Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Elvi Sidheri: Ra ky Nobel dhe s’u pamë

| E hene, 19.10.2015, 07:20 PM |


Ra ky Nobel dhe s’u pamë

Nga Elvi Sidheri

Pak ditë më parë, qëlloi edhe këtë vit që t’i vinte koha shpalljes së çmimit Nobel në disa fusha të veprimtarisë njerëzore; ndër to, edhe në letërsi; që aspak rastësisht është edhe fusha përkatëse e lidhur me këtë çmim prestigjioz, që neve shqiptarëve çoku na intereson (aspak rastësisht) më tepër.

A do ta fitonte vallë Kadareja ynë këtë viti Nobelin, apo jo?

Ishte, ndër të tjera, edhe dita e ndeshjes zulmëmadhe mes Shqipërisë dhe Serbisë, të cilën ekipi jonë kombëtar e kumbullosi në mënyrën që të gjithë tashmë e kemi parasysh, dhe rrjedhimisht, mosdhënia e rradhës e Nobelit për Kadarenë, përmbushi një ditë jo fort të këndshme për Shqipërinë dhe shqiptarët anembanë trojeve tona e më gjerë.

Por, nëse kombëtarja jonë e futbollit, pavarësisht humbjes së hidhur (por pa pasoja sa i përket renditjes)... me Serbët mendjeharbuar “tre-gishta-ngritës”, si përfundim u kualifikua historikisht, sa edhe stoikisht dhe pabesueshmërisht për në Kampionatin Europian të vitit të ardhshëm në Francë; Kadaresë së madh, në Francë nuk do t’i duhet të presë ndonjë lloj “kualifikimi” specifik për të vajtur.

Pasi Kadareja në Francë tanimë ndodhet prej disa dhjetëvjeçarësh; më parë falë rrezeve ndriçuese që patën përçuar nëpërmjet shpirtit artdashës francez, sinjalet e artit të tij letrar puro shqiptar, drejt botës së lirë, drejtpërdrejt nga zemra e zymtësuar e murrëtimit të mugët të regjimit ogurzi e vrastar monist enverist-leninist.

Dhe paskëtaj pas largimit demonstrativ të shkrimtarit mendjelirë e penë-vargonj-thyes, nga grahmat e fundit të përgjakshme të sistemit diktatorial shqiptar, drejt Parisit të njëmijë dritave të asaj lirie të gjithanshme të mendimit, gjykimit, të të shprehurit dhe të vetë krijimit, që një shpirt i lirë si ky i shkrimtarit tonë simbol, e pati pritur aq gjatë; duke krijuar dhe lëvruar në pikun e venës së tij më të arrirë letrare, në kushtet e një mjedisi të mbytur e të ndrydhur nga hijet dhe mishërimet e shpërfaqjeve të shumëfishta mizore të realitetit të bunkertë soc-shqiptar.

Kadareja dhe Parisi fundja, janë porsi dy dashnorë të etur dhe të paepur, që janë dashur së largu, janë ëndërruar dhe nuhatur e ndjellur pareshtur, tinëzash, haptas apo heshturazi; që janë ngjizur për t’u tokur një ditë, sepse egoja kadareiane dhe tisi parizien, një ditë doemos duhej të puqeshin në një prekje të përhershme, nga ato takime pra, që përcaktojnë jo vetëm rrugëtimin artistik të një shkrimtari, por edhe shtigjet letrare ku do të enden në të ardhmen shajnitë e prozës apo poemës së një kombi (si ky i yni).

Kadareja pra, Parisin dhe vegimin e kështjellës së tij artistike, e pati pushtuar së brendshmi prej kohësh, pa pasur nevojë të presi ndonjë “shenjë nga qielli” i jurisë së “Godove” suedezë (mënjanë lojës përkatëse të fjalëve në këtë rast; suedezët njihen edhe si vendi i mundshëm i origjinës së popullit të lashtë gjermanik të Gotëve gjithaq)... të cilët sa i përket vlerësimit të veprës botërisht të çmuar të shkrimtarit tonë të madh, mbeten përherë “në pritje”!

Por, as Kadareja, dhe as ne, si populli i tij, nuk mund të humbim kohë “duke pritur Godonë”, për të perifrazuar qëllimisht Samuel Beketin pra, duke e përshtatur në këtë mënyrë, sipas realitetit ngurrues Nobelian, titullin e veprës madhore të shkrimtarit dhe dramaturgut e poetit irlandez.

Kadareja dhe jehona e veprës së tij, shkojnë mjaft përtej dritëshkurtësisë së jurisë hundëpërpjetë dhe oportuniste e politikë-dashëse të Nobelit.

Jo se unë bëj pjesë tek ata njerëz që nuk besojnë më tek vlerësimi i stërmerituar i shkrimtarit tonë të madh me këtë çmim, gjithësesi unik për nga rëndësia dhe fama gjithëplanetare që ngërthen në vetvete Nobeli.

Kurdoqoftë që të ndodhë, dashtë Zoti, kjo gjë, të gjithë ne, ata që e kemi dashur, admiruar, lexuar, kuptuar (ashtu, mes rreshtave, siç pati ditur kushdo shqiptar para rënies së regjimit në 1990-ën, të zbërthente dhe deshifronte mesazhet jo aq fort të koduara, që pena dhe mendja e Kadaresë, u dërgonte bashkëkombasve të tij të shtypur, teksa e denonconte dhe e shfaqte të zhveshur në tërë ligësinë e tij të pamëshirshme, sistemin monist dhe krerët e tij, duke ua mikluar byroistëve sadistë egon e sëmurë diktatoriale, me ndonjë shtresë lëvdatash të thata, të mbivendosura mjeshtërisht përmbi një shtrat të vërtetash therëse, të denja për disidencën më gjeniale dhe të fuqishme, sa edhe të pakapshme nga kthetrat e censurës së regjimit, që gjithë Europa Lindore komuniste, pati njohur nga 1945-a e këtej)... do të ndihemi sa të nderuar, aq edhe të ngazëllyer, duke e perceptuar faktin thelbësor, se përmes Kadaresë dhe veprës së tij jetësore, ngrihet papushim botërisht në piedestal, vetë Shqipëria dhe shqiptarët.

Por, edhe pa Nobelin, Kadareja mbetet Kadare, vepra e tij nuk humb asnjë grimë madhështie, dhe bota vijon dhe do të vazhdojë ta njohë, çmojë dhe vlerësojë përherë e më tepër gjeniun e letrave shqipe të dy shekujve të fundit.

Do të ishte vetë Nobeli si çmim, ai që do të fisnikërohej nëse do të vlerësonte Kadarenë, dhe jo anasjelltas!

Nuk është aspak rastësi, që në trekëndëshin Paris-Londër-Madrid, shkrimtarin tonë të madh, tashmë kanë ditur (dhe dashur...; se është edhe punë vullneti të pranishëm apo të munguar, gjeopolitik, dhe gjeostrategjik të jurisë së Nobelit, kjo çështja e dhënies së këtij çmimi) që ta vlerësojnë veprën e Kadaresë me Principe de Asturias, apo  Man Booker Prize; duke i çuar një mesazh të qartë sfide përçmuese jurisë së Nobelit në Skandinavinë e ftohtë.

Për neve ndërkohë, ka rëndësi fakti që Parisin, tanimë edhe falë skuadrës sonë përfaqësuese në futboll, edhe sportivisht e arritëm, pasi falë Kadaresë, kulturalisht, e patëm arritur prej vitesh!