| E premte, 01.08.2008, 10:48 PM |
EQREM ÇABEJ DHE STUDIMET E GJUHËSISË SHQIPTARE
Eqrem Çabej
Nga Idriz Ajeti
Militantët e Rilindjes ishin të vetëdijshëm se pa një gjuhë të përbashskët letrare nuk mund të bëhej as hapi më i vogël në zbatimin e programit të projektuar të Rilindjes. Lëvizja e madhe e Rilindjes Kombëtare – ta përsërisim, kërkonte nga punonjësit e kulturës, e veçanërisht prej gjuhësisë shqiptare ta bënin të aftë gjuhën shqipe për të realizuar probleme jetësorse që ajo kishte shtruar para gjithë popullit shqiptar. Në frymë të këtyre kërkesave, gjuhësia shqiptare u mor me probleme praktike të gjuhës, me krijimin dhe ngritjen e gjuhës letrare, me hartimin e gramatikave për shkolla, me përgatitjen e fjalorëve dygjuhësh, me problemin e alfabetit dhe të ortografisë së shqipes, pra, në punën e saj mbizotëronte praktika mbi teorinë dhe sikundër thotë Androkli Kostallari: “Vetë rrethanat historike nuk i shtruan gjuhësisë shqiptare kërkesa më të larta dhe nuk i krijuan mundësi për të zgjidhur detyra më të mëdha”1.
Në fushën e gjuhësisë shqiptare shquhen punimet dhe veprat e Kristoforidhit (Gramatika e gjuhës shqipe, 1882), Sami Frashërit (Gramatika e gjuhës shqipe, 1886), Jeronim De Radës, të Dhimitër Kamardës, që vihen në themelet e gjuhësisë shqiptare, ravën e së cilës plejadë e ndjekin studiuesit e zellshëm A. Xhuvani, Ndre Mjedja, Justin Rrota, arbëreshi Mark La Piansa Nikollë Gazulli e të tjerë.
Për rëndësinë dhe rolin e tyre, do të ndalemi pakëz më shumë te K. Kristoforidhi dhe S. Frashëri.
Bashkëtakimet dhe bashkëpunimi i K. Kristoforidhit në Janinë me dijetarin – babanë e albanologjisë së huaj – Georges von Hahnin, cilit i ndihmoi në zënien e shqipes, por edhe vetë përfitoi shumë prej tij në punë të metodologjisë shkencore, qenë me rëndësi në përcaktimin e vijësë drejtuese të mëtejshme të tij shkencore. Orientimi nga qëmtimi a grumbullimi i vazhdueshëm i lëndës leksikore, aksioni i vijueshëm në përkthimin e veprave të shenjta në gjuhën shqipe dhe studimi i gjuhës së veprave të autorëve sidomos gegë, në një masë të madhe janë merita e mësuesit, e Hahnit.
Me botimin e gramatikës së tij më 1882 dhe me daljen në dritë të fjalorit të parë të gjuhës shqipe, më 1904, pas vdekjes së autorit, dialektet e shkrimet të gjuhës sonë u afruan në mënyrë të dukshme. Në vargun e studiuesve të gjuhës shqipe të kohës, po të përjashtohet Dhimitër Kamarda, shquhet Sami Frashëri, një punonjës i palodhshëm, filolog i formuar dhe njohës i shkëlqyeshëm i gjuhës shqipe, në lëmin e gjuhës shqipe dallohet gramatika e shqipes, botuar në Bukuresht më 1886. Në dy gramatikat e gjuhës shqipe të hartuara prej filologësh shqiptarë – Kristoforidhit dhe Sami Frashërit në gjysmën e dytë të shek. XIX, zbërthehen kategoritë e gjuhës sonë në mënyrë të kënaqshme. Me këta dy shkencëtarë zunë fill studimet e gjuhës shqipe. Në fjalorin e tij të gjuhës shqipe, Kristoforidhit ia kishte ënda të zbërthente fjalët edhe nga ana e tyre historike dhe etimologjik: në një vështrim që profesosr Çabej i bënte kësaj përpjekjeje të Kristoforidhit, thotë se një numër i mirë i lëndës leksikore i vështruar nga Kristoforidhi, ka marrë shpjegime të qëndrueshme.
Një numër i madh i romantikëve shqiptarë shfrytëzuan tezën e Hahnit, sipas së cilës ilirishstja, pasojisht edhe shqipja, janë gjuhë pellazgjike. Teza e Hahnit mbi birërinë e lirishtes nga pellazgishtja nuk mund të mbahet, sepse pas të gjitha gjasave ilirishtja e pallazgishstja janë gjuhë të ndryshme. Duke përkrahur tezën e origjinës pellazge të gjuhës shqipe, S. Frashëri, që përndryshe ishte njohës i mirë i gjuhës shqipe si edhe rilindësit e tjerë mbronin tezën e përhapur në shek. XVIII se shqiptarët janë pasardhësit e pellazgëve. Për të treguar lashtësinë e gjuhës shqipe, shumë nga romantikët shqiptarë zanafillën e saj e shihnin te gjuhët e popujve të hershëm të Ballkanit. Diçka për këtë arsye, shumë më tepër për mosnjohjen e gjuhësisë indoevropiane krahasuese të kohës, një numër të mirë emrash të hyjnive të botës greke dhe romake i lidhnin me gjuhën shqipe, ku ua gjennin kuptimin. Fjalën arbën, S. Frashëri kërkon ta shpjegojë me të shqipes arë+bën. Emrin e popullsive paragreke të Ballkanit të lashtë pellazg, romantikët shqiptarë e çonin te e shqipes plak, pleq. Një lidhje e tillë, natyrisht, nuk ka baza shkencore. As shpjegimet e emrave ilirë e thrakas me të shqipes “të lirë dhe të trashë” nuk kanë kurrfarë mbështetje shkencore. Emrin e krahinës Epir (Iper, Hiper a Sipër) e binin të dalë prej shqipes, e pra dihet me siguri se emri i asaj krahine ka ardhur nga greqishtja me vështrim “sterë, tokë kontinentale”, duke u quajtur kështu nga banorët grekë.
