| E shtune, 03.10.2015, 07:33 PM |
Ditar fronti apo front
ditari
(Ibrahim Abedini, Brengat e liqenit, Amanda Edit, Bukuresht 2015)
Nga Daniel Marian
Kalojnë gjëra të një peshe të madhe „Në zemrën e gurit”, atje ku, që nga përpëlitjet e para të çastit poetik në një „Kështjellë të heshtur”, kuptojmë imazhin e tmerrit që ka mbetur si gjurmë nga kthetrat e një përmbytjeje që lëndon trupin dhe shpirtin e njeriut e të atdheut të tij. Mu pas kësaj, pason leksiku ideatik i një shpartallimi të këtillë me tmerrimin e ndjenjave deri në rrënjët e tyre...
Fati i çrrënjosur nën qiell të hapur, i mbuluar me pëlhurën e kohës, në rrudhat e ballit të nënës plakë, hartë e vizatuar, mure të shembura e të harruara. Klithje qenjsh në terrin e natës, nën kthetrat e skllavëruara, shpirtin e mbajnë gjallë. Me ujin e shiut, pas gjurmave të vjetra të kuajve, dëgjohet hingëllima nëntokësore. Bjeshkët a larta, hyjnore, të çveshura nga zëri i këngës së bardhë. Të zhurritur si malli i nënave për fëmijë, të cilat zjarri i ka kapluar. Vend shqiponjash trime, plot e përplot me çerdhe të shembura...
Tejet i vendosur, do të thoja, aq sa ka mundësi relevante, mu kjo është vallja nismëtare e pavdekësisë së përjetimeve mbi tehun e thikës, deri në definitivimin e sublimes që nuk mund të thotë tjetër, veçse dashuri e ngritur në rang ligji të zakonshëm, atje ku pa u harruar ngjyrat paraprake të përshtatshme, ndikojnë që të duket i këtillë qylimi i yjeve...
Era e ngrohtë e detit t’i fshin lotët e hijeshisë. Era e lehtë e maleve t’i kreh kaçurrelat e flokëve, dhe vjen e dashura Janinë me flokë të thinjura. Hija e rëndë e shpatës së Aliut djeg në zjarrin e nëntokës. Pyjet shohin me një sy në hartën e hollë, fushën e bukur të Konicës, atje ku më rri koka e përkulur, porsi çuni i nënës mjerkë, porsi fustani i grisur. Bjeshkët me veshë të shurdhër, vargje malesh... Çamëri moj zemra e topitur, po pret të hyjë në valle.
Fabuloz apo alegorik më shumë seç mund të sjellë penda, ajo flatërzohet dhe merr rrugën drejt fluturimit, me gërshetime drejt një caku që duhej të ngjajë. Janë faktet konkrete lirike të prura nga Ibrahim Abedini, një ëndërrimtar i frymëzuar që e shtjellon diskursin lirik në një drejtim unik që i bën nderë lirikës bashkëkohore shqiptare.
Poeti nxjerr në pah një turmë të pathënash nga të tjerët, se si mund të jetë kalimtari indiferent përmes zemrës së papajtuar me identitetin suprem që ka arritur në një moment të caktuar prej ku duhej të ndodhë ajo që po ndodh....
Dhe, logjikisht, drejt një evidence „deri në liri”, atje ku mund të përcaktohet rruga e vizatuar në anën e errët të historisë, duke përshkruar tmerret e saja të tërbuara, të komplementuara në nivelin e gllabërimit... E gjatë rruga e dhembjes për popullin tim. Fati ka trishtuar edhe fëmijët e palindur në amzën e mamasë, në kohën kur karvani i përdhunuar shkel mbi kufoma njerëzish. Vetëm ylli i parë i mëngjesit ua ka ndriçuar rrugën drejt Perëndimit. Për çudi të skllavërimit të saj, kanë zgjedhur ritmin e lirisë në këtë fillim shekulli.
Është një nga poemat e publikuara
për herë të parë gjatë mjergullave të vitit 2000, kur lufta bënte pjesë nga
përditshmëria e trazuar shqiptare, një populll trim që duhej të dëshmojë dritën
e krenarisë drejt përmbushjes së idealeve më të shenjta ndaj një bote që
respekton vetëveten në rradhë të parë përmes njerëzve të saj.
