Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Begzad Baliu: Rreth koncepteve shkencore të Eqrem Çabejt dhe të Selman Rizës për ribotimin e ''Mesharit'' të Gjon Buzukut

| E merkure, 06.08.2008, 09:40 PM |


Begzad Baliu
RRETH KONCEPTEVE SHKENCORE TË EQREM ÇABEJT DHE TË SELMAN RIZËS PËR RIBOTIMIN E “MESHARIT” TË GJON BUZUKUT

Nga Prof. as. dr. Begzad Baliu

Hyrje

Në botën shkencore shqiptare personaliteti i Profesor Selman Rizës dhe vepra e tij, nuk kanë qenë objekt trajtimi dhe madje referimi, në krahasim me shtigjet që ka hapur në fushë të albanologjisë dhe konceptet shkencore që ka përdorur në veprën e tij. Në këtë drejtim më shumë është përfolur për studiuesin “me prirje të skajshme kulturore e shkencore”, “për kapriciozitetin e tij shkencor e mendor”, “për këmbëngulësinë e tij metodike e shkencore”, përmes të cilave përpiqej të përvijonte të gjitha vlerat shkencore, madje pa përjashtim. Prandaj, konceptet e tij kritike-shkencore lidhur me metodën kërkimore dhe shkencore të Çabejt, nuk kanë të bëjnë me konfrontimin e koncepteve më të avancuara shkencore të Profesor Selman Rizës, përballë koncepteve të kohës, por me koncepte të natyrës thjesht gjuhësore që insistonin t’i diktonin dy studiuesit më të mëdhenj të albanologjisë së shekullit XX: Profesor Eqrem Çabej dhe Profesor Selman Riza, e që lidheshin edhe me botimin filologjik të “Mesharit” të Buzukut. Për fat të keq, kompleksiteti i këtyre diskutimeve dhe jo vetëm në një rast të vetëm, nuk është parë duke u nisur nga kodi i koncepteve metodologjike të cilave ata u janë përmbajtur, por duke ndërthurur disa elelemente arbitrare ekstrashkencore (si Androkli Kostallari, sistemi shoqëror e ideologjik, organizimi institucional etj.), të cilat në një rasje tjetër nuk mendoj se reflektojnë thelbin e çështjes së diskutuar brenda këtij teksti e aq më pak teksteve të tjera si ky, madje edhe në dorëshkrim. 

Në këtë rrafsh, ekzistimin e një të ashtuquajturi konflikt të përhershëm mes Profesor Çabejt dhe Profesor Rizës të nxitur nga Anrokli Kostallari, e aq më pak një mëni të përhershme të Profesor Rizës ndaj Profesor Çabejt do përjashtuar apriori duke u nisur nga dy arsye:

- e para, nga një qëndrim personal që kanë mbajtur vetë ata ndaj rrethit kolegial: Profesor Çabej, ‘si një aristokrat i përmbajtur dhe thellësisht i ndrydhur për të diskutuar çdo gjë e me gjithkë’; ndërsa Selman Riza, ‘si një personalitet tejet i gjallë dhe jashtëzakonisht aktiv për të diskutuar e problematizuar me të gjithë, madje edhe një bari, probleme të linguistikës dhe të tjera si kjo, në mënyrë shumë aktive’. Përgjithësisht, që nga fillimet e tij, jetën shkencore të Profesor Selamn Rizës e ka përcjellë një vazhdimësi karakteristike e polemizimit me studiues të albanologjisë për vepra të caktuara, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri[1].

  - e dyta, Profesor Çabej, për veprat e Profesor Rizës, ‘nuk ka lënë(?)’ dorëshkrime, përveç diskutimeve në Institutin e Gjuhësisë, ndërsa nga Profesor Riza kemi trashëguar jo vetëm diskutimet e tij në Institutin e Gjuhësisë, por edhe një numër dorëshkrimesh të cilat ende nuk e kanë parë dritën e botimit.[2]

-e treta, që për nga aspekti teorik është parim themelor, në diskutimet e tij Profesor Çabej nisej duke sintetizuar, që nënkupton një proces i cili shkon duke u thjeshtuar; ndërsa Profesor Riza duke rindërtuar e rivlerësuar, që nënkupton një proces jashtëzakonisht kompleks;

- e katërta, prirja e Profesor Çabejt për të mënjanuar diskutimet për ‘të tjerët’ dhe për të mos parë atë që nuk kishte dëshirë ta shihte, dhe prirja e Profesor Rizës ‘për të mos parë asgjë mes gishtave’[3];

-e pesta, por jo e fundit, ne nuk dimë ndonjë shkrim kritik të Profesor Çabejt për Profesor Rizën, por njëkohësisht nuk dimë edhe një tekst vlerësues për të. Përkundrazi ne tashmë njohim një numër diskutimesh, vlerësimesh, dorëshkrimesh e botimesh të Profesor Rizës, ku emri i Profesor Çabejt dhe vepra e tij bëhen objekt vlerësimi[4]. Në këto tekste kritike për Profesor Çabejn ne gjejmë edhe vlerësime të kësaj natyre:

a) për personalitetin e Çabejt: “Në një vend më të zhvilluar nga ç’është yni, e për pasojë një vend të pajosur jo vetëm me Universitet por edhe me Akademi, në një vend të këtillë, ka shumë të ngjarë që Profesor Eqrem Çabej do t’ishte tashmë akademik (nënv. SR)”[5].

b) për kontributin e Çabejt në fushë të gjuhësisë: “... përsa i takon njërës nga degët më problemore e njëherazi më prestigjioze të albanistikës historike përsa dua të them, i takon etimologjisë së gjuhës shqipe, ku deri mjaft vonë dijetarët e huaj ishin të vetmit studiues lartësisht kompetentë, në albanistët vendas, në personin e profesor Eqrem Çabejt këta dijetar të huaj tashmë i kemi jo vetëm arritur por edhe kapërcyer”[6].

