| E enjte, 22.10.2015, 07:59 PM |
DHJETË
NAMË
DHE NJË URIM
NGA KALOSH ÇELIKU
Nëna të mori Nuse
rrëzë Çukës
Nëna, Dje të mori Nuse në Lëmë
Sot, Katundin e çoi më këmbë.
Krushqit me këngë e valle
Livadhin e zgjuan nga gjumi.
Cucat, herët copë-copë i bënë dajret
Babai e nxorri mauzerrin nga hatullat…
Shtrati ynë i drurit
mbetet në Lumë
Rrushi e ka shtratin e vet në Katund
Nën çati, te pragu i derës. Shtëpisë.
Dhe, i përkund kalaveshët me rrush
Breshëri mos i shkund Natën
Dielli me rreze t’i vjedhë Ditën.
Rrushi sheh rrushin. Dhe, piqet
Po, ne: Çka shohim Natën?!
Shtrati ynë, mbetet në Lumë…
Djalë i Ri erdha në Shkup
Moti kohë e kam thënë në libra:
Engjëlli im, është Grua.
Djal i Ri, moti erdha në Shkup
Nesër, po iki si Plak me mjekër.
Sot, u pajtova me Zonjën Vdekje
Engjëlli im, patjetër është Grua!
Vdiqa në Voskopojë. U ringjalla në Korçë
Bythekrye, rash në Qafëthanë. Përrua.
Djal i Ri, Dje erdha në Shkup!
Suksesi: Ika nga kjo botë e lumtur
E cila për mua, ishte Ferr. Dhiare.
Djal i Ri, Dje erdha në Shkup
Nesër, po iki si Plak me mjekër…
Unë mbi shpinë
e barti Atdheun
Rrugë e gjatë maleve me borë. Fushave
Nallban nuk ka të ma mbathë vargun.
Gjokut t’im patkojtë i ranë rrugës
Hingëllimën ia ndien larg shtatë krajli.
Nateditë maleve për në Baba Tomorr
Doruntinën mbi kalë e sjellë Vëllai i Vdekur…
Shtëpisë sime bibliotekë
hajni i bën roje
Shtëpia ime është një bibliotekë
Librat, ku rrinë kokë më kokë.
E hajni, kurrë nuk u troket te dera
Edhe pse, dera rri hapur nateditë.
Shtëpia ime është një bibliotekë
Thesarë, të cilin nuk e vjedh hajni.
Po, besnik i bënë roje nderi te dera…
Pena ime është
me dy tyta
Përditë më dërgoni poezi rebele
Non-Stop, nga Qielli e Toka.
Ehu! Unë jam poet i lumtur:
Përmidis Pazarit Shkupit
Penën ende e kam në brez.
Mëkot, rrugaçët m’i nxirrni në rrugë
Pena ime është me dy tyta:
Bythekrye të hudhë në përrua…
Dikush hedhë vargje
nga dritarja
Herët, zgjohem me një gotë raki rrushi
Dikushi, hedhë vargje nga dritarja.
Imzot, si do të më vrasin te pragu i derës
Ende pa e përfunduar Librin për Nesër.
Rrugës eci me duar në xhepa
Janxhëkun me bukë misëri krahut.
Dhe, neteditë fyellin e Bariut në dorë…
Unë të gjuaj me lule
e Ti me borë
Moti kohë, Unë të gjuaj me lule
Kopështi të lulëzojë në Pranverë.
E, Ti, përçudi më gjuan me borë.
Dimër jam vetë! Nuk dua tjetër Dimër
Pranverën e kam në shpirt… Gjak…
Dimri troket te porta
e ne jemi miq
Zanë Mali, oj! Dimri erdhi te porta
E Unë nuk kam dru në vatër.
Përveç, ibrikëve të rakisë rrushit
Dhe, dy shtambave me verë.
Zjarrin ndize Cucë, vrik me flakë
Krahpërkrahu t’i dalim me vargje
Moti, si dikur Babai në Katund.
Vargu im e rrok nagantin. Cuca,
Sëpatën pas dere, delë në Lëmë.
Dimri, sot na troket te porta
E ne, gjithë jetën jemi miq…
Paralajmërim
Tri ditë, e tri net rreshtë. Imzot,
Shi i madh, litarë bie në Shkup.
Tetovën e përmbyti bërlloku i vet
Që, zbriti i zemëruar nga Sharri Plak.
Qytetet, siç duket paskan bërllok
Qielli me shtamba ua lau fytyrën.
Sytë e mbyllur nga hedhurinat
Anije pirate pa vela nëpër rrugë.
Rrufeja, sot shkrepi në Qiell
Paralejmëroi, nesër Stuhinë…
Mëngjesi vari veten
majë një Peme
Përditë e sharroj keq kohën
Cung. Nga këmbët, te koka.
Dita nuk më delë, e gjatë Nata
Hëna e plotë, troket në dritare.
Mëngjesi vari veten majë Peme
Sorra e zezë, më shtihet Nuse?!
Koçia në Lëmë erdhi pa krushq
Rrufjani në roje nën hije Peme.
Matanë Çukës, Dielli mbi varre…
Dhjetë namë
dhe një urim
Dhjetë namë i kam në zemër
Dhe, vetëm një urim.
Portën ma hapni të dal në rrugë
Vargun ta shaloj matanë maleve!
Dhjetë namë i kam në zemër
Dhe, vetëm një urim:
Vargu im, sot doli në mal…
(Nga libri me lirika mali: Zonjën Vdekje do ta marr për Grua,
që këto ditë pritet ta shohi dritën)…