Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kadri Kadiu: Dhimbja për Kujtim Spahivoglin

| E enjte, 19.11.2015, 09:54 PM |


KUR MU SHTUA NJË SHOK DHE MU SHTUA NJË DHIMBJE

Nga Kadri Kadiu

Dhimbja për Kujtim Spahivoglin, kurrë nuk do të më hiqet. E kam vuajtur parreshtur Dramën e tij, Dhimbjen e Shpirtit të Tij. Artisti i Popullit Kujtim Spahivogli nuk ishte vetëm aktor, regjisor, dramaturg e poet, ai ishte një njeri me zemër të madhe, ishte një thesar i Kombit që e masakruan në jetë, deri sa e vranë shpirtërisht dhe fizikisht.

E kisha njohur Kujtimin si aktor të madh të skenës e të filmit, sidomos në peridhën 1962-1967, kur unë isha student në Tiranë. Unë vazhdoja studimet në Institutin e Lartë Bujqësor, por një shoku im i ngushtë, devolliu Refik Xhinaku, vazhdonte në atë kohë Institutin e Lartë të Arteve për aktor teatri. Refiku e kishte pedagog dhe Dekan të Fakultetit Kujtimin, por njëkohësisht e kishte dhe idhull të tij dhe nuk pushonte së foluri për Kujtimin. Studentët e Artit Dramatik e kishin për detyrë për të ndjekur të gjitha shfaqjet që jepeshin në Teatrin Popullor pasi kjo gjë i shërbente përgatitjes së tyre profesionale, por Refiku ma futi dhe mua zellin që të mos lija shfaqje teatri pa e parë. Në ato vite, Teatri Popullor kishte arritur në kulmet e veta me artistë legjendarë si Kadri Roshi, Naim Frashëri, Mihal Popi, Sulejman Pitarka, Kujtim Spahivogli, Sandër Prosi, Pjetër Gjoka, Marie Logoreci, Violeta Manushi, Margarita Xhepa, Drita Pelingu, Piro Mani, Lazër Filipi etj, dhe ishte mëkat që të jetoje në Tiranë dhe të mos frekuentoje Teatrin. Nuk ishte edhe aq e lehtë për të gjetur bileta për shfaqje teatri, por unë e kisha marrë kalanë nga brenda, i kisha vënë detyrë Refikut që për çdo të shtunë mua të më kishte siguruar biletën. Dhe Refiku ka qenë dhe është edhe sot korrekt në zbatimin e detyrave shoqërore.

Dhe kështu, pas Refikut, fillova ta adhuroj edhe unë Kujtimin. E si mund të mos e adhuroje kur ai të ngrinte peshë me rolin e Xherxhinskit tek " Orët e Kremlinit", me rolin e Selimit tek " Familja e Peshkatarit", me rolin e Hamletit tek " Hamleti", e me dhjetra role të tjera të luajtura me shpirt e me mjeshtëri në teatër e në film;  kur shifje shfaqjet që ai kishte vënë në skenë, si " Shtëpia në Bulevard", " Gratë Gazmore", " Karnavalet e Korçës", " Qielli i Kuq" etj, apo kur lexoje dramat e poezitë e shkruara me penën e tij.

I rrethuar me dashuri e me lavdi ka qenë Kujtimi deri nga viti 1972, por pastaj, ndofta se ishte një lis i madh që po bënte shumë hije, por më shumë për një frymë të re përparimtare që po sillte në teatër, ai filloi të sulmohej, deri sa në Plenumin Famëkeq të Qershorit 1973 që iu kushtua luftës kundër shfaqjeve liberale në art e kulturë, Kujtimi u cilësua si një mbështetës i "Grupit Armiqësor" të Todi Lubonjës e Fadil Paçramit në art e kulturë. Pas këtij cilësimi, Kujtimin e përjashtuan nga Partia, e larguan nga Instituti i Lartë i Arteve, e dëbuan nga Teatri Popullor, ia prishën Familjen dhe e Internuan në Fier.

Për pjesën e parë, që kish të bënte me lavdinë e Kujtimit, unë isha dëshmitar vetë, pasi i kisha parë në skenë, në filma e në libra veprat e tij, kurse për pjesën e dytë, për gabimet e fajet e Kujtimit, si gjithë të tjerët, unë i kisha mësuar nga fjalimet e udhëheqjes së Partisë, nga radiot e nga gazetat.

