| E hene, 23.11.2015, 08:06 PM |
Këngëtarët, koncertet dhe fyerja që i bëhet publikut.
Nga Pierre-Pandeli Simsia
Një e-mail i panjohur mbëriti në postën time elektronike. Në fillim mendova të mos e hap, ta kaloja menjëherë në delete, pasi kohët e fundit janë përhapur shumë dërgimi i e-mail të ndryshme të ngarkuar me viruse. Por, kur në subjektin e e-mail lexova diçka që shkruhej për memorjen time të të mbajturit mend të shumë këngëve shqiptare, vendosa ta hap e-mail.
Pas përshëndetjes dhe urimit, dërguesi më shkruante se ishte një i afërm i një këngëtareje të mirënjohur të muzikës popullore shqiptare, por edhe asaj të muzikës së lehtë.(Edhe pse këngëtarja i ka kaluar të 60-të vitet e jetës së saj, është e mirënjohur)
Këngëtarja kishte ardhur për vizitë në Nju Jork tek të afërmit e saj.
Dërguesi i e-mail më shkruante nëse do kisha mundësi të takoheshim për të pirë një kafe.
Iu përgjigja mesazhit të tij me e-mail, madje komunikuam edhe në telefon. Takimin me këngëtaren e prita me kënaqësi, madje, duke ruajtur edhe traditën e bukur mikpritëse shqiptare, si mikeshë që këngëtarja na kishte ardhur në Nju Jork i ftova të vinin në zonën ku banoj unë edhe për të ngrënë një drekë apo një darkë. Zonat tona të banimit janë 30 minuta larg me makinë nëse trafiku nuk është i rëndomtë në autostradë.
Ata nuk e pranuan kërkesën time për të ardhur në zonën ku banoj unë; dëshironin që unë të shkoja e ti takoja atje për një kafe miqësore.
Pas disa ditësh, shkova dhe u takuam në një kafene në zonën e banimit të tyre.
Këngëtaren e shoqëronin dy të afërmit e saj. Sigurisht, takime të tilla janë emocionantë, të bukur, edhe për vetë faktin se ishte hera e parë që e shikoja dhe njihesha nga afër me këngëtaren.
Pas përshëndetjes miqësore, këngëtarja dhe të afërmit e saj që e shoqëronin, u hodhën menjëherë në temë, duke më përmendur dhe shprehur habinë e tyre për memorien time të të mbajturit mend shumë këngë të ndryshme shqiptare nëpër vite.
U krijua një atmosferë e ngrohtë dhe miqësore, për më tepër kur këngëtarja dhe unë, filluam të këndonim me zë të ulët disa strofa të këngëve që vetë ajo i kishte kënduar vite më parë, sepse, ndoshta për vetë moshën e saj, ka disa vite që nuk këndon këngë të reja, por në çdo koncert që mund ta thërrasin këndon po të njëjtat këngë.
Nga mesi i bisedës, miku i saj i afërt, më shprehu atë, që unë e quajta edhe qellimin e atij takimi midis nesh.
- Si mund të organizojmë një koncert që këngëtarja të japë për bashkatdhetarët këtu në Nju Jork ose edhe në shtetet fqinjë? Kohën e qendrimit këtu e ka të shkurtër. Është rast shumë i mirë për ta shfrytëzuar edhe për bashkatdhetarët të kënaqen, por edhe për këngëtaren të ketë fitmie financiare - tha dhe i kaloi një buzagaz në fytyrë. Pastaj, prap duke qeshur, vazhdoi: - të marrë një dorë me dollarë... - dhe qeshja iu shtua edhe më tepër.
Këngëtarja rrinte me sytë e ulur përtokë, si të mos e dëshironte atë ç'farë po dëgjonte nga i afërmi i saj.
- Me shumë kënaqësi, - iu përgjigja dhe menjëherë po mendoja se me cilët orkestrantë apo grup orkestrine këtu në Nju Jork mund të bashkpunonte për të bërë prova këngëtarja. Këtë mendim ia shpreha edhe atyre.
