| E diele, 27.12.2015, 08:11 AM |
Festat e fundvitit dhe Viti i Ri 2016 po afrojnë. Ky vit, që po mbyllim do tëmbahet mend për vlerësimin më të lartë moral, që institucioni i Presidentit të Republikës dhe personalisht vetë z. Bujar Nishani i dha dekoratën më të lartë që jepet në Shqipëri “NDERI I KOMBIT” Shoqatës Kulturore - Atdhetare “Labëria”, me rastin e 24 vjetorit të krijimit të saj. Në respekt dhe në angazhim të detyrës shoqërore që kemi, gjejmë rastin për të dërguar në çdo familje të Labërisë, brenda dhe jashtë territorit të saj, në Shqipëri a kudo në rruzullin tokësor, ku banojnë e punojnë urimin; i urojmë Shqiptarisë, gjithë shqiptarëve, brenda dhe jashtë kufirit shtetëror, kudo ku janë, anembanë nëpër botë: GËZUAR KRISHTLINDJET DHE VITIN E RI 2016! Veç urimit, në prani dhe në distancë, gjejmë rastin t’ju themi se viti që po mbyllim, ishte një vit që e ngriti veprimtarinë atdhetare - kulturore të shoqatës tonë më lartë në cilësi dhe në sasi të aktiviteteve, aq sa ka të drejtë të krenohet çdo lab, çdo shoqatë labe që vepron në Vlorë dhe çdo i zgjedhur, që nga fshatrat dhe deri në kryeqytet.
Ngjarje që lanë gjurmë për degën e Vlorës ishin aktiviteti i organizuar në Mesaplik në nderim të kryengritjeve popullore, për prijësit e Lumit të Vlorës, flakadanë të historisë, 1847, 1920…Një veprimtari tjetër e spikatur qe aktiviteti i organizuar në Teatrin “Petro Marko” për nderimin nga Presidenti i Republikës të Luftës së Vlorës dhe heronjve të Njëzetës, me rastin e 95 vjetorit të kësaj epopeje çlirimtare popullore. Ndër aktivitetet më të rëndësishme shënojmë edhe atë të muajtit Nëntor, në prag të 103 vjetorit të Pavarësisë dhe 71 vjetorit të Çlirimit, ku protagonistë ishin: Xhule Çiraku e Dud Gumenicioti, mjeku Llukë Gjidede e skulptori i ri Viktor Simoni. Edhe pse pa shumë bujë, mbresëlënëse për familjet dhe shoqata të veçante labe në Vlorë kanë qenë aktivitetet për Baftjar Merkajn në Lapardha, Rrahmën Nuredinin në Armen apo Sali Mezinin në Vajzë. Këtë vit, me shoqatën “Sevasteri” u organizuan dy aktivitete, ai për dipomatin Lik Seiti dhe promovimi i librit të autorit veteran Manxhar Binaj. Tashmë shoqata “Labëria”, Vlorë është bërë strehë e shumë krijuesve për promovimin e librave të tyre. Kështu bëri Prof. dr. Ago Nezha, shkrimtari dhe veterani Mark Dodani, Sejmen Gjokoli, Ruzhdi Bajrami, Remzi Gjika etj. Jo vetëm kaq, por në Bashaj, në Gumenicë, në Shkozë, etj., u kujtuan me nderim 100 vjetori i hapjes së shkollave shqipe. Me aktivitete të tjera në Dukat, Velçë, Vranisht, Tërbaç, Tragjas, Brataj, Bolenë, Vërmik, Kaninë, Drashovicë, etj., me karakter historik e kulturor, shoqata Atdhetare Kulturore “Labëria”, Vlorë ka qenë prezent dhe ka dhënë mesazhet e saj. Bashkëpunimi me veteranët e luftës, me familjet e dëshmorëve të Atdheut, të invalidëve të LANÇ, shoqatën “Ismail Qemali”, shoqatën “Çamëria”, shoqatën “Shqipëri - Kinë”, me shoqatën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve “Petro Marko”, Vlorë, etj., ka bërë që shoqata “Labëria” të zërë një vend nderi në opinionin publik të qytetit të Vlorës. Jo vetëm kaq, por kemi nis një bashkëpunim të mirë me Bashkinë dhe Këshillin e Qarkut në Vlorë, në Himarë dhe në Selenicë. Të arrish që brenda një viti të organizosh 25-30 aktivitete me pjesëmarrje nga 50 vetë në më të thjeshtat dhe deri në 150 - 200 vetë vetë , siç ndodhi në Mesaplik, është vërtet sukses, ku, veç të tjerave, kemi ndier edhe ndihmën e Forumit Drejtues të Shoqatës tonë “Labëria”, me qendër në Tiranë, si të Prof. Ago Nezhës, kryetar; të nënkryetarëve Gafur Duda, Agim Çiraku, Lavdie Nanaj, Sejmen Gjokoli e Agim Rrapaj, ashtu si dhe të Sekretarit të Përgjithshëm, poetit të mirënjohur Petrit Ruka dhe të palodhurit për Labërinë, Sekretarit Organizativ, shkrimtarit dhe gazetarit të përkushtuar, Albert Z. Zholi, të cilët i përshëndesim në mënyrë të veçantë. Një urim të përzemërt kemi për anëtarët e kryesisë të shoqatës “Labëria”, Vlorë, se gjithnjë kemi funksionuar në grup e asnjëherë ata s’kanë përtuar me angazhimin e tyre në këto punë shoqërore idealesh të larta.
Të nderuar Labër, kudo që jeni! Edhe për vitin 2016, jemi duke planifikuar punën për të arritur të organizohemi më mirë.
Edhe një herë: Gëzuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri 2016! Shëndet, dashuri, lumturi dhe unitet në familjet tuaja dhe në gjithë Labërinë tonë fisnike!
SHOQATA ATDHETARE KULTURORE “LABËRIA”,
DEGA VLORË
Kryetari Ahmet Demaj
Sekretari MSC. Albert Habazaj