Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Tefik Selimi: Lindja e artistit

| E shtune, 26.12.2015, 10:17 AM |


Tregime që rrëfejnë për lindjen e artistit në strehët e një realiteti…

Nga Tefik Selimi

Sot, në Manifestimin Kulturor “Vjeshta letrare e Gjilanit, që u mbajt në sallën e KK të Gjilanit, u bë përurimi i veprës së “Djersa e gurit” nga autori Muhamet Halili, krijues gjilanas. Në  këtë manifestim libri, prezentuan mjaft shumë: shokë, miq, krijues nga Ferizaji, Vitia, Kamenica, Bujanoci e mese të tjera shqiptare, të cilët patën rastin ta përcjellin këtë përurim libri të organizuar nga asociacioni i ARC Klubit “Beqir Muliu” të këtij qyteti, të udhëhequr nga Sabit Rrustemi, poet gjilanas. Diana Toska, moderatore, tha se, sot po bëhet përurimi i veprës “Djersa e gurit” nga autori Muhamet Halili, krijues gjilanas, të cilin autor më tepër e njohim nga jeta e tij si  gazetar e publicist, por më vonë ai ka filluar ta lërojë tregimin e shkurtër, gjë që, edhe pse vonë, po tregon suksese evidente.

Fillimisht, Sarë Gjergji, poet e intelektual nga Stublla e Vitisë tha se, kur më ka rënë në duar vepra me tregime e Muhamet Halilit “Djersa e gurit”, urimin e parë ia bëra këtij shoku e krijuesi me talent, i cili, më solli sot këtu të flas për këtë vepër, sepse, ato tregime, që sot po përurohen, më pushtuan dhe s’munda pa i lexuar me një frymë gjer në fund.” Kjo vepër e Muhamet Halilit ka 22 tregime, të cilat ngërthejnë në realitetin e sotëm, ai që po na rrethon dhe po e jetojmë me të gjitha ecajaket e saj. Autori i veprës ka hartur tregime që flasin e rrëfejnë realitetin e vërazhdtë, të cilat “ngjarje” e tema na grishin dhe na nxisin më tepër jo vetëm ti dijmë, por edhe t’i përjetojmë me mendjen tonë. Tregimet e kësja vepre na sjellin një varg asociacionesh tek lexuesit. Bie fjala, tregimi “Soliteri”, në fakt është identiteti i qytetit të autorit, që simbolizon ëmblemëm e qytetit të tij e tonin.

Mandej, duke lexuar veprën “Djersa e gurit”, secili njeri i njeh personazhet me emër e mbiemër. Por, në veprën në fjalë është rrëfyer edhe tema e dashurisë, atë dashuri në mungesë. Në tregimet e autori në fjalë ka shumë dashuri, ky tregimtari (autori), ato i rrëfen si ngjarje që janë pjesë e realitetit tonë të përditshëm. Me një fjalë, ia vlen të lexohen tregimet e kësaj vepre, së paku, ta pasurojmë edhe më një botim bibliotekën tonë”.

Naxhije Gashani, recenzente e veprës në fjalë tha se, vështrimin tim e kam titullaur  nga fjalët e artistit të madh Ibrahim Kodra, kur ka shtuar: “Arti është liri, sepse nëpërmjet tij, ne prekim natyrën dhe gjithë bukuritë natyrore, të cilat janë armiq për çdo sëmundje”. “Muhamet Halili, tash i njohur për lexuesin e gjerë, me veprën me tregime “Djersa e gurit”, sikur çdo ditë e më tepër bëhem ithtare e kësaj fraze, natyrisht duke parë tërë atë univers ndjesish tek shkrihen fushës së artit, duke vrojtuar se si shkrihet jeta brenda tij, ashtu thejsht, prajshëm, se si arti ngjizet në copëza jete, me misionarin e tij, artistin”. Dhe jo vetëm kaq, tha ajo. “Heroi i tregimeve të M. Halilit është njeri i natyrshëm, i  zhveshur atributesh, të cilat atë do e tëhuajsonin para lexuesve. Një tip i till heroi i ka  përgjasimet e një njeriu aktual, një hero përditshmërie, i cili endet para syve tanë, këtij shekulli të çalë e të nëpërkëmbur miopësh. Andaj, skamja si fenomen në rritje, caqeve ku jetojnë e veprojnë heronjtë e këtyre tregimeve, kap përmasat e një tragjizmi shumëdimensional, ku heroi ndjek atë linjë veprimi, e cila para syve të lexuesit ka predispozitat e dhimbjes, dhimbje kjo e cila rritet deri në masë e fshehjes se diellit para sysh.

