Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Tefik Selimi: Tregime që “rrëfejnë” realitetin tonë

| E enjte, 24.12.2015, 12:26 PM |


Një vepër me tregime që “rrëfejnë”  realitetin tonë të përditshëm...

Nga Tefik Selimi

Kur fillova ta lexoj veprën me tregime “Fundi i heshjtes” të autorit Muhamet Halilit, nuk e besoja vetes se do të më tërhiqnin ato rrëfime artistike ti lexoja gjer në fund, të cilat  “prekin” ngjarje të përditshmërisë sonë. Gati secilin tregim e lexoja si ngjarje dite, kohe, momenti apo ngjarje rastësie, sepse krijua në mes meje e vepres një “magnet” që më tërhiqnin fort ato rrëfime që janë pjesëza të “nxehta” të lojëë së jetës. Këtë lojë “tjetër” e luajnë disa personazhe aktuale, të cilët shpërfaqin të keqen dhe të miren e kësaj kohe ku e jetojmë.

Edhe Tolstoi, shkrimtar i njohur i letërsisë botëror, ka shtuar se: “Arti është pasqyrë e jetës”. Pra, arti s’mund t’i ikë realitetit të jetës. Vetë jeta krijon art. Arti e hijeshon jetën dhe njerëzit e saj. S’ka më bukur se sa jeta artistike! Kur puqen arti dhe jeta, e bukura jeton. Andaj, në këto tregime të M. Halilit shihej e përjetohej jeta me rënien dhe ngritjen e saj. Këto tregime të përkujtojnë veprën e D. Agollit, “Rënia dhe shkëlqimi i shokut Zylo”. Edhe këtu ka rënie, por ka edhe “shkëlqim” të personazheve të veprës! Në mënyrë artistike “rrëfehen” dukuritë e pahijshme që na rrethojnë afër nesh. Është realitet që s’mund t’i ikim kësaj “dukurie”, e cila egziston në çdo vend të punës e jetës. Këtu s’ka zëra të tjerë të shmangies së këtij realiteti, por ka zëra që autori i vëren me “dioprinë” e tij prej tregimtari.

Autori, Muhamet Halili, në tregimet e kësaj vepre rrëfen qartë, bindshëm dhe  nuk i anashkalon ngjarjet, të cilat kanë rrëfime prekëse dhe ato “dizajnohen” në mënyrën artistike. Është, pra, një vepër me disa tregime të bukura artistike, të cilat, si një, e kanë rrjedhën dhe qasjen me “yrnekun” e artikulimit artistik e letrar. Ato ditë, kur u bë promovimi i kësaj vepre letrare, u thanë fjalë miradije, sa që vepra “Fundi i heshtjes” e autorit në fjalë, u mirëprit dhe është vlerësuar lart. Lart e vlerësoi edhe Sabit Rrustemi, redaktor i veprës, i cili pati thënë se Halili befason këndshëm lexuesin dhe letërsinë tonë, jo pse e "tradhton" kohë pas kohe profesionin e gazetarit dhe shkruan tregime, po pse, me tregimet e para, sinjalizon se po vjen me një frymë të re e tregimit, me një llojllojshmëri temash të paprekura të përditshmërisë tonë dhe, dosido edhe me një vlerë të re”.

Kështu tingëllojnë fjalët e redaktorit të veprës, për faktin se, edhe një filozof i madh pat thënë se, “Arti i të shkruarit ka mision të sfidojë çdo kohë e çdo mënyrë veprimi, që të mos vdesë e vërteta”. Asesi nuk do të duhej të vdes e vërteta. Ajo (e vërteta) duhet të jetojë gjatë. Pra, vepra është art që ka mision të “shenjtë” për të përharur realitetin tonë jetësor. Ajo, si e tillë, e ka referencë të parë ta paraqes realitetin ashtu si është. Vetëm letërsia dhe zhanret letrare, si: gazetaria, publicistika, eseja e dokumentari etj., janë pjesë e artit letrar, ku autorët zhvillojnë “luftë” me jetën.

Dhe, s’kanë thënë rastësisht të tjerët, se jeta shkruan romane. Prandaj, në veprën në fjalë të M. Halilit që zënë vend njëzet tregimet, në një mënyrë a tjëtër, janë të koncipuara në katër cikle rrëfimore. Pra, Muhamet Halili portretizon jetën e aktuale përmes një rrëfimi të rrjedhshëm që e vë në pah përditshmërinë tonë, atë përditshmëri, të cilën, nga çasti në çast e jetojmë, por edhe e harrojmë për ta nxënë, duke e pritur çastin që ende s'e kemi përjetuar.

Kështu, nëpërmes një ironizimi të hollë apo një humori e satire therrëse apo shpotitëse, del nga brendia e tregimeve të kësaj vepre, e cili realitet vihet në pah përditshmëria jonë. Nga pesë cikle, sa janë në këtë vepër me tregime, si: Hajmali prej qiellit, Fallxhoret e tokës, Dashuria në shikim të dytë, Tregimet e suksesit dhe Zori, janë “rrëfime” që kanë qasje dhe  lidhëshmëri të fortë njëra me tjetrën. Sipas një logjike, tregimet e grumbulluara brenda ciklave, vendosen në sensin e përshtatjes motivore dhe tematike, ku nëntitulli pretendon t’ia rrëfejë lexuesit në përballjen e parë. Vepra në fjalë, padyshim sjell shijen e profesionit të parë (atë të gazetarit), që autorit të këtyre shkrimeve, i përvidhet krejt natyrshëm, duke ndikuar në një formësim më të veçantë stilistik. Ja disa “pjesëza simbole” të tregimeve, të cilat rrëfejnë ngjarje aktuale, që në vete artikulojnë brendësi jete, por jetë të nëpërkëmbur dhe me interes.

