| E enjte, 08.10.2015, 04:54 PM |
Neki Lulaj
PRITA MIKUN
Si për çudi
Një mik i shtrenjtë ma dërgoi lajmtarin
Ma le portën hapur
se do vinte dikur natën vonë.
Ishte ftohtë
ah si frynte atë dimër njaj murlan
Mbtea duke e pritur
me fanarin ndezur në dhomë
Duke futur dru
bungu ndizej në prushnajën tonë
Se doja ta gjente
sofrën e mbushur dhe dhomën e ngrohtë
Isha i uritur
të beja bisedë me dikend në këtë të ftohtë
Se pas mesnatës
rritej streha e stapit e akullit deri në tokë.
Prita gjatë e gjatë
prita gjer sa u zhyta në thellësi
Gjatë natës tymi i cigares
i bëri njëmijë rrotullime në atë dhomë
Shtrëngata
i përplasi dyert e vjetra në shkundullimë
Ah, miku
më humbi me errësirën e natës që sterron
Mbeti
vetëm fjala e lajmëtarit atë natë të ftohtë të gjatë
Oh,
Nuk u pamë me sy e as nuk bëmë fjalë asnjë çikë
Kur zbardhi drita
urinë time e kuptova se ish udhë pa udhëtarë
Ishte
dashuria ime për të pasur në sofër miq
Krejt vonë e kuptova
Se ky ishte vegimi i shpirtin tim
Mikun
që e prita kurrë më nuk e takova……
E vegimet e mia
për miq i dua si bukën e sofrës
Gjithmonë
miqtë e mirë i kërkova
PIKË NE ZEMËR
Ndarja shpupurish prushin e zemrave që prushojnë
E muret e shpirtit lahen me ujin kristal të hënës
Pikë në zemër më mbeti, u ligshtuam fort
Atë ditë gushti ndarja kishte marrë shtegun e ëndrrës
Mbi gurra jete prej guri nga ndarja loti ia kaloi detit
Ditët e numëruara vrapuan si era,si një kalë i pashaluar
Bashkë i grrithëm pak këto vite të ikura të kurbetit
Na sëmboi në zemër kjo temë e imponuar
U kthyem te adoleshenca e zbritëm nëpër zgafella shpirti
Nxorrëm nga kujtesa fëmijërore ditët në prehërin e etërve
Nga ajo ditë, ah, në gjokse ndryshe zemra shkrofëtiti
Pse dasmat i bëmë në dhe të huaj larg trurit, larg bjeshkëve?
Edhe zhgunat e mallit, edhe vuajtjet i patëm atje nën qiellin gri
Dhashtë Zoti vdekja (jetë) në arkëmort të na vijë këtu
Në tokën e prindërve tanë që i bekuan perenditë
në këto shtigje ku bukës një ditë i thamë bukë
Heeeej si e merrja dikur këtë metaforë kurbeti tërë plagë
Kur shihja atë ndarje të kurbetçinjve nga pragu i odës
Sytë u mrrolën si mjegulla mbi Dugaxhin, mbi Rozafë
E mbi Bunë pa shtrëngatë bjen një shi i madh lotësh
E Nana shtatë ditë në sofër pjata e lugë i len aty të ngatë
Pikë në zemër më mbeti, si gur që e mban një zemër e fortë…….
Thaj lotët si gurrë e pashterrur mbi tullat e faqeve rrëkajë
o vëllau im i vogël, banor i ri në tokën e largët të pagojë.
M’u bënë shumë figura xixillonja në sytë e ngrohtë
Ndjenja mashtron arsyejen, kur ndarja dhembje ka
Mbi fytyrat e ndarjes kishte ra një tisk i hollë.
Unë plaku i thinjur isha bërë dimër me borë në Sharr.
E ti ishe bërë sugari, kuqëlor trëndafil i pari
I shtrënguam fort duar dhe zemra në kraharor
hej po pika e zemtës do na ndrijë si pishtari
Ani pse ti ike në Amerikë e unë në Europë.
XHANI I GJYSHIT
Ti je zile shkollë abetareje me 36 shkronja të ndriçuara
Që trokun e zemrës sime e ke shaluar pa kthim
Si gan si dafinë, si sy dielli në qiellin e praruar
Të shpleks fytyra si buza e hënës me trishtim.
Ti emrin nga Baba në gjysh ma ke dhënë mua vit pas viti
Je botë engjëllore, me ty jetoj qindra çaste hyjnore
Edhe kur me kaplon malli për atdhemirin
Dhe loti kur më rrjedh si krua nëpër faqe në mote
Ti më shtrëngon me duart e tua të vockëla
Je harmoni shpirti, o nipçja ime e mbarë
Me ty nuk më shpërblen as ari që ka bota
Me ty harroj mallin e gurrës e aromën e bukës pogaqe
Harroj orën e babës që e mbante te shtrati, te ara
Harroj edhe fanarin që rrinte varur te grazhdi ku vritej nata
Harroj edhe higëllimën e kuajve të lama
Harroi çka more
nuk harroj se di vetëm xhëxheza dhe përralla
Se ty të kam te zemra, ti më je vig lumi në kalim
Ti qe ecën i sigurtë mbi vaun e shpirtit tim
Je engjëlli që i lëshon dritëhije shpirtit tim
I bukuri i gjyshit je xhani im…
VAJZËS SIME NË MEKSIKË
Udhët meksikane të presin me tinguj kitarash si simfoni
Do të vijë lahuta e gjyshit që jehon mes arave
Do të të shfaqet lesa e drunjtë e kullës se gurit në Bërliq
Në zërat e shesheve do të vijë ehoja e druvarëve
Me këngë drejt pyllit në cingërimën e celularit
Do të vijë zërin im me lotin e ngrohtë mbështjellë
Aty , në udhë qiellore do të të kapë një lak malli
Aty ku një copë Kosove do të vijë dhe në natën e terrtë
Gjitë kitarat e brigjeve të të ulen në gjunjë
Një kapele kashte do të të vihet bukur në flokë
Motërmira Albianë do të të vijë dhe në gjumë
Plisi i bardhë si ylber syrin do të ta gëzojë.
Do të të vijnë mollëgjylet e Bërliqit atje larg.
Si mollët e dasmave, si mollët e gjyshes në sepet
Babagjysh Halili do vijë me një fyell të lashtë
Gjyshe Ajna do të sjellë një bukëmisri valë të nxehtë
Nënë Fetanetja ta ka ruajtur një ftua një shami me ngjyra
Lumëbardhi do ta hedhë vetëm për ty një palë ujëvare
Në vise të largëta kurrë të të mos ligshtohet fytyra
Kurrë të të mos shuhet kujtimi për gurët në varre.
Atje do të vij dhe unë me vargun e brishtë e të ngrohtë
ngrohur mbi një zjarr që dhe lotin e burrit ma fsheh
Ariani dhe Aurela le të marrin fjalë urimi si kurorë
Të jenë flamurtarë të një ëndrre që i jep gaz dhe jetë
Do të vijnë vëllezrit Adriatiku dhe Armendi
Me një frushkull buzagazi dhe një buqet trëndafillashl
Do të vijnë,…….d……të….v…..d…