| E premte, 09.10.2015, 04:27 PM |
Rushit Ramabaja -
Vjelësit e Mëkatit
Nga Remzi Limani
Çfarë të themi për poezinë “VJELËSIT E MËKATIT” të autorit Rushit Ramabaja - poezi e shpërblyer në “Takimet e Dom Mikelit 2015”. Të themi, mund të themi… por, a mund t`ia qëllojmë mrekullisë së saj poetike dhe t`ia krehim flokun e nusës dhe ringjalljes së saj? Në leximin e parë, padyshim vërehet mjeshtria e dëshmuar dhe aktiviteti i një mendjeje kreative në fushën e letërsisë së angazhua dhe të dëshmuar qëmoti, këtu dhe përtej… Kurse në kuadrin e poezisë, poashtu të pranuar dhe të miratuar nga njohësit e poezisë moderne, Rushit Ramabaja, si gjithnjë, nxjerrë nocione të reja fjalësh dhe emrash të veçuar, që përkrah gjithë asaj që lexojmë nga ky njeri veçan i vlerave letrare - udhës së shkronjave të trasuar nga letrari në fjalë, mund të mësojmë edhe shumëçka që nuk e kemi takuar më parë në letrat shqipe, jo vetëm në fushën e poezisë. por, në krijimtarinë e gjthmbarshme të krijuesit tonë respektiv, ku hynë: romani, drama, esesistika, kritika letrare dhe ajo e dramës shqiptare, deri tek opinioni i të tjerëve për formatin e tij intelektual prej shkrimtari të dëshmuar. Tani, të kthehemi pak tek poezia e shpërblyer dhe të themi pak fjalë për “VJELËSIT E MËKATIT”. Pra, në shtrojen dhe mbulojen poetike,në vjershërimin e Rushitit, shtrihet e njohura dhe e panjohura si nocione të bashkërenditura në një mur të bashkjetesës shqiptare dhe kapërcimit të territ mbi gurë dhe harqe të rrënuara nga qoftlargu, i cili, në vazhdimësi kërkon flijimin e gjakut dhe dhembjes sonë nëpër kohë dhe hapësira mbi Ilirikum…! Për këtë, poeti na thotë” / Gurët bëjnë mur, Sibilë, jo zemrat kurrë/Sa harqe i duhen urës deri te pemë e fatit/Sa këngë, sa pikëllime deri te ajo sisë mitike/E deri te ngujimi në Mollën e Mëkatit/. Në këtë shtrirje kohore, e cila sikur ka zënë n`thua edhe më të sotmën e harqeve të shkëputura nga horzontalja e trarit mbajtës, poeti lëshon thirrmën e kushtrimit, për të mos e marrë vulën e mëkatarëve, e cila na është stampuar në trupat e pafajshëm të kohës dhe nëpët kohë…! Mëtej, në kuadër të poezisë shton poeti: / Kaherë në mua rron Paridi shkapërdar/Që për një mëkat gruaje i dha mortin Trojës/Veç unë pastaj do t’i vë brerore Shqipërisë/
Dritën tënde në të Dielën e Ringjalljes/ Pra, poeti Ramabaja dhe metafora e tij poetike, len të kuptojmë për një të kaluar, e cila, gati se e rikthen të veshur së mbrapshti petkun e njejtë, i cili nxjerrë në pah bishtin e syrit të keq. Prandaj, poeti nëpërmjet stilistikës poetike e ripërsërit gjakimin e tij: “Veç unë pastaj do t’i vë brerore Shqipërisë”.
Poezi e shpërblyer në “Takimet e Dom Mikelit 2015”
Rushit Ramabaja
VJELËSIT E MËKATIT
Gurët bëjnë mur, Sibilë, jo zemrat kurrë
Sa harqe i duhen urës deri te pemë e fatit
Sa këngë, sa pikëllime deri te ajo sisë mitike
E deri te ngujimi në Mollën e Mëkatit
Rashë copë për atë bukuri mbretërore
Që e fshehe në atë verë të mistershme flijimi
Ndoshta do të ngrehësh kangjelen në gjysmështizë
Kur të kem vdekur në atë prushimë pëqiri
Kaherë në mua rron Paridi shkapërdar
Që për një mëkat gruaje i dha mortin Trojës
Veç unë pastaj do t’i vë brerore Shqipërisë
Dritën tënde në të Dielën e Ringjalljes
Kur të jemi takuar në atë të kremte zjarri
E kur të kemi pirë të çmendurat kupa të gjakut
Do të shpëlahemi sakaq në shirat virgjërorë
E do të shpallemi vjelës të bukurisë së mëkatit