| E diele, 03.01.2016, 01:16 PM |
Ramiz LUSHAJ
TI, RRËFEJE TEK STATUJA E LIRISË
O Kamber Kadri Kuka,
Kur stërgjyshërit e tu luftonin me 7 krajli në Nokshiq
Në Luftën Parathënie Shqiptare të Shpalljes së Pavarësisë
Në Nju Jork, pas Revolucionit Amerikan, ngrihej Statuja e Lirisë.
Ata, stërgjyshërit e tu, atëherit,
Nuk kishin kohë të lexonin libra
Nuk kishin kohë të shëronin as plagët
Emri e veprat e tyre u banë libra të kohës
Jeta pushkë e plagët luftë iu banë flakadan
Në malet, luginat e udhët historike të Gucisë e Plavës.
O Kamber Kadri Kuka,
Kur stërgjyshërit e tu në luftë me 7 Krajlitë e Kohës
E kishin pushkën urë të historisë
Kulm të kullave e tokës. Forcë të dijes e kockës…
Në Amerikë ngrihej Ura e Bruklinit
Një nga Shtatë Mrekullitë e Botës.
O Kamber Kadri Kuka,
Ty nuk të njohën televizionet e gazetat në asnjë ditë
Ti nuk ishe personazh i tyre në asnjë kronikë.
Ti udhëtoje krenar me emrin e patriotit Hasan Isuf Kuka...
Ty të përndoqën nga vendlindja Sllavët e Pushka…
O Kamber Kadri Kuka,
Ti ëndërroje një “Urë Bruklini” me dashuri…
Nga Amerika e madhe në të voglen Plavë-Guci.
Si në ditët që sjell Paqja. Si në ditët që pret Lufta.
Nga Nju Jorku i largët deri në vllazninë tande, Kuka…
O Kamber Kadri Kuka,
Ti, i thjeshti njeri i mirë i kohës, atje, larg në Amerikë,
Shpesh të çonin hapat e fjalët tek Statuja e Lirisë.
Ti rrëfeje për Luftën e madhe të Nokshiqit…
Për Masakrën e përgjakur e të pa hapur të Previsë,
Për plagët e pambyllura të Plavë-Gucisë.
-Per ZemraShqiptare nga Tirana, fund-dhjetori 2015-