Kishin kaluar vite e kishin rrjedhur shumë ujëra, Kujtimi prej nja dhjetë vjetësh kishte humbur nëpër kënetat e Fierit, dhe si i thonë asaj fjalës, " larg syve, larg zemrës". Mirëpo një ditë janari të vitit 1984, papritur e pa kujtuar, u ndodha ballë për ballë me Kujtimin. Unë kisha rreth dy javë që kisha filluar punën në Kooperativën e Bërzhitës së Tiranës me detyrën e Kryetarit të Kooperativës, por një mëngjes, sapo zbrita nga makina në oborrin e Zyrave të Kooperativës, pashë përpara një burrë të gjatë, pak të zeshkët, me kokën pak të përkulur poshtë, me një fytyrë të trishtuar por fisnike dhe me sy shumë ekspresivë:

Mirëmëngjes- i thashë.

Mirëmëngjes shoku Kryetar- mu përgjigj ai.

Më falni nëse gaboj, i thashë, por mua më duket se juve jeni Kujtim Spahivogli.

Po edhe unë ashtu mendoj, duhet të jem Kujtim Spahivogli, por nuk e di se cilin Kujtim njifni juve; atë aktorin e teatrit apo atë punëtorin e betonit të Fierit.

Unë i njof të dy, dhe mendoj se i njof mirë, i thashë, por nuk e di se ç'e mirë ju ka sjellë sot këtu para zyrave të Kooperativës.

Po unë këtu punoj, tha Kujtimi.

Po ku këtu, i thashë, se unë megjithëse pak ditë kam, i kam njojtur të gjithë punonjësit e administratës së Kooperativës dhe emrin tënd nuk e kam parë në ndonjë listë.

Po jo shoku Kryetar, unë nuk jam punonjës i Koopreativës por jam punonjës i Vatrës së Kulturës.

Po çfar detyre bën aty?

Jam Ndihmës i Përgjegjësit të Vatrës së Kulturës.

Uau, unë si Kryetar Kooperative nuk kam ndonjë ndihmës, ndërsa ky Përgjegjësi i Vatrës së Kulturës, Rapushi, paska Ndihmës.  Po mirë, o Profesor Kujtimi, sa punonjës ka në varësi ky Rapushi që paska ndihmës një Profesor?

Po ja, vetëm mua më ka, tha Kujtimi, dhe nuk e kurseu të qeshurën prej artisti.

Nuk di se si na ngjiti ky prezantim kaq spontan dhe origjinal, i vura dorën Kujtimit dhe u futëm të dy në Zyrën time. U ulëm, nxorra paketën dhe i ofrova një cigare, ia ndeza dhe ndeza edhe një për vete, pastaj e fillova unë bisedën:

Profesor, i thashë, unë nuk kam lënë shfaqje teatri dhe filmi ku kini luajtur juve, pa e parë dhe po ashtu nuk kam lënë pa parë edhe pjesët teatrale që juve kini vënë në skenë; unë kam qenë një adhuruesi juaj dhe e njoh edhe dramën që kini përjetuar.

Mirë që juve, si shumë të tjerë, më njihki mua dhe dramat e mia, tha Kujtimi, por halli im është se unë vetë nuk po e njoh akoma veten dhe nuk e di se çfar kam bërë dhe cili jam.

Po pse e thua këtë fjalë Profesor, puna juaj është e njohur dhe e vyer, edhe për gabimet që mund të kini bërë, i kini shlyer me vuajtjet tuaja.

E po këtu është puna, tha Kujtimi, se unë nuk i di gabimet e fajet që paskam bërë. Po të isha dënuar se kisha bërë vërtet të këqia e faje për njerëzit, për Atdheun, për Partinë, unë do të isha më i qetë në shpirt e do i thoja vetes " mirë tu bë, e pate hak", mirëpo mua më vret pafajësia ime. Dhe ja po të numëroj disa nga " fajet" e mia o Kryetar:

Pranë Institutit të Lartë të Arteve, ku isha pedagog, me shumë punë e mundime ngrita Teatrin e të Rinjve. Në vend që të më përgëzonin, më akuzuan se këtë e kisha bërë për t'iu kundërvënë Teatrit Popullor.

Në vitin 1972 vura në skenë një vepër të poetit të famshëm komunist Vladimir Majakovski, komedinë " Banja", e cila godiste aparatçikët burrokratë, por shfaqja u ndalua pasi u quajt kundërvënie ndaj rregjimit socialist, dhe mua më përjashtuan nga Partia ku isha pranuar që në moshën 16 vjeç.

Kisha vënë në skenë disa drama të dramaturgut Fadil Paçrami prandaj më quajtën " regjisor i armikut Fadil Paçrami" dhe më larguan nga Teatri Popullor. Por kur i kisha vënë unë në skenë ato drama, Fadil Paçrami nuk ishte armik por ishte anëtar i Komitetit Qendror të Partisë dhe Sekretar i Komitetit të Partisë së Tiranës.

