| E merkure, 14.10.2015, 06:48 PM |
NË
VEND TË HYRJES PËR LIBRIN
“BOLENA NË SPORTIN SHQIPTAR”
NGA SHPENDI TOPOLLAJ
Kur më është dashur të them dy fjalë rreth librit të mikut të mirë dhe punëtorit të palodhur Servet Tartari “Labëria në Kuvende”, kam shkruar me sinqeritet se teksa rrëmon në vlerat dhe virtytet e atyre figurave të shquara që fshati i tij i dashur Bolena ka nxjerrë, ai “sikur të sjell ndërmend atë thënien e bukur të Euripidit, poetit tragjik nga Salamina se “Profeti më i mirë është ai që profetizon të mirën.” Dhe kur lexoj librat e tjerë të tij si “Bolena në sportin shqiptar” volumi i parë dhe në vazhdim ky volum i dytë i tij, bindem se paskam pasur shumë të drejtë. Këtë cilësi të admirueshme prej atdhetari e kanë theksuar edhe të tjerë shkrimtarë, kur u është dashur të shprehin mendimet e tyre për të dhe veprën e tij.
Vetë Serveti asnjëherë nuk rreh gjoksin për talentin e tij të madh letrar. Por modestia e tij nuk mund të fshehë faktin e pakundërshtueshëm se ai tashmë është afirmuar si rrallëkush si një bir i asaj treve që kudo që ka shkuar e jetuar, kurrë nuk e ka nxjerrë nga mendja dhe nga zemra vendlindjen e tij.
Zakonisht, për sportistët dhe sportin shkruajnë ata që janë marrë me të. Se kujtimet mbi emocionet e garës, konkurrentët, rezultatet e arritura, brohoritjet inkurajuese të tifozerisë dhe miqësitë e vërteta mes tyre, me magjinë që kanë, nuk u ndahen tërë jetën. Madje edhe i mbajnë ata shpirtërisht të rinj e të freskët. Kurse te Serveti, në pamje të parë, as portreti i tij fizik dhe as mosha pak a shumë e thyer nuk të krijojnë përshtypjen se ai ka ndonjë lidhje të veçantë me sportet. Por lidhja e zemrës qenka mbi gjithçka. Ajo i kalon kufijtë e kënaqësisë estetike dhe të bën të ndihesh krenar për mundësitë e mëdha dhe caqet që kapin ata që origjinën e kanë nga ai vend nga i ke rrënjët edhe ti vetë.
Kur isha i vogël, kam dëgjuar për trimat e Bolenës, pasi jetonim në Tiranë në të njëjtën shtëpi me kolonel LuftarBolenën ( Mehmet Jahon). Në përfytyrimin tim, nga ai fshat kishin dalë vetëm trima të çartur kur ishte puna për lirinë e vatanit. Por, kur shkova në shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”, mësuesi im i nderuar i edukimit fizik, bolenasi Bejkush Birçe, vetë sportist dhe me kontribute të jashtëzakonshme, na tregonte se ky fshat ka nxjerrë mjaft figura të respektuara në fusha të ndryshme. Me kalimin e viteve, konstatova se prej tij e kishin origjinën sa e sa sportistë që bënë emër në Shqipëri. Veç duhet të pohoj se përshkrimi dhe sistemimi i biografive të tyre sportive nga ana e Servetit, jo vetëm ma qartësoi të realitetin e bukur e aspak rastësor të përfshirjes së një plejade të tërë djemsh e vajzash në sporte nga më të ndryshmit, por edhe më ndriçoi idenë se nga ky fshat nuk kishte vetëm luftëtarë të zot, por edhe intelektualë gjithfarësh e sidomos sportistë të përmasave kombëtare e ndërkombëtare.
Edhe një nxënës i zakonshëm shkolle e di se çfarë rëndësie merrte qysh në lashtësi një fitues i ndonjë gare sportive. Krahas emrave të mbretërve a heronjve të tjerë, qysh nga Lojrat e Nemeut, ato istmike, Pitike e Olimpike në Greqinë e Vjetër apo atyre shekullore në Romën e dikurshme, ata që fitonin një kurorë me gjethe lari, e kishin emrin të gdhendur në kujtesën popullore ose mbeteshin të pavdekshëm nga skulpturat që u kushtoheshin.
