| E merkure, 18.11.2015, 10:00 PM |
A
mbrohet me gaz lotsjellës Kosova o Lenin i vogël?
Nga Rexhep Shahu
Kur po e shoh me atë gishtin tregues drejt ardhmërisë, duke i tregue udhën botës, udhën që vetëm ai e di dhe askush tjetër, duke ju tregue udhën shqiptarëve të ngratë që u ka humbë udha në kurt, po më kujtohen do fotografi të Leninit me krahun të shtrirë e gishtin tregues si shigjetë. Po m’i kujton Albini citatet e tij, revolucionin e tij.
A me gaz lotsjellës mbrohet Kosova o Albin - Lenin i vocërr? A me gaz lotsjellës luftohet e zhduket Zajednica? Nëse keni të drejtë dhe nëse jeni të bindur në të drejtën tuaj, thirreni popullin nëse ju ndjek dhe mbrojeni Kosovën prej Zajednicës. Gjeni mënyrat dhe armët e duhura dhe mbrojeni Kosoven prej Zajednicës se gazi lotsjellës nuk vlen, gazi lotsjellës nuk është arma e duhur. Gazi lotsjellës është veç me tymue sa mundet Gjykatën Speciale prej të cilës dhinë gjak shumë njerëz trima e të famshëm të pasluftës. Nuk keni hall Zajednice por hall pushteti, hall mos me funksionue Gjykata Speciale. Këto të dyja të fundit janë halli i vërtetë. Ose ose, doni me kompensue mungesën e trimërisë në kohën e duhur, kur ju thirri Kosova e nuk iu përgjigjet. S’luftuat kundër serbëve, por jeni gati me luftue kundër shqiptarëve, kundër qeverive shqiptare. Bash siç thonë serbët se shqiptarët nuk munden të bejnë shtet, nuk munden të vetqeverisën, dhe duhën lënë nën Serbi nja njëqind vjet, sipas Vlladan Gjorgjeviqit, e pas njëqind vjetëve me ua dhënë një autonomi kulturore. Edhe ju që mendoni e kujtoni se i jeni përgjigjë Kosovës, kujtojeni pak mirë gjithë veprimtarinë tuaj luftarake, politike, pariotike, kujtojeni mirë e kthjellohuni se nuk ka ndodhë trimnia juaj në kohën e Skënderbeut por para 15-16 vjetësh dhe i keni gjallë deshmitarët, shokët, kolegët, i keni të pashkruara historitë, këngët, legjendat, të pakalcifikuar famën dhe lavdinë.
Dua të besoj në aq sa kuptoj se nuk mund të krijohet Serbi e vogël brenda Kosovës, dua të besoj në pezullim të përkohshëm deri në rishqyrtim të marrëveshjes. Por dua të besoj se sikur Europë e Azi me i pasë armiq, për momentin kemi Amerikën mike që nuk besoj se na shet, që nuk besoj se gropos e varros investimin e saj – Kosovë e lirë dhe e pavarur falë saj dhe falë gjakut dhe lotit të shqiptarëve, të burrave shqiptarë...
Nëse Albini nuk e do ambasadorin amerikan në Kosovë, shqiptarët e duan dhe i janë mirënjohës Amerikës. Nëse Albini, më i madhi, më i mençuri, më i dijshmi ndër gjithë shqiptarët e gjallë e të vdekur, nuk e do Ibrahim Rugovën, nuk e ka dashtë asnjëherë por Rugova nuk i ka shti mendtë me të, nuk i ka faj shtatorja e Rugovës. Ka vend edhe për shtatoren e Albinit kur ta meritojë.
Në sa e çfarë po ndodh, ka mashtrim, ka shtirje, ka keqpërdorim të njerzve, ka manipulim të njerzve, ka manipulim me keqkuptimin, me paqartësinë. Por në fund, Albini e albinat nuk kanë gjetë udhën e duhur, nuk janë të besueshëm, nuk janë dashnorët më të mëdhej të Kosovës, nuk janë bijtë më të devotshëm të saj. Sepse nuk po dinë me e dashtë, nuk kanë ditë me e dashtë. Sikur unë që nuk kam ditë me e dashtë kur i jam dashtë Kosovës dhe kam gri sallatë me fjalë si Albini e kam bërë lloq me fjalë si ai.
