| E enjte, 07.01.2016, 08:20 PM |
BORXHE
POETI QË NESËR
DO M’I LAJË POEZIA
NGA KALOSH ÇELIKU
(Atdheut sot i duhen
Ujqër mali)
Përditë. Përnatë. Ehu, po cofim si derra
E, kurrë nuk e bëmë Shqipëri Etnike.
“Patriotë” me thasë. “Këshill opozitar”
Fundekrye, me këmbët dhe trutë në legen.
Politikanë me kamionë. Analistë trusakatë
Anembanë Trojeve Shqiptare, s’i nxë Atdheu.
Kuqezi, në ekrane televizive: Zi. Zi. Dhe, Zi.
Përditë. Përnatë. Ehu, po cofim si derra
Shqipëria, siç duket kërkon Ujqër mali...
(Unë puth në faqe gra
e jo hadumë)
Viti Plak (2015) , fundekrye xhuxh përralle
Vit dinak. Ujk pas dere me këmbën me miell
Mëkot, më troket te porta nëpër shekuj.
Netët të gjata, o mik. Ditët me ferexhe
Dimri çmendet pas dere. Pranvera larg.
Rrugët i gdhimë me protesta politike - fetare
Flamuj të huaj, rroken qafë për qafe:
Përpara Qeverisë me flamurin kuqezi.
Zorrë nuk kam për t’i vjellë në “hale”
Shkaku, se: më përzihet barku. Trutë.
Shtatë sahat larg, sot e fluk vargun.
“Bomba” politike para kamerave televizive
“Shpëtimtarin” duke e puthur në të dy faqet
Edhe, atë: Çerdhen e UÇK –ës, në Kumanovë.
Nesër, nuk e di si do të çelin lulet në Livadh
Ujë kush do t’u jap në Kopësht. Bukuri?!
Lulëzojë oborri. Bari ngrejë kokën për Liri.
Vit xhuxh, thyej qafën! Kokë vekshi me dy vegë
Unë, puth në faqe gra. E, jo hadumë të Njerkës...
(Rrufjani në Tavernë
flet vetëmevete)
Unë rri vetë i treti në tavolinë. Tavernë:
Kalosh Çeliku. Vargu. Dhe, rakia e rrushit.
E presim edhe Miken të zbresë nga Qielli
Shtambat e saj me verë, sot t’i ngrej dolli.
Gjokun si dikur ta zgjidh, shaloj nën Rrap
Përmidis Bit – Pazarit, tymeflakë atë varg.
Mikja, ende nuk zbret nga retë. Qielli
Imzot, kush ia lidhi të dyja fletët.
E grabiti për vete Atë, Hënëplotë
Rrushi pikon mbi tavolinë. Lotë.
E fluk vargun azgan në Hënë. Qiell
Matanë, Rrufjani flet vetëmevete...
(Shkopi me kërrabë
më pret pas dere)
E kujtoj Babain në Lëmë. Shkopin me kërrabë
Vetë i treti merrte Livadhin. Rrugën pas Çuke.
E kishte armë të tretë në brez. Edhe, pse:
“Nagantit” me një fishek ia mbyllte gojën.
Mëkot, i vinin natën pritë mbas Çuke
Duaj në mes të rrugës si njerëz kashte.
Babai shkrepte “nagantin”. I ndizte flakë
Hajdutët iknin ferrave pa frymë në fshat.
Babai sot e mot, pushon mes varreve
Shkopin me kërrabë e la mbas dere.
Qentë, rrugës mos ma kafshojnë vargun...
(Gjoku i Babait ende
kullotë në Livadh)
Vitet me të katra, moti kanë ikur larg
Iku babai. Iku Nëna me kalë me shalë.
Shtëpia ra në gjumë. Oxhaku tym mbi çati
Zjarrit i hudhëm dru, ne pasardhësit
Dimrin e ngrimë në Lëmë. Dordoleci roje
Zogu i Keq ende na këndon mbi Shtëpi.
Babai, nateditë në roje te pragu derës
Nëna me mauzerr, rri gati në frenxhi.
Gjoku i Babait, ende kullotë në Livadh...
(Vetëm Ti ike e Re
gur i bëre vitet)
Miket e mia po plaken poezive. Verë
Imzot, si t’ua ndalë në vend vitet?!
Stinët t’i kthej prapa, nga fillimi
Vitet e mia mbetën librave. Maleve
Fushave. Lumenjve. Harruan plakjen.
Cucat azgane ma dalldisin vargun
Natën e shtroj qilim. E shaloj Atin.
Miket e mia po plaken poezive. Verë
Hazdisen Cucat azgane me vargun.
Vetëm Ti ike e Re. Gur i bëre vitet...
(Unë jam ajo Guna e zezë
hidhëm krahëve)
Vjeshta vjen si moti me brymë. Mjegull
Flokët i djeg si lulet. Barin në Livadh.
E mbanë mend, kur Unë fjeta me Vjeshtën
Dallgët e Liqenit, kur m’u sulën në Breg?!
Vjeshta iku me dallëndyshet. Dimri pas dere
Mike, vëndoi shulin! Ia ndërse qenin besnik!
Unë jam ajo Guna e zezë. Hidhëm krahëve!...
(Borxhe Poeti që Nesër
do m’i lajë Poezia)
Borxhe në Kërçovë. Borxhe në Shkup
Borxhe në Prishtinë. Borxhe në Tiranë.
Borxhe në Sarajevë. Borxhe në Ulqin.
Përçudi, borxh nuk i mbeta asnjë burri
Gratë besnike më mbytën në borxhe.
Edhe, sot e kësaj dite s’mi lau Poezia.
Borxhe i mbeta Diellit. Borxhe Hënës
Qiellit fluturova me gjok mes yjeve.
Liqenin e piva raki rrushi. Detin verë
Oqeanin e ngrita dolli me Miken.
Baba Tomorrit, ia shkunda borën
Mal i Perëndive. Vera ku pihet me shtamba
Poezia lind në Tyrbe. Dhe, bëhet dashuri.
Borxhe Mikes. Borxhe Grave mia besnike
Borxhe, që Nesër do të m’i lajë Poezia...
(Zgjohu Shpirt Dhe
ndize Zjarrin)
Zgjohu Shpirt! Dhe, ndize zjarrin
Derën mbylle me shul! Dritaret!
Oxhaku nuk ka derë mbi Çati
Qiellin e ka Shtëpi. Diellin fener
Kashtën e Kumtrit djeg në vatër.
Zgjohu Shpirt! Dhe, ma shtro Natën
Gjergj Elez Alisë, jepi gji me shtamba.
Fuqi me nëntë plagë të çohet nga shtrati.
Plagën e dhjetë, Nesër e shëron varri…