| E marte, 27.10.2015, 08:52 PM |
Manteli i rehatisë
Tregim nga Bahri Myftari
Në pikëshitjen më të afërt nënprefekti bleu gazetën ditore, që kurrë nuk e kishte blerë dhe, siç pohonte, nuk do ta blente as në të ardhmen. Në mëngjes, në emisionin informativ për shtypin, dëgjoi emrin e vet dhe, shkarazi pa një karikaturë me gjasë miqësore-se ç’miqësi mund t’i vinte prej asaj gazete që ai e urrente-, vetëkuptohej! - Ja pra, shkaku pse nxitoi për te pikëshitja. Ajo gazetë i ishte qepur si ujku presë së vet. Ishte i mirënjohur pasioni, dëshira, zelli i tij për të qenë i pranishëm në çdo inaugurim; nga rrugët, punët publike deri edhe në një dritare shkolle.
Kjo tepri, shpesh deri në një akt grotesk, gjuhej prej gazetës, duke u shoqëruar edhe me ndonjë vizatim, zakonisht i qarkuar me shirit inaugurimesh dhe me një palë gërshërë në dorën e djathtë. Kjo e sotmja qe krejt ndryshe, qe karikaturë mirëfilli, ishte llahtari, ishte e pështirë! Mbrëmë ai kishte qenë në një darkë familjare. I zoti i shtëpisë bënte djalin synet.
Ja, kjo qe e tëra. Gazeta ia kishte ruajtur portretin, ia kishte ruajtur edhe gërshërët, i kishte hequr vetëm shiritin, në vend të tij, në dorën e majtë të nëprefektit qe vizatuar seksi i vogëlushit po me përmasat e një shpate!Shihni, shihni deri ku arrin e liga!Ishte gati të shfrynte.. Kjo nuk është thjesht gazetë opozitare, kjo është as më shumë as më pak, veç gazetë antikombëtare me ca gazetarë armiq! Aty për aty, vendosi të nisej për në kryeqytet, të gjente folenë e tyre dhe të përballej me ta, të ndeshej me dreqin dhe të birin, me këdo që i mbështeste, që iu mbushte xhepat, drejtorë, pronarë, president! Ngjiti shkallët e institucionit. Në korridor i thirri sekretares: Dolorez, Dolorez!
Ndoshta, ajo nuk e dëgjoi. Atëherë ai e thirri si gjithnjë, kur donte të nxirrte një inat a pakënaqësi të çastit: Shoqja, zonja Ibaruri, kamarates! Këtë nofkë ia pati ngjitur vajzës jo vetëm për hir të ngjashmërisë së emrit me revolucionaren e famshme, por nga që vajza, edhe pse i pati mbushur nja dhjetë vjet që kishte kryer juridikun, nuk i hiqte nga dora librat e filozofëve të vjetër, të baballarëve të drejtësisë e të ligjit. Më në fund, Dolorezi erdhi. I ra në sy, dhe i erdhi mirë që ajo nuk e pruri me vete shtypin e ditës, sikundër herë të tjera. Jam nisur për në Tiranë, më mblidh një informacion më të gjërë për ata horra! Besoj se u kuptuam.
