Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Xheladin Mjeku: Përmendore që flet në brezni

| E diele, 06.12.2015, 11:05 AM |


PËRMENDORE QË FLET NË BREZNI

Dibran Fylli: “LULËKUQET E LIRISË”, antologji poetike, botoi SHB “Meshari” – Prishtinë, 2015

Nga Xheladin MJEKU

Dibran Fylli (1956), përveç krijimtarisë letrare-artistike, veprimatrisë dramaturgjike dhe aktiviteteve tjera në fushën e kulturës dhe artit, para vetes ka shtruar edhe një detyrë sa të rëndësishme, poaq edhe të mundimshme për ta realizur, por falë përkushtimit të tij prej krijuesi të zellshëm e plot vrull pune, si duket po ia arrinë me sukses edhe këtyre realizimeve të pakontestuara.

Me Antologjinë poetike “Lulëkuqet e lirisë” me nëntitullin “Çdo shesh një përmendore”, autori ka synuar një gjithëpërfshirje të figurave historike e kombëtare në një libër-përmendore, duke sjellur emra e autor nga më eminentët e letërsisë shqiptare, deri edhe autorë që synojnë të bëjnë emër me krijimtarinë e tyre, për të ndërtuar kupolën e kësaj përmbledhje mjaft të veçantë.

Dibran Fylli, nisur nga fakti se edhe vet ishte pjesë e një periudhe të lavdishme, duke dhënë kontributin e tij në çlirimin e atdheut nga thundra barbare shekullore, me plot të drejtë synon që atë periudhë dhe të kaluarën historike ta parashtroj në këtë rrafsh, duke i dhënë  vetes një detyrë kaq të rëndësishme për ta kujtuar dhe lartësuar këtë periudhë të lavdishme historike dhe për ta parashtruar publikisht një kërkesë të përgjithshme, që të mbajmë fort dhe bindshëm këto vlera edhe në vepër, duke ngritur e përkujtuar emrat e heronjëve dhe dëshmorëve që sakrifikuan deri edhe jetën për të  gëzuar çdo pëllëmbë toke të atdheut. Sheshet janë vendtakimet më të preferuara ku emri dhe vepra e të rënëve për liri takohet e kujtohet më së shumti, meqë frekuenca e njerëzve është në përmasën e padefinuar, qoftë në takimet ditore, festive, etj.

Kjo antologji flet me vargun e dashurisë për lirinë, për dhimbjen dhe krenarinë  kombëtare. Poashtu flet me fotografinë dhe portretin, me vizatimet e shumta që e ilustrojnë këtë përmbledhje poetike voluminoze të tipit antologjik. Kjo formë e komunikimit me lexuesin ka karakteristikat e veta të mira, meqë, përveç përkushtimit poetik recepienti do ta ketë në kujtesë edhe personazhin, të cilit i këndohet, me pamjen e fotografisë dhe portretizimit vizatimor, për t’i mbajtur gjithmonë në kujtesë këto figura kombëtare.

Një punë e këtillë, padyshim se duhet vlerësuar në shkallën meritore, duke i dhënë vendin dhe meritat që i takojnë.

