| E diele, 18.10.2015, 06:57 PM |
PËLLUMB GORICA
NËNË TEREZA
Kur krahët rrahu vrullshëm jeta,
me zgrip ku endet sot kjo botë,
në mes mijëra e miliona zemra,
mirësi shpërndave nëpër lotë.
Mbi kryqe zish nise një shpresë,
fëmijët rrotull teje i mblodhe,
qarjet të mbeteshin në harresë,
dhe uria të mos i perëndonte.
Mes kohës ëngjëll ke qëndruar,
mbi dete vuajtjesh dhe marrëzi,
ku dita mbetet perëndimi i vagëlluar
e nata lutet në paqe për ty.
KOHË URREJTJE
Dëgjon lajme e kudo ngjyra,
se vdekja në prag qëndroi.
vrer po lëshon urrejtja,
me re tw zeza dielli perëndoi.
Jetojmë në një botë të re
apo në një planet pabesie?
AIDS, drogë, krime,
mashtrimet prolog çmendurie.
Çdo shpirt gatuar me mëkate,
dhe ditët staturë dhimbje
shkelin edhe mbi qënien tende,
helmuar gjer në inde.
Luftojmë me fjalë për pak jetë
shpesh herë me vrazhdësi
mundohemi t’i humbasim si netë
shkulur sy vështrimesh për lumturi.
DHIMBJE NËNE
E ka zemrën sterrë e plagë,
s’ka zhurmë e s’ka klithmë,
hapat hedh në udhë ngadalë,
tej, te varret në një brinjë.
Dhimbja vetëm lot pikon
për një bir që ja kanë vrarë
shpirtin i bren një erozion
dhe një mal gërryen ai mall.
Prek ngadalë atë pllakë të ftohtë,
me mall nëne puth në ballë,
numëron ditët sot,
qan e qan djalin e rrallë.