Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Meri Lalaj: Duke kujtuar Gani Xhafollin

| E enjte, 10.12.2015, 09:15 PM |


Duke kujtuar Gani Xhafollin

Nga Meri Lalaj

Ma merr mendja se për herë të parë me poetin Gani Xhafolli, do të jem takuar në Korçë apo në Prishtinë pas lufte në vitin 1999, Më bëri përshtypje ai burrë me mjekër e flokë të gjata i veshur allasoj me xhinse dhe jelek. Ndërsa lajmin për ikjen e tij nga jeta e lexova nëpër gazeta. Para dy a tri ditëve duke kërkuar nëpër letrat e miqve, gjeta tri letra apo shënime nga dora e Ganiut. Së pari është një fletë shkruar me makinë shkrimi (pasi jemi takuar në Korçë në Ditët a Netët Poetike):     “Shënim nga Korça NË HARTË E PUTH KREJT KOSOVËN Te vendi i fotos djathtas shkruhet: Foto 1, Vanessa nga Pogradeci.

Kur isha në Korçë, e takova Meri Lalan, e cila për Lasgush Poradecin e ka shkruar një libër shumë interesant me kujtime. Në libër pos të tjerash thotë: LASGUSHI I MADH SHUMË E KA DASHUR KOSOVËN. E ka patur në zemër gjithmonë. E ka patur ëndërr të madhe ta shohë vetëm njëherë dhe nuk e pa.

Meri në Korçë më tha: E kam një mbesë të bukur dhe të ëmbël. Dhe nga çanta e nxorri fotografinë. Dhe vazhdoi: Jeton dhe rritet afër shtëpisë së Lasgushit në Pogradec. Është shumë simpatike. E bukur si mollë. Shpeshherë më thotë. Gjyshe e dua edhe një përrallë të gjatë... Lulet i do shumë dhe kukullat. Këndon bukur. Emrin e ka Vanessa.

Nganjëherë në hartë e puth Kosovën dhe shumëherë e sheh në ëndërr Prishtinën e bukur.”

Shënimin e dytë e mbaj mend se ndodheshim në një kafene në Prishtinë dhe Ganiu ka shkruar:  “ VETULLAT ME FLUTURA / Meri është lule lirike / Sytë i ka me dallëndyshe / është pak më e mirë se hëna / Vetullat i ka me flutura / trupin nuk e di / kur buzëqesh e shkrin / borën dhe akullin / është pikturë moderne.”

Gani Xhafolli   16.XII. 2000, ora 13.55.  PRISHTINË

Dhe shënimi i fundit sërish në një kafene shkruar në një fletë kartoni, ndërsa përjashta filloi të bjerë borë e bardhë: “Meri është lule hëne / lule bore / lule zemre / lule deti / lule fluture / lule shiu / lule Kosove.  Gani Xhafolli  7.11.2001”

Kur më dhuroi librin “Gjeometria e syrit “ me të cilin kishte fituar çmim, në fillim mendova se ia kanë dhënë çmimin siç japin burrat poetë çmime njëri tjetrit, por ai është një libër me vlera dhe e meriton çmimin. Ganiu meriton Parajsën dhe iu prehtë shpirti në paqe!