Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Rrecaj: Rrjedhë jete ose mes vështrimesh

| E hene, 14.12.2015, 08:19 PM |


Rrjedhë jete ose mes vështrimesh, vëzhgimesh e rrebeshesh …

Nga Blerim Rrecaj

Një jetë që vazhdon të rrjedhë.  Me të mirat e të këqijat e saj. Dhe me ngjarje që lënë gjurmë e pasoja të (pa)riparueshme në periudha afatshkurëra , afatmesme e afatgjata.  Nga të fillojmë më parë nga gjëra më  me rëndësi, nga ato që na kujtohen apo të ndjekim një rend kronologjik të ditëve që shkuan. Tashmë jemi gati në mesdhjetor. Dhe ca fletë ditari për muajt që shkuan ndihmojnë për ta shpërfaqur një mozaik me copëza jete. Në të përzihen ndjenja të larmishme si brenga, shqetësime, festa e gëzime, protesta, trazime, përballje, kundërshtime…

Dhe do themi shumë gjëra që tashmë edhe janë të njohura por që ngjasin, që përsëriten a më mirë e ne jemi ata që përpëlitemi në kohën që na ikën e që assesi të s’po arrijmë ta gjejmë udhën drejt një drejtimi të duhur politik, ekonomik, shoqëror, me pak fjalë ende gjërat s’po duken që po mund t’i vëmë në binarë. Po, pse vallë?!

Të lodhur e të mërzitur, të shqetësuar e të trishtuar,  shumë gjëra duke përsëritur e përsëritur, ndryshime jo të pritura e të dëshiruara,  por ja që ende një jetë që do të duhej të ishte e thjeshtë ne vazhdojmë ta kemi aq të koklavitur, pak a shumë kështu ka thenë siç thonë Konfuci. Por me ndonjë klikim gjejmë edhe një thënie tjetër që mund të ketë kuptim me këtë që jemi duke thenë. “Bota është plot dyer, plot raste, fije të tendosura që presin t’u biesh” , citohet të jetë shprehur  Ralf Valdo Emerson. Eh, pra më mirë të  fillojmë nga dyert, rastet e fijet tona, apo jo? Dhe po (ri)fillojmë. Na gëzoi e lumturoi suksesi  i Kombëtares sonë që u kalifikua në Francë 2016. (Pritëm dhe pamë shortin dhe grupin që na ra…) Po, po Kombëtarja kryefjala ku ne më së shumti arrijmë të bashkohemi, sepse i zënë i vogël ishte stadium i Prishtinës për të parë e përqafuar bijtë e shqipes. Dhe më pas zhurmë e pluhur përgjatë ndeshjes vëllazërore  mes Shqipërisë dhe Kosovës këtë ballafaqim mbase më së miri e përshkruajti Besim Hoda me anë të një statusi në llogarinë e tij në facebook kur tha:

“Kombëtarja A & Kombëtarja B e Shqipërisë sot në Prishtinë! “E shqiptarët e shohin të ardhmen e tyre të bashkuar thuhet pos tjerash në status. Në fund të këtij statusi të shkurtër vërehet edhe  shënimi “P.S. Pa politikë”, e këtë e ka thenë sigurisht duke parë politikën e cila ende s’ka arritur të konsolidohet në mbrojtje të interesave kombëtare.