Ndaj e quaj një gjetje të bukur krahasimin që bën skënderbegasi - komentator Ahmet Shqarri, kur e quan punën e Servetit “piedestal të personaliteteve të shquara sportive.” Apo i mrekullueshmi profesori ynë Ismet Bellova që duke iu referuar po kësaj përpjekjeje të S. Tartarit shprehet se “Bolena dhe Labëria kanë fatin dhe nderin të kenë shumë figura të shquara bij të vet, që ta kenë nderuar dhe të kenë sjellë lavdi, kaq kënaqësi dhe kaq krenari.”
Dhe veç atyre emrave që rreshton në librin e parë, dhe që s`janë pak, por plot dyzetedy të tillë, ku autori na ka dhënë dhe anën e tyre njerëzore, si karakterin, vullnetin, ndershmërinë e burrërinë e bolenasve, te ky libri vazhdues, na shfaqen edhe nëntë të tjerë dhe që janë Romela Bega, Halim Bega, Ernest Gjoka, Ilir Tartari, Ermal Malaj, Fjorentin Birçe, Rezart Leskaj, Kristiana Hoxhaj dhe Niko Malaj. Ata janë të njohur në sporte të ndryshme si peshëngritje, boks, futboll, atletikë, karate etj. Portretet e tyre, Servet Tartari na i përshkruan me ngrohtësinë e thjeshtësisë së tyre, por dhe me ato fjalë që ata thonë vetë nëpër intervistat që i japin atij. Si për ta futur lexuesin në atmosferën e garës sportive, ai ka zgjedhur dhe disa momente emocionuese nga komentet autentike që u janë bërë ndeshjeve të ndryshme dhe nuk harron të japë edhe mendimet e trajnierëve dhe personaliteteve autoritarë për arritjet që ata kanë. Mjafton të evokojmë medaljet e arit të fituara nga e famshmja R. Bega, dhe mornicat e shpesh dhe lotët që na kanë dalë kur flamuri ynë kombëtar është ngritur në sytë e të gjithë botës.
Por Serveti nxjerr në pah edhe problemet me të cilat ballafaqohen sportet në ato ekipe ku janë përfshirë këta sportistë. Në kushtet e ekonomisë së tregut, ai tërheq vëmendjen e pushtetit vendor për më shumë kujdes ndaj ekipeve sportive dhe sidomos ndaj atyre që pretendojnë për vende nderi. Gjithashtu, ai vë në dukje se edhe sponsorët duhet të jenë më seriozë dhe më zemërgjerë me ta. Fundja sporti është ai që sjell edhe te sportdashësit, paqe, mirëkuptim e harmoni. Dhe kjo i kalon përmasat e një kënaqësie të çastit; kjo dashje pa dashje shndërrohet në diçka mjaft të vlefshme që quhet edukim, qytetari e kulturë për të cilat sot që ndodhemi në rrugën e evropianizimit, kemi nevojë më shumë se kurrë.
Duke përfunduar, do të kujtoja se edhe këtu kanë po atë rëndësi fjalët e gazetarit të njohur Besnik Dizdari për librin e parë se “Këta sportistë të Bolenës janë të Shqipërisë. Ky në fund të fundit është mesazhi kuptimplotë, që … ka dhënë me çiltërsi autori Servet Tartari i cili ndaj Bolenës së tij ka kryer një detyrim fisnik, atdhetar.” Veç do të shtoja se kam besim te energjitë dhe vendosmëria e Servet Tartarit se do vazhdojë të thellohet në reliktet e çmuara të Bolenë, pasi jo më kot një ditë më përmendi thënien e rabinit Tarfon: “Nga ty nuk kërkohet ta mbarosh punën e nisur, por të mos e braktisësh kurrë.”