| E merkure, 06.08.2008, 05:01 PM |
E PËRGJOJ HESHTJEN
Mexhid HAVOLLI
Çasti IX
Në një shpresë e kam një lis
Ka gjak dhe shpirt prej druri .
Mëngjeseve flet me gjuhë diellore
Ka sy ,dorë, zemër dhe gjak arbëror.
Në secilën stinë, kryefjale moti,
udhërrefyes dhe kallxues fati.
I rëndë sa vet fati im.
Orë e magjisë
Pak vargje
Shumë lot,
Shumë krisma
Të secilit mot,
Një heshtje që vdes,
Këngë
Që me vite e pres.
Pak buzëqeshje,
Shumë gjak,
Merre një shekull
Le t’i bëhet lak.
Një det nemes,
T’i laj të palarat e botës
Mes frikës pritjes
dhe qetësise,
Është natë e tmerrit
Apo orë e magjisë.
Arsye
Një kal kalëronte kalshëm në një kohë,
Sillte me vete legjendën e veriut
Atje ku lindin bakteriet e pista
Dhe mëngjeseve shtrohej ushqim algash
Amebash dhe bretkocash zhurmuese.
Elefantët shpresonin se një ditë
do t’ia shtypnin kokën miut,
atje ku majmunët flisnin
dashuronin,ëndërronin
dhe roje u bënin qenët besnik.
U mblodhën të gjithë një ditë
Dhe i bënë homazh zoologjik
Njeriut që moti , moti kishte vdekur.
Era te dera
Vjen e lodhur betejash,
Me frymëmarrje të shprishur
Me tension të gjakut në rritje
Dhe atak kardiovaskular.
Ec liqeneve detrave,
Dhe yllin e detit me vete sjell.
Fitimtare më troket në derë,
Derisa pranverën time erëmon
Ershëm nëpër trollin tim vrapon.
Shpresë origjinale
E mbanë gjallë sekreti,
S’ pari, s’dyti, s’treti
Më struket në një mendim heroik.