| E hene, 07.12.2015, 09:15 PM |
PLAGA E DHJETË ME HËNËN
Kalosh Çeliku: Plaga e dhjetë me Hënën – poezi e rikënduar
në gjuhën greke nga poeti i mirënjohur shqiptar Iliaz Bobaj.
Shtëpia Botuese Greke “Shkronjat e erës”, Lesbos (Greqi) 2013.
NGA DASHNOR SELIMI, Poet, gazetar – Selanik.
Kishin kaluar vetëm pak muaj, kur në Athinë, do të organizohej një veprimtari madhështore, ajo e prezantimit të librit Harta e grisur e Poetit Ali Podrimja. Jo rastësisht, miku im, shkrimtari i njohur, Iliaz Bobaj do të më niste të lexoja e t’i jepja një mendim për përkthimin e tij të ri Plaga e dhjetë me Hënën të shkrimtarit kërçovar, Kalosh Çeliku. Edhe pse, e kisha lexuar edhe herë të tjera dhe isha entusiazmuar nga vargu i tij, u befasova për këtë përmbledhje të poezive, të zgjedhura me kujdes nga autori. Të prezantohesh në një gjuhë të huaj, në një nga gjuhët më të lashta të popujve, ishte një kënaqësi, privilegj, por njëkohësisht dhe një eveniment në jetë, që kërkonte përgjegjësi profesionale. Duhej të paraqitej denjësisht para lexuesit helen, sepse emri i Kalosh Çelikut, ishte dëgjuar në Ballkan.
Plaga e dhjetë me Hënën, një titull që më rrëmbeu. Plaga... Por, a ka plagë poezia? Atëherë, mu kujtuan fjalët e Dr. Stavri Dajos, kur do të shkruante dikur për Llambi Gjikulin, poetin e Bregut, fjalë të cilat do t’i përshtateshim aq bukur dhe Kalosh Çelikut. Me këtë mendim, aty për aty nisa të hidhja mendimet e mia për këtë përmbledhje poetike në gjuhën greke.
Gjithmonë kam besuar se, poezia shëron plagët që hap logjika. Kjo aksiomë, e cila vërtetohet katërcipërisht nga ndërgjegjëja estetike, nuk është as arbitare e as e pa bazuar artistikisht. Logjika njerëzore gabon shumë herë, ndërgjegjëja estetikës dhe instikti i poetëve, kurrë! Kjo ndodhë, ngaqë poezia përbën një realitet më të gjërë e më të shumëanshëm sesa realitetet e tjera: politike, historike, shpirtërore... Madje, edhe realitete kultesh, përbën një realitet më të gjërë dhe sesa vetë kombet. Nuk është e rastit që poezia dhe gjuha lindën njëherësh dhe shuhen, gjithashtu njëherësh. Kombet vdesin, poezia jo.
Poezia, si vlerë estetike, mirëfilli, nuk është veç një formë mbijetese e subjektit të saj. Siç dihet, qëkurse njerëzimi përfitoi ndërgjegjëja njerëzore shoqërore, njeriu nuk bën gjë tjetër, veçse shpreh ekzistencën e tij. Poezia është e vetmja formë nga të gjitha format e ndërgjegjes estetike, që shpreh posaqërisht të vërtetën e vërtetës, si të vetmen të vërtetë absoluti. Ajo ka një gjuhë të përbashkët, në të gjitha gjuhët, në çdo komb që do të përkthehet apo do të lexohet. Gjuha e përkthimit vërteton madje teorinë që vetëm kur kërkojmë vetveten, kërkojmë dhe të tjerët. Por, është më se e vërtetë edhe fakti tjetër, gjuha e përkthimit, përshtatjes që mund të bëhet më emocionale, më me gatim brumi nga një poet. Brenda skutave të vargjeve qëmton të veçantën e fjalës, të bukurën, objektiven, metaforën që do të japë ngjyrën e gjuhës të atij kombi që përshtatet. Ky fenomen i takon vetëm poezisë, të cilën nuk do ta hiperbolizonim, po ta quanim demokraci letrare.
Poezia, me anën tjetër, është një formë utopie. Dhe, utopia nuk pushon së qëni një realitet, por realitet në imagjinatë, domethënë në poezi. Utopia, veç kësaj, është një iluzion, por përderisa ne besojmë të kundërtën e tij, nuk do të dëshmojmë asnjëherë falsitetin e tij. Ky ekspertizëm, të cilin e kultivojnë të gjitha format e ndërgjegjes artistike, por jo letërsia poetike, është shprehje e një pasigurie emocionale.
