Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Reshat Kripa: Këto nuk duhen harruar

| E hene, 21.12.2015, 08:59 PM |


Këto nuk duhen harruar

Në 25 vjetorin e përmbysjes së komunizmit

Nga Reshat Kripa

Njëzetepesë vite pas ngjarjes së madhe të përmbysjes së regjimit totalitar nga rinia shqiptare, më dalin parasysh ata të rinj dhe të reja që pa iu trembur syri u ngritën me parullat “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” apo “E duam Shqipërinë si Amerika”. Më kujtohet fëminia dhe rinia  ime dhe e bashkëvuajtësve të mij gjashtëdhjetepesè vite më parë kur ngriheshin kundër po kësaj diktature të tmerrshme por me parullën “Për liri, për Shqipëri, për flamurin kuq e zi,”

E pra, ne pranuam më mirë burgun se sa lirinë e cunguar .Pranuam burgun me thirrjen sublime: “Për Liri, për Shqipëri”  sepse ky ishte atdheu ynë që lëngonte nën thundrën komuniste dhe ne nuk donim që ky të ishte i tllë. Për këtë qëllim u sakrifikuan mbi 7000 persona që u ekzekutuan apo vdiqën në burgjet e tmerrshme dhe mijra të tjerë që u burgosën apo u internuan dhe kjo luftë vazhdoi për gati një gjysmë shekulli. Ishte revolta e madhe viteve nëntëdhjetë që kurorëzoi këtë përpjekje titanike kundër komunizmit.

Natyrisht, neve që kemi vuajtur më tepër pasojat e regjimit komunist nuk kanë se si të mos na dalin parasysh pamjet e tmerrshme të atyre viteve të errëta. Personalisht mua më shfaqen pamjet e kampit të Shtyllasit në vitin 1954 ku, me urdher të operativit të sigurimit, toger Ademit, Sulejman Dizdari u mbulua me dhe i gjallë dhe ishte vetëm mrekullia e doktor Isuf Hysenbegasit të pa arritshëm që e shpëtoi nga vdekja e sigurtë. Më kujtohet kampi i Bulqizës ku po me urdhër të operativit toger Ademi një djalosh 17 vjeçar nga Mirdita, dha jetën në natën e acartë të janarit 1955 i lidhur në shtyllën e telefonit vetëm e vetën sepse nuk kishte mundur të realizonte normën e lartë të punës së detyruar. E pra, këtë toger Ademin, këtë kriminel, e takova një ditë në vitin 1998.  Mendova se do të kërkonte falje për veprat e kryera por kjo nuk ndodhi. Për më tepër, vazhdonte të punonte në Ministrinë e Brendëshme ku drejtonte një nga drejtoritë e saj. Mua m’u errësuan sytë. M’u shfaqën parasysh pamjet e një filmi gjerman, prodhim i pasluftës, që e kam parë në fëmininë time. Ishte historia e një mjeku nazist që në laboratorët e tij eksperimentonte llojet më të tmerrshme të torturave që më vonë ushtroheshin mbi hebrenjtë, robërit e luftës dhe kundërshtarët e regjimit. Me mbarimin e luftës mjeku arrestohet dhe dënohet. I kam harruar sekuencat e atij filmi por më ka mbetur e regjistruar në mendje finalja e tij. Mjeku, i kapur pas hekurave të burgut duke thërritur: Jam i pafajshëm, jam i pafajshëm!” ndërsa prapa tij shfaqeshin dhomat e gazit dhe krimet e tjera të kryera sipas eksperimenteve të  tij. Një zgjidhje e përkryer regjizoriale

Filmi kishte një titull shumë kuptimplotë: Vrasësit janë midis nesh” Ndaj unë pyes: Po vrasësit e kohës së përmbysur në vendin tonë ku janë? Duke u nisur nga ndodhitë e fundit të ngjarjeve rezulton se ata janë ende midis nesh, madje, si për ironi, dekorohen nga udhëheqësit  e shtetit shqiptar Dhe unë personalisht e ndjej veten mjaft të fyer. E ndjej të fyer sepse shoh kriminelët që na kanë torturuar dhe fyer të ngrihen në majat më të larta të nderimit. Madje jo vetëm kaq por ata i gjen në krye të organeve të Kuvendit të Shqipërisë, në krye të organeve qeveritare, në krye të organeve të drejtësisë. Në këto çaste më vijnë ndër mend fjalët e shprehura nga  zoti Benesh, përfaqësues i grupit demokrat çek, në seancën e miratimit të rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës:

