Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ramiz Lushaj: Amerikë, e para ''Ditë e Plisit''

| E marte, 03.11.2015, 10:49 PM |


AMERIKË,

E PARA “DITË E PLISIT” NË DIASPORËN SHQIPTARE

Nga Ramiz LUSHAJ

1.

Dinastia e vllaznëve Selimaj të Nokshiqit të krahinës të Plavë-Gucisë, me jetnim disa dekador dhe në Amerikë, nuk e dinte se me aktin e tyre patriotik e human të 25 nëntorit 2012 do të hynin në historinë kombëtare shqiptare për organizimin dinjitar për herë të parë në Diasporë të veprimtarisë elitare “Dita e Plisit”.

Për ma tepër e ma mirë ishte dhe jubileu i madh i 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë në Vlorën e Ismail Qemalit, ku parathënia e saj ishte “Lufta e Nokshiqit” (4 dhjetor 1879-11 janar 1880); një Luftë Panshqiptare e me jehonë ndërkombëtare kundër vendimeve të tetë krajlive të Kongresit të Berlinit; një Luftë në të cilën u ngrit për herë të parë në histori në ballë të një beteje frontale shqiptare Flamuri i Skënderbeut, një luftë në të cilën kontribuan dhe vllaznia Selimaj me nokshiqasit e atyhit, krejt Plavë-Gucia e Shqiptaria.

Gjithçka nisi nga mendimi i mirë, shpirti i bardhë, vullneti i vyer i tyre; i Bruno Selimaj - pronar i Çlub A Steakhouse në Manhattan të Neë Yorkut dhe vllait të tij, Alex Selimaj, president i Fondacionit Plavë-Guci (FPG) në Amerikë.

Bruno Selimaj, ma i madhi ndër dhjetë fëmijët e Bajram Mujë Selimaj, është një veprimtar i shquar kombëtar, një lobues e kontributor i rrallë për lirinë e pavarësinë e Kosovës, njeri bajemirë, i bukës së pastër e i fjalës së ambël, që ia njohin meritat në heshtje e ia kursejnë mirënjohjen zyrtare në Kosovë e Shqipëri. Bruno, prej fillimit, në 23 vite, është i lidhur fort me FPG si antar e veprimtar ndër ma të parët, aq sa e cilësojnë dhe “ambasadorin” e tyre.

Alex Selimaj është vllai ma i vogël i Brunos e, për të dyten herë, i pari i Fondacionit Plavë-Guci (2011-2013 e 2015 e në vazhdimësi), është një nga mjeshtrit shqiptar ma të mirë të fotografisë artistike në shek. XXI, i cili ka hapë disa ekspozita e fotot e tij kanë zanë vend në gazeta e revista amerikane të kohës së sodit.

Kur fola për Dinastinë Selimaj kisha parasysh dhe të dytin vlla të tyne, Nino që ka një restorant në Nju Jork me emnin e tij e të njoftun si ginestar me picën 1.000 USD të 13 qershorit 2012, i cili ka klient të mëdhenj: Tom Jones, Cindy Craëford, Brooke Shields, Regis Philbin, guvernatorin e shtetit të Nju Jorkut – George Pataki, Chelsea Clinton e të tjerë.

Biznesmeni atdhetar Bruno Selimaj i porositi e solli 400 flamuj kuqezi dhe 400 plisa të bardhë në Festën tradicionale të Flamurit, organizuar nga FPG në Royal Regency Hotel në Yoankers të Nju Jorkut, me pjesmarrjen e madhe e të paparashikuar kryeherit – me mbi 600 plavë-gucias e të ftuar.

Në Amerikë, ndryshe nga çdo herë tjetër, sëbashku me Ditën e Flamurit, u festua e shenjua dhe “Dita e Plisit”, për herë të parë në Diasporën Shqiptare në botë. E, kjo risi e rrallë kontributive në traditën e historinë shqiptare, është meritë e çmuar e vllaznëve Selimaj - e Brunos dhe e Alex-it, e gjithë Fondacionit Plavë-Guci, e krejt komunitetit plavë-gucias në Amerikë.

2.

