Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ireshtansi: Don Albo

| E merkure, 16.12.2015, 08:01 PM |


Don Albo*

Shkruan: Ireshtansi

Njëhërë moti, në një fshat të një bote të vogël kishte ndodhur një rrahje. Tre barinjë kishin rrahur keq një bari të një fshati tjetër, sepse bagëtitë e tij ishin zënë duke kullotur në livadhet e fshatit të tyre, e kjo s'mund të durohej, kishin thënë ata fjalët që i thoshin edhe burrat e fshatit që kishin bërë një mbledhje për këtë çështje ku këta të rinjë ishin mbuluar me lavdata. Madje ditëve në vijim, atyre mund t'ju thurej një këngë sikur fjala që erdhi nga fshati tjetër të vonohej edhe pak.

- Për këtë rrahje, ne do të vrasim hiq më pak se më të mirin tuaj, dërguan fjalë ata.

Çështja u bë serioze. Fshati do të mbetej pa më të mirin e tij, që s'dihej cili qe, e pikërisht kjo ishte cfilitëse. Fshatarët filluan të përmendnin emra, e për t'parën herë ata ishin të sinqertë, saqë po të ishte për të zgjedhur kryetarin e fshatit, do t'bënin zgjedhjen e përkryer, por s'bëhej fjalë për diçka të tillë. Tani, i madh e i vogël mendonin se kush do ta kishte fatin e ligë të ishte më i miri.

Don Albon s'e kishte përmendur askush, megjithatë ai e dinte që është më i miri, prandaj u mbyll në shtëpi që të shpëtonte veten. Por edhe fshatin.

Rrinte në odë e mendonte për të mirat që kishte bërë për fshatin e të cilat armiku sigurisht i kishte mbajtur shënim. Ai kishte qenë gjithmonë i zëshëm për problemet e fshatit. Kurrë s'i kishte kursyer fjalët. Kishte folur në çdo mbledhje, por edhe pa mbledhje, kurrë pa u lodhur, dhe s'kishte pikë dyshimi që ishte më i miri dhe për të parën herë i erdhi keq për këtë.

Në këto mendime, e fare pavërejtshëm u shfaq gruaja e tij. Atë ditë e kishin lënë të shkonin në arë, se ishte kohë e mbjelljes së misrit dhe trasta me farë i priste përjashta.

- Ti dëshiron që unë të vritem?!, i tha Don Albo kur mori vesh përse kishte ardhur.

- Jo Don Albo, mos e bëftë zoti, u përgjigj ajo e friksuar. Pse mendon ashtu?!.

- Si?, ti nuk e di që ata do të vrasin më të mirin e fshatit.

- Po, e di.

- E kush mund të jetë më i mirë se unë?!. Dhe jo vetëm në këtë fshat, por në gjithë botën, tha Don Albo duke pasur parasysh edhe fshatrat përrreth.

- Ashtu është Don Albo… ,por ne e kemi zgjedhur më të mirin e fshatit, kryetarin,  iu kundërvu ajo me butësi.

- Hahaha, qeshi me të madhe Don Albo. E kur ka bërë ai ndonjë të mirë që të jetë i mirë?. Edhe po të pyesësh fshatin, askush s'mund t'ia përmend një të mirë, e prapë e zgjedhin. Por armiku... armiku gjithmonë e di kush ështe më i miri, dhe unë jam i sigurt që ata po më kërkojnë mua, prandaj merri fëmijët e shko, se me mua rrezikoheni edhe ju, e këtë s'mund ta lejoj. Shko tash, shko, tha Don Albo dhe e përcolli deri tek dera, por nuk doli jashtë, sepse siq thoshte edhe vetë, armiku po i përcillte lëvizjet.

...Dhe kaloi plot një vit e Don Albo ende rrinte mbyllur. Fshati tjetër s'kishte ndërmarrë asgjë e kjo i vuri në mëdyshje fshatarët se mos ata po kërkonin pikërisht Don Albon si më të mirin e tyre. Megjithatë s'kishte siguri për këtë, prandaj ata nuk ndaluan së dërguari njerëz për të kërkuar falje për veprimin e tre të rinjëve mendjelehtë, që siq thoshin fshatarët, vetë ishin duke ua bërë gjygjin e do t'ja jepnin edhe dënimin sikur fshati tjetër të mos ua merrte çështjen nga duart.