Ajo sikur s’po donte të largohej. Zoti.., cicëroi vajza, gati si e zënë në faj: ju e dini se unë jetoj pranë liqenit, kur bëra ajrimin në mëngjes, më bujti vrullshëm vetë pranvera, po më e bukura, më erdhi liqeni brenda në shtëpi. Ishte një mrekulli!.U zhgënjeva pak, pasi para meje, kishin vrapuar për te gjoli Mali i Thatë, plepat buzë rrugës dhe pallatet shumëkatësh, të gjithë shiheshin dhe zbukuroheshin në atë ujë si pasqyrë! Gjoli sot është vaj, i thonë në qytetin tonë, pse nuk bëni një shëtitje anës tij? Nënprefekti u befasua një çast, më pas, me një qeshje të lehtë, iu drejtua”; Kur filozofija që në përgjithësi është e ngrysur, zë e këndon si poeteshë?, Diçka e madhe ka ndodhur!?”. Vajza u largua. Shpesh ai, gjithnjë në të mirë, ia cyste beqarninë e tejzgjatur. Ajo po shkelte në të tridhjetat. Nuk i mungonte as mënçuria as bukuria! Megjithatë, fjalët dhe këshilla e sekretares, ndonëse e zbutën disi, nuk hoqi dorë prej vendimit që pati marrë. Nuk mund të tërhiqej. Ishte burri me autoritetin më të lartë në atë qytet. Ironitë apo pickimet i kishte duruar mjaft! Aq më tepër që dhurata të tilla, vinë nga një gazetë që kurrë nuk kishte shkruajtur një fjalë të mirë për pushtetin e ri, kuadër i të cilit ishte edhe ai vetë.. Para se të largohej, dha urdhër t’i bënin gati makinën. Nuk ishte nevoja për shofer. Në dalje, i kujtoi sekretares se ishte ditë pritjeje për popullin dhe atë do ta përballonte ajo, veç jo me ato shprehjet që i ka aq përzemër nuk ka, nuk bëhet, është jashtë.. cënohet ligji, e tjera, e tjera!” Unë përpiqem që të them të vërtetën”..Të vërtetën!e ndërpreu ai. Po e vërteta zonjush, e vërteta është motër binjake me gënjeshtrën, janë të pa dallueshme, varet kë përzgjedh
!..
Shpejt u vu për udhëtimin e gjatë.Me të dalë në rrugën e bukur buzë liqenit, e uli shpejtësinë e makinës. Nga e djathta shfaqej mrekullia e atij mëngjesi. Vizatimi që i pati bërë pak më parë Dolorezi, i rrinte varur në sy. Dielli ishte hedhur i gjithi mbi liqen, duke marrë si me dorë gjithësinë rreth e qark pas vetes, deri në thellësi të ujërave. Ndërkaq, i mbërriti një mesazh në celular prej sekretares që i zgjeronte informacionin për atë gazetë të mallkuar, por që, gjithsesi ajo i lutej të kthehej.” Absolutisht jo, i dha fund ai. Ç’na qenka kjo fletushkë që s’i bëka syri tërr prej pushtetit! Kam mbi tre vjet larg familjes, po bëj jetë ushtari, por pa mërzi, madje me dashuri të madhe për këtë qytet, për këta njerëz! Nuk më shkul kush, as shpifja, as mashtrimi. Vërtet nuk jam vendali po e kam timen këtë bukuri, e kam në zemër këtë liqen, këtë pikturë të shpallur.!” Kjo përkëdhelje e sedrës, e gëzoi. Mori kthesën që të çonte te lokali i Laura Mezinit. Ishte lokali më i bukur në tërë bregun e liqenit. Nuk mund të merrte udhëtimin e gjatë pa pirë një kafe e pa u përshëndetur me miken e vet, me miken e zemrës..
Laura ishte një ish-emigrante e divorcuar, po që as e zinte me gojë dhe as që e vriste medjen. Ishte e mbajtur, vërtet shkonte mbi të tridhjetat po nuk tregonte. E bukur sa s’ka, e fshihte brishtësinë, po gjithsesi kjo nuk e pati cënuar, përkundrazi portretit të bukur i pati dhënë edhe përmasën e një zonje të hekurt. Këtë përshtypje i pati lënë ajo që në takimin e parë, që, atëherë kur erdhi dhe i tregoi planin e saj të biznesit dhe, njëherësh i kërkoi ndihmë, nga që ai kryetari i komunës atje tej buzë gjolit, po e pengonte. Qëllimi dihej: o para, o bukurinë!.