Në Festën e Flamurit e Ditën e Plisit, salla e madhe mrekullonte nga këto dy evente shqiptare në 100 Vjetorin e Pavarësisë Kombëtare, në Amerikën e Vlerave të Lirisë e Demokracisë, në Amerikën e Uashingtonit, të Uillsonit…të Bushëve, Klintonëve e Obamës. Si asnjëherë tjetër. Si rrallëkund tjetër.

Kjo Ditë e Plisit në jubileun e Flamurit ishte e përmasave, vlerave e mesazheve kombëtare.

Këtë veprimtari e përshendeti kryeministri i Shqipërisë, prof. dr. Sali Berisha me një letër postare drejtue sekretarit të përgjithshëm të FPG, Esad Gjonbalajt, e cila u publikue mbasandejna dhe në ëebsajtin e Fondacionit e masmediat e ditës.

Aty, përmes një video, përshendeti veprimtarinë e bashkvendasit e vet me zë e figurë dhe akademiku vuthjan e panshqiptar, Rexhep Qosja, tue evidentue historinë, kulturën, traditat e Plavë-Gucisë e të Kombis Shqiptar.

Aty jehoi kanga majekrahu e vuthjanit Hysen Ulaj me të birin Leartin, kangët për Flamurin Kombëtar e Plisin e bardhë, për figurat historike e luftërat e Plavë-Gucisë në zërin e Liridonës – çikë e Dedushajve e nuse tek Selimajt e Valbonës (Plavë); në zërin e nipit të Gucisë, Ylli Demaj, etj. Aty ishin dhe personalitete shqiptare të botës politike e diplomatike, akademike e kulturore nga Shqipëria e Kosova, nga trevat shqiptare nën Malin e Zi – të cilët janë me jetnim e veprimtarim në Amerikë, si asambleisti i Nju Jorkut–Mark Gjonaj; konsulli i Kosovës në Amerikë–Fatmir Zajmi; kryetarë të shoqatave shqiptaro-amerikane; prof. dr. Shinasi Rama, etj.

Aty, nga mjeshtri i fotografisë artistike Alex Selimaj u banë një galeri me foto, ku veçohen ato kolektivet me plis të bardhë të fëmijëve e të burrave plavë-gucias, të pjesmarrësve në këtë Festë të Flamurit e Ditë të Plisit.

3.

“Dita e Plisit” po ecë drejt shenjimit e shenjtërimit si një festë mbarëkombëtare shqiptare.

E dëshmojnë veprimtaritë gjithkund në Troje Etnike Shqiptare: për të dyten herë në Klinë të Kosovës në përcjellje të tetorit të sivjetëm; në malin e Dajtit në Tiranë nga Shoqata Mbarëkombëtare “Bytyçi”- të dielën e fundit të gushtit; në Shkup në Maqedoni – sipas traditës - nga Lëvizja “Zgjohu” në 17 shkurt – përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës; etj.

Masivitet e lartësime ka marrë në ndeshjet e fundit të Kombëtares Shqiptare të Futbollit, ku mijëra tifozë me plisa të bardhë kanë mbushur shkallët e stadiumeve në Shqipëri e në Europë. “Dita e Plisit” shqiptar pritet të ketë kulmim eifelian në qershorin e vitit tjetër, në Euro–2016 në Francë.

Tani Shqiptarëve në Ballkan e në Botë iu ka mbetë si detyrë historike që të përcaktojnë zyrtarisht me një kuvendim kombëtar të personaliteteve e shoqatave shqiptare “Ditën e Plisit’, pasi shembujt janë të shumtë e më një gjeografi nga Shkupi shqiptar i Vardarit deri në Diasporën Shqiptare të Nju Jorkut përtej Atlantikut.

Plavë-Gucia ka dhe një vlerë ma shumë në historinë e saj, pasi mbetet e para në në Diasporën Shqiptare dhe ndër të parat në krejt botën e hapësirat etnike shqiptare, në organizimin e veprimtarisë kombëtare “Dita e Plisit” në Amerikë, në Nju Jork, në nëntorin e jubileut të 100 Vjetorit të Pavarësisë Kombëtare Shqiptare.

-Per ZemraShqiptare, nga Tirana, 3 nëntor 2015-