Po ashtu, Guri në tregimet e Muhamet Halilit, vie me simbolikën e përballljes së individit me jetën, nën obrellën e së cilës luhen teatro të një jete, në luftë për të qenë, për të mbijetuar. Heroi i tregimit “Djersa e gurit”, si narrator, hedh para gurit të varrit, gjithë mllefin, pikëllimin e revoltën për jetën e të atit mes gurëve, për vdekjen e tij skaj gurëve”. Hasan Bunjaku, publicist dhe krijues nga Gjilani, në recensionin e tij tha se, M. Halili, i cili tashmë  i është i njohur dashamirëve të prozës së shkurtër, na vjen edhe me përmbledhjen e re me tregime “Djersa e gurit”, me të cilën, tashti, me një  akribi edhe më të spikatur, me motive e preokupime kaq të larmishme tematike. Pra, kjo vepër e tij ka 22 tregime, rrëfime këto polivalente të një niveli tejet të arrirë ideo-estetik, të ndara në tri përmbajtje ciklike, rrëfime këto me të cilat, autori shpërfaq një gamë të gjerë të çështjeve dhe problematikave të përditshmërisë sonë. “

Ai shtoi edhe këtë se, “... këto janë rrëfime rrënqethëse të një niveli mjaft të lartë ideo-estetik, me gamë çështjesh tematike-motivuese tejet të gjerë, që në disa nga ato të natyrës sociale, siç janë tetë tregimet e ciklit të parë, që në disa nga to, mbretëron një atmosferë ngjethëse e stilit dhe kohës migjeniane: me veprimin e një finalizimi tragjik të një gruaje, ndaj të cilës i shoqi pareshtur ushtron dhunë (Tehu i spatës”); ngjarja rrënqethëse deri në rezignatë të thellë të një nëne dhe voglushes së saj, që për shkak të varfërisë së skajshme, mjaftohen vetëm me të shikuarit e përditshëm nga dritarja e dyqanit, në vitrinën e  së cilës, gjendet një kukull, që i është bërë fiksim, por që nuk kanë mundësi ta blejnë; për të vijuar tek babai, i cili, për t’ia blerë çantën e librave shkollore të birit, i duhet të punojë një ditë të tërë duke formësuar gurë nga e merr edhe djerësën që i rrjedh çurg (Djersa e gurit), prej nga e merre edhe titullin i tërë vëllimi i tregimeve”.

H. Bunjaku tha edhe këtë se, “Në shtatë rrëfimet  tjera të  ciklit të tretë, me të cilat shenjëstrohen e stigmatizohen thuaja shumica e të metave, matrapazllëqeve, hajnia, sjellja burokratike dhe autokratike e lidershipit kosovar, zhvatja, korrupsioni dhe e të ligave të tjera, të cilat, në këto gjashtëmbëdhjetë vitet e fundit, nuk po na lejojnë që të haprojmë si shtet shumë më shpejttë në të gjitha sferat dhe hallkat e tona ekonomiko-shoqërore etj. Në fund të shtoj se, Muhamet Halili përdor një gjuhë pa shumë stilema e filozofema, por kaq të afërt me lexuesin, duke mos i ikur leksemave, tog-fjalëve e frazeologjizmave thjesht vendore e gege”. Autorin e përgëzojmë dhe i dëshirojmë suksese të mëtejme edhe në zhanret tjera prozaike”.

Në fund, Muhamet Halili, autor i veprës tha se, ju falemnderoj shumë që keni gjetur kohë të jeni pjesë e përurimt të veprës sime. Ju e keni nderuar veprën time, por më keni nderuar edhe mua si autor. “Është e vërtë se, unë jetën e kam jetuar me lajmin, shënimin gazetaresk etj. Por, kjo, për mua, ishte një jetë e lirë dhe angazhim pune e jete. Dalëngadalë më lindi ideja dhe fillova “jetën” me rrëfime, të cilat dolën në dritë me  veprën e parë dhe të dytë. Në vepër time ka shumë nga jeta sot. Te vepra ime gjeni korrupsion, hajni, rebelim, por ka edhe dashuri, kënaqësi e budallëqe. Çka nuk ka tjetër...?! Me një fjalë, jam përpjekur të rrëfej në pakufi jetën tonë, e cila po na përcjell me të gjitha neveritjet e saj. Pra, këto janë rrëfimet e mia që do të keni kohë ti lexoni dhe t’i përceptoni dhe shijoni”, shtoi në fund, autori i veprës, Muhamet Halili, publicist dhe krijues gjilanas.

Gjilan, 13 dhjetor