| E diele, 03.01.2016, 12:35 PM |
CIKLI
POETIK – 13-6 shkëputje nga libri “ KORrIDOREVE TË KOHËS “, poezi
Autor: Kasam ShAQIRVELA
ME MOShËN E RrUDhAVE NË BALlË
Dhe unë të pres e dashur me moshën e rrudhave në ballë
Durimi im nuk më soset, pritja ma shton dashurinë
Ti zbrit ngadalë shkallëve magjike që yjet i ndriçojnë
Tek gjoksi im do mbështesësh kokën tënde të thinjur
Sa për ta dëgjuar trokitjen e zemrës sime veçse një herë
Po qe se dëshiron që dimrin e shpirtit tënd ta bësh pranverë
E të thithësh aromën e luleve të zemrës kah ndjenjat të çojnë
Fjalët boshe, që vijnë si re të zeza, e kanë qëllimin e ngushtë
Përpiqu rahjen e zemrës së dashuruar veç njëherë ta provosh
Meteorët që i nxjerr një kraharor kur ai ndodhet në vlim
Nuk janë të rastit a çastit, s’dalin nga një përqafim i prrushtë
Ata lindin nga zjarri i zemrës ku vetë shpirti i kallur i gatuan
Shkallëve magjike, në ngitje të përflakur, fluturojnë në amshim
Këtë zjarr të shejntë, Dielli në gjirin e vet përjetësisht e ruan.
ME NAMIN DhE GjËMËN NË KËNDIM
Kalvaret nuk kanë të sosur edhe tani,
ato e bëjnë historinë time të dhimbshme
sepse rrënjët i kanë të futura thellë
në tokën e premtuar të të parëve të mi,
ku luginat u bënë pellgje gjaku të mbledhur
që luftëtarët e paepur dejesh i derdhën,
lumenjëve që vërshuan me rrëmbim
unë nuk u tremba, madje, rrojta në këndim
sepse shpresën e mbështeta tek Ti
i Lashti, i shtrenjti, o i shenjti Atdheu im!
detet t’u mbushën nga lotimet e pandalura
të nënave sypërlotur në pritje të ankthshme,
malet t’u përkulën nga kushtrimet
kumbuese të burrave zëmëdhenj,
shkëmbinjve ndër thepa zemra iu dridh
nga të qara fëmijësh në piskamë,
edhe zotat bënë kuvendime të mëdha
për tu vënë emra heronjësh maleve,
atëherë kur lindnin fëmijët ndër gjëma
atëherë dhe vendit tim i rritej nama.
Atdheu im sa i madh më je, madje
unë mundohem të të mbajë në zemër,
dhe për çdo ditë e natë, sot e mot
të të shkel me shputë e me thembër,
në kërkim mbledh farën time të shpërndarë
bashkë me namin dhe gjëmën në këndim,
eshtrat më kanë mbetur të derdhur
jashtë kufijve të atdheut tim të dashur,
edhe gjakun e derdha kohë e pakohë
vend e pavend anekënd botës mbarë,
por unë nuk e ndërrova plisin e bardhë
me asgjë edhe kur të tjerët ma hoqën,
u përpoqa ta rruaj edhe emrin që gjyshi ma la
kurse babai im atë ma vu me nun e kanun,
kur të tjerët ma fshinin saora, si me gomë
sikurse të ishte një gabim i shkruar me laps,
unë, u poqa e u ndoqa nga soj langonjsh e zagarë
kur dimri m’i binte derës, acari më tërhiqte zvarrë,
të ftohtët e zbova me të ftohtë, ndërkaq
tufanin e zi e zbrapsa me tufan si ai,
dhe nuk lash shteg pa mbyllur për armiq
e derë pa hapur për dashamirë e miq,
m’i mblidhni pra eshtrat nga i kam e s’i kam!
dhe gjakun ma mbani t’mos më derdhet më,
jepjani yjeve le t’mi ruajnë atje lart në qiell
ku s’do të mund të m’i zhbëjë askurkush,
vendet ku unë i shkela i gjallë apo i vdekur
s’ka rëndësi, por, ju venjaju emrin tim,
le të mbetet kujtim i shkruar, relikt i kohës
për brezat që do të lindin n’të Bardhin Agim,
dhe rrugës së Diellit ata do të ecin mbarë,
rrugës që përshkon ai vetë për çdo ditë
nga lindja e kuqe drejt të kaltërit perëndim,
atje ku e mba fronin edhe Fisi im i vjetër
i shndritur në ballë me yllin e Bardhë
i praruar në krah me Hënën e Artë,
edhe emri shqiptar ndër shekujt e kuq
le të ngritet bardhësisht, lart e më lart.