Por, pa përjashtuar qëndrimin kritik ndaj glorifikimeve që jo rrallë i bëhej veprave të tij të veçanta, si ajo e “Etimologjive”, për të cilen Profesor Riza porosiste: “Sektorit t’onë nuk i përket që Profesor Eqrem Çabejt t’i rekomandojë ekspedientin e pajosjes a posteriori (nënv. S.R.) të një punimi kinse jo teorik me një hyrje kinse teorike”[7].

Në këso rrethanash kanë lindur edhe ‘mosmarrëveshjet’ e Profesor Çabejt dhe Profesor Rizës mbi ribotimin kritik të Mesharit të Gjon Buzukut, ndërkaq interesimet e tyre në rrafshin e interperetimit dhe studimit kanë qenë të dallueshme, por edhe të një rëndësie që vazhdon të mbetet edhe sot sinonim i kërkimeve të përkushtuara shkencore[8].

Relacioni i zgjeruar mbi ribotimin kritik të “Mesharit” të Gjon Buzukut, lindi pikërisht në këtë rrjedhë dhe duke ditur edhe për dorëshkrime të tjera kritike të Profesor Selman Rizës për studimet gjuhësore të Profesor Çabejt[9] ne dimë gjithashtu nga bashkëkohësit e tyre, punonjës të Institutit të Gjuhësisë se edhe më vonë Profesor Çabej dhe Profesor Riza, dy personalitetet më të larta të gjuhësisë shqiptare kanë pasur moskuptime, që kishin të bënin me konceptet gjuhësore dhe sidomos me metodën e studimit.

 

Konceptet shkencore si mosmarrëveshje

 

Në hyrje të “Relacionit...” Profesor Riza paraqet një sintezë të përmbledhur në katër paragrafe sa ka pastaj edhe kapituj të zgjeruar. Aty shtron vërejtjet themelore me të cilat më tej do të merret gjerësisht: metodën, çështjen e shndërrimit të figurimeve identike në versione të diferencuara; tezat në versionin e vitit 1955 dhe 1958; çështjen e përkthimit: i porositur apo përpjekje individuale; si dhe vlerësimin letrar. Çështë e vërteta, në studimet e mëtejme, më të veçanta a më të zgjeruara, Profesor Riza, për disa nga këto probleme në mënyrë të tërthortë apo të drejtpërdrejtë ka dhënë përgjigje të merituara, për disa të tjera ka bërë përpjekje t’i qëmtojë edhe më tutje, kurse disa të tjera sa i ka lëkundur.

I. Për metodën

Relacioni i Profesor Selman Rizës hapet me njoftimin për përgatitjen e botimit kritik të “Mesharit” nga Profesor Eqrem Çabej, duke ia njohur autorit kështu ‘parësinë’ e plotë në lëvrimin shkencor të tekstologjisë shqipe. Pastaj rikujton punën e Mario Rokut në ribotimin e “Fjalorit latinisht-shqip” të Frang Bardhit, punën e Mark Harapit në ribotimin e pjesës së parë të veprës së Pjetër Bogdanit dhe punën e lavdëruar të filologut Justin Rrota në ribotimin e parë të “Mesharit” për ta mbështetur edhe njëherë ‘vlerën objektive’ të ribotimit të “Mesharit” nga Eqrem Çabej ‘në dy pjesët e tij kryesore’, që për Profesor Rizën  janë ‘transkribim fonetik dhe kritika filologjike të tekstit të Buzukut’. Në këtë rrugë të shtruar nga filologët e mësipërm, shkruan Profesor Riza, “Eqrem Çabej nuk i ka bërë nder të madh vetëm vetes së tij, por edhe ka kontribuar me të madhe për ngritjen e prestigjit të albanistikës vendase në profilin historik”[10].

Megjithë vlerësimet për Profesor Çabejn,  të bëra në fillim, Profesor Rizën nuk e pengojnë që t’i radhisë një varg mungesash që ka ky ribotim, apo sikur shprehet ‘një numër jo i vogël papërsosmërish kauzale’, ‘çështje të afatit të studimit’, ‘çështja e metodës së krahasimit sistematik e kritik’ etj.

