| E merkure, 09.12.2015, 07:25 PM |
U mbajt Kuvendi i Parë Zgjedhor i Lidhjes së Shkrimtarëve
e Krijuesve Shqiptarë „Aleksandër Moisiu“ në Austri
Jeta katërvjeçare e Lidhjes ishte shumë e suksesshme, u botuan 18 vepra letrare dhe antologjia me krijues shqiptarë “Iliricum” në shqip dhe gjermanisht. U mbajtën 40 orë letrare në Austri dhe vende tjera. Puna e shkëlqyer e Besim Xhelilit dhe kryesisë. Zgjidhet kryesia e re me kryetar Anton Markun. Prioritet mbetet afirmimi i mëtejmë i krijimtarisë së autorëve shqiptarë në Austri.
Nga Hazir Mehmeti, Vjenë
6 dhjetor 2015: -Në Vjenë u mbajt Kuvendi i Parë Zgjedhor i Lidhjes së Shkrimtarëve e Krijuesve Shqiptarë „Aleksandër Moisiu“ në Austri. Hapjen e bëri Anton Marku, sekretar, kurse mysafirët i përshëndeti Besim Xhelili, kryetar. Kuvendin në emër të Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Austri, Sami Ukelli, e përshëndeti Faruk Ajeti, sekretar. Ai mes tjerash tha: ”Motivi, gatishmëria, vullneti dhe aftësia e juaj për një krijimtari të pastër që buron nga mendja dhe shpirti e plotësoi mozaikun krijues në Austri, diçka që na mungonte. Ju mblodhët afër veti shkrimtarë, poetë, artistë, publicistë, piktorë e skulptorë dhe me botimet e njëpasnjëshme të anëtarëve tuaj, u bëtë zëdhënës të kulturës shqiptare në Austri”. Në emër të Këshillit Koordinues të Shoqatave Shqiptare në Austri përshëndeti Dr.Sabri Osmani. Ai e vlerësoi organizimin, punën dhe aktivitetet e Lidhjes dhe bashkëpunimin me Këshillin Koordinues të Shoqatave. Kuvendin e përshëndeti dhe Dr. Ina Arapi duke vlerësuar lartë punën dhe sukseset e Lidhjes. Në kuvend morën pjesë edhe Jeta Jashari e Argjent Kokalla nga Asociacionit i të Rinjve dhe Studentëve Shqiptarë në Austri.
Raportin e punës katërvjeçare e paraqiti Besim Xhelili, kryetar i deritashëm. “Organizimi i 40 orëve letrare në Austri e vende tjera nga të cilat rreth 12-të prej tyre në dy gjuhë; Botimi i antologjisë së parë të krijuesve shqiptarë në Austri “Illyricum” me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Një vit më vonë u botua në gjuhën gjermane, i pasuruar me më shumë krijues dhe i mbështetur nga PEN-Club në Austri; Botimi i disa librave individualë të autorëve-anëtarë; Lidhja jonë dha kontribut në themelimin e Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë (LKSHM), në nëntor 2013 në Koblenz të Gjermanisë; Pjesëmarrja në Javën e Kulturës Shqiptare në Austri (2014 dhe 2015), etj. Diskutimet rreth raportit ishin konstruktive dhe mendimi i shumicë ishte se Lidhja ka bërë një punë të madhe në afirmimin e krijimtarisë e krijuesve shqiptarët në Austri. Zef Ndrecaj mes tjerash shtoi: “Transparenca ishte e pa mjaftuar rreth botimit të “Iliricum”-it, një botim i shtrenjtë dhe i “masakruar” teknikisht, koordinimi më i mirë me anëtarët e Lidhjes jashtë Vjenës, si dhe nevojën e afrimit më të madh të krijuesve shqiptarë në Austri”. Prekë Brahimi, njoftoj Lidhjen rreth kontakteve të tij me Gjon Buqaj, kryetar i Shoqërisë “Vatra” në ShBA. Ramiz Selimi potencoi rëndësinë e aktiviteteve të LShKShA, të cilat ndikojnë pozitivisht tek gjeneratat e reja dhe shtyrjen e asimilimit potencial të tyre. Ai kërkoi më tepër përkushtim në joshjen e të rinjve për tu aktivizuar në subjektet kulturore. Në diskutim u angazhuan edhe Hazir Mehmeti, Zaim Toska, etj. Raporti i punës u miratua nga pjesëmarrësit. Rreth financave që nga themelimi raportoj Anton Marku, raport i cili u miratua njëzëri.
Kuvendi miratoi programin e punës për vitin 2016 ku parashihen aktivitete letrare. Ndër prioritete parashihen të jenë botimi i “Iliricum 2” promovimet e veprave të anëtarëve, bashkëpunimi me shoqatat simotra austriake, shoqata nga kombeve tjera, aktivitetet letrare në vendlindje etj. Në Kuvend u miratua kërkesa për pranim të anëtarëve të rinj Jeta Jashari, Gjegj Kola, Gjergj Rrustaj, dhe Gjon Keka. Sipas statutit Kuvendi zgjodhi kryesinë e re në përbërje: Anton Marku, kryetar; Besim Xhelili, kryetar nderi; Vjollca Koni, nënkryetare; Ramiz Selimi, nënkryetar; Zef Ndrecaj; nënkryetar; Ragip Dragusha, sekretar; Jehona Sukaj, arkëtare dhe anëtarë Ajet Shira dhe Hazir Mehmeti. Kryetari i ri, Anton Marku, falënderoi për besimin dhe u zotua se do jep çdo gjë nga vetja që Lidhja të jetë e suksesshme në misionin e saj.
Pa dyshim LKShSh “Aleksandër Moisiu” është shembull i organizimit dhe veprimit në afirmimin e krijimtarisë letrare e kulturore në diasporë. Kjo punë e madhe me vlerë kombëtare është burim nga njerëzit atdhetar e të përkushtuar për ofrimin e vlerave kombëtare të cilat ngritin imazhin tonë para të tjerëve. Kultura i bashkon njerëzit pa dallim kombi e besimi.