| E premte, 06.11.2015, 08:27 PM |
Ne, shqiptarët!
(cikël me poezi)
Nga Përparim Hysi
Ne, shqiptarët!
Ne, shqiptarët, në këtë kohë moderne
Mbetëm "pasagjerë" mbi trena të mesjetës
Se kemi qevritarë e politikanë vemje
Që hanë si molat limfën tonë të jetës.
Të pangopur sa nuk u gjen dot emër
Të dashuruar me pushtetin si bajraktarë
Këta nuk janë njerëz, po janë surretër
Dhe mbetëm në botë duke u qarë.
Bota na i ka vënë kufinë tek thana
Evropa si bota me ne loz "arushë"
Nga politikanët dhe shtetarët të zë zezana.
Faj mbetet "jetim?!". Kush e ka fajin? Kush?
Lozin kungulleshkash kur vijnë në parlament
(Ky është i poshtër! Ai, tjetri, është hajdut!!!)
Secili është djall dhe hiqet si shenjt
Prapa gjithë Evropës! Bobo,sa turp!
Janë si aktorë me njëqind fytyra
( Jo. Nuk kanë fytyrë, po veç surrat!)
Nga të tillë syrretër, vjen e të zë mynxyrra
Ndaj kundër të gjithëve jam mbushur inat.
2 nëntor 2015
Po vjen dimri
Mbaroi vjeshta... po vjen dimër, më nuk ka "qofte tek daja"
Para jush, unë po flas çiltër:- Kërcen prifti nga belaja!
S'e dua dimrin, është i ashpër, nuk të njeh për Sulo-be!
Unë jam pensionist i varfër, t'i përgjigjem,s'kam me se...
Se nuk ble dot dru për zjarr; dot nuk ngrohem me korent
Qaj me lot, për ty, behar! Me korent? Më bëjnë "synet?!!!"
Po vjen dimri, qaj pa rrahur; do t'ma bëjë tetë me dy
Në shpëtofsha, pa u "kallur?!", do them:-Rrofsh, o Perëndi!
Para dimrit, jam cullak dhe po flas unë hapur fare
"Struku-struku, i shkreti plak!". Pensionistët duan behare! *
* në thonjëza vargu i Mjedës
30 tetor 2015
Sa vende të bukura ka bota
Sa vende të bukura ka bota ku dora e njeriut ka bërë mrekullinë
S'ke pse merresh me fjalë të kota ( dukesh si para teje ke magjinë)
S'do mend,prekesh e mbushesh shend,sado negativist që të jesh
Po mua më rri mendja tek imivend, ndaj them:-Më bukur s'mund të gjesh.
Vallë, a ka më të bukur se Shqipëria që ka fusha, male,lumenj e det
Për mua, Shqipëria është mrekullia, ku bëhem me krahë dhe më ka lezet
Le ta braktisë këtë vend kush të dojë, po unë veç atje mbushem me frymë
Ta dini:-Shqipërinë me askënd s'e ndërroj;mbi të gjitha dua vendin tim.
Florida, 29 janar 2003
Nuk më pëlqen
Nuk më pëlqen që të ha në një restorant luksoz
Ku takëmet janë të gjitha të argjendta
Më pëlqen një tavernë që tymos
Se aty gjej gatime siç m'i bënte nëna.
Në një restorant luksoz jam si zok ndër leqe
Dhe bëhem nervoz se duhet politesë
E ndjej veten si një elefant në një pallat me qelqe
Nuk i dua luksozët se kërkohet "licencë"
-Kujdes me pirunin! Pale, pastaj, thika
Mishin? Pupu! Po ç'bën kështu?
Dhe, kur ha, nën "terror" dhe "frikë"
Mos më thoni që nuk ka ndodhur me ju!
Është si të blesh belanë me para
Unë, kur ha, shtrohem babaxhanshe
Atje, në tavernë, këpus dhe shaka
Dhe zë u lëshohem pjatave "esnafçe".
19 tetor 2015