Për të gjitha këto Profesor Riza niset nga e para. Problematizon “pohimin e ribotimit se ai (Çabej –v.j) edicionit kritik të librit gjithë – i paska kushtuar –një punë paraprake afër njëzetvjeçare”[11] duke e quajtur këtë pohim si ‘një thikë me dy presa’. Ata që e njohin së paku bibliografinë e studimeve të Profesor Çabejt nuk e kanë vështirë të konstatojnë në fillim një fakt tjetër historik: Profesor Çabej gjatë njëzet vjetëve të para, pra, deri më 1955 rrallë kishte botuar studime në fushë të gjuhësisë dhe aq më pak të tekstologjisë, por interesimet e tij në këtë fushë nuk kanë munguar[12], duke përfshirë këtu edhe interesimet për “Mesharin”, dhe përgjithësisht detajet e tij të caktuara. Pjesa më e madhe e artikujve të tij gjatë kësaj kohe trajton probleme të folklorit  dhe të etnografisë. Studimet me të cilat shfaqet, dhe madje me dorëshkrimet, dëshmojnë njëkohësisht se interesimet e tij nuk kanë munguar[13]. Ndonëse nga një aspekt tjetër edhe interesimet e Selman Rizës për Gjon Buzukun dhe autorët më të vjetër të gjuhës shqipe nuk mungonin dhe nuk do të mungojnë edhe më vonë[14]. Mirëpo Profesor Riza nuk nisej nga ky detaj. Ndonëse nuk e thotë, sigurisht duke pasur parsysh punën e Çabejt ‘në njëzet vjetët me radhë’ në veprën e Buzukut shihte trysni, fragmentaritet etj., që autorin e kanë çuar deri të ndërrimi i koncepteve dhe metodave, të cilat nuk ka arritur t’i përmirësojë as në ribotimin e plotë, më 1958. Përtej këtij konstatimi, qëndrimi polemizues i Selman Rizës qëndron, te kritika e tij e parë, e bërë më 1958. Meqë edhe pas vërejtjeve të para që ia kishte bërë studimit hyrës të vitit 1955, Profesor Çabej jo vetëm nuk i kishte ndërruar mendimet, por, duke rishqyrtuar kryesisht ‘vetëm kapitullin e fundit’ kishte arritur në përfundime të cilat binin në kundërshtim me përfundimet e Profesor Rizës. Duke i quajtur këto rezultate të nxituara, krahasime jo sistematike e sidomos jo kritike, Profesor Riza vinte në përfundim se gjatë këtyre njëzet vjetëve studimi i tekstit të përkthimit të Buzukut është bërë shkëputurazi nga origjinali përkatës e ky, sipas tij, është një paradoks metodologjik , i cili nuk i lejohet asnjë filologu, sado citohet edhe Profesor çabej, që në versionin hyrës të thotë: “Për të vlerësuar librin si duhet, qoftë si një dokument gjuhësor qoftë si një vepër letrare duhet nisur nga ky vetë...”[15].

 

“Shndërrimi i figurimeve identike në versione të diferencuara”

 

Kapitulli i dytë hapet me një pasqyrë të strukturës hyrëse që Profesor Çabej e ka vënë si pjesë të parë të ribotimit kritik të “Mesharit”. Duke tejkaluar pjesën që ka të bëjë me historinë e librit, si një problem të njohur që më parë, Profesor Riza ndalet te “anomalia buzukjane e  shndërrimit të figurimeve identike në versione të diferencuara”[16], për ta quajtur shpjegimin shkencor të tyre, të rëndësisë madhore, për dy arsye: së pari sepse përmes analizës së tyre arrijmë të shpjegojmë teknikën e përkthimit; ndërsa së dyti, sepse përmes analizës së këtij problemi ne kuptojmë nivelin e formimi të tij (Buzukut- v.j.) kulturor. Dhe kjo do të arrihej sikur konceptet shkencore, kuptohet në parim –metodologjik të Profesor Rizës dhe Profesor Çabejt të mos ndaheshin që në fillim tek personaliteti i Buzukut dhe puna e tij në lëmin e përkthimit të Mesharit:

a)        Sipas Profesor Çabejt autori i tij zotëronte kulturën humanistike të kohës, ndërsa sipas Profesor Rizës autori ishte vetëm një prift i thjeshtë;

b)       Sipas Çabejt, për ta përkthyer “Mesharin”, Buzukun e kishin ngarkuar autoritetet kishtare, ndërsa sipas Profesor Rizës, përkundrazi, Buzuku këtë e bëri në mungesë të një shtytjeje të tillë;

c)       Sipas Çabejt “përgjithësisht përkthimi është mjaft besnik dhe nuk bie poshtë nga origjinali, ndërsa sipas Profesor Rizës “përkthimi është i një niveli herë mesatar, herë mediokër, herë mizerabël”[17] dhe se Buzuku përkthimin e bënte nga një latinishte e panxënë mirë  në një shqipe të palavruar mjaft”[18].

Profesor Riza i quan të paqëndrueshme së paku dy mendime të Çabejt të lidhura me rifigurimet: të parin, të thënë më parë edhe nga Gaetano Petrotta, se rifigurimi te “Meshari” i Buzukut duhet kërkuar te versionet e mëvonshme që kishte punuar Buzuku deri sa të tjerët i kishte dërguar në shtyp, dhe të dytin shpjegim të Profesor Çabejt, se, rifigurimet duhet shpjeguar si “një prirje e natyrshme e autorit për t’i dhënë më variacione librit të tij”[19]. Profesor Riza, konstatimin e parë e rrëzon me një vërejtje të natyrës parimore se “autori nuk ka mundur të ketë qenë aq i çrregullt sa të mos e ruaj një kopje të parë për vete”[20] dhe të dytin me një vërejtje të natyrës gjuhësore, se variacionet cënojnë seriozitetin e përkthyesit, aq më tepër kur shihet se variacioni i parë si përkthim i drejtpërdrejtë është më i dobët se variacioni pasues, që për Profesor Rizën do të duhej të ishte e kundërta.

 

Variantet e tezave të Çabejt rreth personalitetit të Buzukut

Njëra prej kritikave më të rëndësishme të Profesor Rizës që i bën Profesor Çabejt është ajo që ka të bëjë me variantet e tezave të Çabejt rreth personalitetit të Buzukut, kushteve dhe rrethanave në të cilat u bë përkthimi dhe vlerave të vetë përkthimit. Këto janë probleme me të cilat Profesor Riza merret në mënyrë të veçantë dhe veç e veç në kapitullin e tretë, për versionin e vitit 1955 dhe për atë të vitit 1958. Profesor Riza insiston shumë që Profesor Çabej do të duhej ta ngushtonte më shumë rrethin e tezave të tij lidhur me personalitetin e Buzukut, përndryshe mendonte Profesor Riza, tezat e Çabejt lënë të hapura shumë çështje kardinale për pamjen jo vetëm të historisë së kishës, por edhe për vetë historinë dhe kulturën e kohës së Buzukut. Pa dashjen që këtu të hap apo të mbyll njërin shteg, sepse për konceptet dhe metodën e studimit të Profesor Çabejt deri tash është shkruar dhe është thënë mjaft nga studiuesit e gjuhësisë, për mëse një gjysëm shekulli, ne po i lejojmë vetes, që në këtë pluralitet të tezave të Profesor Çabejt dhe kritikave të Profesor Rizës të nxjerrim edhe një varg tezash e kundërtezash lidhur me problemet e shtruara në këtë Relacion.