Mjeshtria e ngritjes lapidar

Të ndërtosh pallate, rrugë kilometrash të pafund, ura, që simbolizojnë lidhjet e brigjeve, çoftë edhe atyre ndërnjerëzore, që me shekuj kanë qenë të shkëputura, është  mjeshtri dhe guxim, njëkohësisht, sepse i ke hyrë një pune kolosale që do ta shohin dhe shfrytëzojnë e gjithë bota. Këtu edhe mund të ketë gabime të natyrave të ndryshme, por që mund të evitohen me kalimin e kohës. Por, të ndërtosh vepra pavdekësie për të pavdekshmit është diçka që i tejkalon të gjitha mjeshtritë tjera, që kanë aftësitë edhe të riparimeve gjatë periudhave të ndryshme kohore, duke iu përshtatur dizajneve dhe nevojave aktuale të kohës. Një pune sa të vlefshme, poaq edhe të vështirë i është çasur me shumë përkushtim Dibran Fylli, duke ngritur në lapidar emra të përveçëm të kauzës sonë kombëtare, figura të rëndësishme historike dhe atdhetare, gjithnjë duke ruajtur imazhin e tyre në kohën që vepruan e krijuan. E ndaj këtë mendim nga fakti se, për asnjërin prej këtyre personaliteteve nuk është bërë elozhe dhe pompozitet, por është portretizuar me përkushtim figura e denjë e tyre, ashtu si mund të bëhet për meritorët e kombit. Shikuar me kujdes përfaqësimin e personazheve historik dhe kombëtar dhe paraqitjen e poezive të përzgjedhura nga autor të ndryshëm, mund të kuptohet se në realizimin e një antologjie të këtillë është dashur sens dhe angazhim i vazhdueshëm për ta realizuar, bazuar edhe në disa kritere që kërkohen në realizimin e antologjive, sidomos të atyre tematike, e që këtu janë përfillur me pedantëri nga hartuesi Fylli. Kur jemi te kjo çështje, vlen të theksohet edhe një e veçantë tjetër në përzgjedhjen dhe realizimin e kësaj antologjie. Hartuesi, në këtë rast Dibran Fylli ka vepruar në dy mënyra në vjeljen e lëndës poetike për këtë libër: derisa me autorët që tashmë nuk janë në jetë është marrë vetë hartuesi, duke përzgjedhur poezitë që i shkojnë kësaj vepre, si përkushtimet më të realizuara për heronjë të veçantë; tek autorët që krijojnë e veprojnë gjithandej kah frymon shqip, iu është lënë mundësia e vetëpërcaktimit dhe prezantimit të poezive të tyre më të realizuara, që është edhe kriter, duke ruajtur qëllimin dhe fizionominë e antologjisë tematike për heronjtë dhe dëshmorët e kombit. Një organizim i këtillë ka bërë që kjo antologji të ketë një frymë poetike plot dashuri për atdheun, për lirinë dhe trasuesit e saj, duke zgjuar interesimin e lexuesit që të takoj akcilin hero, të portretizuar poetikisht dhe duke ndier emocionalisht zërat e tyre në këngën e pafund për atdheun dhe lirinë.

Vlera që shkrepëtijnë me lirinë

Janë të shumtë emrat e atyre që iu këndua në këtë antologji, duke filluar nga heronjtë legjendar Gjergj Kastrioti–Skënderbeu e Adem Jashari, dy simbolet kombëtare të lirisë dhe bashkimit të trojeve etnike shqiptare, për të vazhduar pastaj me emrat e shumë të tjerëve, që kush me pushkë e kush me diplomaci e pendë ia hapën rrugën lirisë, si: Hasan Prishtina, Isa Boletini, Idriz Seferi, Azem e Shotë Galica, Shaban Kastrati-Palluzha, Ahmet Delia, Ukshin Hoti, Tahir Sinani, Zahir Pajaziti, Agim Ramadani, Fadil Talla, Kolë Mirdita, Bekim Berisha-Abeja, Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka, Familja heroike e Shaban Jasharit, Fehmi e Xhevë Lladrovci, Ismet Jashari- Kumanova, Mujë Krasniqi, Metush Krasniqi, Rexhep Mala, Fadil Vata, Afrim Zhitia, Indrit Cara, Xhevat Berisha, Xhavit Haziri, Nazmi Ukëzmajli, Hyrë Emini, Fahri Fazliu, etj. Poashtu, krijuesit e shumtë me përkushtim i thurin vargje lavdie edhe Atdheut, Shqipërisë, Kosovës, Shqiponjës, Grykës së Kaçanikut, Prekazit, Çyçavicës, Luginës së Preshevës, e vendeve të tjera gjithandej trojeve shqiptare, që gjithmonë njihen si vende qëndrese heroike në beteja e epope të lavdishme.

