| E premte, 16.10.2015, 10:27 AM |
VARGU
POETIK THIRRJE PËR NDJESI LIRIKE
NGA MR. FATMIR HALIMI
Veprat poetike “ Falma këngën varg “ e Drita Kosumit – Syla na vjen fuqishëm para lexuesve, me një varg të përpunuar mirë artistikisht e letrarisht. Vargu poetik i autores Syla është një thirrje për ndjesi lirike. Ajo përmes këtyre poezive sjell motive të ndryshme të inspiruara nga jeta dhe përditshmëria jonë.
Libri është i strukturuar në tre cikle: cikli i parë – Dritë e lirisë është i përmbushur me poezi përkushtimesh, kryesisht për heronjët dhe dëshmorët tanë të luftës së fundit si ; Dritë e lirisë kushtuar dëshmorit S. Krelanit, Ushtarit, Vrasje yjesh, për dëshmorin Ilaz Kodra etj. Nuk mungojnë poezitë përkushtuese as për njerëzit e zemrës së saj siq është poezia Malli që i kushtohet babait të saj.
Në ciklin e dytë: Leri sytë të lirë dominojnë poezitë me motive nga dashuria e idilja, ku autorja para lexuesve shfaq një botë të brendshme shumë të pasur, plot ndjenja e emocione për të dashurin, por edhe për të dashurit e afërm të saj. Me një ndjesi të hollë lirike e idilike janë ndërtuar poezitë si: Më prit, Nën strehë etj.
Me po këtë motiv është edhe poezia Le të thone; që shpreh një shpërthim të fortë emocional
“Le të thonë, dhe qfarë të donë
Është e krisur e tmerruar
Sall mos të thonë
Ka trokitur ne port të gabuar.”
Po në këtë cikël bëjnë pjesë edhe poezitë Loti i mallit ( për nënën ), Blerim i blertë ( vendlindja ) etj. Ndërsa cikli i tretë: Loti rrin në sy është i mbushur me më pak poezi, të cilat si motiv kanë jetën e mërgimtarit, ku përveq tjerash janë edhe poezitë për Kosovën.
Poetja Syla për ndërtimin e vargut të saj përdorë gati të gjitha figurat dhe tropet stilistike si krahasimin, epitetin, parabolën, metaforën e të tjera.
Autorja përmes veprës Falma këngën varg na dëshmon se ka një pjekuri të vargëzimit poetik, dhe se na përshfaq një vetëdije të lartë artistike.