Versionet apo rifigurimet e përkthimit të “Mesharit” duhet kërkuar edhe në bazë të disa paradigmave të tjera:

a)        Në përkthimet e kohëve të ndryshme, d.m.th. çdo kohë ka një version;

b)       Në vlerat letrare që kërkoheshin për t’i ikur monotonisë në dy a më shumë mesha të ndryshme brenda ditës, apo edhe

c)       Në insistimin për të pasqyruar dallimet krahinore ku duhej të shpërndahej “Meshari”.

Rifigurimet ose versionet sjellin dilemën për mundësinë që “Mesharin” ta kenë përkthyer disa priftërinj dhe madje nga krahina të ndryshme, ndërsa vetëm redaktimi dhe botimi i autorizuar të jenë bërë në emër të Buzukut. Këtu gjen mbështetje edhe mendimi i Profesor Rizës për mundësinë që ky libër në fillim të jetë ‘thënë’ me gojë në meshë e më pastaj të jetë shkruar pjesë pjesë dhe të është dërguar në shtyp, natyrisht, vazhdimisht duke u mbështetur në “thënien” më të arrirë “të kënduesve”, prej nga edhe versionet më të vona janë më të arrira se e para. Ky pohim mbështetet edhe në mendimin e Profesor Rizës që iniciativa e tij të jetë dhënë jo nga autoriteti kishtar, por nga një frymëzim françeskan, prej të cilëve ka pasur mbështetje dhe ndihmë materiale.

Në logjikën e studimit të këtoj problemi Profesor Çabej dhe Profesor Riza kanë zgjedhur rrugë të ndryshme për personalitetin e autorit dhe për vlerën e përkthimit të veprës. Po këtu, te hipotezat e Profesor Rizës shtrohet edhe një dilemë tjetër: nëse autori dhe përkthimi i veprës ishin të mbështetur moralisht, a kishte personalitet tjetër, i cili do ta kryente këtë mision veç Buzukut, apo mos kjo çon thjesht tek një “seli ipeshkvie ose arqipeshkvie e Shqipërisë së Epër që shërbente për hartimin e shtypjen e një teksti fetar për elementin katolik shqiptar të kësaj krahine(26)”, siç mendonte Profesor Çabej.

 

Metoda e radhitjes së temave në kapituj

Në pjesë të mirë të këtij “Relacioni”, zë vend edhe metoda e radhitjes së temave në kapituj, që nuk kanë vetëm karakter të jashtëm (historik), por edhe të brendshëm (vlerësues).

Koha, përkatësisht afati kohor i përkthimit dhe i botimit të librit, është njëra prej temave për të cilën Profesor Riza, konsideron se Profesor çabej nuk e ka paraqitur në mënyrë të detajuar. Përkundrazi, shkruan Profesor Riza, në vend se tekstin e Buzukut: “E û máduo tëh embaronj vepërënëh teme tinë zot tueh pëlqyem: endëh vjetët MDLIIII njëh zet dit endëh mars zuna enfil, embarova endëh vjetët njëh MDLV endëh kalënduor V dit”; ta prezantonte ‘kritikueshëm’, ai (Çabej-v.j.), së pari e sjell në mënyrë të drejtpërdrejtë, ndërsa së dyti, tri interpretime të ndryshme, duke pranuar vetëm njërin prej tyre, të tretin, se: kjo kohë, nga 20 marsi 1554 deri më 5 janar 1555, duhet të merret si kohë e shtypit të veprës. Sipas Profesor Rizës, koha e përkthimit ka qenë shumë e gjatë, madje sipas tij Buzuku duhet të ketë punuar me vite të tëra, porse me hope. Fillimisht do të ketë filluar “ta përkthej vetëm me gojë, vetëm pjesë pjesë e vetëm për rrethin e ngushtë të ndigjuesvet vetjakë, në predikim e sipër në gjuhën amtare”[21], çështje kjo të cilën e kishte konstatuar më parë edhe Profesor Çabej, por sipas Profesor Rizës, krahas këtij konstatimi të vlefshëm Profesor Çabej “nuk ka arritur dot në përfundimin e përkatës  mbi praninë e dy teknikave përkthimore në përkthimin e Buzukut”[22].

Në gjysmën e dytë të kapitullit të pestë në mënyrë të zgjeruar Profesor Riza trajton çështjen e vlerësimit letrar të përkthimit buzukjan. Ndonëse i pranon disa vlerësime të karakterit thjesht gjuhësor gjithpërfshirës të gegërishtes në veprën e Buzukut, Profesor Riza konsideron se përkthimi madje shpesh gojor i Buzukut është shumë modest dhe Buzuku duke qenë i një formimi të ulët kulturor me asgjë nuk ka dëshmuar se sa është marrë me përpunimin e këtij leksiku mjaft gjithpërfshirës të gegërishtës së kohës, e aq më pak është shquar me ndonjë përpjekje stili. Profesor Çabej në të dy versionet, dhe mëse njëherë, e kishte shquar vlerën letrare të “Mesharit” të Buzukut, por në këtë rast mbetet për t’u sqaruar hipoteza e Profesor Çabejt për ‘shqipen klasike të përkthimit të disa psalmeve’, për të cilat nuk shprehet kritikueshëm – siç do të theksojë Profesor Riza, - nëse vërtet Profesor çabej fjalën e kishte në këtë rast për shqipen klasike të shkrimit apo të shkrimtarisë.