Vdisni ngapak, vdisni ndonjë për Kosovën, vini trupat tuaj, jetët tuaja para Zajednicës dhe mbrojeni me gjakun tuaj nëse e kini seriozisht dhe mos luani si fëmijët me sprajte e gaz lotsjellës pasi çdo ditë dhe sa më shumë që luftoni me këtë armë aq më shumë mjegulloheni, aq me shumë bjerreni, aq më poshtë bini, aq më shumë u tretet fama e lavdia që i keni qëllim në vetvete, që po i lypni me bombula gazlotsjellësi në shpinë, në xhepa e në shalë.
Paret i kini, pasuritë i kini, famën, lavdinë e pushtetin për me fitue më shumë pare po i lypni si qorri sytë. Por kështu me këtë armë, keni me fitue barsaleta dhe harrimin, keni me fitue daljen prej skenës politike.
Pyeteni njëherë veten, pse nuk ju ndjek populli i Kosovës? A thua gjithë populli është tradhëtar si qeveria, a thua gjithë populli është budallë e veç ju jeni të mençur.
Pyeteni njëherë veten ku ishit ju në shtator, tetor, nëntor, dhjetor 1998 deri në 24 mars 1999 (kur filloi luftën Amerika për ne dhe ju filluat luftën mirëfilli për pushtet), sejcili prej jush, në cilin front të luftës keni qenë, me sa plagë plumbash jeni zbukuruar, cilët shokë të vrarë a të plagosur keni mbajtë në shpinë (përjashto heroin tim Ramush Haradinajn e kohës së luftës dhe të muajve të tij kryeministër), në cilin fshat a cilën bjeshkë të Kosovës, të Kukësit, Hasit a Tropojës keni qenë, në cilën betejë keni marrë pjesë, në cilën ferrë jeni fshehur, nga cili burg keni ligjërue me leje të Serbisë kundër Serbisë, me i tregue botës se në burgjet serbe ka liri e demokraci dhe nuk burgoset fjala, në cilin kamp refugjatësh jeni strehuar, në cilën derë keni trokitur, para cilës kamerë keni qarë, në cilat dimia jeni fshehur, sa lutje me zë e pa zë i keni drejtuar NATO-s e Amerikes, sa keni ikur prej luftës, sa komandanta e cilët komandanta keni shpallë tradhetarë atëherë.
Sa mallkime ia keni derdhë Ibrahim Rugovës sikur ai po ua pengonte trimninë, sa mund e djersë, sa intriga keni bërë për t’ia marrë pushtetin Ibrahim Rugovës dhe gjithë këto përpjekje i keni emërtuar e çertifikuar si luftë për liri… Nuk e mundet atëhere, doni ta mundni shtatore. Ju marroftë zoti.
Hajt pra kthjellohuni njëherë, bëhuni trima të vërtetë njëherë, lini lodrat e fëmijeve me sprajta e gazlotsjellësa dhe vdisni njëherë, të guxojë ndonjëri e të vdesë njëherë për kauzën e drejtë që po mbroni, të derdhë gjak ndonjëri për ta ndaluar Zajednicën, të bëhet hero ndonjëri, hero jo në televizione, jo në kronika televizive, por hero i vërtetë, hero në kujtesën kombëtare. Mos u vononi.
Skenat që po bëni (si Albini qe tregon e flet me gisht si Lenin i vogël, si pronari e zoti i gjithë të vërtetave shqiptare, që derdh gaz lotsjellës dhe sillet si aktor në skenën e Kuvendit, me armë në dorë si trim mbi trima duke vra kolegët me gazlotsjellës), nuk janë skena lufte, as trimërie, nuk janë as aktrim i mirë profesional për teatër apo film, nuk janë as si ato skenat e luftës që ndonjëri nga komandantat e famshëm ka xhiruar pas luftës në malet e Lubotenit, natën, teksa avionet e NATO-s fluturonin për hesap të tyre dhe ai bënte luftë të rreptë, dy vjet pas çlirimit të Kosovës dhe ia xhironin luftën e tij gjoja nën fluturimet e avioneve serbë (ndërkohë që avionët ishin të NATO-s).
Trima, mos u bëni horë, mos e shëmtoni trimninë kaq shumë, mos u bjerrni kaq shumë.
Qeveri, mos u bëj horë, s’po di a me e mbajtë a me e lëshue, hall me kanë, hall mos me kanë, hall me vdekë e gjyq me rrnue. Bëje njërën, ose mbaje ose lëshoje. Nëse ke moral, mbaje, nëse jo, shko në shpi, Kosova nuk vdes, jeton edhe pa ju. Por Kosova do shtet, do qeveri sepse shumica votohet me qeverisë, pakica votohet mos me qeverisë.