As unë nuk e di se si, papritur, u përmbysën qiejt e i hodhën tërë rrufetë mbi kokën time, kështu që në vitin 1973, me plagët e rënda që kisha marrë, po përpëlitesha në shtëpi si një i papunë dhe në situatë të vështirë. Por goditjen më fatale, dërrmuese, e mora nga ish bashkëshortja ime. Ajo më braktisi në situatën time më të vështirë, mori vajzën tonë 12 muajshe dhe iku nga shtëpia, pa më thënë asgjë. Nuk duhej ta bënte këtë, pavarësisht presioneve që pati e pavarësisht pasojave që do të kishte. Ajo ishte një intelektuale, poete dhe skenariste, ajo e dinte më mirë nga të gjithë pafajësinë time. Pas ikjes së bashkëshortes edhe mua erdhën më muarën e më  internuan në Fier, ku për nëntë vjet me radhë punova si punëtor betoni e punëtor ngarkim-shkarkimi në Ndërmarrjen e Bonifikimit. E tani, ja ku jam këtu, ky që kam mbetur e kështu si jam, i dërrmuar shpirtërisht e fizikisht, i lodhur nga pesha e vetmisë, i vrarë nga pafajësia ime. I vetmi gëzim që më ka mbetur janë takimet që bëj me vajzën time, Anin, dhe këtë ia di për nder ish bashëshortes sime që po e rrit vajzën dhe që e lejon të më takojë mua.

Kaq më tha Kujtimi, më kërkoi falje se mos më kish mërzitur me hallet e tija, nxorri nga xhepi një tabletë trinitrine për zemrën, e gëlltiti, dhe  si u qetësua pak, u ngrit e doli.

E çfar t'i thosha unë Kujtimit, asgjë nuk isha në gjendje të flisja, dhimbjet e tij po i ndjeja dhe unë në shpirt.

Kisha halle plot, të Shtëpisë e të Kooperativës, por atë natë nuk më zuri gjumi për Kujtimin. Të nesërmen sapo hyra në Zyrë, thirra Shefin e Kuadrit të Kooperativës, Naim Metën dhe i thashë: Naim; më sill pak Dosjen e Kujtim Spahivoglit! (Në atë kohë, shefat e kuadrit të Kooperativës, përveç punonjësve të administratës së Kooperativës, mbanin edhe dosjet e punonjësve të arsimit, të shëndetësisë e të kulturës, megjithëse këta ishin në varësi të Kryetarit të Këshillit të Bashkuar të Kooperativës).

Naimi u çudit nga kjo kërkesë e imja dhe më tha: "Shoku Kryetar; më vjen keq të ta them por juve duhet ta dini se Kryesia e Kooperativës nuk i ka në emërtesë punonjësit e arsimit, të kulturës e të shëndetësisë, kështu që....".

I di o Naim, i di unë këto gjëra; e di edhe që juve shefat e kuadrit ini më të besuar nga Partia se sa kryetarët e kooperativave pasi kryetarët i ka në emërtesë Komiteti Ekzekutiv i Rrethit, kurse ju shefat e kuadrit emëroheni direkt nga një organ më i lartë, që është Byroja e Partisë e Rrethit. Ama, edhe ti duhet ta dish, o Naim, se je vartësi im dhe se atë borderonë ku merr rrogën ti, e firmos unë. Leri nazet Naim, më sill dosjen që të kërkova, unë as nuk e ve e as nuk e heq nga puna Kujtim Spahivoglin, por dua të di më mirë se çfar kusure ka ai njeri dhe si të sillem nesër me të. (Po të deshte Naimi nuk ma sillte dosjen, mirëpo unë i fola kështu pasi njihesha më parë me të, kisha koefidencë dhe ai ishte njeri i kuptuar).

