Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Dea Halimi: Arka prej Abanozi

| E diele, 11.10.2015, 06:59 PM |


Arka prej Abanozi

Nga Dea Halimi

Dea, me t`u zgjuar nga  gjumi, iku ne kuzhinë, ku e ëma përgatiste kafjallin.

-Mami, dua një arkë nga abanozi, - foli ende e përgjumur. -Ti e ke një arkë, zemër, - i tha e ëma.

- Ajo nuk është nga druri i çmuar i abanozit.

- Nga e di ti se abanozi është dru i çmuar.

-Kam lexuar për drurin e abanozit. Ai është dru nga vendet e nxehta, dru i çmueshëm, i rëndë e i fortë, zakonisht me ngjyrë të zezë, i cili përdoret për orendi, për vegla muzikore e për punime artistike.

-Ka dhe abanoz të kuq, - e ndërpreu e ëma.

-Po, ka. Dhe unë dua pikërisht një arkë me ngjyrë të kuqe dhe me kapak të zi, - tha Dea.

-Mirë e dashur. Pasdite do të shkojmë në dyqanin e orendive dhe do të blejmë për ty një arkë prej abanozi.

Dea e lumtur, piu një gotë me qumësht e iku në dhomën e vet. Hapi librat dhe fletoret dhe u mor me detyrat me të cilat i kishte ngarkuar mësuesja.

Nuk vonoi dhe nga qyteti u kthye babai. Në dorë mbante arkën prej abanozi, me ngjyrë të kuqe dhe me kapak të zi. Dea doli nga dhoma e vet e buzëqeshur.

-Oh, babi, kaq mirë i lexon dëshirat e mia. Unë dhe mami pak më parë po bisedonim për një arkë të këtillë.

Babai ia afroi arkën prej abanozit dhe e mori në parzëm. Ajo e përqafoi me ngrohtësi.