Nuk   ka   asnjë   vend   ku   komunizmi  ka  ardhur    pushtet  dhe    ketë  qenë demokratik. Nëse nazizmi u dënua vetëm pak muaj pas rënies, nuk u bë e njëjta gjë me komunizmin. Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, dihej saktë kush ishte fitimtari dhe kush i munduri. Ndërsa në përfundim të Luftës së Ftohtë, gjërat ishin të paqarta. Unë nuk kam frikë as nga nazizmi, as nga komunizmi, por nga lakejtë e tyre që i kanë ndihmuar rregjimet ish-komuniste të qëndrojnë në këmbë.

Me keqardhje deklaroj se sot në Shqipëri tendenca është që periudha e sundimit të diktaturës komuniste të kalohet në heshtje, sikur nuk ka ndodhur asgjë., sikur nuk ka ndodhur asnjë lloj genocidi. Më lejoni ta ilustrojë këtë me fakte.

Në vitin 1996 Asamblea Parlamentare e Këshiilit të Europës miratoi rezolutën Nr. 1096 “Masat për të çrënjosur trashëgiminë e sistemeve totalitare komuniste” rezolutë që në Shqipëri as që u publikua farë, madje një gjë të tillë bëri edhe media e asaj kohe. Përse?

Në vitin 2006 përsëri Asamblea Parlamentare e Këshillit të Europës miratoi një rezolutë tjetër,  atë të përmendur më sipër, me Nr. 1481 “Domosdoshmëria për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”. Lidhur më këtë Kuvendi i Shqipërisë miratoi rezolutën “Për Dënimin e Krimeve të Kryera nga Regjimi Komunist në Shqipëri”. Çuditërisht, në këtë miratim, deputetët socialist dolën nga salla dhe nuk e votuan. Përse? Unë nuk e di. Ata po të munden le përgjigjen.

Në vitin 2010 një delegacion i Kombeve të Bashkuara i kërkoi Shqipërisë të dënonte krimet e komunizmit. Çuditërisht lajmi nuk u njoftua nga asnjë burim. Përsëri edhe media heshti. Çdo gjë u mësua vetëm nëpërmjet medias elektronike jashtë atdheut. Më 14 dhjetor 2010 me anën e një letre të nisur nga  ana e ministrave të jashtëm të Lituanisë, Letonisë, Bullgarisë, Hungarisë, Rumanisë dhe Çekisë, me nismën e Ministrit të Jashtëm Lituanez, zotit Audronius Azubalis. drejtuar Komisares Europiane për Çështjet e Drejtësisë, zonjës Vivian Reding, kërkohej ngritja e një gjykate ndërkombëtare për dënimin e krimeve të komunizmit.

Do të kishim dashur që krahas firmave të ministrave në fjalë të kishte qenë edhe ajo i ministrit tonë, si përfaqësues i shtetit me përndjekjen më mizore. Por ajo mungoi. Përsëri ky lajm kaloi në heshtje.. Të mos harrojmë se krimet e komunizmit në Shqipëri i kalojnë disa herë atyre të kryera në ish vendet e tjera totalitare. Më lejoni t’u jap vetëm një  shembull. Sipas deklaratës  së përfaqësuesit sllovak, antarit të kryesisë Dr. Peter Bielek, në Kongresin e XVI-të të Shoqatës Ndërkombëtare të Burgosurve Politikë dhe Viktimave të komunizmit, mbajtur në Tiranë, në Sllovaki dënimi i fundit me vdekje ishte ekzekutuar në vitin 1956, ndërsa te ne në vitin 1988, me varjen në litar të Martirit të Demokracisë, poetit Havzi Nela. Mos harroni! Ky krim u krye kur komunizmi po jepte frymën e tij të fundit. Edhe në çastet e fundit të jetës ai kërkonte gjak . Krahasimin bëjeni vetë, të nderuara zonja dhe zotërinj. Pak më lartë theksova rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë qysh në tetorin e vitit 2006. Le të shohim tani se si janë zbatuar disa nga pikat e kësaj rezolute:

Pika 8. Kuvendi   i   Shqipërisë   dënon   diktatorin   Enver   Hoxha  si  ideatorin,  frymëzuesin,

drejtuesin dhe ekzekutuesin e sistemit më të egër diktatorial komunist në Europën Lindore  që çoi në izolimin  dhe varfërimin e tejskajshëm të Shqipërisë dhe kërkon heqjen e të gjithë titujve  dhe dekoratave të dhënë atij e bashkëpuntorëve të tij njga regjimi komunist.

Çfarë është bërë për këtë pikë/ As lëvizja më e vogël. Diktatori vazhdon të ruajë dekoratat e fituara  në kohën e totalitarizmit, gjë që nuk ka ndodhur në vendet e tjera ish-socialiste A është e drejtë që një person i njohur si diktator të ruajë dekoratat e pamerituara?

Pika 10. Kuvendi i Shqipërisë kërkon bërjen publike të të gjitha dokumentave që dëshmojnë krimet e regjimit komunist përfshirë edhe dosjet e krijuara në ish-institucionet e përndjekjes dhe dënimeve politike si Sigurimi i Shtetit, Prokuroritë, Gjykatat dhe Komitetet e Dënim-Internimeve.

A keni dëgjuar, të nderuar zonja dhe zotërinj, të bëhen publike këto dokumenta? Madje as Instituti i Hetimit të Krimeve të Komunizmit i ngritur posaçërisht për këtë qëllim nuk i disponon.

Pika 11.    Kuvendi i Shqipërisë kërkon hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit për politikanët, drejtuesit e institucioneve kushtetuese, atyre të sistemit të drejtësisë, të administratës publike qëndrore dhe lokale, si dhe të mediave kombëtare audio-vizive apo të shkruar.

Kanë kaluar 25 vjet dhe një ligj i tillë ende nuk është përfunduar. Edhe një i tillë i miratuar disa vite më parë,  megjithse  gjysmak, u  hodh  poshtë  nga  Gjykata  Kushtetuese, e përbërë nga gjykatës që prekeshin nga ky ligj. Kur do të përfundojë ky problem në një kohë që ish-vendet e tjera socialiste kanë kohë që e kanë zgjidhur? A do të jetë i dretë formulimi i tij apo përsëri gjysmak si i pari.

Pika 16.   Kuvendi i Shqipërisë nxit fillimin e një fushatë kombëtare  për ndërgjegjësimin rreth krimeve  të kryera në emër të ideologjisë komuniste duke përfshirë rishikimin e librave shkollorë, shpalljen e një dite kombëtare për përkujtimin e viktimave të komunizmit, hapjen e muzeumeve përfshirë dhe kthimin në muze të burgjeve të tmerrshme politike, si dhe ngritjen e memorialeve në nderim të shqiptarëve që u vranë për kundërvënien ndaj regjimit totalitar.

Për fat të keq në librat shkollore  pothuajse nuk shkruhet fare pë genocidin komunist në Shqipëri. Ende nuk ka një ditë përkujtimore për viktimat e komunizmit. Nuk është ngritur asnjë muzeum dhe nuk është kthyer në muze asnjë burg apo kamp i periudhës totalitare. Është marrë një vendim i Kuvendit të Shqipërisë për ngritjen e një memoriali në nderim të shqiptarëve që u vranë për kundërvënien ndaj regjimit komunist por, megjithse kanë kaluar disa vite, ende nuk është vënë në zbatim

Me këtë rast dua të falënderoj shkëlqesitë e tyre Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe atë të Gjermanisë, për vlerësimin e bërë për të përndjekurit politikë të Shqipërisë duke vizituar kampin famëkeq të Spaçit, veprim që, deri më sot, nuk e ka bërë asnjë pushtetar, asnjë përfaqësues partie, asnjë deputet.

