| E premte, 11.12.2015, 07:00 PM |
Kristaq Turtulli
KUJDES VAJZE
FRAGMENT NOVELE
-15-
Më dhembte koha. U shtriva në shtrat, të merrja një sy gjumë, të qetësohesha dhe nuk e ndjeva Lidën kur hyri në dhomë. Ajo u ul në gjunjë përpara shtratit tim dhe më vështroi. E ndjeva dhe hapa sytë.
-Gremisu tutje Lida, - i thashë zë grindur:- Ç’më shikon ashtu, si sy dalë. E kam tmerrësisht bezdi kur dikush më vështron kur sytë i kam të mbyllura.
Ajo vazhdonte të më vështronte pa folur. U bezdisa, i ktheva shpinën. Lida më flaku kuvertën dhe më shkundi nga shpatullat.
-Hajt Ana, lëri llafet, por ngrihu vishu. Fut një çapë bukë në gojë,- më këshilloi:- Dhe eja ti a mbathim.
-Më lër të qetë, Lida. Nuk dua të shkoj gjëkund,- u grinda dhe qëndrova në mbathje në buzë të shtratit. Mërdhiva.
-Lëviz de, vishu. -u grind Lida.Veshi pantallonat, bluzën e trashë, bëri flokët topth. Priti sa të vishesha unë dhe tha:- Sot dita është ndryshe nga të gjitha ditët e tjera. Mitingu do zhvendoset drejt kryeministrisë. Të luan kapaku i kokës, do shkulet gjithë qyteti dhe sheshi i qytetit të studentit është shumë i ngushtë për ne.
- A nuk është me rrezik!?- pëshpërita si në ethe dhe kapsallita sytë.
Lida ngriti supet me indiferentizëm dhe tha:
-Edhe me rrezik mund të jetë.
-Kur paska rrezik përse më thua të vij,- i thashë gati me mëri.
- Ana. Ka ardhur koha të rrezikojmë. Ne si komitet i përkohshëm i mitingut, vendosëm ti shkojmë përbindëshit në strofull, ta detyrojmë të dëgjojë zërin tonë.
Isha në mëdyshje. Ç’më polli belaja me këtë Lidën. Dhe përnjëmend më doli fytyra e Edit, pezmatimi, nervozizmi i tij dhe indinjata e hapur e prindërve. Ata natyrisht, gjenden në tjetër barrikadë, janë mekanizma të pushtetit. Ndërsa unë, nusja e tyre, vajzë e thjeshtë, bijë minatori, jam në mes të dy brigjeve të një ure të vjetër, ku nën të rrjedh lumi i turbullt dhe i rrëmbyeshëm i së djeshmes.
-Shkundu de, lëviz, -më foli me padurim Lida.
U ngrita me përtesë, s’po vendosja.
-Lida,-mërmërita dhe fërkova sytë:-Po sikur të mos vij në miting, bëhet gjë.
-Të mos vish? Bëhet si jo. Mos u bëj budallaqe e frikamane. Atje në shesh me ne, është dhe ëndrra e vëllaçkos tënd të ndjerë, Beniamin,- ia bëri Lida dhe më vështroi vëngër. Pa marrë përgjigje nga unë më këshilloi:-Dëgjo, para se të dalësh, mos harro të veshësh bluzë të trashë. Mund të ketë erëra të forta.
Sa dolëm te dera e konviktit, pamë lumin e madh të studentëve që shkonin drejt qytetit. Lida fërgëllonte prej emocionit e padurimit. U përziemë me ta dhe vijuam rrugën e ngushtë mes shtëpive të ulëta prej qerpiçi, që nxirrte te godina e portokalltë e filologjikut, fakultetit tim. Prej andej do ndiqnim bulevardin e madh, drejt godinave masive të kryeministrisë dhe Komitetit Qendror të partisë. Ku qëndrojnë të plotfuqishmit e forcës dhe të pushtetit.
Lida më futi krahun, dihaste, se përmbante emocionin. Diku më zunë sytë Sterjon, u fliste të tjerëve me zë të lartë. Në duar mbante një pankartë ku kishte shkruar:
‘Gjithçka për ty Entela.’
-Vdis pa të dua,-mërmëriti Lida me mllef:- Iku e gjora vajzë, u bë erë dhe ky tani na del me pankartë. Në komitetin e përkohshëm Sterjo Dushku është më zhurmëmadhi dhe ekstremisti, sikur s’e ka pasur babanë komunist, me plagë në luftë, por ballist.
S’i ktheva përgjigje. Nuk ishte koha e gjyqeve mes nesh. Me sa kuptoja, Sterjo e kishte dashur Entelën dhe ishte fajtor pa faj. Befas sytë më zunë pedagogen Shili. Ajo shkiste trotuareve si hije. Tani vonë e mora vesh që origjinën e ka nga veriu e vendit. Familja e saj pat qenë e pasur, e shpronësuar dhe një xhaxha të pushkatuar. Kur zbriti me familje në kryeqytet, ndërroi mbiemrin dhe hyri në një familje me biografi të qëndrueshme. Ia tregova Lidës:
-Çfarë s’bënin njerëzit për të mbijetuar,- tha ajo. Nënqeshi me dhembje dhe më foli ultas:- Tani po ta them, por dhe unë kam qenë familje kulaku. Jam bërë mike me pedagogen Shili dhe unë ju luta të vinte me ne.
