| E diele, 29.11.2015, 11:12 AM |
KAFSHATË E NXEHTË QË SKAPËRDIHET LEHTË
Nga Dedë Preqi
Kjo krizë politike dhe ekonomike nëpër të cilën po kalon Kosova, nuk e meriton shteti dhe populli i këtij vendi, që do jetë një kafshatë e nxehtë, që nuk mund të kapërdihet lehtë. Si ndjehen sot qytetarët e Kosovës, të cilët nuk kanë punë dhe as të ardhura nga ndonjë burim tjetër, përveq ndonjërit që jetojnë me një shumë simbolike nga ndihmat sociale.
Ndërsa në anën tjetër, cili pushtetar, nuk ndjehët i rehatshëm, të cilëve nuk ju mungon asgjë dhe as familjeve të tyre, por vetëm ju mungon të sigurojnë edhe më shumë mandat e pushtet në pozitat e veta dhe kështu të vazhdojnë sa ka ymer jeta.
Ky popull, i cili me vite e shekuj kishte ëndërruar të përjetojë ditët e lirisë dhe demokracisë, sot i ka të gjitha, apo si të përgjysmuara, por nuk dinë, apo nuk donë ti shfrytëzoj ashtu sikur kjo liri e vertetë të bëhët realitet.
Ne i ëndërronim ditët e lirisë dhe demokracisë, që të jemi të lirë në shtëpiat tona, në rrugë, në fshatra e qytete, duke punuar e synuar qëllimet tona për ndërtimin e shtetit të Kosovës. Dhe, nuk e kemi menduar zhvlerësimin e realitetit të këtij vendi, sikur përputhët me ekzistencën provizore të këtij shteti, me rrethana krejtësisht të kundërta, që e lëshojnë poshtë gjithë atë sakrificë dhe gjakun e derdhur për liri dhe mundin e krijuar për këtë vend.
Athua, cili dreq pa na banë me sy dhe na ka hypë mbi krye, megjithatë, apo ndoshta jemi mësuar që detyrat tona të na i kryejnë të tjerët dhe ne, ti mbyllim sytë, apo të presim se çka po ndodh me vendin tonë, që t’ia bëjmë vetëm aminin…
Heshtja është edhe më e rëndë, sepse kjo i ndihmon keqbërësit, korruptorët dhe kriminelët e vendit duke i nxitë edhe më shumë situatat dëshpëruese të popullit. Realitetin kosovar duhet ta pranojmë ndryshe, dhe në forma tjera politike, por jo edhe të ndarë në dy taborre kundërshtare.
Që prej kohës kur në Kosovë ndodhi kualicioni në mes PDK dhe LDK, dhe me disa parti tjera minoritare, ska mbetur më asnjë fije dyshimi se ky pushtet ka shkuar aq largë sa mund të flitet vetëm për një fatkeqësi të rëndë që i ka ndodhur këtij vendi.
Jo vetëm nga brenda, por edhe prej së largu diktohet se në këtë vend është përzier lëmshi i çmendur politik, një lëmshi që nuk i gjindet filli, as mbarimi. Ndërsa në anën tjetër, këta qeveritarë nuk e lodhin mendjen, sikur skanë mësuar asgjë mbi tragjizmin e këtij populli dhe vendi .
Në zgjerimin e mosmarrëveshjeve politike në mes pozitës dhe opozitës kosovare ndikon edhe në acarimin e brendshëm politik e më gjerë, dhe kjo ndodh përshkak se nuk mirren parasysh ndryshimet, apo edhe propozimet e opozitës, e cila ka ngritë zërin kundër dy pikave kyqe në marrëveshje me Serbinë, që do dukej një kafshatë e thjeshtë, por që nuk do të kapërcehen lehtë.
Prandaj, në kontekstin e demokracisë janë të lejuara edhe protestat e mospajtimeve, sikur që janë paralejmëruar nga opozita dhe populli i Kosovës, e cila do të shfaq moskënaqësitë e veta në lidhje me nënshkrimin e Asosacionit të Komunave serbe dhe Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Ndoshta, do të ishte më e rëndësishme, sikur 28 Nëntori, Dita e Flamurit dhe Pavarësisë shqiptare, të festohet dinjiteshëm dhe me një tubim madhështor, kushtuar kësaj dite historike, ndër të tjera kjo ditë feste po shdërrohet në Kosovë edhe si ditë proteste.
Për atë, qeveria e Kosovës, të merr në konsideratë dhe të reflektojë në vendimet e veta, poashtu edhe të respektojë fjalën e popullit, sepse është koha që të gjithë ti korigjojmë gabimet pozitë dhe opozitë dhe ti qelim rrugë Parlamentit, që të fuksionoi si duhet, ashtu sikur e meriton një Kuvend demokratik dhe parlamentar.
Të besojmë se edhe Gjykata Kushtetuese do ta thotë fjalën e vet dhe do të fitojë politika e cila nuk do të favorizojë asnjërën palë kundërshtuese, por do të favorizojë të drejtën e popullit që mbronë tokat e veta dhe të drejtën nacionale që ka për qëllim të drejtën e mbrojtjes së vendit nga ndonjë organizim qëllimkeq, sikur që është formimi i Asosacioneve të Komunave serbe në veri të vendit.
Prandaj, Kosova nuk do duhej sot dhe asnjëherë tjetër, që të bëhët më objekt i Serbisë dhe që të shfryejnë arrogancën dhe mllefin e tyre pasardhësit e Millosheviqit, por Kosova përmes politikave të veta shtetndërtuese, të ndërtojë imazhin e vet në orientimin e saj drejt integrimeve europiane.
Kanceri më i rrezikshëm që po e sulmon sot Kosovën, është sëmundja e „korrupsionit“, e cila i ka përfshi të gjitha Institucionet e vendit. Poashtu këtë kancer e shoqëron edhe „krimi i organizuar“, ndërsa paniku, ta zë udhën te dera e shtëpisë e nuk të lë të qetë nga arroganca e grupeve ekstremiste.
Kosova duhet ta ketë besimin në fuqinë e rinisë intelektuale, e cila është arma dhe armata më e fuqishme, që mund ta ndryshojë vendin për të mirë. Njëherazi, të besojmë se dallavergjinjtë politikë do ta humbin fuqinë e tyre një ditë dhe nuk do t’u beson më populli, por si tradhëtar dhe deshtakë do ti dënohen nga drejtësia dhe historia.
Prandaj, nga këto shumë fakte dhe qindra të tjera, dëshmojnë se qeveria e Kosovës ndodhet në një vorbull krize, e cila duhet pranuar përgjegjësitë e veta, në mënyrë që vendi mos të bllokohet nga kriza, por të bëjë përgaditjen e mundshme tëzgjedhjeve të reja.
Ndryshimëve politike dhe ekonomike në Kosovë, duhet ti paraprijnë arkitekta të rinj dhe jashtë strukturave të vjetra e luftarake, apo që kanë biografi të dyshimta, por njerëz që kanë guxim moral e politik, dhe veprojnë seriozisht dhe pa hile për popull dhe shtet.