| E hene, 19.10.2015, 07:38 PM |
NJËQIND
VJET LARG ZGJIMI
NGA KALOSH ÇELIKU
Jetës i shpalle luftë
Zonja Vdekje, kur na erdhi në Shtëpi
Ti, i dole para me lule në dorë:
Eja motër, kurrë nuk të kemi pasur frikë!
Fisi ynë të ka pritur edhe me pushkë
Nateditë i pagjumë në Shtëpi. Male.
Përgëzime! Koha erdhi, sot të të presim me Libër…
Heshtja Yte para Zonjës Vdekje
më thotë: Tradhëti
Përditë, heshtja Yte para Zonjës Vdekje
Sytë i hapë, më thotë: hape gojën!
Zonjës Vdekje, pse nuk ia përplas në sy
Se: Ti je Poet. Edhe, tradhëtar besnik.
Marrëzisht më do mua. Edhe, Zonjën Vdekje.
Ec e hape gojën, sot para kësaj pasqyre
Kur, ajo të përgjigjet: Edhe ti je i bukur?!
Megjithatë, më e bukur është: Zonja Vdekje…
Mikja Di ende me anije
nuk zbret në breg
Anijet nisen njëra pas tjetrës nga bregu
Unë e pres Anijen e Mikes Di!
Dallgët, që e përplasin nëpër shkëmbinj
E Ajo, ende nuk ka arritur në breg.
Anijet i pres dhe i përcjell me vite
E Mikja Di, ende nuk zbriti në breg…
Anijen Tënde në oqean
e hëngër peshkaqeni
Anijen Tënde, moti kohë
Neteditë e pres në det!
Sytë i humba në ujë. Dallgë
Njeri i gjallë nuk zbret në breg.
Imzot, mos anijen Tënde
Thellësive e hëngri peshkaqeni?!...
Qershia ime e fëmijërisë
lulëzon në varreza
Perçudi! Qershia ime e fëmijërisë
Sot, lulëzon në varreza.
Degët shtri krah më krah në Qiell
E rrënjët shtatë pash thellë në tokë.
Kokërrat e kuqe hedhur nëpër degë
I ngjallin të vdekurit nga varri…
Varri Yt rrëzë Çukës
e ka një çelës
Dyert e Shtëpisë, në Katund
Shul kishin. Reze. Edhe, çelës.
Hasmi mos na vrasë në gjumë
Nëpër dritare, nga shtrati i rrushit.
Varri Yt profet, rrëzë Çukës
Sot e ka një çelës të ndryshkur.
Dexhalli mos na hyjë edhe në varre…
Ne gërmojmë një varr
të hardhisë rrushit
Vetë i dyti: Unë dhe Ti
Ne, gërmojmë varrin e hardhisë rrushit.
Shportën e ka marrë Dexhalli
Ne, vetëm tinëz e mbushim gjirin.
Shi, nuk ka rënë këtë verë
Toka e thatë. Gur mbi gurë.
Ne, gërmojmë një varr të hardhisë
Populli e ka thënë moti:
Rrushi sheh rrushin. Dhe, piqet në Katund…
Unë jam lind e rritë Poet
nën hardhinë e rrushit
Edhe, thonë: dudumët nëpër Çarshi
Kalosh Çeliku është pijanec.
Prognozën psikologjike ma caktojnë debilët
Pevetëdije, se: Unë e njoh më së miri Veten.
Unë e pi rakinë. E jo, ajo mua dolli.
Shkaku se, lind jam dhe rritur në Dimër
Përpara Shtëpisë, nën hardhinë e rrushit.
Dudumë, pini çaj rusi me xhygymë
E Unë, përinat do të pi raki rrushi!
Veten do ta vras me dy shtamba verë nën Rrap…
Palapaçkat* e Mamit
Palapaçkat e Mamit m’i le porosi:
I duaj si kafshë shtëpiake!
Edhe, qasi në Shtëpi. Kopësht
Ushqim, jepu përditë. Përnatë!
Palapaçkat e Mamit i duaj marrëzisht
Unë jam mes tyre, në Kopësht. Shtëpi…
1. Pagëzim i maceve të vogëla.
I varrosur në Ty
një natë Dimri
Varri me libra ma hapi derën
Rrugë nuk kam për në male.
Babai ma mbylli portën, e më tha:
Liria është kurvë. Robëria, rrospi.
Bir, vargun sot fute në brez!
Unë dola përoxhaku në mal
Jo, si xixë zjarri mbi çati. Po, si Poet…
Njerëzit i shoh si bubrreca
Ecin nëpër tokë
Njerëzit i shoh si bubrreca
Ecin, zvarriten nëpër tokë.
Edhe, pse: nuk janë bubrreca
U pëlqen jeta e bubrrecave.
Imzot, njerëzit i shoh si bubrreca
Përçudi! Nuk kanë kokërr gruri në gojë…
Njëqind vjet larg Zgjimi
Gjumi zgjatë me shekuj
Qyqe oj, ma prish gjumin!
Ëndrra të këqia shoh Natën:
Dasëm. Nuse ma sjellin Xhadinë.
Ditën, nuk ka njeri të m’i hapë sytë.
Dexhalli me trumbeta e shalon kalin
Përinatë: Unë vargun në Libër.
Njëqind vjet larg, Zgjimi…