Po të vazhdonim më tej në komentimin e stilit të Profesor Rizës, do të mund të kërkonim përgjigje më të plotë nga Profesor Çabej dhe Profesor Riza, rreth problemit të njohjes së mangët të latinishtes dhe madje të shqipes. Sepse, kjo njëkohësisht kërkon përgjigje në pyetjen, si ka ndodhur që në një kohë kur lidhjet ndërmjet Vatikanit dhe trojeve shqiptare ishin shumë të ngjeshura, gjendej një prift modest i nivelit të Buzukut që të merrej me përgatitjen apo përkthimin e një vepre si kjo.

E gjithë kjo do të kishte kuptim vetëm nëse pranohen hipotezat e Profesor Çabejt dhe Rizës se ky libër më parë është thënë me gojë e pastaj është shkruar, ndërsa kjo vepër gjithashtu është dërguar në fragmente, ‘libër pas libri’, që ndoshta më së mirë lë për të nënkuptuar punën e fshehtë të Buzukut. Në këtë prizëm do të mund të shpjegohej edhe i ashtuquajturi përkthim gojor, të cilin Gjon Buzuku do ta ketë regjistruar nga thënia gojore e lutësve (nga njëra kishë në tjetrën, respektivisht nga njëra krahinë etnografike në tjetrën) në terren, prej nga më së miri dalin edhe versionet. 

    

Sintezat

Relacioni i Profesor Selamn Rizës mbi ribotimin kritik të Gjon Buzukut mbyllet me një varg përfundimesh të diskutuara më sipër, e që përmblidhen në shtatë referenca: 1) shtresëzimi i tezave dhe koncepteve; 20 metoda; 3) rishikimet e kufizuara të dy përkthimeve; 4) pluralizmi i zgjidhjeve; 5) lënia pezull e zgjidhjeve shkencore; 6) hulumtimi jetësor i problematikës buzukiane dhe 7) ‘rindërtimi makar hipotetik’, i personalitetit të Buzukut në mbështetje të veprës si përkthim, që konsiderohet nga më problematikët në tërë procesin e punës. Mbetet për t’u zgjidhur procesi i krijimit të variacioneve, të cilat këtu kuptohet se dalin jo si rezultat i koncepteve të Buzukut për të krijuar variacione madje edhe letrare, por si pasojë e nivelit modest të dijes së tij në fushë të përkthimit.

Edhe pse këtu mbyllet vlerësimi i Profesor Selman Rizës, për të dy përkthimet e Profesor Çabejt, në fund njoftohemi se për kapitullin e IV-të dhe të V-të, që trajtojnë “probleme thjesht grafike e ortografike” (530), “rezervohej të referoj gojarisht”[23].

 

Një fillim apo një vazhdim

Ndonëse artikulli Teza e Eqrem Çabejt mbi vlerën fonetike të Y-së sllave në tekstin e Buzukut”, është vënë në fund të këtij Relacioni[24] me mbititullin Shtojcë, në fakt ky tekst jo vetëm nuk plotëson ndonjë detaj të pesë kapitujve të mëparshëm, por qëndron krejt më vete dhe hap një rrugë të kritikës filologjike të vështrimit fonologjik-fonetik dhe madje të kritikës tekstore, që Profesor Selam Riza siç duket ishte i përgatitur t’ia bënte botimit kritik të “Mesharit” të Eqrem Çabejt.

Fatkeqësisht, për shkaqe jogjuhësore që mund të merren me mend, kritika e tij ndaj kësaj vepre jo vetëm u shua, por edhe kjo që ishte shkruar dhe paraqitur në një nga komisionet e Institutit të Gjuhësisë, nuk e pa dritën e botimit për dyzet vjet me radhë. Fjala është për tezën e Profesor Çabejt, sipas të cilit Buzuku “me dy shkronjat e ndryshme u latin dhe Y sllave paska shënuar dy vlera fonetike të ndryshme të të njëjtit tingull u; e pikërisht me u-në latine Buzuku paska shënuar tingullin u: si një zanore të plotë e për pasojë si një zanore rrokjeformuese; kurse me Y-në sllave ai paska shënuar përkundrazi tingullin u si komponente jo kryesore të një diftongu, e për pasojë si një gjysmëzanore”[25].  Profesor Riza më tej citon tezën e Norbert Joklit, të cilin Profesor Çabej e kishte vënë në themel të së vetes, sado shkruan Profesor Riza “teza e Çabejt, larg së retifikuari vetëm pjesërisht atë të Joklit, përkundrazi përbën mohimin përbuzës të kësaj të fundit”[26], pasi që deri sa Norbert Jokli në Y-në sllave të Buzukut shihte një diftong të plotë, Profesor Çabej përkundrazi shihte gjysmëzanoren e një diftongu të tërë, në këtë rast gjysmëzanoren u në diftongjet ngjitëse apo zbritëse: au, ua etj. Edhe Profesor Çabej thotë se përveç në punë të karakterit fonetik ‘është e tërë puna në këtë mes’[27]. Në këtë rrugë Selaman Riza trajton gjerësisht tri argumente të Profesor Çabejt, sipas të cilit Buzuku me Y- sllave paska shënuar gjysmëzanorën u. Argumentin e parë të Profesor Çabejt se Y-ja sllave përfaqëson “shumë më dendur (nën. i S.R.) u-në si gjysmëzanore se sa u-në si zanore e plotë”[28], Prof. Riza e përmbys në mbështetje të statistikës gjuhësore nga teksti i Buzukut. Argumenti i dytë lidhet me çështjen “nëse Buzuku vërtetë ka ndjerë nevojën që u-në e semivokalizuar”[29]. Argumenti i tretë është i lidhur pokështu me alternancën  grafike të gjysmëzanorës u që sipas Çabejt “në kompleksin –ut, Buzuku e diferencoi në gjysmëzanorën u: kaut, dheut,  etj. Edhe për argumentin e tretë profesor Riza përfundon se rezultatet e Profesor Çabejt mbi vlerën fonetike të Y-së sllave janë arbitrare edhe për disa arsye krejt logjike:

-së pari, Buzuku një krahasues modest i cili nuk e ka parë të natyrshme të dalloj tingujt Y dhe u, si është e mundur që këtë arsye ta ketë gjetur në variante të u-së;

-së dyti, Y-ja sllave në alfabetin sllav shënon zanoren e plotë u;

-së treti, në asnjërën nga gjuhët që kanë diftongjet au ose ua nuk ekziston një përvojë e tillë e dallimit të zanorës u dhe gjysmëzanorës u e kështu edhe me shqipen para ose pas Buzukut etj. Profesor Selman Riza nuk harron për t’ia kujtuar Profesor Çabejt se Buzuku, i cili nuk e kishte parë të nevojshme të bënte dallimin e devokalizimit të zanores i në bashkëtingëlloren j, që më vonë e kanë bërë pasardhësit e tij, si është e mundur të ketë ndier nevojën për dallimin e një fenomeni minor: u dhe u. Profesor Çabej, sikur ka vënë re edhe Profesor Riza në këtë rrugë kishte shkuar, më tutje pikërisht në këtë problem të vënë në dilemë nga Profesor Riza, duke pranuar se “ekziston mundësia që redaktimit të u-së në një gjysmëvokal u në rasa si: kau, rëzou, e u tha (shih më lart f. 82 w) në sistemin fonologjik të gjuhës së këtij teksti t’i përgjigjet reduktimi i i-së në gjysmëvokalin i(j) (nën. i S.R.), 538). Duke e komentuar mendimin e Profesor Çabejt, Profesor Riza arrin në këtë përfundim: “Eqrem Çabej nuk kishte të drejtë që të njëjtit Buzuk në të njëjtën kohë t’i atribonte dy praktika drejtshkrimore kaq kryekëput të kundërta, siç janë pikërisht në një shprehje grafike e një semivokalizmi, e n’anën tjetër mosshënimi grafik i një devokalizmi”[30], sado më vonë në veprat e tij universitare ka përjashtuar mundësinë e leximit të rrjedhshëm të veprave të autorëve të vjetër. Prof. Selman Riza ia zë për të madhe Eqrem Çabej për vlerësimet e dyfishta të të njëjtave dukuri grafike e fonetike që ua bënte përkthimeve të Buzukut, por insistimit të tij këmbëngulës për dallimin e kësaj grafie mbase do lidhur me dyshimin e mëparshëm të Profesor Rizës, nëse ky prift me ngritje modeste të kulturës kishte mundësi që t’u qëndronte besnik disa vlerave vështirë të dallueshme fonetike dhe fonologjike, aq më tepër nëse merren parasysh edhe tezat dhe hipotezat e njohura deri më sot për rrugët e ndjekura të Buzukut deri në dhënien përfundimtare të librit për shtyp. Në fakt Profesor Çabej i-së nuk i ka dhënë vlerë të përhershme dhe të njëjtë fonetike, por atë e ka caktuar në bazë të pozicionit të vlerës fonetike të u-së. Dhe pikërisht me këtë përcaktues sipas prof. Rizës, Profesor Çabej ‘e ka përdhunuar fonetikën e ahqipes’, madje duke sjellë edhe një shembull të transkriptuar  sipas tij “gjaku j tij”. Pasi që më parë kishte theksuar se mund të vihen vetëm paralele ndërmjet i:j dhe u:v., Profesor Riza lë pa zhvilluar edhe dy argumente që kanë të bëjnë me dy Y-të sllave vazhdon të tërheqë vërejtje të aspektit fonetik, fonologjik dhe sintaksor, për të përfunduar se tërë teza e Çabejt ‘mbetet e gabueshme’, pasi si e tillë ka lindur nga “një prarabindje thjesht subjektive”[31].    

 

Konkluzione

      Të dhënat e sjella këtu kujtoj se janë dëshmi të mjaftueshme që mes Profesor Selam Rizës dhe Profesor Eqrem Çabejt nuk kishte konflike personale për çështje ekstrashkencore. Përkundrazi, fjala ishte për një respekt të ndërsjellë, sidomos nga ana e Profesor Rizës dhe kjo dëshmohet edhe nga dorëshkrimet dhe diskutimet, gjithashtu më të shpeshta të tij.

      Nëse kishte mosmarrëveshje të caktuara, ato nuk lidheshin me çështje personale, por me trashëgiminë arsimore dhe shkencore të tyre. Fjala është për konceptet shkencore të shkollave që përfaqësonin.

Profesor Eqrem Çabej nga shkolla e neogramatikanëve, në rastet më të vështira citonte Norbert Joklin dhe thirrej në të qenit nxënës i tij. Në të vërtetë Norbert Jokli ishte albanolog i madh, por jo edhe linguist i madh i kohës së tij. Si i tillë ai do të hyjë në të gjitha botimet historike të gjuhësisë shqiptare, por jo edhe në fjalorët enciklopedik të leksikografisë univerasale.

Profesor Selam Riza duke i njohur mirë shkollat e reja të gjuhësisë dhe madje jo vetëm të saj ‘të qenit nxënës i Joklit’ e theksonte me ironi, si të qenit nxënës i një bibliotekisti! Thirrej në referencat e studimit kritik të problemeve gjuhësore duke iu referuar Sosyrit[32] dhe bashkëkohësve të tij, pavarësisht vërejtjeve që vinin nga bardët e koncepteve gjuhësore të gjysmës së dytë të shekullit XX.