Poezia e Kalosh Çelikut, një vëllim poetik: Plaga e dhjetë me Hënën, e rikënduar në gjuhën greke me një profesionalizëm përkthimi, përshtatje të kësaj gjuhe sa të lashtë, po aq të vështirë nga përkthyesi Iliaz Bobaj, i ka të gjitha cilësitë e një poezie të arrirë artistike, shprehjen e të vërtetave të përjetshme ose, thënë ndryshe, absolute. Peshën e sigurisë emocionale, por mbi të gjitha u shkrua për të shëruar plagët e logjikës primitive të diktaturave, të cilat sistemakisht e pengonin rrugës, i ngatërroheshin nëpër këmbë. Logjika e bënte Kalosh Çelikun fatkeq, poezia të lirë. Nuk është e rastit që poetët kanë një Atdhe dhe një komb më shumë se të tjerët, poezinë. Poezia ka shërbyer si një Atdhe i sigurtë, si një strehë e sigurtë për t’u mbrojtur nga (anti) atdheu i lindjes që e ndiqte ose, më keq, e përbuzte poetin. Poezia e këtij vëllimi në greqisht, siç shprehen dhe kritikë të letrave helene, radhitet mes poetëve më të mirë të diasporës shqiptare. Tek ky përkthim dallohet veçansia e tij, e cila ka qenë në thelb, një nga iluzionet më të ëmbla të poezisë moderne. Shkrimtari K. Çeliku është bartës i një filozofie që shprehet me lidhëzat kundërshtuese ose... ose, që shpreh realitetin e dijes njerëzore dhe kundërshton absolutizmin e mirëfilltë dhe perandorinë e bindjes së verbër.
Në poezinë e Çelikut do të gjeni gjërësinë e vargut të Witmanit, thellësinë dhe ëmbëlsinë e vargut të kursyer të Lasgushit, vargun e lirë të mendimit plot lirizëm, protestë artistike dhe metafora të traditës së re poetike. Përzierje të vargjeve dashurisë me ato patriotike në poezi. Brenda universalitetit e filozofisë poetike e të vlerës estetike të një poezie të arrirë lirike për t’u patur zili.
Përmenda fjalën zili ose do ta quaja më mirë, të vendosja veten time brenda këtyre kornizave poetike. Kur e lexova “Zorbën”, përkthim i Stavri Dajës në vitet e ’90 u befasova. Asaj kohe, Lexova dhe Jorgo Bulon, aty ku gjeta një mjeshtër të fjalës dhe letërsisë që buronte nga Olimpi. Brenda kësaj rrjedhe mitologjike me Iliadën, Ezopin, Elitin, Kavafin, Seferin do të hynte në altarin e përkthuesve më të sukseshëm, të vlerësuar edhe nga Unesko dhe poeti, shkrimtari, fabulisti, humoristi, eseisti, publicisti, Iliaz Bobaj. Nuk dua t’i përmend dhjetra botime të tij, dua të ndalem brenda atij nocioni që, një përkthyes profesionist na dhuron një përkthim me vlera artistike, që ia ngre vlerat më lartë një vepre letrare. I tillë është dhe përkthimi i librit me poezi: Plaga e dhjetë me Hënën. Po kaq me vlerë nga ky përkthyes ishte dhe Harta e grisur e Ali Podrimjes.
Një pauzë për të forcuar këtë bindje. Kur ia dhurova disa përkthime rektorit të Universitetit Asistoteis të Selanikut, të ndjerit Mihalis Haxhiprokopiu u shpreh: “Ka përkthyer Azis Nesimin, Mark Tuen, Moposan, Çehov, Krillov, Sabiel, Xhovani Soresi, Seferin, Elitin, Kavafin, Safon, Dhimulon, Panajota Zallonim..”. Gjithë habi dhe vazhdoi: “Ky është ambasadori i letrave shqipe. Përgëzime!” Dhe, jo më kot bibliotekave greke do të adhurohet nga lexuesi për prurjet e këtyre viteve të Ali Podrimjes, Agim Gjakovës, Agim Vincës, Kalosh Çelikut, Pandeli Koçit, Mujo Buçpapajt, Jeton Kelmendit, Muharrem Kurtit, Astrit Bishqemit, Mentor Hoxhës etj.
Ja pse bindja ime për një përkëthim serioz dhe me shumë vlera e bën përkthimin Plaga e dhjetë me Hënën të K. Çelikut në sukses të pazavëndsueshëm në letrat shqipe.
Një botim, një përkthim nuk ka vlera pa patur edhe një botues serioz me renome botërore, një botues që e ndjek për dekada lexuesi. I tillë është dhe shkrimtari i njohur grek, Kostas Valetas, i lindur e rritur aty ku lindi Safua, në ishullin lindor të Lesbos. Autor i rreth 60 veprave letrare, i përkthyer në shumë gjuhë të huaja botërore, për shumë vite Drejtor i Radios në Televizionin Shtetëror Grek, fitues i shumë çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare, botues i shumë krijuesve shqiptar në Greqi, Shqipëri, Kosovë, FYROM, një mik i njohur i shqiptarëve.
Ja, pse libri Plaga e dhjetë me Hënën i shkrimtarit K. Çeliku bëhet më me vlera të arrira artistike. Ky trinom, që ju përmenda: Çeliku, Bobaj, Valetas më detyroi të ndaj me ju emocionet e sotshme artistike letrare...