| E marte, 13.10.2015, 07:55 PM |
POEZI NGA PËLLUMB
GORICA
NË TROKËLLIMËN E HAPAVE
Si gur i rëndë nga mali i lartë
U shkëpute një mbrëmje edhe ti
Me qeleshe të bardhë në një ndjajnatë
Dhe me xhamadan e tirq të zi.
Me bubullima shoqëruar nga prapa
E dorën në brez prej hijes zgjatur
Tingull çjerrë nga këmbana
Me mëndje të mpirë dhe të ndotur.
Në përkëdheljen e flladit të ujrave,
Toka të lexoi fatin e vërtetë,
Nën trokëllimën e rëndë të hapave
Me emrin tënd rendi koha e tretë.
VETMI ABSURDE
Shpagimi yt në botën e shpirtit
Rënkim i mbytur në harresë
Nga këmbana e indiferentizmit
Rrezik pa emër mund të mbesë.
Tretur në stomakun e ndërgjegjes
Me sytë që veç sy s’janë,
Me flet nga bota e injorancës,
Ku njerzit Sizifë ngjajnë.
Kruspull nga ulçera e marrëzisë.
Pa fat të të duket jeta,
Shtrëngon jastëkun e vetmisë
Dhe flet me silueta.
HIPOKRITI
Ah ç’paske qënë kaq i maskuar
Mendova se të njihja sadopak
Shokët doje t’i shikoje të trazuar
Të njënjtë në shpirtin tënd cullak.
Gjithë veset i ke me tepri
Se me to shpesh godet e cënon
Hipokrizinë thellë fshehur në gji
Tërë jetën mbete kameleon.
Shoqërinë e do ta bësh përshesh
Sa keq është për ata që shpifet
Një ditë qëllimet i nxjerr në shesh
Që je mjeran, kjo prej kohësh dihet.
Prej egos tënde deformohesh
Patjetër unë për ty ndjej dhimbje
Më kot kërkon të mashtrohesh
Portret i dalë me kombinime.
DETAJ TRISHTIMI
Sot të pashë tek ecje shfrenuar
si dikur mospërfillëse ndaj meje
dhe nata kridhej në sytë e mbuluar
heshtja drithërohej ndanë teje.
Pendimi e mori udhën e vjetër
e foli me gjuhën tënde tinëzisht
përtej heshtjes si askush tjetër,
kjo ndenjë u shkatrrua gabimisht.
Përsiatja e trishtë qan pafajsinë
dhe kthehet në një detaj dhimbje,
ajo pa fjalë psherëtinë,
në këngë plot trishtim e pritje.