Ma solli dosjen Naimi; rri dhe ti këtu i thashë Naimit, dhe fillova të shfletoj Dosjen e Kujtimit. Lexova së pari Autobiografinë, të shkruar nga dora e Kujtimit, lexova dëftesat e shkollave dhe diplomat e Kujtimit, lexova karakteristikat dhe vlerësimet e punës që i ishin bërë për çdo vit Kujtimit nga institucionet ku kish punuar dhe nga organizata e Partisë, lexova tërë jetën e Kujtimit në ato fletë dhe në fund nuk i mbaja dot lotët nga emocionet që ndjeva. Shkëlqente gjithë jeta e Kujtimit: Që i vogël, njomëzak, Kujtimi ishte anëtar i Organizatës së Fëmijëve Antifashistë "Debatik", në moshën 12 vjeçare Kujtimi ishte partizan sëbashku me nënën e tij, në të njëjtën brigadë. Pas çlirimit e futën në një shkollë teknike por ai , megjithse i shkëlqyer në mësime, e la përgjysëm atë shkollë dhe pasioni për teatrin e drejtoi tek Shkolla e Mesme Artistike "Jordan Misja", ku studioi në Degën e Dramës. Prej këtu, e dërguan për studime në Institutin Teatror të Moskës ku vazhdoi për pesë vjet (1951-1956) dhe mbaroi me të gjitha notat "shkëlqyeshëm", me diplomë gjithashtu të shkëlqyer (Otliçno), dhe me vlerësimet më sipërore të profesorëve të atij Instituti, të cilët Kujtimi i kish mahnitur dhe ata e quanin "Studenti brilant shqiptar". Që nga viti 1956 e deri më 1973 Kujtimi kish punuar në Teatrin Popullor si aktor dhe regjisor, po ashtu Kujtimi ishte një ndër themeluesit e Institutit të Lartë të Arteve, ku kish punuar si pedagog dhe dekan. Kontribute të veçanta kishte dhënë Kujtimi dhe si regjisor me trupat teatrore të Vlorës, të Shkupit e të Prishtinës.

Ajo dosje mbyllej në vitin 1973 me një shënim të thatë telegrafik ku thuhej: " Është kritikuar në Plenumin e IV të Komitetit Qendror të Partisë, për shfaqje të pikpamjeve liberale në art e kulturë".

Hë mo Naim, i thashë Shefit të Kuadrit, e ke lexuar ti këtë dosje, çfar do më thuash?

E kam lexuar o Kryetar, për dosjen nuk mund të them asgjë unë, kurse për periudhën prej 6-7 muajsh që Kujtimi punon këtu, mund të them se është njeri shumë korrekt, shumë i sjellshëm e i dashur dhe njerëzit e duan dhe e respektojnë.

Qysh nga ai moment, e deri sa unë vazhdova me punë në Bërzhitë, pavarësisht nga ngarkesa e punëve të ditës, do ta gjeja kohën për ta takuar disa çaste, për ta pirë një kafe apo për të këmbyer një cigare me Kujtimin, për të cilin çdo ditë po më shtohej dashuria dhe respekti. Edhe Kujtimi e ndjente këtë dhe gjithnjë e më shumë bëhej më i çiltër e i qeshur me mua.

Ca muaj më vonë, Kujtimi më vjen një ditë në zyrë dhe pasi më përshëndet, më lëshon mbi tavolinë disa letra.

Çfar i ke këto o Kujtim?-i thashë.

Poezi të shkruara nga unë janë, më tha Kujtimi, hidhi një sy po deshe!

Mirë o Kujtim, faleminderit që m'i sjell për t'i lexuar e të kënaqem, por ti mos prit ndonjë mendim kushedi se çfarë prej meje pasi unë nuk jam as poet e as kritik letrar.

I lexova me një frymë ato 3-4 poezi që më kish sjellë, pasi ato më përpinë të tërin, dhe i thashë: Ti ke shkruar bukur o Profesor që në rini, e jo tani që i ke të pjekura e të thekura.

Eh mo Kadri, më tha Kujtimi duke nxjerrë një psherëtimë; shkruaj unë, shkruaj, por akoma nuk janë ngopur me mua dhe nuk m'i boton kush, pasi ma kanë hequr të drejtën e botimit.

Nuk kisha çfar t'i thosha Kujtimit, edhe kjo dhimbje e tij kaloi në shpirtin tim e m'i bllokoi fjalët.

Edhe atë natë më la pa gjumë Kujtimi, kështu që të nesërmen, që në mëngjes, u drejtova për në Lidhjen e Shkrimtarëve e Artistëve të Shqipërisë për të takuar Kryetarin e Lidhjes, Dritëro Agollin.

Në Lidhjen e Shkrimtarëve unë kisha një shokun tim, shkrimtarin Fatmir Mborja, me të cilin kishim punuar sëbashku për dhjetë vjetë si pedagogë në Institutin e lartë Bujqësor, por që tani Fatmiri ishte Kryetar i Degës së Administratës në Lidhjen e Shkrimtarëve. Meqenëse deri në atë kohë unë nuk e kisha takuar ndonjëherë Dritëroin, i them Fatmirit: " Shko dhe i thuaj shokut Dritëro se Kryetari i Kooperativës së Bërzhitës, i cili është një devollit, kërkon të takohet me Ju". Shkoi Fatmiri dhe vetëm pas një minute erdhi më mori mua dhe hymë të dy në Zyrën e Dritëroit. U përshëndetëm, më pyeti Dritëroi se si ia çoj me punë në Kooperativë, se nga cili fshat i Devollit isha, e për plot gjëra të tjera që thuhen në një prezantim, dhe pastaj më kërkoi arësyen pse ia kisha kërkuar këtë takim.