këtë antologji janë prezantuar emra të shumtë autorësh sipas rendit alfabetik, si të atyre që tashmë nuk janë më në mesin tonë, por poezia e tyre për heronjët dhe dëshmorët e kombit mbetet e përjetshme dhe e begaton fuqishëm këtë përmbledhje poezish. Me përkushtim dhe kujdes të veçantë realizuesi i kësaj përmbledhje poetike Dibran Fylli sjell për lexuesit poezitë emblematike-përkushtuese nga: Abdullah Konushevci, Agim Ramadani, Bahri Fazliu, Bilal Xhaferri, Fazli Greiçevci, Havzi Nela, Iljaz Prokshi, Jakup Ceraja, Jusuf Gërvalla, Jusuf Hykaj, Mihal Hanxhari, Rexhep Elmazi dhe Riza Lahi. Pastaj vijon vargu i gjatë i emrave të krijuesve, si: Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Ismail Kadare, Adem Dema, Abdyl Kadolli, Agim Shehu, Agim Vinca, Agron Shelle, Alisa Velaj, Avni Dehari, Behram Hoti, Brahim Avdyli, Çun Lajçi, Delvina Kërluku, Dibran Fylli, Flora Brovina, Ganimete Thaçi, Halil Qendro, Halil Xani, Hajdin Morina, Kozeta Zavalani, Kozeta Zylo, Lumo Kolleshi, Mehmet Bislimi, Migena Arllati, Muhamed Kërveshi, Namik Selmani, Ndoc Papleka, Nebih Bunjaku, Nexhat Rexha, Nezir Prokshi, Nuhi Vinca, Pano Taçi, Piro Minguli, Prend Buzhala, Rabije Bytyçi, Raimonda Maleçka, Rozeta Kreste, Rushit Ramabaja, Rrustem Geci, Sabile Keçmezi-Basha, Sejdi Berisha,  Skender Temali, Shaqir Foniqi, Shefqete Gosalci, Vasil Tabaku, Vilson Culaj, Visar Zhiti, Xheladin Mjeku, Zejnepe Alili-Rexhepi, Zeqir Gërvalla, e shumë të tjerë, që e përbëjnë këtë karvan krijuesish, poezitë e të cilëve e ndërtojnë  lapidarin e përbashkët të lavdisë kombëtare, për emra të dëshmuar heronjësh që mbeten në historinë e rrugëtimit shekullor për çlirim dhe bashkim kombëtar. Librit i paraprijnë vargjet e Naim Frashërit për Shqipërinë, për ta përmbyllur me lirikun Lasgush Poradecin dhe vargjet e tij të njohura, ku i këndohet bashkimit kombëtar. Edhe shkrimet analitike për këtë antologji ia shtojnë vlerat kësaj përmbledhjeje ndër më të realizuarat e këtij lloji.

Përkushtime që reflektojnë

Çdo shkrimtar, në rastin konkret poetët, sidomos, nuk mund të kalojnë periudhat kohore të veçuara pa mos iu kënduar çoftë edhe një varg, një fjalë apo më shumë se kaq, për të evidentuar këtë realitet dhe njëkohësisht për të lënë gjurmët e veta se ishin  po aty me armën e tyre prej krijuesish, duke u përballur fuqishëm, krah me liridashësit, me flijimin e tyre dhe përjetësinë e shenjtë për atdheun. Janë të këtillë edhe njëqindenjëzet e dy poetët e prezantuar këtu me një, dy, e ndonjëri edhe me katër poezi, që gjithsej 205 poezitë përkushtuese e përbëjnë këtë antologji, të cilët nuk qëndruan indiferent në situatat kur atdheu po digjej flakë nga barbarët sllav, që pushtimin e kanë në shpirt e në gjak.

Vijnë këtu në formë të përzgjedhur këto poezi-përkushtime autorësh për emra të përveçëm të historisë sonë të lavdishme, që reflektojnë frymën e lirisë dhe sakrificës për atdheun. Takojmë këtu edhe perla poetike, që mund të maten për vlerat shumë të larta në nivele krijuesish eminentë në botë, por edhe përkushtime që vrullshëm e shpërfaqin heroizmin e këtyre çlirimtarëve të pakmpromis.

Pa e kontestuar një përfshirje kaq të denjë poetësh e krijuesish nga gjithë bota krijuese shqiptare, ky libër veçohet edhe për pregatitjen teknike dhe disejnin shumë cilësor. Vlen të theksojmë se vlerat estetiko-letrare të këtyre poezive, gjuha e pastër dhe komunikimi i fuqishëm me personalitetet dhe ngjarjet që u këndohet, e bëjnë shumë të qëndrueshme këtë antologji, që për shumëçka i reziston kohës, duke mbajtur lartë vendin më meritor, si projekt i këtij zhanri. Padyshim i sfidon shumë nga “simotrat” e saj, që as për së afërmi nuk arrijnë të përmbushin vlerat dhe kriteret e antologjisë, që kohëve të fundit kanë marrë përmasa, duke sjellur gjithëfarë tekstesh të niveleve amatoreske.

Vërtetë kjo antologji qëndron lart si një përmendore skalitur me emra e figura kombëtare në flamurin e shpërfaqur në trojet arbërore prej nga rrezaton dielli i lirisë.