‘Për të parat, edhe më prishet mendja, kishte përfunduar Laura, ndonëse më kanë marrë djersë dhe gjak atje në dhe të huaj, ndërsa..ndërsa për atë dëshirën, a qejfin e vet… veç në hyftë edhe njëherë në barkun e të ëmës, andej nga kishte dalë!”. As njërën as tjetrën. Ju që neser filloni ndërtimin, e mbylli nënprefekti..Nuk kërkoi kurrfarë shpërblimi prej saj.Vetëm njëherë, gjatë një përqafimi të rastësishëm,ndoshta i ngacmuar prej deodorantit të femrës, u përpoq për diçka më tepër, veç puthjes pa sherr në të dyja faqet, buzët po i kërkonin buzët e Laurës, vetëm kaq. Ajo u tërhoq dhe me të qeshur, i pati thënë se qeveria burrave që ende janë burra tamam, si nga mendja, si nga “veglat” kur i dërgon të kryejnë detyrën këtu apo atje, duhet t’u japë edhe familjen me vete! Ai veprim nuk u përsërit më, edhe pse dëshira ndaj saj, e digjte përbrenda.!” Më mirë kështu, pohoi, ndonjëherë duhet të kënaqemi edhe me pak!” Kur u përball me lokalin, e pushtoi një kënaqësi e zjarrtë. “Ç’parajsë ke ndërtuar, moj, moj!”…Gati u mek!. Parkoi makinën. Laura që me siguri, e kishte parë nga larg, i doli para duke e drejtuar për nga pamja e gjerë e liqenit. Ai i tha se nuk i premtonte koha. Ajo s’ia vuri veshin E shoqëroi te këndi, një vend i preferuar prej tij, ku tani, këtë mëngjes qe kthyer në fole bukurie! Një tufë kajrafilash preheshin mbi tavolinë, më këtej, takëmi me të farfurinjta, vraponte për nga gjoli. Me t’u ulur, mbërriti gostitja e preferuar; peshk zgare, një gjysmë limoni dhe pak sallatë, Ndërkaq dhe një gotë verë e bardhë. I ra në sy se, po e njëjta gjë u shërbye edhe për Laurën. Kjo nuk ndodhte shpesh, Laura rrallë ulej. “Të thashë që s’më premton koha”,i tha ai. “Shko në Tiranë, iu përgjigj ajo, po zgjidh kohën, zgjidh një kohë me shi dhe jo sot, jo sot, s’ke pse sakrifikon kaq shumë, pastaj, miku im;
- Punë gazetash, punë kalemxhinjsh!
Nga një tavolinë më tej, nga disa djem të rinj, të zhurmshëm dhe të ardhur në qejf, u erdhi një shishe verë. Laura i përshëndeti, u kthye nga prefekti dhe nisi të shërbejë për të dhe veten.
- Sot ndihem i fyer, - tha ai nën zë, - nuk e di a e pe?..
- Harroje! Im atë, në kësi rastesh, - tha Laura, - im atë, përdorte një fjalë të urtë. Është pak banale, po nëse më lejon..
Ai trokiti gotën me të dhe e ftoi të fliste lirshëm.
- Gomarin sa më shumë ta shposh, aq më shumë pjerdh. A e di zotëri se, gazetarët janë ende proletarët që na kanë mbetur? Ç’të duhet lufta me ta! Ata asgjë nuk humbasin prej saj. Përkundrazi,në këto raste bashkohen e shumohen, si minjtë në një anije të braktisur. Prandaj, miku im,.. Hajde. gëzuar! Tani, vera kishte nisur punën e saj dhe ai po i bindej tërë kënaqësi marrëzisë.. Laura ishte larguar me kohë. Ai e rrëkëlleu deri në pikën e fundit shishen dhe u befasua kur e pa veten sipër në tarracë, shtrirë mbi një divan të gjerë, i përkëdhelur prej rrezeve të mesditës. Jo kishte dremitur, po pati fjetur paq mbi dy orë!. Zbriti në katin e parë. Ia pat qejfi ta përzinte përfundimisht gjumin me ujin e freskët të liqenit, dhe ashtu bëri. Shpejtoi. Mori rrugën e kthimit, i përqendruar ngultas vetëm drejt, a thua i druhej ende atij mendimi të mallkuar që e pati kaplluar në mëngjes?.. Qëndroi në krah të prefekturës. Atje pritja e popullit ende vazhdonte. Radha zgjatej e zgjatej. Kur do mbarojnë ndonjëherë” Kurrë, kurrë! !Njëqind pushtete të vinë e të ikin, aty do të jeni deri, deri në përjetësi! Ndoshta, deri në vitin e vdekjes së bletëve! Po, atëherë ka ardhur edhe vetë vdekja e botës?! Pikërisht, atëherë do të vdesin edhe radhët, do të vdesin hallet! U kujtua që kishte ftesë nga Laura për kafe te bar “Liqeni”, e u nis për atje.