| E enjte, 01.10.2015, 08:21 PM |
Mihal
GJERGJI
Udhë të këputura
Isha fëmijë, pëlqeja të vrapoja
Bota më dukej-ëndërr, s’e kuptoja
Po gur’ e driza rrugën m’a penguan
Gjakosja këmbë e duar dhe s’rënkoja
Në syrin e tim eti, dhëmbshuria
Ish’ streha ime, mjalti që unë pija
Një lot tek syri i nënës më gremisej
Rendja pas tij dhe s’dija ku të vija
Kuptova vonë, andrallat që kish bota
Mësova vonë se si lëvizte rrota
Kafshët që kanë fytyrë njeriu sipër
I njoha në përballjet aq të kota
Si kec i Pashkës, veshin ma shënuan
“Përbën rrezik!”. Nga turma më veçuan
Një ëngjëll butësisht më erdhi pranë:
-Ti s’ngjan me ta, se shpirtin ta lexuan
Në ç’ferrë im atë përmorri, s’e mësova
Ç’lastarë e ara mbolli, s’ua kërkova
Sevap asgjë s’iu shkrua, sa qe gjallë
Pagova shume e s’di përse, s’kuptova!
As Krishti s’u gjykua mijëra herë
Siç më përmëndnin mua derë më derë
Tellalli shiste fjalët, punëlumi
“Përbën rrezik, për ne dhe për të tjerë”
Një pushtetar të ‘lartë’ dikur takova
-Posi, më tha. Ç’më fole, unë i shkrova
Shpresëthyer ika, brënda heshtjes time
Venitej burri, emërin s’ia lakova
Mes të këqinjve, ngjasonte si nata
Si thes me pleh, i mbledhur me lopata
Jargosej si langua pas fustanëve
Dhe në tribuna merrte dekorata
E nxorri babëziun në pazar
Ta shesë me pjesë, ose t’i blej samar
Ju bë një zë i fortë, që s’di nga zbriti:
-Nuk ka nevojë për tjetër dëshmitar
I gjori plak nuk ishte ‘palo burrë’
Se mbillte misër edhe korrte grurë
I ra në pjesë një arë e rregulluar
Sa herë punohej, merrte tjetër nur
Sojsëzë e imansëzë, të gjithë trutharë
Kadi e myteberë, e pashallarë
E popull-shkretit gjaku iu helmua
Pesëdhjetë vite dimër i paparë
Dobiçërit bëhen mbretër, kështu thonë
Medet atje, ku qëni s’njeh të zonë
Në çdo tre vetë, dy hiqen kapedanë
Dhe s’mund të njohësh as pronar, as pronë
Spiunë e firaunë, si mizë lisi
Ushqim e shpirt e gjak u jep Iblisi
Si krisja, farë e keqe u shumua
E dora jonë e vetme s’i vithisi
Po Zot i madh nuk e vonoi gjëmën
Të zgjat një dorë, me tjetrën jep pëllëmbën
Si krimbat ngordhën, i mbuloi dheu
Morën mallkimet prapa, edhe nëmën.
I shoh nga lart, mendimet më trazohen
Pështyj të keqen, rri e nuk largohem
Në fluturim Shqiponja s’mund të kapet
Ndaj bëj sehir mbi ta, po dhe trishtohem.