Në një mënyrë të lumtur, e arritur kur atje ishte një periudhë e ngatërruar, poeti shkruan thuajse është i ankoruar në një spektër dëshirash të pakufishme, prej nga nuk ekziston ndonjë pikënisje ikjeje veçse në një botë tjetër... Hyre si mjeku në brendinë e plagëve. Rrugëve dhe bulevardeve të gjata, me kokën e përkulur. Zbulova lotët e derdhur liqenit të qetë. Dhe e shpërlava fytyrën me dhimbjet e mëngjesit. Ta ndjeva ngazëllimin e fshehur në buzë, që nga dritaret në sheshin e Ali Pashës. Nën dritën e hënës së zbehtë shkela gurëve, me gjuhën e zërit të fola moj e panjohur! Me sytë ne të dashurës dashurinë ta krahasova kur dole si drita e diellit nga bjeshkët e bekuara që ranë mbi liqe. Tërë ditën u ula poshtë me këmbët e kryqëzuara, përshëndetjen e morra me vete së bashku me qetësinë. Kështu shprehet me fjalë identike poeti në poezinë „Të pashë në Janinë”.
Madje kështu është, pyesja vetëveten nëse ky poet i veçantë që sjell me vete „Brengat e liqenit”, për të qenë të përjetshme, vallë ka ndonjë çast ku gjen prehje....? Duket se nuk ka. Ja se si, tejmatanë përpjekjeve absolute të do kohërave të përflakura, me gjëma e me vdekje, Ibrahim Abedini nuk e braktis regjistrin e frymëzimeve dhe pendën e ditarit që hulumton shtjellat e tymit të bardhë e të zezë, që del nga gryka e oxhaqeve. Dhe jeta vazhdon të ripërtërihet, me ngjyrat e ylberit të pranverës. Ikte jeta pas fijes së hollë të litarit. Dhe përmes ngushticave të maleve, përmes fërshëllimave të plumbave, trokëllimat e çizmeve ua kanë gulçuar qiellin, mes gërmadhave të shtëpive të mbetura, dhe ëndrrës së jetës, e çveshur në dimër, vazhdon të ngjitet me tymin e cigares. (Imazh pas lufte).
Një poet i lindur për një realitet të paskajshëm që përpëlitet mes tragjizmit dhe pasojave të tij, të një tërbimi të egër që kanë kurdisur të tjerët kundër etnisë shqiptare, një etni tashmë e njohur në përmasa planetare.
BOX
Ibrahim Abedini. Poet dhe prozator. U lind më 26 shkurt në katundin Zagraçan, rrethi i Strugës. Në katundin e lindjes e filloi ciklin e ulët të tetëvjeçares, dhe e përfundoi në Fidanishtë, një vend ndërmjet katundit Ladorishtë dhe katundit Shum. Gjimnazin e mbaroi në qytetin e Strugës. Më 1981 u diplomua në Universitetin e Shkupit, pranë katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Nga regjimi i egër i asaj periudhe për shumë kohë iu mohua e drejta për të ushtruar profesonin. Shkolla fillore ”Hasan Prishtina” në Prishtinë, i hapi dyertë për profesorin që deshi të punojë me nxënës. Për të mbajtur veten dhe familjen në Strugë, u detyrua të merret edhe me punë të rënda fizike. Interesimin për letërsi nuk e humbi asnjëherë. Nga represioni i vazhdueshëm i organeve të brendëshme policore sllavomaqedone, definitivishtë më 1990 u largua nga vendlindja dhe u vendos në Landvetter të Suedisë. Në Mönlycke, në komunën e Herryda-s, punoi një kohë të shkurtër si arsimtar i gjuhës shqipe me fëmijtë e bashkatëdhetarëve. Punoi një vit si asistent në shkollën ”Högadal skolan” në Mölnlycke me fëmijë suedezë. Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të qytetit të Strugës është që nga viti 1999. Në vitin 2009 u pranua në Lidhjen e Shkrimtarëve ”Författarcentrum väst” (Qendra e Shkrimtarëve-Perëndim) në Göteborg të Suedisë. Në vitin 2012 u pranua anëtar i SHSHAKSHS-së (Shoqata e Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë të Suedisë). Me poezi filloi të merret që në bangat e shkollës së mesme. Por vetëm më 1998 botoi përherë të parë: ”Mos vono, moj valle” - Poezi; ”Dëgjoni zërin tim” - Poezi -1999; ”Luli guximtar”-Novelë për fëmijë - 2000; ”Brengat e liqenit - Poezi - 2002 (përkthyer në përzgjedhje në gjuhën Suedeze me titullin: ”Sjöns smärta”. Po në të njejtin vit, u përkthye edhe nga Ullmar Qvick. ”Arifi deshte të fluturonte” - tregim për fëmijë - 2005; ”Harro se ç´kemi biseduar” - Tregime për të rritur – 2009; “Çdo gjë i përket jetës” - Poezi – 2012; ”Durerile lacului / Brengat e liqenit” (përkthyer në gjuhën rumune), Bukuresht 2015.