Shoku Dritëro, i thashë, unë kam ardhur tek Ju për Kujtim Spahivoglin, unë e di se juve e njihni më mirë atë, por edhe unë po e njoh dhe më shqetëson fakti që Kujtimi akoma e ka të ndaluar të botojë.

Dritëroi një cigare ndezur e kishte dhe po i digjej në tavllë, por zgjati dorën mbi tavolinë, mori një cigare tjetër nga paketa, e ndezi dhe pastaj me zë të dridhur filloi të flasë: Ah mor djalë, ti paske ardhur që të më trazosh një plagën time; Kujtimin unë e kam shok, e kam vëlla. Po çfar ka bërë Kujtimi mo? Asgjë ska bërë Kujtimi, ka vënë në skenë dramat e Fadil Paçramit. E po kush nuk mund t'i vinte në skenë dramat e tij në atë kohë që ai ishte anëtar i Komitetit Qendror dhe Sekretar Ideologjik i Komitetit të Partisë së Tiranës? Kot fare është dënuar Kujtimi, por çfar t'i bëj unë Xhelil Gjonit, i cili po rehabiliton edhe shkrimtarë pederastë dhe nuk rehabiliton Kujtimin. (Këtë fjalën "pederast" e shkrova unë, ndërsa Dritëroi e tha shqip, me dy fjalë që fillojnë me "b" dhe me "q" dhe duke përmendur edhe personin për të cilin e kish fjalën). Po të ishte në dorën time mor djalë, vazhdoi Dritëroi, Kujtimi sot do të ishte në krye të Teatrit Popullor, se aty e ka vendin. Unë, edhe dje jam zënë me Xhelil Gjonin për Kujtim Spahivoglin. (Për ironi të fatit, ky Xhelil Gjoni tani mbante funksionet që kish patur Fadil Paçrami, pra Xhelili ishte anëtar i Komitetit Qendror të Partisë dhe Sekretar Ideologjik i Komitetit të Partisë së Tiranës, dhe i priste palla në të katër anët).

Shoku Dritëro, i thashë, më fal se ndofta të shkaktova dhe emocione; unë e di që juve e doni Kujtimin, këtë ma ka thënë dhe Kujtimi, por mua nuk më ka dërguar Kujtimi tek ju, mua më solli këtu dhimbja e Kujtimit.

.........

Ishte muaji korrik i vitit 1987. Unë tashmë kisha ikur nga Bërzhita dhe punoja në Tiranë, kështu që Kujtimin e takoja më rallë. Një ditë shkova tek Stacioni i Autobusave të Krabës e Bërzhitës për të takuar ndonjë shok të Kooperativës. Gjeta aty Tom Tuhollin, Kryeagronomin e Kooperativës. Të parën fjalë që më tha Toma ishte:

A e more vesh për Kujtimin?

Pse, çfar i ka ndodhur Kujtimit? Pyeta unë.

Kujtimi vdiq.

Po kur, si, pse???

Po ja, ka ndonjë javë, ti e di që Kujtimi ishte shumë i sëmurë nga zemra.

Po mirë mo Tom, i thashë, po pse nuk më lajmëruat mua për varrimin?

Po si të të lajmëronim, kur edhe ne nuk na lajmëroi njeri dhe e morëm vesh vetëm kur pyetëm që pse s'po vinte në punë Kujtimi.

Po për ngushëllim kini shkuar?

Po kujt t'i shkojmë për ngushëllim, ti e di se Kujtimi jetonte fillikat vetëm.

Kishte të drejtë Toma, kot e kisha bërë unë këtë pyetjen e fundit. Të dy me Tomën u drejtuam për tek Klubi përballë Stacionit të Autobusave dhe në një banak, më këmbë, Toma më dha kafen e hidhur të Kujtimit.

Ah Kujtim, Kujtim;  vetëm 55 vjet jetove, por ti  ke mbetur gjallë në zemrat e atyre që të kanë njohur e të kanë dashur dhe që e kanë brengë që nuk t'i shëruan dot plagët, ndaj dhimbja për ty do të na rëndojë shpirtin sa të rrojmë.

Kujtim Spahivogli, lindur më 30 Qershor 1932, vdekur më 7 Korrik 1987

Denver, gusht 2015