Kalojmë tash te politika. Te Demarkacioni e Asociacioni(Zajednica)kundërshtuar nga opozita dhe të përkrahura nga pozita ndonëse kjo e fundit nuk përgjigjet nëse këto dy marrëveshje që ka bërë janë të mira, e bile thotë se nga qejfi nuk do t’i kishte bërë! Më pas gazi lotsjellës, arrestimet, 28 Nëntori dhe demolimi i zyreve të Vetëvendosjes  me njësi antiterrorr dhe arrestimi i Albinit, i cili në fjalimin e tij tha se neve na bën bashkë 28 Nëntori i Skënderbeut, Ismail Qemalit e Adem Jasharit.  Dhe vazhdimi i përplasjeve, ngërçi, bllokadat dhe vazhdimi i betejës. Mobilizimi, sqarimet e sensibilizimi i opinionit publik se Kosova po shndrrohet në Bosnjë. Ashtu kështu këto dy shtete jofunksionale edhe flamujt i kanë pothuajse të njejtë e ngjajnë sikur të ishin dy vëllezër binjakë.  Përkrahja e një numri të madh të intelektualëve nga Republika e Shqipërisë për opozitën që kundërshton marrëveshjet dhe lirimin e aktivistëve të saj dhe  menjëherë pas kësaj mbështetjeje shfaqet  kërkesa absurde e përçarëse  e Berat Buzhalës dhe Gazetës Express me simotrat e saja për largimin nga Kosova të aktivistëve  e anëtarëve të Vetëvendosjes që vijnë nga Republika e Shqipërisë. Edhe emrin Berat edhe përçarës… Naim Frashëri ka paralajmëruar duke thenë: Mos u bëni trathëtorë se pastaj do të pendoheni.

Ne duhet të bashkohemi ndonëse vërehet se po bashkohen dhe për të penguar bashkimin kombëtarë  politikanë, biznesmenë, gazetarë, analistë, opinionistë, e çka jo tjetër. Elvis Hoxha tipat e tillë i quan avokatë të djallit. Doni emra. Fevziu e Haxhiu për shembull. Apo siç e postuan “Lëvizja Shqipon” një shkrim me argumente për këtë që folëm me titullin “Mik i regjimit, armik i informimit” .  Derisa Gëzim Mekuli thotë se derisa nuk dihet se ç’drejtim po marrin fatet e Atdheut shumica e medieve merren me lajme të tipit si “Gruaja e Ermalit është shtatëzënë…”

Ja dhe një shaka që postoi në llogarinë e tij në facebook Pëllumb Kulla për një bisedë mes shqiptarësh në një rrugë të Bostonit

<<- Hë, mo! I merr ato kanalet televizive shqiptare, ti?

- Cilat kanale , mo?! Po unë ngaqë nuk duroja ata kanale ika që atje!>>

E kur jemi te kjo temë  na kujtohet  gazetari hulumtues Roberto Saviano ka thenë në një intervistë për Alba Malltezin siç transmetuan mediet se familje mafioze në Prishtinë dhe Tiranë u intereson vetëm biznesi e pastrimi I parave dhe  e pengojnë bashkimin kombëtar të shqiptarëve.

Derisa politikanët e pozitë-opozitës nga Shqipëria londineze (kuptohet shumica, e mund të ketë ndonjë përjashtim)heshtin për marrëveshjet e që shkojnë në favor të Serbisë e Malit të Zi, gjithashtu dhe mediet që kontrollojnë këta politikanë oligarkë të cilët të cilët me 8 dhjetor luajtën përsëri lojë të rrezikshme që fatbardhësisht kaloi pa viktima sikur para katër viteve, pra me 21 janar…

Pas gazit lotsjellës mbrenda e jashtë kuvendit të pranishme edhe mjegullat. Le të përpiqemi që marrëveshjet  të bien dhe mjegullat nga kokat  të hiqen e rruga drejt Ribashkimit të Shqipërisë të vazhdojë… (Nesër , seanca parlamentare e rradhës në Kuvendin e Kosovës…)

Dhe përplot gjëra vështrojmë e vëzhgojmë e parasysh na del dhe thënia e Mitrush Kutelit: “Po s’u turbullua nuk kullohet”… Dhe jeta vazhdon të hedh hapat e saj të shpejtë, e duke qenë e pamëshirshme nuk pret…

Të ndalemi pak te Poezia “Plagë Shqiptare” e Petraq Kolovicës nga libri i tij “Të korrat e vona”:

Plagë shqiptare. Oh! Plagë shqiptare .../Plagë sundimi sistemesh barbare,/Plagë gjithfare në zemrat bujare/

Plagë që edhe pse i shohim me ndot,/S 'dimë se si t' i shërojmë as sot.

Përpiqemi e lutemi për shtigje shërimi. Dhe çka të thuhet tjetër pas kësaj kur  poezia kaq shumë ka përmbledhur hallet e Shqipëri hallëmadhes, e cila pret t’i dalin zot bijtë e vet,  edhe sot e përjetë…