Lida kishte zënë miqësi të ngushtë me një djalë energjik, flokëkaçurrel, kushëri i Shilit. Të dy ishin zgjedhur në komitetin e organizimit të mitingjeve. Kur mbërritëm te godina e portokalltë e filologjikut, turma qëndroi. Ne u ngucëm në sheshin e shkollës dhe në rrugët përreth. Studentët dhe qytetarë vazhdonin të vërshonin si lumë nga të gjitha anët dhe ne sa vinin e ngushtoheshim më shumë.
-Përse ndaluan?- pyeti Lida e shqetësuar dhe bërtiti:- Dëgjoni, duhet të lëvizim, të shkojmë pa u ndalur te qendra e qytetit.
Studentët bërtisnin, hidhnin parulla kundër sistemit dhe askush s’e dëgjoi. Lida e ndërkryer u kthye nga mua dhe më tha:
-Ana, mos mu ndaj. Më ndiq.
Ajo çau turmën me bërryla e duar. Unë një çast ngurrova, më dukej sikur po qorrollisesha pa ndonjë arsye pas saj. E sikur të mos isha këtu, mes studentëve, në protestë, s’do kishte ndonjë ndryshim të madh te mua dhe në jetën time. E ardhmja ime qe e lidhur me Edin, e doja fort. Lida e paduruar më bënte me shenjë ti bija pas. E pavendosur çava përpara, mbërrita te ajo, që bërtiste më shumë se të tjerët. Damarët e qafës i ishin skuqur dhe kërcyer. Dolëm në rreshtat e para dhe përnjëherësh mbajtëm këmbët të hutuara, të trembura. Disa metra larg nesh, përtej kangjellave të filologjikut ishte rreshtuar kordoni i ngjeshur i policisë, mbuluar me mburoja dhe armatosur deri në dhembë.
-Po sikur të na sulmojnë, të na rrahin?- pyeta zë dridhur Lidën?
Ajo ngriti supet, me sytë e ngulur tek njerëzit e armatosur. Ishte përskuqur, por s’ishte e frikësuar. Dëgjuam që dikush prej policisë foli në altoparlant:
-Nuk ju lejojmë të kaloni më tutje dhe ju urdhërojmë të shpërndaheni?
Studentët bërtisnin:
-Ne kërkojmë liri demokraci. Të jemi si gjithë Evropa. Na lejoni të protestojmë paqësisht përpara kryeministrisë.
-Ju urdhërojmë të shpërndaheni, ndryshe do përdorim dhunën! - Buçiste altoparlanti.
- S’do të guxoni! Mjaft me dhunë. E drejta dhe vërteta është me ne,- bërtiti Lida dhe shtrëngoi grushtet.
Shtrëngova dhe unë grushtet si ajo. Mu duk sikur thonjtë mu ngulën në mish dhe mu qullën sakaq. Më hyri frika dhe pa e kuptuar bëra për prapa. Lida ngeli në rreshtin e parë. Rreth meje shihja fytyra të tendosura që bërtisnin. Damarët e qafës u kishin kërcyer. Më kishte ikur zëri dhe më qe tharë gjuha. U përpoqa të shkoja më thellë. Sa më larg kordonit policor, që më kalli datën. Turma e studentëve nuk çahej dhe vala më shpinte sa andej këndej. Shumë nga studentët kërkonin të mësonin se ç’duhej të bënin, ti rezistonin policisë.
-Mos tërhiqemi,- bërtiti Sterjo Dushku.
Ndërsa mua më mbahej fryma, më vinte për zali. Doja të ikja sa më parë prej këtij rrëmeti të frikshëm. Uh nëne! Ç’mu desh që shkova dhe dëgjova Lidën! Koka më buçiste dhe më duhej sikur po më shtypeshin brinjët. Më erdhi inat me veten time që isha aq e brishtë. S’më thotë kot Edi, lule-shtrydhje...
Kur s’e prisja, turma lëvizi në drejtim të kundër dhe gati sa s’më shtypi. U gjenda papritur në cep të murit të fakultetit. Mu gërvishtën bërrylat. Bëra trupin përpara të largohesha prej murit dhe lëviza duart e bërrylat të krijoja një hapësirë të vogël rreth vetes, të shihja pak qiell dhe të mbushesha me frymë. Turma ishte e ndërkryer. Më shtypte.
-Shpërndahuni, po na hyn me dru policia,- u dëgjua një klithmë e thekshme.
-Ti rezistojmë dhunës,- bërtiti përsëri Sterjo Dushku.
