| E shtune, 03.10.2015, 07:28 PM |
POEZI NGA AGIM
BAJRAMI
NJERËZ TË LIGJ
(Disa njerëzve hije)
Më lini të qetë, më lini të qetë
Ju njerëz hije, të paemër,
Gjithçka e juaj sytë m’i vret
Dhe një Golgotë më ngre në zemër.
Më lini të qetë, më lini të qetë
Ju vështrim zbehtë, si mure kishe,
Ju që me fjalë mbysni një det
Dhe djallin vetë mbyllni në shishe.
Më lini të qetë, më lini të qetë
Mjaft kam në gjoks kaq llohë dëbore,
Unë miqtë e mi i kam të shenjtë
Dhe dashuroj, veç një shenjtore.
Më lini të qetë, më lini të qetë
(Ne jemi larg me vite drite,)
Në vargun tim ndrin një kometë
Tek ju një hënë hermafrodite.
Më lini të qetë, më lini të qetë
Asnjë këshillë nga ju nuk dua,
Unë vëlla me qiellin jam në jetë
(S’e shihni vallë sa më ngjan mua?)
Më lini të qetë, më lini të qetë
Me mëkatarë ditën s'e ndaj,
Këtë botë me daltë e gdhenda vetë
Pak ndihmë për këtë, më dha babai.
Më lini të qetë, më lini të qetë
Se unë s’kam gen prej Don Kishoti,
S'kam ardhur nga ju në këtë jetë
Por me urdhëresë, e vulë nga Zoti.
Më lini të qetë, më lini të qetë
Ju ujq, me dhëmbë gjysmë të rëna,
Ta puth lirinë siç dua vetë
(Dy buzë për këtë, m’i ka bërë nëna).
Më lini të qetë, më lini të qetë
Ju verdhacuqë prej zërash vaji,
Përndryshe do t' thërras rrufetë
Dhe s'dihet më, se ç'mund t’ju ngjajë?
IMPRESIONE STRUGE
Kur jam këtu, më çel fytyra
Ndaj vij e shkoj, e vij sërish
Se s’janë veç ujërat si pasqyra
Por një banket prej mrekullish.
Nuk janë veç peshqit me miliarda
Kur pas më vijnë me ledhatime
Është vallja e valëve të kaltra
Që i gëzohen ardhjes sime.
Kjo tufë prej rosash varkëtare
Që grisin heshtjen me “kuak”
Narcistët unë s’i dua fare
Por këtu, kam qejf të bëhem pak.
Kur jam këtu, më zbutet zemra
Prej uji vetveten bëj me duar
Në rrugë nuk dal të shikoj femra
Por blirë me sy të dashuruar.
Dhe mbrapa tyre në çdo cep
Do ndesh ca vajza si Demetër
Im bir që kurrë shpjegime s’jep
Me një të tillë puthet patjetër.
Mes gjolit bredh gjer natën vonë
Mbi një varkë ëndrrash i shtyj netët
Këtu trupi, gjumin s’e pranon
Ndalohet gjumi për poetët.
Kur jam këtu, mbetem pa fjalë
Me mendje vij, pa mendje shkoj
Ky breg, këto yje, këto valë
Jam rob me fat, nuk e mohoj.
STRUGË, shtator 2015
ELEGJI PA LAMTUMIRË
(Kushtuar poetit të madh disident çam, Bilal Xhaferri)
Ullinjtë prej kokrrash janë rënduar
Po prap seç kanë një pikëllim,
Askush s'është gjallë ,t’i mbledhë me duar
Poeti im, vëllai im.
Asgjë s'lëviz, veçse ulkonjat
Që diellin shajnë me ulërimë,
Janë vrarë ylberet dhe shqiponjat
Poeti im, vëllai im.
Ti na shikon përtej një reje
Si lot që bie në rrokullim,
Kalorës prej drite dhe rrufeje
Poeti im, vëllai im.
Mbi sup të ngrin një lamtumirë
Mbi shpinë një mal me pikëllim,
Lirisht e kuqe, prap është nxirë
Poeti im, vëllai im.
Gjithçka të ngjan si atëherë
Kur Çamërinë e lamë nën tym,
Me përshëndetje pa ylberë
Poeti im, vëllai im.
Shqipërinë ti zgjodhe këngën tënde
Çamërinë një hymn me psherëtimë,
Me dy Atdhe në shpirt e mendje
Poeti im, vëllai im.
Çapitej koha këmbëzvarrë
Mbi tela gjëmbash dhe rrethim,
Andej në flakë, këndej në zjarr
Poeti im, vëllai im.
Demoni klithte i xhindosur
Me gaz dege, kërcënim,
Në darkë i lirë, ditën prangosur
Poeti im, vëllai im.
Por burrërisë, s’i shkojnë lotët
(Një burrë prej lotësh është mallkim),
Atdheun s’e bëjnë kurrë Don Kishotët
Poeti im, vëllai im.
Prandaj heronjtë ngjallje nga dheu
Me varg na dhe pak ngushëllim,
Berati ra, por jo atdheu
Poeti im, vëllai im.
Çdo çast na flet pa lamtumirë
S’ka gjë se plumbat s'ndërrojnë drejtim,
Ullinjtë janë plakur, prerë dhe nxirë
Na presin ne, të shkojmë nxitim
Poeti ynë, heroi im.
Shënim : "Lirishta e kuqe" dhe "Berati ra", janë dy nga veprat
më të rëndësishme të Bilal Xhaferrit.