Vetëm duke u nisur nga këto parime ne mund t’i kuptojmë diskutimet e tyre, një pjesë e të cilave mbeten në dorëshkrim.

Profesor Çabej nisej nga baza historike dhe deskriptive e çështjve dhe rezultatet i nxirrte duke u mbështetur në përgjithësimet e këtyre çështjeve.

Profesor Riza që në fillim, nisej nga problematizimi i çështjeve prandaj rezulatet e tij dilnin nga rekonstruktimi dhe diskutimi kritik i tyre, duke nxjerr rezultate krejtësisht vetjake.

Kështu Eqrem Çabej mes bashkëkohësve do të bëhet ideali i gjuhësisë shqiptare, ndërsa Selman Riza kritiku i saj. Unë besoj se sot do të kuptohem drejt nëse konstatoj se në gjuhësinë shqiptare aty ku mbaron shkolla historike e Eqrem Çabejt fillon shkolla kritike e Selman Rizës. Kështu do të duhej kuptuar edhe mosmarrëveshjet e Profesor Çabejt dhe Profesor Rizës lidhur me vlerësimin historik të botimit të “Mesharit” të Gjon Buzukut.

 



[1] Shih, polemikat e tij në shtypin e Prishtinës dhe të Tiranës, të cilave iu prinë një prej teksteve më emblematike të polemikës shqiptare Dilettantismi dhe zanati, “Përpjekja shqiptare”, 13/1938, Tiranë, f. 82-84, dhe kurorëzohet me diskutimin Kritikë e hipotezave mbi botimin parabuzukjanë, dorëshkrim në Arkivin e Institutit të Gjuhësisë. Botuar për herë të parë në: Engjëll Angoni, Selman Riza –gjuhëtar dhe atdhetar i shquar”, “Toena”, Tiranë, 1999, f. 120-129.

[2] Shih bibliografinë e përzgjedhur të shënimeve të Engjëll Angonit, në Vep. e cit. f. 104-126.

[3] Bashkëkohësit e tyre kujtojnë momentin kur Profesor Rizës dhe Profesor Çabejt, ‘nga lart’ iu dërgua për recensim dorëshkrimi i Prof. Spiro Kondos, Shqiptarët dhe problemi pellazgjik. Me gjithë rrezikun që ata mund të akuzoheshin për rënie në konflikt me “parimet patriotike të partisë”, ata zgjodhen dy rrugë vetjake: Profesor Çabej mbajti gjashtë muaj dorëshkrimin në kënd të tavolinës së punës dhe nuk e shkroi recensionin duke premtuar se do ta bënte një ditë, ndërsa Selman Riza shkroi një recension prej shtatë faqesh makine me titull: “Disa vërejtje kritike nga Selman Riza mbi punimin e Prof. Spiro Kondos, Shqiptarët dhe problemi pellazgjik, i cili fillon me fjalinë: “Ngado që ta vështrosh, ky punim del pothuajse i pambrojtshëm”. (f.1, dorëshkrim). Falënderoj Prof. Emin Rizën, që më mundësoi konsultimin e dorëshkrimeve.

[4] Shih, tekstet e veçanta në dorëshkrim: Kritikë e disa tezave të prof. Eqrem Çabejt mbi kriteret e periodizimit të historisë së gjuhës shqipe, f. 1-17; Oponencë e Selman Rizës për disertacionin e Eqrem Çabejt për titullin “doktor i shkencave”, 64 f.; Relacion ..., 55 f.; Gjon Buzuku nga Eqrem Çabej (1 fletore); Shënime dhe konsiderata mbi punimet e autorëve të ndryshëm në fushën e shqipes, si: Eqrem Çabej etj.) 

[5] Selman Riza, Nga një diskutim i S. Rizës mbi “Etimologjitë” e E. Çabejt, dorëshkrim, f. 5. 2 prill 1964, dosja XIV, arkivi familjar.

[6] Po aty, f. 1.

[7] Po aty, f. 5

[8] Shih botimet e gjertashme të Meshari të Gjon Buzukut nga Justin Rrota, Monumenti mâ i vjetri i gjuhës shqipe, Shkodër 1938; Martin Camaj, Il “Messale” di Gjon Buzuku (Contributi linguistici allo studi della genesi), “Shejzat”, Roma, 1960; Namik Resuli, Il “Messale” di Giovanni Buzuku, Studi e Testi. 99, Cittá del Vaticano 1958, dhe së fundi studimin përimtues të Vilfred Fiedler mbi foljet në “Mesharin” e Gjon Buzukut (2004).

[9] Relacion i zgjeruar mbi ribotimin kritik të Gjon Buzukut nga Eqrem Çabej. Dorëshkrim i vitit 1958 a 1959. Botuar për herë të parë, në Selam Riza, Vepra, I, ASHK, 1996, f. 491-541. Të njëjtën temë e ka trajtuar gjerësish edhe në disa studime ose pjesë të tyre, por sidomos në dorëshkrimin Pesë autorë më të vjetër të gjuhës shqipe, Tiranë, 1961. Në dy versionet e para të këtij punimi nuk i kisha të njohura. Shih tekstet tona: Konceptet shkencore si mosmarrëveshje, (Selman Riza, “Relacion i zgjeruar mbi ribotimin kritik të Gjon Buzukut nga Eqrem Çabej”(1958), në Vepra, I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 1997, në gaz. “Rilindja”, 17 janar 2000, f. 13; Reth kritikës së Selman Rizës për veprën e Eqrem Çabejt dhe tezat e tij për Gjon Buzukun dhe “Mesharin”, në rev. “Fjala”, Prishtinë, viti XXXII, nëntor, 1999, nr. 6, f. 10.

