Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gjekë Gjonaj: Jusuf Lika hapi shtigje të reja

| E merkure, 28.10.2015, 09:42 PM |


Jusuf Lika hapi shtigje të reja në jetën muzikore të Ulqinit.

Nga Gjekë Gjonaj

Profesori i muzikës  Jusuf Cufo  Lika nga Ulqini është një personalitet    i njohur  në fushën e artit dhe jo vetëm. Ai  veçmas shquhet  për  ringjalljen dhe përhapjen  e kulturës muzikore në këtë qytet, por edhe  për  afirmimin e   historisë së lashtë të qytetit të tij të lindjes - Ulqinit. Në këto dy shtylla të rëndësishme  e ka   ndërtuar të gjithë  veprimtarinë e tij të deritashme  artistike e kultorore, që   meriton të vlerësohet  dhe të respektohet, për shkak  se  me idetë  dhe veprimet e tij arriti mbi të gjitha    përhapë kulturën muzikore  në këtë qytet, si askush para tij. Personalisht e njoh atë që nga viti 1991. Ai  mbaj mend se në rolin e redaktorit  na ndihmoi në përgatitjen e  një programi muzikor të emisionit  Kronika e javës” në Televizionin e Malit të  Zi    me rastin  e festës së fundvitit. Ky emision  pati  shumë sukses dhe jehonë tek teleshikuesit në të gjitha venbanimet shqiptare në Mal të Zi.

Prej atëherë e kam kuptuar se atij i pëlqen të punojë i lirë, pa porosi, me idetë e veta,  duke mos dëshiruar lëvdata.  Dhe kjo tani kur jemi shok dhe bashkëqytetar të Ulqinit  më ka pëlqyer për një arsye të thjeshtë. Për faktin se puna e artistit  nuk është që të  punojë për të fituar çmime as lavdi. Ai duhet të punojë për të krijuar art, për të qenë një hap para kohës. Artisti dhe arti nuk njohin kufij, janë institucionet ato që dallohen.

Me një ëndërr të bukur në shpirt  Jusuf Lika mori udhën për  në “ mbretërinë” e muzikës në vitet 60-të të shekullit të kaluar, në kohën kur mësuesi i tij i muzikës  i ndjeri Qamil Gorana  në orët private ia ka  shkruar notat  në fletore.

Një stacion  ishte Shkolla e Mesme e Muzikës në  Dubrovnik. Më pas Akademia e Muzikës  në Lubjanë   e  Prishtinë, ku edhe u diplomua në drejtimin artistiko-pedagosjik. Dhe pastaj njohuritë e tij të  fituara nga fusha e kulturës muzikore    institucione të njohura në Dubrovnik, Lubjanë dhe Prishtinë, me t’u kthyer nga studimet  në vendlindje,  i vuri në  shërbim të hapjes    shkollës së  muzikës në Ulqin. Idenë për hapjen e kësaj shkollë i  kishte  filluar ta realizojë   në vitin 1982, kurse  ëndrrën  e tij të kahmotshme e finalizoi  në vitin 1995.  Ky vit  shënon fillimin e mësimit muzikor në Ulqin. Në prill të atij viti ka filluar punën Shkolla  Fillore për Arsimin Muzikor në Ulqin si paralele e Shkollës së Ulët të Muzikës në Tivar nën udhëheqjen e  profesorit të muzikës Jusuf Likës. Në hapjen e kësaj shkollë e kanë ndihmuar shumë dashamirë të artit dhe kulturës  muzikore, ndër të cilët duhet përmendur ish – kryetarët  e Komunës së Ulqinit, Batko Gjakonoviq dhe Mehmet  Bardhi,  ish-drejtorin e Bibliotekës së Ulqinit , Fadil ]Kroma dhe ish - drejtorin e Shkollës së Muzikës   në Tivar, Bozhidar Rakonjac.

Prej atëherë jeta dhe veprimtaria e  profesor  Likës u lidh pazgjidhshmërisht me  shkollën e muzikës në Ulqin.

Në vitin e parë shkollor  u regjistruan 42  nxënës në degët piano, kitarë dhe fizarmonikë.  Më vonë  interesimi për kulturën muzikore në këtë qytet rritet ndjeshëm,  sikurse edhe numri i nxënësve.

Në vitin shkollor 2000/2001 kjo shkollë  me vendim të Ministrisë  Arsimit dhe Shkencës në Mal të Zi mëvetësohet , dhe fillon punën e saj si shkollë e pavarur me të drejta si shkollat e tjera në Mal të Zi.