Durrës, 5. 9. 2015
DUHET NJË KRISHT
Ne bëjmë çdo orë ndaj vetes faje
Si farisejtë ndaj zotit Krisht,
Kërkojmë ndjesë, por s'lypim falje
"Dëshpërimisht, dëshpërimisht."
Dhe njëri-tjetrin çdo ditë hamë
Ia presim bishtin, në ka bisht,
Kur s’kemi thikë përdorim kamë
"Heroikisht, heroikisht."
Çdo çast ne thithim erë fekale
Na bredhin minjtë nën shtrat lirisht,
Se bëjmë pallate, por s'bëjmë hale
"Qytetarisht, qytetarisht."
Çdo javë ne ndërrojmë dyzetë kollare
Azil kërkojmë familjarisht,
Atdheun shajmë dhe s'pyesim fare
"Triumfalisht, triumfalisht."
Me xhepat bosh por me X-pesa
Dhe smogun përmbi tru dy-gisht,
E shtypim gjyshen me gjithë mbesa
"Shumë njerëzisht, shumë njerëzisht."
Se jemi trima dhe bohemë
I rrisim mjekrat arabisht,
Hashashin kemi bërë emblemë
"Shqiptarisht, shqiptarisht."
Në udhëkryq dhe zgrip gjithmonë
Pak diell kërkojmë me sy të trishtë,
Rrëzojmë një djall, ngrejmë një demon
"Partishmërisht, partishmërisht."
E mbajmë veten për të zgjuar
Po kthesat presim gabimisht,
Çdo vit në gropë na gjen rrëzuar
Fatkeqësisht, fatkeqësisht.
Ne bëjmë çdo çast, faje gjithfarë
Dhe mend s'vëmë kurrë, sigurisht,
Pa sens, pa busull, pa kandar:
Duhet një Krisht, duhet një Krisht!
GRUA QË GATUAN MAKARONA
Grua që gatuan makarona
Dhe me bukuri tundon dhe xhindet
Që qëndron pa gjumë në orët e vona
Mbi një metaforë që nuk të bindet.
Prapë në këmbë të zuri ky mëngjez
Një pikë djersë të shfaqet si rubin
Me një dorë shtron pjatat në tryezë
Dhe me dorën tjetër poezinë.
Po të thinjen flokët ditë për ditë
Mbi qerpikë ka ngrirë një qiell gri
Burri që t’i thithi mrekullitë
Tashmë të vështron me qesëndi.
T’i atij i fale gjithçka kishe
Puthje, dritë dhe djema si lastarë
Në këtë kohë që çirret me zë bishe
Në këtë dhomë me ajër gënjeshtar.
Por ti s’qahesh, s’erresh në fytyrë
Vargjet i bën diell t’i kesh për vete
Është vështirë tek ne, tmerrësisht vështirë
Që të jesh dhe grua, dhe poete.
Netëve një ishull bën me mend
Dhe nga gjoksi i burrit fluturon
Dorë për dore me poetin tënd
Që të do kaq shumë dhe ti s’guxon.
Grua me vështrim si një Venerë
Netëve vij të puth, e shkoj pastaj
Ta ndërroj pak këtë ajër që mban erë
Erë prej makaronash, edhe vaj.
MISION I PAMUNDUR
Unë s’isha për ty njeriu i duhur
Një hënë s’e prek dot kurrë një yll
Aventura të tilla, janë mision i pamundur
Por kisha qejf ta bëj një trill.
S’mbaj mend ç’më the, me gjysma fjale
Qyteti im është zhurmanjos
Veç pashë që diellin ti ma ndale
Dhe kupë e qiellit, u tendos.
Një pemë në rrugë më pa hutuar
Ai çast në shpirt kaq shumë më dhemb
Kaq vonë, kaq vonë e kam kuptuar
I kisha hyrë detit në këmbë.
Gënjeja veten kot së koti
Siç mund të bëjë dikush pa mend
Unë s’jam dhe notar i zoti
Të mposhtja dallgët e syrit tënd.
Ti ishe një krijesë prej xhindi
Herë hënë e plotë, herë natë e gjatë
Në gjoksin tënd s’hyn as Kupidi
Sado që ka shigjetë të artë.
Dhe unë patjetër s’mund të hyja
Çdo aventurë sjell një pasojë
Por më dha urdhër dashuria
Që unë s’kam forcë ta kundërshtoj.
NË PËRMET NË MBRËMJE
Naimi s’është, Abdyli flë
Nuk ndrin as mjekra e Samiut
Veç era reciton pa zë
Një strofë nga flaka e qiriut.
Tek zbres i vetëm në stacion
Diçka më prek mbas qafe
Është valë e Vjosës që më fton
Të pij me të, një kafe.
Qyteti del nga shtrati i mbrëmjes
Me ngazëllim fëmije
Më deh me flladin e Nemërçkës
Dhe me gliko qershije.
Dhe unë i dehur nuk mbaj mend
Në shtrat se kush më shpuri
Por di të them, se në atë vend
Erëmonte edhe guri.
Ca trëndafilë thyejnë saksitë
Me dyzet lloje ngjyre
Në do të dish ç’janë dashuritë
Puthu me një prej tyre.
Unë s’ta kam thënë, se ti do qeshësh
Me mua për çdo natë
Mbas puthjes sonë,
disa petale
I mbaj nën buzë për fat.
Dhe bashkë me to fus krahërorit
Si dekorata nderi
Një varg prej Lumos dhe Ligorit
Dhe një kaba Laveri.
Naimi s’është, Abdyli fle
Nuk duket as Samiu
Veç era fërshëllen me nge
Një këngë me flakë qiriu.