Këngëtarja uli sytë përdhe si e zënë ngushtë nga ajo e "papritur" që dëgjoi. ndërsa i afërmi i saj, i cili kishte marë edhe situatën në dorë, përsëri, duke buzëqeshur m'u përgjigj: - Nuk është nevoja fare për orkestrantë; këngëtarja ka sjellë me vete CD me këngë të sajat të kënduara nëpër vite...
Pa e lënë të vazhdonte, i ndërhyra: Ti po më thua që këngëtarja të këndojë fallco? Të dali para bashkatdhetarëve dhe të hapë gojën sipas ritmit të këngëve! Domethënë, publiku të dëgjojë këngët e regjistruara në CD, ndërsa këngëtarja fallco do hapë gojën...! Jo! Ia preva shkurt. Kjo është fyerja më e madhe që i bëhet publikut, bashkatdhetarëve.
Nga përgjigjja e papritur e imja që dëgjuan, pash që fytyrat e tyre u ngrysën menjëherë. Sikur iu tha pështyma në gojë, po rrinin si të hutuar pa folur asnjë fjalë. Ndërsa unë mendova të vazhdoja bisedën. U tregova edhe rastin e një këngëtari të njohur të muzikës së lehtë shqiptare që sot njihet si showman dhe punon në një televizion privat në Tiranë. Të njëjtën gjë kishte menduar edhe ai të bënte me bashkatdhetarët e një shteti fqinj me Nju Jorkun. E fyeu rëndë publikun bashkatdhetar ndërsa hapte dhe mbyllte gojën sipas fjalëve të këngëve të tija që dëgjoheshin nga CD.
Me të drejtë, publiku i mrekullueshëm kërkoi ndërprerjen e koncertit. U ngrit në këmbë i rrevoltuar duke u drejtuar nga dera dalëse.
Këngëtari i ftuar showman, që priste suksesin e tij dhe dollarët e majme, u largua i turpëruar, siç thotë populli: "Me bisht ndër..." dhe, që atëhere nuk kam dëgjuar të vij e të japë "koncert" artisti showman në Sh.B.A.
- Ti ke shumë vite larguar nga Shqipëria dhe ndoshta nuk e di, por sot gjithandej punohet me play back, - ndërhyri këngëtarja. I ke ndjekur festivalet shqiptare? Pothuajse me play back zhvillohen.
Si të mos kisha dëgjuar atë ç'farë po thoshte këngëtarja, u fola edhe për taksat që i detyrohemi të gjithë shtetit amerikan. U tregova edhe një rast tjetër të një këngëtareje shqiptare nga Mali i Zi, e cila e ka të ndaluar hyrjen në Sh.B.A. për të dhënë koncerte derisa t'i shlyejë shtetit amerikan detyrimet financiare taksore që i janë ngarkuar nga dhënia e koncerteve të ndryshme në Sh.B.A.
Habia e tyre, sikur iu shtua në fytyrë...
Nuk po ndjehesha shumë i kënaqur me kafenë që po pinim. Pash, që atmosfera e bukur dhe gazmore në fillimet e bisedës sonë ishte kthyer në hutim, mërzitje, mendime. Madje edhe kupat me kafe përpara tyre, sikur po harroheshin për t'u pirë.
Ne shqiptarët, kemi një zakon; kur na vjen miku në shtëpi, pavarësisht kafesë që pijmë dhe bisedës së ngrohtë dhe miqësore që zhvillohet, nëse nuk shtrohemi në tavolinën e ngrënies për drekë ose për darkë, na duket, sikur nuk e kemi kënaqur mikun.
Ashtu po ndjehesha edhe unë në atë bisedë me miqtë. Para se të ndahesha me ta, i ftova të darkojmë pas dy ditësh në një restorant luksoz në Long Island (Long Aijland) pronë e një bashkatdhetares sonë kantautore.
Nuk më kundërshtuan, e mirëpritën ftesën time, ndoshta edhe me shpresë se mund të kishin bashkpunim me artisten, meqenëse ishte edhe pronare e lokalit.