Kishte kaluar një vit dhe zemërimi në fshatin tjetër kishte rënë, por siq u thanë ndërmjetsuesve, për falje nuk bëhej fjalë. Kjo nuk mbyllet pa hyrë dikush në dhe, por një lëhtësim edhe mund të bëhet, thanë ata.  Ne, tani do ta falim më të mirin e fshatit ndërsa do të vrasim më të keqin e tyre. Sa për të thënë që  morëm hak.

Fshati dëgjoi vendimin e ri që s'ishte aspak më i mirë se i pari. Bile tani u bë bë një list më e gjatë më emra që ishin në rrezik. Secili kishte ngapak frikë dhe përpiqej t'ia mbushte mendjen vetes që tjetri megjithatë ishte më i keq. Vetëm Don Albon s'e përmndte askush. Ai ishte i shpëtuar, e për këtë të gjithë e kishin zili.

Don Albo, i mbyllur në odë, e mori vesh lajmin i fundit. Gruaja e tij që shkëlqente nga gëzimi e thirri përjashta, të pinin nga një kafe që e ruanin për raste të veqanta, por Don Albo s'mund të dilte. Ajo e dinte këtë dhe kjo ftesë për ta çuar drejt një rreziku të sigurt e bëri nervoz. Por ajo nuk u ndal.

- Eja Don Albo, je i falur. i tha

- Si?! , pyeti Don Albo dhe gjithë gaz iu drejtua derës.

- Po Don Albo, je i falur. Ata, tashmë nuk do të vrasin më të mirin por më të keqin e fshatit.

- Si?!, përsëriti ai dhe ndali hapin tek pragu i derës. Buzëqeshja i ngriu në fytyrë dhe për një çast u bë statujë e vetvetes. Pastaj lëvizi  e u ulë aty ku kish qenë. Mendoi shpejt, siq mendojnë njerëzit në rrezik, të këqijat që u kishte bërë të tjerëve që çuditërisht armiku mund t'i ketë mbajtur shënim, e kjo e rrezikonte tejmase.

- Dhe ti mendon që ka në fshat më të keq se unë?, tha pas pak me fytyrë të lodhur.

Gruaja e shikoi e hutuar.

- Po ka. Të gjithë janë më të këqinjë se ti Don Albo, i tha për t'i dhënë zemër, pasi e mblodhi veten nga ky reagim i tij i papritur. Si mund të jesh ti i keq kur ke bërë kaq të mira....

Por Don Albo nuk bindej. Ai këmbëngulte që ishte më i keqi në fshat. Përmendte me zell të këqijat që ia kishte bërë njerëzve dhe fshatit e hera herës shtonte ndonjë të keqe që s’e kish bërë kurrë, vetëm të përforconte pozitën e më të keqit në fshat e të mos rrezikonte të dilte se këtu s’kishte siguri. Dikush mund të ketë bërë njëqind të këqija e ata s’i dinë,ndërsa dikush një të keqe në pastë bërë, e di gjithë fshati, madje gjithë bota, arsyetonte me vete Don Albo. Sido që të jetë, unë jam njeri i keq, thoshte ai. Nevoja e kish shtyrë t’i kujtonte e t’i numëronte të këqijat që kish bërë e që i dolën vërtet shumë.

Gruaja e tij, më kot mundohej ta bindte që nuk ishte I keq, ose që ka në fshat edhe më të këqinjë se ai e që ishin më të rrezikuar. Ajo përmendte emra,tregonte histori të liga ku ishte përfshirë dikush i fshatit, histori që as në filma s’ishin parë, por ai i mbyllte të gjitha shtigjet.

Ajo u përpoq shumë që ta nxirrte jashtë, që ai t’i kthehej jetës, e sidomos punës, por Don Albo s’mund të dilte, se ishte i rrezikuar, e siq thoshte edhe vete, armiku po ia përcillte lëvizjet.

*Tregimi është bazuar në një gojedhënë popullore