 

[10] Relacion..., vep. e cit., f. 494.

[11] Relacion.., vep. e cit., f. 495.

[12] Shih bibliografinë e studimeve të botuara: Tekste italoshqiptare, “Hylli i dritës”, Shkodër, prill 1935; Rumänisch-albanische Lehneziehungen (Marrëdhëniet midis rumanishtes dhe shqipes), “Revue internatinale des études balkaniques”, II, I-II (3-4), f. 172-184. Beograd, 1936; Parallele Ausdrücke und Redensarten in den Balkansprechen (Shprehjet paralele në gjuhët e Ballkanit), “Revue internationale des études balkaniques”, II. I-II (3-4), f. 226-231. Beograd, 1936; Albaner und Slaven in Süditalien (Shqiptarët dhe sllavët në Italinë Jugore), “Revue internationale des études balkaniques”, III, II (6), f. 555-566, Beograd, 1938; Miszellen (Mbledhje shkrimesh të ndryshme), “Revue internationale des études balkaniques”, III, II (6), f. 571-574, Beograd, 1938; Disa eufemizma të shqipes, Buletini i Instituit të Shkencave, viti III, nr.1, f. 72-84, Tiranë, 1949, II, nr. 18-24, f. 438, Tiranë, dhjetor 1938; Përmbi disa fjalë të shqipes që nisin me z, BSHSH, nr.4, f. 114-119, Tiranë, 1952; Grupet nd, ng në gjuhën shqipe, Buletini Shkencave Shoqërore, nr. 4, f. 30-38, Tiranë, 1953.; Rreth disa etimologjive të Kristoforidhit, Buletini Shkencave Shoqërore, nr. 2, f. 31-49; nr. 3, f. 57-75. Tiranë, 1954; Trajtimi i zanorevet iniciale te Gjon Buzuku, Buletini Shkencave Shoqërore, seria shkencat shoqërore, viti X, nr. 1, f. 96-102, Tiranë, 1957 etj.

[13] Shih edhe bibliografinë në dorëshkrim, sipas Profesor Jup Kastrati, “Bibliografia e Profesor Eqrem Çabejt”, “Era”, Prishtinë, 2003: Fjala anë dhe grupet nd, ng në gjuhën shqipe. 98 f. ( të daktilogr., shqip e gjermanisht. Punuar gjatë viteve 1942-1952. Dorëshkrim. Arkivi i Institutut të Gjuhësisë dhe Letërsisë, Tiranë); Neugriechiach und Albanisch (Greqishtja e re dhe shqipja), Tiranë, 1942. 75 f.; Atlasi gjuhësor shqiptar. Pesë fashikuj. Pyetësor 1-2578 çështje. Romë, Grottaferrata. 1943; Gjuha dhe dialekti i Gjon Buzukut (La langue et le dialecte de Gjon Buzuku) 180 f. (të daktilogr.). Tiranë, 1954. (Dorëshkrim. Arkivi i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, Tiranë). Beiträge zur albanische Wortkunde (Kontribute për historinë e fjalëve të shqipes). 700 f. Mbledhur materiali gjatë viteve 1935-1941, shkruar gjatë periudhës 1941-1957. Dorëshkrim gjermanisht. Ruhet në arkivin personal të prof. Eqrem Çabejt, Tiranë.

[14] Shih, veç tjerash veprat e botuara: Fillimet e gjuhësisë shqiptare, Prishtinë, 1952; Pesë autorë më të vjetër të gjuhës shqipe, Tiranë, 1961 etj., por edhe dorëshkrimet: Nazaliteti tek Buzuku, 2. f.; Anaptiksi tek autorët e vjetër, f. 135-160; Pesë autorë më të vjetër të gjuhës shqipe, 3 f.; Gjon Buzuku (komente), f. 1-110; Gjon Buzuku “Breviari”, (dorëshkrim), f. 1-148 dhe e daktilografuar f. 328-340; Kurorëzimi prej Pjetër Budit i përpjekjeve të Gjon Buzukut për shndërrimin e gegërishes së folur në gjuhë letrare, 4,5 f; Pjetër Budi, kurorëzues i përpjekjeve të Gjon Buzukut për shndërrimin e gegërishes së folur në gjuhë letrare”, 2 f; Kritikë e hipotezave mbi botimet shqip parabuzukjanë, 32 f; Materiale për Gjon Buzukun (kryesisht fragmente të veprave të tij) etj.   

[15] Relacion..., vep. e cit., f. 30-31.

[16] Relacion..., vep. e cit., f. 491.

[17] Relacion..., vep. e cit., f. 507.

[18] Relacion..., vep. e cit., f. 518.

[19] Relacion..., vep. e cit., f. 504.

[20] Relacion..., vep. e cit., f. 504.

[21] Relacion..., vep. e cit., f. 526.

[22] Relacion..., vep. e cit., f. 527.

[23] Relacion..., vep. e cit., f. 530.

[24] Teza..., vep. e cit., f. 531-541.

[25] Teza..., vep. e cit., f. f. 531.

[26] Teza..., vep. e cit., f. 533.

[27] Teza..., vep. e cit., f. 534.

[28] Teza..., vep. e cit., f. 535.

[29] Teza..., vep. e cit., f. 535.

[30] Teza..., vep. e cit., f. 539.

[31] Teza..., vep. e cit., f. 541.

[32] Në arkivin e familjes së tij edhe sot mund të gjenden fletore të tëra me shënime mbi logjikën (sidomos Hegelin, Neg-in, Benedeto Kroçen etj., dhe mbi gjuhësinë e përgjithshme, tekste të zgjedhura, analiza e kritika, në të cilin vendin kryesor e zë themeluesi i strukturalizmit Ferdianand de Soussure dhe vepra e tij Cours de linguistique general.