Në fillim gjithçka ngriu. U dëgjua ulërimë dhe rrëmet. Turma e studentëve u lëkund si dallgë deti. U ndal. Zhurma e thekshme dhe vringëllima u përsërit këtë herë më fort. Plasi paniku. Lëvizja u bë e pa kontrolluar, e çorientuar deri në një anomali të plotë. Kush e kush të ikte nga sytë këmbët. Vështrova rreth e rrotull e hutuar dhe në mënyrë instiktive vrapova pas të tjerëve. Nën kërbaçët e policisë, ikja e studentëve të pambrojtur u bë e pakontrolluar e ngjeshur, shtytëse, pështjellëse si uragan. Shtyhesha si gjethe dhe nuk e di se ku u pengova, ndoshta në bordurën e trotuarit dhe rashë përmbys, më hundë. Ndjeva në buzë shijen e athët të gjakut. Fshiva gjakun dhe e çakërdisur bëra të ngrihesha. Mbi mua rëndoi një hije zezë e rëndë dhe provova ashpër mbi shpinë goditjet e shkopit të gomës. Klitha nga dhembja, por goditjet mbi kurrizin tim nuk reshtnin. Polici ishte trupmadh, sykuq, i egërsuar si përbindësh dhe më qëllonte pa mëshirë. Unë isha mbledhur si esh dhe hidhesha përpjetë prej çdo goditjeje të shkopit të gomës. I lutesha të mos më godiste më, dhe klithja e dënesja pa zë. Dikush më kapi nga krahët, më ngriti, shtyu policin. Ashtu si nëpër mjegull pashë që ishte Sterjo. Polici iu kthye Sterjos, e goditi ashpër. Dikush tjetër tërhoqi Sterjon dhe hëngri kërbaçin e policit. Ishte një katrahurë e vërtetë. Sa shpëtova prej thonjve të policisë, ika pa ditur se ku, nga sytë nga sytë këmbët. Studentët e dhunuar rëndë vraponin ku të mundnin. Hyra në një rrugicë të ngushtë. Diku u hap një portë, u zgjat një krah dhe më tërhoqi me vrull brenda. Prej lodhjes, ankthit e kërbaçit mu veshën sytë dhe rashë përdhe e zalisur.
Kur u përmenda, pashë mbi mua një plakë fytyrëëmbël dhe shamibardhë, që më fërkonte ballin. U ngrita ndenjur dhe e falënderova. Mu afrua Sterjo dhe u përpoq të buzëqeshte, por nuk foli asnjë gjysmë fjale. Ai ishte fytyrë ënjtur dhe me sytë mavi. Edhe unë isha e mavijosur, por më shumë më dhembte, më çante shpina. Lida erdhi më takoi, krahun e majtë e kishte vënë në allçi. Më tha se u godit qysh në valën e parë, ra përmbys dhe dikush nga policët shkeli mbi krahun e saj. Ajo iku shpejt. Iu luta Sterjos të më përcillte deri te stacioni i autobusit. Plaka e mirë përgatiti nga një çaj të ngrohtë. Më dha një shami të bardhë dhe me të mbështolla kokën.
Pritëm së bashku te stacionit. Në këmbë. Në shi, dhe, kur po ndaheshin, Sterjo më përqafoi, buzët e tij prekën lehtë faqen time të prushtë, më porositi:
-Ana, ki kujdes veten. S’mund ta dish, se sa unë të...
Ndjeva ngrohtësi nga ai përqafim dhe ato fjalë. Buzët e mija lëvizën ngadalë, thanë: ‘Çfarë..?!’ por Sterjo nuk e dëgjoi. Vështrova nga dritarja shpatullat e tij të mbledhura, tek vraponte nëpër shi dhe humbi në rrugën me plepa. Ç’donte të thoshte Sterjo me ato fjalët e fundit? E largova në çast mendimin që më lëvriu në tru. S’ka kuptim, unë jam e fejuar. Sidoqoftë më ngroh ai njeri...
Në shtëpi mbërrita në mbrëmje. Ecja ngadalë. Më dukej vetja sikur isha një uloke e mjerë. Kur mbërrita pranë derës u përpoqa të mos e jepja veten, por shpina ime më shponte dhe më therte në shpirt. Nëna u trishtua shumë dhe e përsëriste shpesh, aq sa më mërziti:
-Korba unë çupa. Po ç’të duheshe moj bijë të ngatërrosh me çiliminjtë. Nuk hahet me qeverinë e madhe, jo..!
-Ata janë si unë moj nënë, studentë.
- Por je e fejuar moj ditëgjatë, harrove..!
Nëna ime mallkimet i kthente në urime. Babai më vështronte në heshtje. Pinte cigare dhe ishte mbështjellë prej tymit. Nëna më përgatiti çaj të nxehtë me aspirinë dhe rashë në gjumë të thellë. Kur u zgjova, pashë që trupi tim të mbështjellë me fasha. Mu duk vetja si mumie Egjipti. Nëna ma mjekonte trupin me barna popullore dhe ma fërkonte lehtë me lule baseni.