| E diele, 18.10.2015, 06:55 PM |
Poezi
nga Qazim Shehu
ÇAST
Kur u nisëm udhës së bashku,
E ardhmja erdhi pakuptuar,
Ne e dinim se i bukur ishte çasti,
Ai në të kaluarën pati fluturuar.
Dhe drejt së ardhmes mund të shkonte
S`kishte pse ndërronte kah,
Për të qenë i bukur tek lumturonte
Mbeti në të kaluarën e më la...
MJEGULLA
Si mjekër e një shkencëtari mbi gjumin e arratisur
Bie mjegulla.
Në arsyen e vjedhur prej marrëzisë,
Krejt e përhime.
E zbutur si një lëkurë bishe varur në gardhin e gjahtarit.
Ç`kërkon vallë të mbulojë me urtësinë e vet të ftohtë.
Mos këtë reliev të shëmtuar duke e fshehuar aq sa do?
Apo dufin e tokës kërkon ta platisë
Me që kush në këto thepa kurrë nuk shko.
Të gjitha zbulimet na i mbulon me përtesë
Dhe të fundit zbulim
Kërkon të na e tresë.
TANI
Unë, ti, dhe një lule
Përherë gjendemi në udhë.
Një buzëqeshje e rastësishme bëhet tokë
Për rrënjët e kësaj lulje.
Ç`mund të jetë kjo lule veçse dëshirë e pabindur
Që del nga trupi në një eksplozion të pandier.
I cili e vret një zemër të pafajshme
Tani në lule artificiale
Përvidhen hijet e tua të hajthme...
FLATRA TË TEPËRTA
Nga portë e harrimit dalin
Dëshira të ndezura,
Ato përherë na falin
Flatra të tepërta.
Në klithma të instiktit
Dridhet ide e mishit
Sikur përpara ke
Tmerrin e sfinksit.
Dhe s`e kuptoj asesi
Kush është më e bukur për lemeri,
Një vajzë myslimane me shami
Apo tjetra gjilakuriq që pranë më rri..
NATA
Ku rrinë zogjtë natën, pyesja dikur.
Shtëpia e tyre ndodhet diku?
Ndërsa natën e ëndërroja veç me hije
Aty ku thuret e keqja.
Për të ma besuar këtë ndjesi hapej legjenda.
Më vonë mësova se natën bëhen aq punë.
Amshohet,
tregtohet ,
përdhunohet,
mund ta them edhe se ëndërrohet,
gjithmonë natën.
I harrova zogjtë, mjegullat, hijet,
i harrova gjithë fantazmat që thurnin pëlhura nëpër drurë;
sepse, tani, gjithmonë natën, asgjë nuk deshifrohet nga fëmijëria,
veçse ca vargje që vijnë për kujtesë,
për të dalë nga nata e pabesë..
ZGJOJ
Të ikësh nga një ëndërr nuk ke nevojë.
Ëndrra ikën vetë në zgollat e saj,
Gjymtyrët e besimit hutohen si bletë
Kur s`gjejnë kosheren në maj.
Fijet e ëndrrës kërkojnë
T`i lidhin ,në mos,
Të duhet të ndërtojsh zgjoj
Ose ti hedhësh ëndrrat në kosh..
LETRA
Pasi u lodh duke hyrë e dalë
Nga zemra në zemër,
E magjishmja fjalë
Zuri vend në letër.
A s`na ndodh kur s`mund ta themi
Prej një zënke inkursive
Ta rrëmbejmë si varkë mademi
Në det të hidhemi pa mik e mike?
Dhe letra e di sa vuan
Duke e mbajtur në kurriz,
Dikush para nesh mbi të shkruan
Ndonëse ndrit prej bardhësisë.
UJI I HIREVE
Mos bëj mëkat të më dashurosh
Rri larg meje si statujë
Që lahet me ujin e hireve të tua.
Rri aty nën yjet e ndezur
Statujë e dehur.
Është më mirë kështu,
Kur ujë i hireve të kthehet në përrua
Laj aty mëkatet e tua...
TË PARËT E MI
E quaj këtë qytet timin
Ngaqë jetoj në të.
Brezat e të parëve në male panë diellin
Që i përcolli një nga një.
Ata mund të vinin para meje këtu
Po deshën lulen,gurin ajrin,natyrën
Në mjegullën e qytetit ku pendohet një flutur blu
Shtrembër ma shohin fytyrën...
RRËNJËT
E humba adresën tënde
Më duket banon në një pemë,
U bënë gjethe duart e tu
Hapat e tua u bënë rrënjë.
E ndjej veten pemë të zhveshur
Nga gjethet në stinën gri,
Nën hapat e mia dridhen rrënjët
Që u ngulën gjithë siguri.
Tani adresën ta kam humbur
Edhe pse si pemë të gjeta
Nuk kam fuqi për të shkundur
Edhe kur mundësinë na e afron vjeshta...
FRIKA
Një zbrazëti të tmerrshme në shpirt ndjej
Kur të shoh lule e stolisur.
Aroma jote më mbush në dej
Dhe dejet tkurrën në gjak mpiksur.
Në stolinë që dehet pakuptuar
Prej një vështrimi që shket ngadalë,
Kam frikë të këpus, të mbaj në duar,
Do më gjakosësh, pa më falë...