Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Adem Zaplluzha: Të vizatosh një zog në mur

| E merkure, 16.12.2015, 07:42 PM |


Adem Zaplluzha

Pesë poezi nga libri më i ri “Të vizatosh një zog në mur

 

SONTE DUHET TË ECIM

 

Sonte do të na duhet të ecim

Na pret një rrugë e gjatë andej lumit

Na presin edhe kashelashat

Kaluan më ato kohëra

Kur loznim si fëmijë

Me flokët e shprishura të yjeve.

 

Domosdo duhet të ecim

Nuk guxojmë të ndalemi në asnjë liman

Ne vetëm në ecje mund të ekzistojmë

Nëse ndalemi

Veç në hapat e para

Do e përjetojmë gurëzimin e përrallave.

 

Po të mos kishim lëvizur

Para mija vjetëve ne do të zhdukeshim

Sa e sa popuj të mëdhenj

E të vegjël u harruan ose u zhdukën

Nëpër rërat e shkretëtirës.

 

U zhdukën

Vetëm pse i ndalën lëvizjet

Sonte duhet të ecim përtej çdo mundësie

Se përndryshe

Mund ta pësojë keq e nesërmja.

 

 

I NGJANIN ANIJEVE TË DEHURA

 

Nëpër pragje pritjesh

Prisja etjen në syrin tim

Sapo çeli trëndafili i egër

Selvitë filluan të lëkunden

I ngjanin anijeve të dehura.

 

Mbi qindra tasa të konservave

Përkundet detit

Një peshkatar i shtyrë në moshë

Prite të kthehen anijet e fundosura

Bunaca mbi një kep të përgjumur

I krihte flokët e meduzave.

 

Horizontin e kishin mbuluar

Retë e zeza

Një saç i përskuqur

Si eshka e mykur digjej në rërë

Vlonte uji në kthetrat e gaforres.

 

Nga hapësira blu zunë të rigojnë shirat

Si lotët e nuseve stërkalat

Binin mbi molin e rrëqethur

Peshkatarët me nostalgji të pashoq

Këndojnë një këngë të vjetër.

 

 

SI NËPËR VALLET E LEGJENDAVE

 

Pemët po më duken delikate si shirat

Po lëvizin degët pa pra

Në anën e kundërt të memories

Veshur me këmisha të bardha

Vallëzojnë në vallen e luleve.

 

Një hënë e grisur

Me qindra lloje leckash

Po e arnon fustanin e nusërisë

Me flokët e meteorëve

Po qëndis një tjetër hënë

Më të re.

 

Si nëpër vallet e legjendave

Pa reshtur po vijnë  dasmorët

Shtatëdhjetë e shtatë ditë

Nuk pushuan zurnatë

Dhe  daullet

S’ndaleshin as defet e zanave.

 

Lëkura e ajrit pëlcite  nga shëndeti

Prej fryteve të pjergullës

Pikonte një lloj vere

E paparë

Me qindra vite në këto anë.

 

 

SI I LUAJTUR MENDSH

 

Si i luajtur mendsh

Trokas në ditët e javës

Mbase sot është ditë e hënë

Kurse e diela

Shtatë ditë larg nga pasqyra ime.

 

Po kam ftohtë më kanë rrethuar ethet

Nga krehri im

Si pikëllimi pikon dita

Kardinalët mbrëmë protestuan

E kambanorja qeshte me ironi.

 

Si i luajtur mendsh

Era trokiste në ndërgjegje

Çdo ditë jave xhelozish fshihej

Pas një tjetër dite

Heshtja në një heshtje solemne

I këndon psalmet e saja të vjetra.

 

 

SA HERË QË IKNIN LIDHËSET

 

Dje më ishin çrregulluar këpucët

Lidhëset e këmbës së majtë

I gjeta duke i pastruar

Rrugët e baltosura të qytetit

 

Kjo nuk ishte hera e parë

Edhe ditëve të tjera

Ngjante që kur binte shi

Këpucët lageshin deri në asht

 

Lustraxhiu ua njihte huqet

Sa herë që iknin lidhëset

Nga cila do qoftë këmbë

Ai bisedonte me shollat e këpucëve