E kam falenderuar shumë, shumë, pronaren e lokalit në Long Island, jo vetëm që na mirëpriti me buzagaz, ashtu siç është në tipin e saj, por në fund, para se të largoheshim na tha: - Mirësenaerdhët dhe, darkën e keni të paguar nga unë sonte.
Pasi u ndava me miqtë duke u përqafuar dhe me premtimin se do takoheshim edhe herë të tjera për të pirë kafe, u duk, sikur qellimi i takimit të tyre me mua dështoi.
Duke u kthyer për në shtëpi, mendja po më rrinte tek ai takim dhe biseda që kishim zhvilluar. "Play back!" "Ti ke shumë vite larguar nga Shqipëria dhe ndoshta nuk e di, por sot gjithandej punohet me play back..." Fjalët që më kishte thënë këngëtarja gjatë bisedës po më tingëllonin në vesh.
Është e vërtetë, kam pothuajse 25 vjet larguar nga Shqipëria, por gjatë këtyre viteve kam patur rastin të kem qenë pjesëmarrës në shumë aktivitete muzikore, të kem ndjekur nga afër edhe këngëtarët që këndojnë live përpara bashkatdhetarëve pa iu dridhur qerpiku që "çajnë" sallat e mëdha me zërin e tyre voluminoz ,melodioz. Kam ndjekur nga afër Aurela Gaçen, për të cilën kam shkruar edhe shkrimin me titull: "Një këngë për Aurelën", kam ndjekur nga afër këngëtarët e mirënjohur Gëzim Nikaj, Morena Reka, Merita Halili, Kino, Luljeta Pëllumbi, ... duke u përballur drejtpërsëdrejti me publikun me zërin e tyre, jo me play back duke na dhënë edhe kënaqësinë e madhe.
Kam ndjekur nga afër aktivitetin më të rëndësishëm kulturor artistik muzikor që zhvillohet në New York, Festivalin e përvitshëm Folklorik, organizuar nga Kisha Kalotike Shqiptare "Zoja e Shkodrës" që nuk na fyejnë me play back, por këndojnë live me zërat e tyre të mrekullueshëm.
Gjatë këtyre 25 viteve larguar nga Shqipëria, kam patur rastin, nëpërmjet internetit të ndjek edhe festivalet e përvitshme të këngës në radiotelevizion, zhvilluar në fund të dhjetorit në Tiranë.
Përveç se qesharake, ndjej dhimbje për atë çfarë shikoj tek muzikantët, tek drejtuesit e orkestrës që mbajnë kufjet në vesh ndërsa interpretojnë edhe pse pretendohet se festivali zhvillohet live me shumicën e këngëve të përzgjedhura për festival që nuk u kuptohen fjalët këngëtarëve gjatë interpretimit, që këngët e kanë jetën e shkurtër në memorien e dëgjuesve.
"Play back"! Nëse do ti rikthehemi viteve të para 90-tës, ndjejmë kënaqësi kur i shikojmë edhe sot e kësaj dite të regjistruara. Mjeshtrat drejtues të orkestrës: Ferdinant Deda, Eno Koço, Ermir Krantja, e drejtonin orkestrën mjeshtërisht, pa kufjet në vesh siç i shikojmë sot nëpër festivale drejtuesit e orkestrës.
Muzikantët e orkestrës para vitit 90-të nuk mbanin kufje në vesh gjatë interpretimit në shoqërimin e këngëve, siç i shohim sot në orkestrën e festivalit të këngës në radiotelevizion.
Ndjen emocione, kënaqësi, kur sheh aktivitetet e tjera muzikore që zhvillohen live, siç është "Gjeniu i vogël.
Ndjen neveri dhe fyerje kur shikon se si këngëtarët mundohen të "këndojnë" fallco me hapjen dhe mbylljen e gojës, lëvizjen e duarve sipas ritmit të këngës së incizuar.
Mjaft më me play back.
* Që nga ajo natë, që u ndamë edhe si miq, nuk kam më kontakte me këngëtaren dhe me dy shoqëruesit e saj. Nuk komunikojmë as me telefon, as me mesazhe e-mail, sms edhe pse unë disa herë u kam telefonuar, u kam lënë edhe mesazh...