Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Skënder Hoxha: Libër me gjenealogji fisesh

| E shtune, 03.10.2015, 07:29 PM |


(Vështrim)

LIBËR ME GJENEALOGJI FISESH E VËLLAZËRISH

NGA PROF. MR. SKËNDER R. HOXHA

Autori i ditarit të luftës me titull “O sot o kurrë”, botuar kohë më parë, Osman Shala, këto ditë doli para lexuesve me librin e tij të dytë “Gjenealogji e Drelajve dhe dreljanëve (Rugova e moçme)”. Libri ka 159 faqe dhe e botoi Art poetika, Pejë, 2015.

Vetë titulli i librit na intrigon se brenda tij kemi të bëjë me gjenealogji të një lokaliteti dhe banorëve të atjeshëm, në krahinën bjeshkore të Rugovës, e në anë tjetër na bën kureshtarë ngase librat me tematika të tilla, tek ne, janë të rralla.

Është lehtë ta themi që në fillim se libri “Gjenealogji e Drelajve dhe dreljanëve” i Osman Shalës, për t’u sajuar, ka kërkuar mund, kohë, dije hulumtuese, përkushtim e profesionalizëm, të cilat autori i ka bërë bashkë dhe bashkëvendësve të vet dhe të gjithë lexuesve ua solli këtë vepër me vlera e me interes për historinë e fshatit Drelaj të Rugovës dhe banorëve të tij, përkatësisht, fiseve (siç i quan autori) Lajç e Shalë.

Kësaj historie të fshatit Drelaj dhe dreljanëve, Osmani iu ka qasur ashtu si e kërkon metodologjia e punës hulumtuese e shkencore, duke ndriçuar rrënjë sa më të moçme që ka qenë e mundur.

Në fillim autori paraqet disa të dhëna rrëth shtrirjes gjeografike, të një rrugëtimi historik të trevës së Rugovës, fisin e Kelmendit të Mbishkodrës si amë e Këlmendit të këtyre trojeve, si dhe autoktoninë e malësorëve rugovasë. Ndërkaq, për fshatin Drelaj, autori thotë se emri i ka mbetur sipas emrit të Ndreut (Drelës), njërit nga katër vëllezërit të ardhur këtu nga Malësia e Madhe dhe se llogaritet si fshati më i moçëm në Rugovë, ndaj edhe herët e vonë i kanë thënë “Rugova e Moçme”.

Për të vënë argumente sa më të qëndrueshme autori Shala paraqet disa skema gjenealogjike, që nga kohët më të vjetra, edhe para Drelës, e deri në ditët e sotme. Po ashtu, mbi bazë të disa mikrotoponimeve me emra të krishterë, ai, me të drejtë, shpreh dyshimin se ata kanë qenë edhe para ardhjes së Ndre Nikë Dedës.

Skemat gjenealogjike në këtë libër fillojnë nga trungu gjenealogjik i djemve të Nikë Dedës, dhe vëllazëria prej Drelë Nikë Dedës, e për të vazhduar me Trungu gjenealogjik i vëllazërisë së Haçkajve, i vëllazërisë së Shabit, i vëllazërisë së Tahiraliajve, i vëllazërisë së Dërvishajve, i vëllazërisë së Tahirabazajve e Zekbrahimajve, …, e deri te vëllazëria e Lajçit në Husaj, të Demë e Tahir Husit.

Toponimet dhe mikrotoponimet e fshatit Drelaj qëqë autori i ka vjelë dhe prezentuar në libër, janë si një përmendore dhe dëshmi e fortë për historinë e këtij vendbanimi. Ndërsa ardhja e të parit të shaljanëve në Drelaj dhe mirëpritja nga fisi Lajç që ishin më herët aty, është dhënë në mënyrë të detajuar  duke u shfrytëzuar e gjithë ajo që është ruajtur në kujtesë të banorëve të këtushëm dhe që është përcjell nga brezi në brez.

Autori me përkushtim përpiqet të sqarojë lidhjet në mes të vëllazërive Lajç e Shalë të fshatit Drelaj. Në këtë rrafsh, nënvizon se “Banorët e fshatit Drelaj janë: dy fisesh, prej gjashtë barqesh me 28 vëllazëri… Fisi i Lajçit janë të Drelë Nikës, kurse i Shalës janë të Brahim Prelës.” (f. 26.) Gjithashtu, janë përfshirë edhe lëvizjet e popullatës dreljane, duke ua përmendur vendbanimet ku jetojnë, mbiemrat (patronimet) që mbajnë, etj.

Duke iu referuar, kryesisht, asaj që është ruajtur në traditë, për prejardhjen e fisit Shalë, Osman Shala sqaron se pjesëtarët e këtij fisi kanë ruajtur karakteristikat e malësorëve të Malësisë së Mbishkodrës, të fisit nga kanë ardhur, së pari nga Vukli e pastaj nga Shala. Dhe, saktësisht thotë se “I pari ynë që u vendos në fshatin Drelaj ishte Prelë Nika, me mbiemrin Shalë, i ardhur nga Malësia e Mbishkodrës.”, (f. 57.). Libri sjell edhe të dhëna interesante rreth organizimit të jetës së këtyre dy fiseve në Drelaj në nënkapitujt: Si u morën vesh Lajç e Shalë, Nga erdhi Shala në Rugovë, Pasardhësit e Brahim Prelës, etj.

Edhe Trungu gjenealogjik i vëllazërisë së Shalës, me ato të vëllazërive: Imerselimaj, Hafizimeraj, Tahirimeraj dhe Osmanimeraj, Halitaliaj, Arifimeraj, e disa të tjera, që fillon me katër burra të kësaj vëllazërie, paraqet një kapitull të rëndësishëm të këtij libri.

Ky historik i fshatit Drelaj të Rugovës, banorët e parë të tij Lajç e pastaj edhe Shalë, gjenealogjitë e shumë vëllazërive të këtyre dy fiseve, portrete burrash të këtij fshati dhe të tjerëve nga treva e Rugovës, bëmat e tyre nëpër kohë të vështira, rujatja e gjuhës dhe traditës shqiptare, librit të Osman Shalës “Gjenealogji e Drelajve dhe dreljanëve”, i jepin  librit vlera historike, etnologjike, dokumentare, etnokulturore, e monografike. Fotografitë e shumta dhe domethënëse që ka lëshuar autori, janë në funksion të përmbajtjes dhe e begatojnë librin.