Falënderoj  gjithashtu Shkëlqesinë e tij Presidentin e Republikës për dekorimin e martirëve të pushkatuar nga regjimi totalitar në këtë kamp hero dhe që këtë ceremoni e zhvilloi pikërisht në gjurmët e këtij kampi.

Pika 17.   Kuvendi i Shqipërisë mbështet organizimin e një konference kombëtare me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të parlamentit, qeverisë, partive politike, shoqatave të    persekutuarve, akademikëve, historianëve si dhe ekspertëve të OJQ-ve, për krimet e kryera nga regjimet totalitare komuniste.

Kanë kaluar nëntë vjet nga miratimi i kësaj rezolute dhe ende nuk është gjetur kohë për organizimin e një konference të tillë, në një kohë kur janë organizuar qindra të tjera, deri edhe ato për homoseksualët, shumë herë më pak të rëndësishme se ai i të përndjekurve politikë. A do kenë dëshirën qeveritarët shqiptarë të marrë një nismë të tillë? Ne jemi në pritje.

Këto janë vetëm disa nga pikat e rezolutës në fjalë pasi aty përfshihen edhe rishikimi i datave simbol të sistemit komunist, hartimi i një strategjie kombëtare  për eliminimin e pasojave të totalitarizmit, përmbushja e detyrimeve ligjore për zbatimin e statusit të të përndjekurve politikë për integrimin, arsimimin, punësimin, strehimin, dëmshpërblimin e tyre dhe akordimin e një fondi për gjetjen dhe rivarrosjen e të zhdukurve dhe të vrarëve me ose pa gjyq për arsye politike, detyrime që, deri më sot, kanë mbetur vetëm në letër

Para disa muajsh po shetisja me një mikun tim, që ka kryer 29 vjet në burgun komunist, në bulevardin “Bajram Curri” këtu në Tiranë. Kur po arrinim tek vendi ku ky bulevard bashkohet me rrugën e Kavajës, vështroj një pallat të kohës së perënduar me tulla silikate ku në njerën nga fasadat e tij ishte shkruar, që gjatë ndërtimit, me tulla të kuqe: “Rroftë Partia e Punës”. U skandalizova. Si nuk u kishte rënë në sy asnjerit prej kryetarëve të Bashkisë kjo parrullë? Vallë a mund të ketë ndonjë shtet tjetër të Europës Lindore ku mund të ekzistojë parulla të tilla? Unë nuk e besoj. Atë çast mendja më shkoi edhe te raste të tjera të kësaj natyre. Mbi varrezat e dëshmorëve të kombit vazhdon “të ndriçojë” ylli i kuq i komunizmit, a thua se të rënët që prehen aty paskan rënë për këtë yll. Për më tepër aty, nën këmbët e tij prehen edhe eshtrat e 22 martirëve të së ashtuquajturës bombë në legatën sovjetike dhe mua më duket sikur gjembat e atij ylli ende grryejnë eshtrat e martirëve, Në qendër të Tiranës, në fasadën kryesore të Muzeut Historik Kombëtar, një mozaik i madh ku dy të tretat e tij i zenë “luftëtarët e lirisë” me yllin e kuq komunist në ballë dhe ndërtuesit e “Shqipërisë së re Socialiste” me gjokset përpara, ndërsa në një të tretën,  paraqiten si liliputë heronjtë e historisë së mëparëshme të këtij kombi A është e denjë për një muze kombëtar një paraqitje e tillë e historisë së tij?  Ishin pikërisht këto që më tërhoqën vëmendjen në ato çaste. Ne do të donim që qeveritë shqiptare të zbatonin ligjet dhe vendimet që ata vetë i kanë miratuar në Kuvendin e Shqipërisë dhe në radhë të parë të rezolutës mbi ndëshkimin e krimeve të regjimit komunist. Vetëm atëherë do të kishin plotësuar detyrimin që kanë ndaj shtresës së të përndjekurve politikë.

*Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës

Botuar ne gazeten “55” Nr.6318 date 19 dhjetor 2015.  Derguar me pare gazetave “Ballkan”, “Telegraf” dhe “Standard” qe nuk e botuan. Perse? Po munden le te pergjigjen.