sopatë e drapën kurrë n’e huejën, qe buka e të gjithë shekullit (buka e të gjithë shekullit - kuptimi: qe mikpritës; në shtëpi të tij hanin bukë njerëz të shumtë, shënimi i redaksisë së revistës “Hylli i Dritës”); e as iu shit, as iu leçit kujt a për me u pri a për me u çelë shteg ushtrive; por, konden (i kënaqur) në atë okë e copë, në të cilat e pati vu Zoti, qe nderi i fesë, nami i Atdheut e miku i të gjithë të mirëve. – Arsyeja, për të cilën që vra, nuk dihet. – Në mort të tij u mblodh panagjyr i madh. Ndërsa të tjerë të huej, qe P. Severin Lushaj, P. Rrok Vataj, Baron D. Nopça e Miss Durham. Me 12 tetor u tha Mesha e dritës për shpirt të tij. në atë Meshë, qe delegati i arqipeshkvit të Shkodrës, D. Ndre Mjedja, si edhe D. G. Kukula, D. P. Ungrej. P. Engjëll Paliqi tha Meshën e P. Severin Lushaj bani predkun (fjala fetare që mban prifti në meshë)…”(f. 29)
… Skuraj. – Me 27 të frorit, mbylli sytë përgjithmonë Gjin Pjetri i Skuraj, me 28 e vorruen. Prej gjithkah i shkuen në mort; edhe gjithkujt iu dhimb. Ka qenë burrë i mirë, besnik e shqiptar i vërtetë. Para nandë vjetësh luftoi kundër qeverisë otomane për të drejta të veta e i gjallë nuk i ra në dorë edhe atëherë, kur ushtria i dogji shtëpinë e i ia rrënoi të gjithë gjanë e pasuninë. Kështu edhe ndër ma të parët shqiptarë qe që doli komitë për liri të Shqipnisë. Bashkë me Gjeto Cokun vojti në Lezhë e ngrehi flamurin e Shqipnisë, e sa qe vetë gjallë, mbajti paqën e qetinë në bajrak të vet. Kurbini mbarë shkonte mbas fjalës së tij, e qe i çmuem edhe prej animqsh të vet. Dera e tij ka qenë gjithmonë dera e Zotit dhe e miqve. Njeri feje, burrë fjale e shqiptar pune, ka me qenë përmendë gjithmonë me nder prej të gjithëve, e nami (fama, emri i mirë) i tij vonë e vonë ka me u harrue në Shqipni.” (f. 131) (Revista: “Hylli i Dritës”, 1914/7, Vjeti II i Botimit)
Vlerësime për veprimtari patriotike të Gjeto Cokut
Patriotët e vërtetë shqiptarë gjatë kohës kur kanë ndodhur ngjarjet janë vlerësuar me respekt të madh nga bashkëkohësit dhe shtypi periodik brenda dhe ai i mërgimtarëve jashtë trojeve etnike shqiptare. Një vlerësim të tillë, ka marrë herë pas here edhe trimi i Bregut të Matës Gjeto Coku.
Shtypi, revistat e përditshme dhe të përkohshmet e kohës, si: “Hylli i Dritës”, “Perparimi”, “L.E.K.A.”, etj., kanë shkruar për kryengritjet e malësorëve të Bregut të Matës dhe udhëheqësin e tyre atdhetar Gjeto Cokun. Edhe në shekullin e kaluar studiuesit e historisë, pavarësisht se në kohën e reegjimit komunist historiografia ishte e politizuar, figura e Gjeto Cokut, është trajtuar sëbashku me patriotët e tjerë të lëvizjeve antiturke me armë në dorë.
Për merita të padiskutueshme, të dokumentuar në arkivat shqiptare dhe të huaja, ish - Presidiumi i Kuvendit Popullor të Shqipërisë, i ka dhënë me dekret #6660, Tiranë 17.11.1982, Gjeto Prek Cokut medaljen, “Për veprimtari patriotike”, në motivacionin e së cilës është shkruar: “Për ndihmesën e dhënë në Luftën për Çlirimin Kombëtar dhe për Mbrojtjen e Tërëisë së Tokave Shqiptare”.
Tashmë në panteonin e burrave të shquar të kombit shqiptar, një vend të merituar nderi dhe krenarie ka marrë edhe patrioti i flaktë i lirisë dhe pavarësisë së Shqipërisë Gjeto Coku, nderimi për te është vlerësim, për të gjithë familjen dhe krahinën e tij të dashur së cilës iu përkushtua deri sa mbyllit sytë.
Sot nipat e mbesat e tij në Lezhës (Shqipëri) dhe diasporë krenohen, për birin e madh të Kelmendit, që u bë përherë pushkë e grehur për armikun turk e malazias dhe bujar e i dashur për mikun, në sofrën e madhe të zemrës së tij, të shtruar përherë me bukë, krypë e zemër të bardhë.
Shënim: Autori i shkrimit, është nga Gruda historike e Malësisë së Madhe.
Literatura
1. At Gjergj Fishta, “Vepra Letrare” #9.
2. At Gjergj Fishta, “Lahuta e Malcisë”, Kanga e Njizetët – “Lekët (Ribotim II) Romë, 1963, f. 262 – 265, Kanga e Njizetetët – Dedë Gjo’ Luli, f. 482 – 485.
3. At Shtjefen Gjeçovi, “Atdhetarët e vërtetë” tek libri: “Shtyllat e Kombit”, Publicistikë, f. 32 - 37.
4. “Gjeto Coku Atdhetar” Revista: “Hylli i Dritës”, 1913, f. 7 – 9.
5. “Lezhë”, Revista: “Hylli i Dritës”, 1914/7, f. 222 – 228.
6. Cyta Haimelit, “Z. Gjeto Coku sundimtari i Leshit”, Revista: “Perparimi”, Shkodër, Viti 1914, f. 5 – 7.
7. Library announcement American friends about Albania, George Fred Ëiliams (1852 – 1932).
8. Gazeta: “Liri e Shqipërisë”, Viti 1912, #55, f.1.
9. Vendimi i Rrethit Lezhë, #107/1, datë 15.10.1984.
10. Dekret #6660 i Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, për dhënien e Medaljes Patriotike, Tiranë, 17.11.1982.
11. “Kryengritja e Kurveleshit”, f. 560 – 561.
12. Dokumente nga Arkivi Shtetëror i Vjenës Austri. Dokumenti #10, Dosja 20.
13. Dorëshkrim nga Nikë Prela (Hasani), Rrilë, Lezhë.
14. Myftar Mema, “Kryengritja e Përgjithshme e 1912 - s”, Revista: “Shkenca dhe Jeta”, Akademia e Shkencave e Republikës Popullore Socialiste e Shqipërisë, Tiranë, f. 12 – 13, 24.
15. “Gjeto Coku”, Enciklopedi, Tiranë, 1990.
16. Nikolla Spathari, “Malësia e Madhe siç e njoha unë”, Monografi, Shkodër 2001, f. 336 – 337.
17. Dom Ndoc Nikaj, “Shkodra e rrethueme”, “Lufta”, Shkodër, f. 104 – 113.
18. Kolë Progni, “Malësia e Kelmendit”, Monografi, Shkodër, 2000.
19. Marash Mali, “Ngjarje historike dhe figura të shquara shqiptare”, Detroit, 2003.