PUThJE NË HORIZONT
Dashuria nuk pyet për inatin a mllefin e jetës
As për zjarrin e zemrës që ajo vet e ndez
Ajo rrënon gjithçka që i del përpara vetes
Sa një pikë që lind në të vesuarin mëngjes
Ndjenja përshkoi vetëtimthi ende pa u gëdhirë
Kapi horizontin fuqishëm n’përqafim
Ëmbëlsoi palcën dhe ashtin e mërdhirë
Prapë ftoi jetën me ringjalljen në takim
Dashurinë e derdhi si dritën përmbi dhe
Ajo ngohi zemrat e ngrira, akulli krejt u shkri
Drita ndriçoi dashurinë mes dy të dashuaruarve
Dhe preku ata që digjen nga zjarri për dashuri
Ah, edhe unë nga ky zjarr po digjem tani!
DUA T’I BËJË YJET BAShKË
Natën e kaloj syhapur, në gjakim
Mundohem t’i mbledhë yjet bashkë
Për të llafosur vëllazërisht me ata,
Më thuan: - vëllaçko, paksa je vonuar!
Treni i bashkimit, moti të ka shkuar
I mërzitur dhe me shpirt të lënduar
E pres mëngjesin të më agojë mbarë
Me padurim n’këndellje të brishtë
I dal para diellit, dua ta takojë
Përpiqem finokçe ta ledhatojë,
Ta marr me të mirë, aty në të gdhirë
Ai më thot: je plakur or ti djal i mirë!
Eh, them me vete, sa qenkam i pafat
Nuk epem, nuk bie, s’pranoj shah-mat
Mendohem ç’të bëjë, ku të përplasem
Që mos të degdisem e prapë tu qasem
Më zë muzgu mendueshëm, ky terr i zi
Ka kohë që Dielli ka perënduar e po pushon
Kokën e ka të lodhur nga marrëzirat e ditës
Por gëzimi prej fëmije, me hënën tek lind
Dhe unë e marr guximin, veten time ta bind
I shkoj pranë Hënës si në gjirin e nënës
E puth në ballë sepse kam shumë mall
E mbledh pak veten dhe ia rrëfej këtë hall
Ajo më buzëqesh sikur nusja në dremi
Më thot: ty t’i gjejë kujtimet ndër brigje
Plagët e që t’i ka shpirti pa masë të tretin
O shkepe haptas tani, o tënden digje!
Mos u mbështet në shtyllën që ta vë tjetri
Tani erdhi koha, ti, hapin para hidhe
Nuk ke përse ta presësh më trenin tjetër
Nisu në këmbë rrugës tënde të vjetër
Me Diellin në ballë e Yjet në shpinë
Atje tek Molla e Kuqe më prit dhe mua
Sepse vetë kështu edhe unë të dua
Unë, Hëna e Artë, mbushur plot me nur
At’ Festën e Madhe për të ta uruar.
Atë Ditë Bashkimi nën një Flamur.
KUR ShKULMON GjOKSI
Thuhet se, e para ishte Fjala
Që atëherë kur njeriu bëlbëzoi
Pa u analizuar a u kap e mbara
Ashtu, përpara ajo vetë shkoi
Kur del nga brendia e shpirtit
Atëherë fjala e ka peshën e vet
Nëse vërtetë është Fjalë Shpirti
Ose të lakmon ose të godet
Shpirti, gjithnjë, vetë e nxjerr valën
Por varet se, si i bie Unit çekani
Do të vret përbrenda ndërgjegjja
Për aq sa është i shëndoshë tabani
Fjala është si vala, ajo shkulmon
Drejt i bie ballit pa çka se e qëllon
Ajo kur të bie të shkakton plagë
Nuk ka ilaç që ta heqë at’ vragë
Dhe shpirti s’gabon edhe kur vlon
Fjalën e vërtetë e lëshon si valë
Ai që ka timpan veshi ia pranon
Tjetrit, si do t’i hyjë, edhe do t’i dalë.
MË VJEN TË PËLCASË
Mblidhuni ju burra të dheut mëmë
Betohuni një herë për emër e nder
Në prag të një stine, të një pranvere
Edhe bleta nuk bën punë tjetër por,
E mbledh nektarin e shpie n’koshere
Anija e ime disi po m’lëkundet
Nga dallgët e detit që vijnë plot stuhi
Nëse nuk shembet ajo keq do tundet
Dhe druhem se kursin e ka të humbur
Vala që po ngrihet do të na përpijë
Sirenat e Mesdheut moti kanë fjetur
Edhe lundërtarët më nuk frikohen
Nuk kemi ndoshta dhe një Odise
Anijen, këtij deti të çartun ta drejtojë
Të paktën kthimin ta ketë në atdhe
Edhe dylli ka kohë që s’shitet në pazar
E ne po i zëmë veshët, atëherë me çka?
As që e dëgjojmë emrin tonë shqiptar
Kur tjetri na e lakon në gjuhë të huaj
Gjuhë kjo që, për vete, as rasa nuk ka.
Ne shurdhmemecë po bëhemi vetë
Zërin s’e ngritim, reagime s’ka
Pranojmë para tjerve këtë të metë
Pa e pas kadem, as dhe gjyshi s’na e la
Pse s’mundem ta zbojë këtë çka po ndodh?
Po më vjen të pëlcasë, më vjen pët të qa’ ?!