Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gëzim Hoxha: Bota në zi për viktimat në Francë

| E diele, 15.11.2015, 02:46 PM |


E gjithë bota në zi për viktimat në Francë.

Nga Gëzim Hoxha

Gazeta the Guardian shkruan se 24 orë pas sulmeve terroriste në Paris, ditën e premte, njerëz nga mbarë bota janë  mbledhur për të mbajtur zi dhe për të nderuar kujtimin e viktimave të pafajshme të tyre. Nën dritën e qirinjve, duke kënduar marsejezën ata kanë çuar lule dhe kanë lënë mesazhe në ambasadat franceze kudo nëpër botë. Në Londër një violinist luajti para turmës një serenatë për nder të tyre.

Në Tiranë vetë selia e kryeministrisë ishte ndriçuar me drita tre ngjyrëshe: e kuqe, e bardhë dhe blu, që simblizojnë flamurin francez, ndërsa kryeministri anulloi një vizitë në Fier në vazhdën e takimeve me qytetarët për informimin e tyre në lidhje me arritjet e qeverisë që ai drejton.

Në rrjetin social face – book me qindra njerëz iu përgjigjën thirrjes së këtij rrjeti për të veshur me flamurin francez fotot e profileve të tyre. Në komentet e tyre ndjehet keqardhja për viktimat e pafajshme.  Po mes dhjetra mesazesh të tilla më zuri syri një mesazh nga shoqata e diabetikëve, i cili bënte thirrje për sensibilizimin e njerëzve për mijëra jetë të humbura nga diabeti dhe se nuk duhej kushtuar rëndësi vetëm viktimave të terrorizmit.

Në një tjetër media me famë, Washington Post, në një artikull me titull “Pse sulmet e Parisit mund të shënojnë fundin e ISIS –it” thuhet se seria e sulmeve të koordinuara që goditën Parisin të premten mbrëma prezantojnë një përpjekje  për shtrirjen e aktivitetit të tij jashtë Lindjes së Mesme. Po aty, një ekspert për mendimin islam dhe xhihadizmin (William McCants), thotë se këto sulme mund të shënojnë dhe fundin e ISIS. Sipas tij  këto sulme përfshirë dhe sulmin ndaj aeroplanit rus përbëjnë një ndryshim të madh, nga një fokusim në ndërtimin e një shteti islamik në Siri dhe Irak dhe në pjesë të tjera të Lindjes së Mesme e Afrikës Veriore, në shënjestrimin e fuqive perëndimore. Më poshtë ai thekson se shërbimet sekrete ndoshta kanë dështuar për shkak edhe të fluksit të refugjatëve që ka mësyer Evropën. Ndërsa nga na tjetër udhëheqësit e ISIS –it i kanë këto sulme si një mjet për të tërhequr vëmendjen dhe për të ruajtur territoret e shtetit islamik, pasi dihet se si pasoj e bombardimeve dhe të luftimeve me milicët kurdë dhe sirjan, ata kanë humbur 25% të sipërfaqes së tij.

Artikulli i Washington Post përfundon me një parashikim për shkërmoqjen e Shtetit Islamik ashtu si dhe grupet e tjera xhihadiste në vende të ndryshme të botës. Kjo jo për arsye të keq qeverisjes dhe të brutalitetit  të manifestuar nga ana e tyre, por nga kundështimi dhe sulmet ndaj shteteve të fuqishme.

Por veç fakteve dhe solidaritetit të shfaqur me viktimat që nuk mungon në raste të tilla pyetja që mund të shtrohet është: a do nxisin këto sulme ndryshimin e politikës së dyerve të hapura për refugjatët që ikin nga lufta në Siri, të ndjekur deri më tani nga vende të ndryshme evropiane?. A do të jetë Evropa e pas 13 nëntorit,  më e bashkuar (kur dihet që Britania e Madhe e pakënaqur nga disa politika të ndjekura nga BE, mund të kërkojë dljen nga ky Bashkim?), dhe më e përgatitur për t’i bërë ballë sfidave të tilla?