| E hene, 23.11.2015, 09:11 PM |
Një shkrim i dëshpëruar…
Nga Timo Mërkuri
Artikulli “Respektojmë krijimtarinë popullore dhe jo “Iso-polifoninë” me autor Fitim Çaushin, botuar te Gazeta Telegraf e datës 21 Nëntor 2015, , ngjason më shumë me një klithmë dëshpërimi se sa me një analizë kritike vizionare. Ky shkrim , po ta shohësh hollësisht është thjeshtë ripërsëritje e tezave të hedhura në shumë shkrime të tjera të këtij autori si dhe të trajtuara gjërësisht në librin e tij “Tjetërsimi i polifonisë shqiptare”, ku në çdo rast ka marë dhe përgjigjen e duhur.
Por ajo që është e re në këtë shkrim, është doza e madhe e dëshpërimit me të cilën është shkruar, dëshpërim që e ka çuar autorin në ripërsëritje akuzash, ngatërim tezash si dhe epitete jashtë çdo etike qytetare.
Ky dëshpërim e ka burimin te afrimi dhe organizimi festiv i 10 vjetorit të njohjes nga UNESCO të Iso-polifonisë, si kryevepër e njerëzimit dhe çertifikimin të Akademikut Vaso Tole si “Qytetar Nderi” i qytetit të Gjirokastrës në datën 25 Nëntor 2015.
Të dya këto evendimente janë burim frymëzimi dhe angazhimi për njerëzit e fushës së artit popullor dhe miq të Vaso Toles dhe si të tilla priten me gëzim.
Artikullshkruesi, dukë mos qënë dakort me asnjë nga këto evente, dhe duke parë te këto festime për 10 vjetorin e njohjes nga UNESCO të Iso-polifonisë si Kryevepër e njerëzimit dhe te vlerësimi i Vaso Toles me titull qytetar, pikërisht nga një qytet elitar në sferën intelektuale, në përgjithësi dhe të artit popullor, në veçanti, pra duke parë te këto dy evente një përgjigje për sulmet e vazhdueshme të tij ndaj Iso_polifonisë dhe Akademikut Vaso Tole, në vënd që të respektojë, duke heshtur, gëzimin kombëtar për 10 vjetorin e Iso-polifonisë dhe gëzimin e një pjese të madhe artdashësish e lëvruesisht të folkartit popullor shqiptar, i dëshpëruar kalon në deklarime jo etike, kur shkruan….Futja në UNESCO e këtij tjetërsimi (Iso-polifoni në vënd të polifoni) fetishizohet nga disa …laro të Toles .
E pyesim artikullshkruesin se kush është…laro…?
a-UNESCO…., që e shpalli Iso-Polifoninsë si Kryevepër të njerëzimit, duke fetishizuar (në fakt vlerësuar) krijimtarinë popullore shqiptare
b-Këshilli Bashkiak i Qytetit të Gjirokastrës…., që i akordon Akademikut titullin e lartë “Qytetar Nderi”, duke fetishizuar (në fakt vlerësuar objektivisht) kontributin e tij.
c-Populli shqiptar…., që me të drejtë krenohet se ka katër kryevepra të njerëzimit, një nga të cilat është Iso-polifonia dhe me birin e tij Vaso Tolen.
ç-Ata dhjetra mijra artdashës e artlëvrues…., që u gëzohen të dy këtyre eventeve dhe e festojnë 25 Nëntorin si datë të shënjtë.
Mjafton ta shikojë në këtë këndvështrim problemin artikullshkruesi dhe ja jep vetë vetes përgjigjen, duke u kërkuar edhe një ndjesë publike lexuesve.
Ndërsa unë do ta ftoja të bëhej pjesë e këtij gëzimi mbarëpopullor, në jubileun e Iso-polifonisë, dhe qytetarisht të uronte Akademikun e nderuar për titullin e lartë të akorduar nga qyteti i Gjirokastrës.
Dhe unë e siguroj, se qyteti i Gjirokastrës, të peshon e të mat mirë para se të të japë edhe një…fjalë lavdërimi, e jo më një titull Qytetar Nderi.
Këtë titull Vaso Tole e ka merituar.
Duke e marë nga qyteti i Gjirokastrës ai është i nderuar dhe vlerësuar dhe bashkë me të, ndjehen të vlerësuar e të nderuar edhe ata dhjetra mijra artdashës e artlëvrues të artit gojor popullor.
Qyteti i Gjirokastrës tregoi edhe njëherë se është vërtet Kryeqyteti (i pashpallur) i kulturës, dijes dhe qytetarisë.