Themeluesi dhe  drejtori i shkollës Jusuf Lika  thotë se  gjatë 20 viteve kanë kaluar nëpër sfida të ndryshme, duke filluar nga kushtet për punë, hapësirat e pamjaftueshme, mungesa  e mjeteve të punës, instrumenteve muzikore dhe të kuadrit. Lika  pohon se  kur është hapur shkolla ka pasur vetëm një piano të cilën e ka blerë në ankand në Valdanos, një kitarë dhe një fizarmonikë, kurse më pas me para të veta i ka blerë shtatë violinat e para.

Falë punës  me përkushtim të madh, në radhë të parë të  profesor Likës   dhe të gjithë të tjerëve  në shkollë,  dhe me përkrahjen e institucioneve   vendore, shtetërore dhe donatorëve vendas dhe të huaj,   ky  kolektiv i vogël u rrit  në një familje të madhe muzikantësh, kështu që në vitin  e 20-të jubilar  numëron  afro 300 nxënës dhe 26 të punësuar.   Sipas fjalëve të Likës arritjet e kësaj shkollë janë të shumta  në konkurimet artistike muzikore shtetërore, kombëtare dhe ndërkombëtare, duke u vlerësuar me çmime të para në shumë festivale brenda dhe jashtë Malit të Zi. Kulmi i sukseseve të kësaj shkollë është  pjesëmarrja në garat e Vjenës, ku dy herë  me sukses ka përfaqësuar Ulqinin dhe Malin e Zi.

Mësuesit e kësaj shkollë  kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për zhvillimin dhe pasurimin e traditës muzikore të Ulqinit, kurse krijimi i shkollës së muzikës pati një rol të rëndësishëm për përhapjen e artit muzikor në përgjithësi. Shkolla e muzikës në Ulqin  u bë misionare e përhapjes së artit muzikor,  ndërsa  drejtori i saj  me veprimtarinë e tij hapi shtigje të reja në jetën muzikore.  Me angazhimin e tij shumëvjeçar solli në shkollë  vegla të ndryshme muzikore me vlreë prej 500 mijë euro, ndër to edhe pianon koncertal në sallën e madhe të Qendrës Kulturore të Ulqinit.

Jusuf Lika shpirtin e tij të artistit e dëshmoi edhe përmes fotografisë. Familja e tij  nxiti  tek Lika ndjenjën e tij për fotografinë, ndjenjën e dashurisë për të mirën dhe për të bukurën. Ishte pastaj Ulqini, me historinë, traditat dhe njerëzit e saj, me bukurinë dhe peisazhin  e mrrekullueshëm, që ngacmuan  dhe nxitën te Jusuf Lika   frymëzimet e para për fotografi. Punoi një kohë në dyqanin e  tij të vogël fotografik në Tivar, mirëpo  jeta e tij  i përkiste një bote tjetër, i përkiste muzikës.  Po ashtu është themelues dhe pronar  i fototekës së pasur të Ulqinit.  Ky “ Marub i vogël” i Ulqinit ”, përmban një arkiv me fotografi që konsiderohen si  vlera kombëtare,  kulturore dhe historike    të këtij qyteti.

Shumë fotografi  dokumentare  dhe artistike për të kaluarën e Ulqinit dhe trevës përreth nga fusha të ndryshme të jetës   Jusuf Lika bashkë me  prof.dr. Ruzhdi Ushakun  i kanë   botuar    monografinë “ Ulqini  nga dritaret e kohës”, vepër kjo e dobishme dhe me interes kronologjik për këtë qytet  me rrethinë .

Ky pedagog i muzikës, krahas punës frytëdhënëse  në institucionin arsimor që e themeloi dhe  vazhdon gjihnjë ta drejtojë me sukses, gjenë kohë edhe për shumë veprimtari të tjera.   Puna   me përkushtim,  vullneti i madh , energjia dhe idetë  e  pashtershme      Jusuf Likës  vërehen edhe përmes Fondacionit “ Lika”,  nën firmën e të cilit janë organizuar shumë  aktivitete kulturore dhe janë botuar disa libra në gjuhën shqipe dhe malazeze.  Si botues ka bashkëpunuar dhe bashkëpunon me shumë krijues të njohur shqiptarë dhe joshqiptarë. Në këtë fushë është dora e djathtë e  prof.dr. Ruzhdi Ushakut, me të cilin bashkëpunon pandërprerë më se tri dekada.

Pra, Jusuf Lika,  ka një botë artisti që  me veprimtarinë e tij të shumëllojshme patjetër do të lë gjurmë  të pashlyeshme në historikun   e qytetit të Ulqinit.