Bie fjala tregimi: “Doktor Teslimi”, në të cilin rrëfehet kjo “ngjarje:, si: “Kush ka para, e merr shpërblimin ekstra në ordinacën  private, si me qenë mbretëreshë, e kush nuk ka, pse u hahet, e pastaj bëjnë fëmijë sa munden...”(f.12). Ironi. Njeriu ndalet dhe pyet: paraja bën zgjidhje. Del ironia se, paraja është Zot i krejt jetës. Pra, flitet për punën e mjekëve, të cilët zhvashin nga pacientët e tyre, që nuk kanë mundësi, në të kundërtën, ata nuk qajnë kokën për lindjet e tyre nëpër ordinancat private. Po kështu, del ironia tjetër te tregimi “Lopa e  Bacit dhe lopa e Agës”, autori me gjuhë artistike thumbon e ironizon injorancën e të rinjve që nuk e duan të punojnë në bujqësi. Ata e anashkalojnë këtë fushë jete. Autori rrëfen për Macën e zezë. Është nëma popullore: “Mos ta preftë rrugën macja e zezë, se nuk ke çfarë bën”! Aty zë filozofia e jetës. Njerëzit druajnë nga më e keqja. Stopohen. Bëhen varës të dikujt. Injoranca, prapambejta. Në tregimet e autori gjejmë edhe ngjarjet e luftës 1999. Kjo kohë është me ngjarje të dhimbshme.

Mandej, në vepër flitet për privatizimin e ndërmarrjeve, për punëtorët, të cilët reagojnë e protestojnë se u takon 20%. Autori M. Halili flet e “rrëfen” për kronikat e zeza, për vrasjet, vetëvrasjet, rrahjet, drogën, prostuticionin e pisllëqe të tjera të përditshme. Por flet edhe për deputetë, për aleatin më të mirë të popullit, Amerikën, për skenat tragjike të luftës së fundit 1999. Ja shembull: “...përgjatë luftës së fundit, paramilitarët dhe ushtarët serbë e kishin zbrazur me dhunë këtë fshat, mandej  duke shkaktuar viktima, djegur shtëpi të shumta etj” (f. 58). Na rrëfen për hallet e qytetarëve gjatë luftës, të cilët shkonin gjer në Bujanoc për të blerë sheqer, por romët ishin ata që brenda natës bëheshin biznesmëntë.

Në vepër flitet në mënyrë artsitike për bormardimet e NATO-së; martesa e të rinjve gjatë luftës; për korrupsionin e KEK-ut; për ULEX-in, i cili, kur vjen në “Kosovë, ata thonë se qenka një vend i mrekullueshëm se si popullatën e ka aq të ngrohtë dhe mikpritës, e sidomos për atë se si ky vend femrat i ka jashtëzakonisht shumë të bukura” (f.86). Flet për njësinë ekonomike të Policisë së Kososvës, për pensonistin, për gjykatën ndërkombëtare,  ku “në lojën seksuale me këtë vajzë përmendet të jetë përfshirë edhe një gjykatës ndërkombëtar, i lindur për të qenë sadist”. (f.92). Autori flet për Bllacën, vendin e tmerrit për shqiptarët, për tenderomaninë, “po duhet me ja lye pak rrotën për punën e sotme”(f.118) etj. Flet edhe për gjendjen aktuale në Mitrovicës etj.  Janë këta tituj të menduar mirë deri tek teknika narrative e të shkruarit të këtyre tregimeve, të cilat kanë një strukturim e shtresim të qëlluar motivor drejt realizimit të qasjes së idesë. Njëri nga tregimet që na ndihmon për ta interpretuar më qartë,është trefimi ”(Vetë) vrasja e autorit”. Edhe kjo ide e autorit përbën cakun interesant e të pazakonshëme që e ka  shprehur rrëfimin në mënyrë artistike. Këtu ka “ngjarje, ka aktualitet, por ka edhe rrëfime që na rrethojnë jetën tonë, e cila po baravitet me vetëndodhjen e tyre. Prandaj, në artin letrar, M. Halili erdhi krejt natyrshëm duke na  sjellë vlera të reja me një dëshirë për ta pasuruar tregimin tonë artistik. Kjo është vepra e tij e parë.

Edhe Imer Topanica – recensent i veprës jep një vlerësim aktual për botën tonë  shpirtërore. Ai shton se, “ky libër të jep ndjesinë sikur je para një ekspozite fotografish, dhe aty për aty po përballesh me një kolazh të përzgjedhur temash, portretesh, karakteresh, peizazhesh nga bota e pasur e vendlindjes së tij. Me një stil të butë, të rrjedhshëm, rrëfimi i tij ngarend që nga bota infantile deri tek ashpërsia e botës së të rriturve. Vlerësoj se tregimet e këtij stili të rrëfimit të Halilit do të shtojnë durimin e lexuesit, sepse prekin realitete, të cilat sapo kanë ndodhur dhe janë shfaqur, e për të cilat lexuesit kërkojnë tregimtarë që përthekojnë këto realitete, sa më besueshëm dhe sa më letrarisht e artistikisht,” ka thënë Topanica!

Gjilan, 2 dhjetor