Një rrugë të tillë që emrat e lashtë, sidomos në trevat në të cilat në kohën e tyre banonin popullsi ilire, të shpjegohen e të sqarohen me mjete të shqipes, kishte zënë të ndiqte vetë babai i albanologjisë – Hahni, mendim që edhe sot e gjithë ditën gjen përkrahjen dhe pranimin e disa albanologëve. Mendimin e Hahnit, qysh e thamë edhe më lart, e përqafuan gati të gjithë rilindësit dhe romantikët shqiptarë që, shpehherë e tepruan, duke parë te një numër i madh emrash të lashtë hyjnorë mundësi shpjegimi me mjete të shqipes. Janë të kuptueshme ndjenjat e një dashurie të tepruar të romantikëve shqiptarë për traditat e veta, për gjuhën amtare – me qëllim afirmimi e madhërimi të trashëgimit kulturor pozitiv, porse, për të tilla punë duan njoftime të caktuara mbi gjuhësinë krahasuese indoevropiane. Njohja e historisë së gjuhës shqipe, e etimologjisë shkencore, u mungon atyre pothuajse krejtësisht. Jemi te stadi i gjuhësisë parashkencore ndër shqiptarë: “Duke përjashstuar ndonjë vepër si atë të dijetarit arbëresh Dhimitër Kamarda të shekullit të shkuar, etimologjia e shqipes, e punuar prej autorëve vendas në të kaluarën ka qenë punë diletantësh, megjithëse duhet thënë se jo rrallëherë me rrugë intuitive ka goditur në shenjë”, thotë Çabej[1]. Natyrisht, pakëçsia e njohurive të tyre në punë të historisë së gjuhës shqipe dhe etimologjisë shkencore nuk ua cenon meritat që romantikët shqiptarë kanë për afrimin e dialekteve shkrimore dhe njësimin e gjuhës së përbashkët letrare shqipe.
Vazhdues i veprës së madhe të Kristoforidhit në fushën e gjjuhësisë shqiptare dhe pasues i ideve dhe i veprimeve më të përparuara për gjuhën letrare shqipe, që në të zënë të shekullit tonë, ishte A. Xhuvani. Që atëherë merr e interesohet i entuziazmuar për vlerat dhe veçoritë e shumta origjinale të gjuhës shqipe dhe nuk do të pushojë së interesuari për të gjitha degëzimet e gjuhës shqipe deri në çastet e vdekjes. Shpeshherë e ngashnjenin edhe gjurmimet e etimologjive të gjuhës shqipe, porse, sikundër thotë me të drejtë Çabej duke u shprehur për formimin e Xhuvanit në punë të studimeve krahasuese indoevropiane dhe të etimologjisë shkencore: “Me Aleksandër Xhuvanin mund të themi se nis etimologjia shkencore e gjuhës shqipe, e lëvruar prej vetë shqiptarëve”, me fjalë të tjera Çabej do të thoshte se këto studime të etimologjisë shkencore ndër shqiptarë posa kishin dalë nga rrehi studimor diletant me mungesa të mëdha. Xhuvani as në fakultetet e Athinës, si student, nuk kishte marrë formim të atillë linguistik që do kualifikonte për operacione as më të drejta etimologjike. Shumë letra nga letërkëmbimi i Xhuvanit me Joklin, në të cilat si i lutej Joklit ta njoftonte për gurrën e ndonjë fjalë të shqipes, flasin qartë për formimin e mangët të prof. Xhuvanit në gjuhësinë krahasuese indoevropiane. Në vijë të përgjithshme thotë – Çabej, te “Etimologët vendës mungesa ose pakësia e krahasimit të jashtëm është kompensuar me një njohje më të plotë të gjuhës amtarae. Kjo i ka vënë shpeshherë në gjendje që më fort me rrugë intuitive të diktojnë disa afri të brendshme që s’ishin vënë re nga dijetarët e huaj”.
Rezultatet më të njohura në studimet e gjuhës shqipe të kryera prej linguisësh nga mbarimi i shek. XIX dhe nga fillimi i të XX-tit janë meritë e studiuesve albanistë të huaj: Meyer – Pedersen – Jokl etj., që e vunë albanistikën historike të krahasuar në rrugën e zgjidhjes së shumë çështjeve themelore: nga pikëpamja gjenealogjike u dëshmua se shqipja është një gjuhë indoevropiane, që në saje të analizës së strukturës së saj fonetike, gramatikore dhe leksikore u përcaktua vendi që ajo zë në rrethin e gjuhëve indoevdropiane. U përcaktuan rrugët metodologjike, që do të ndiqen në studimet e gjuhës shqipe, e ato kërkonin që të veçohej elementi i vjetër nga elementi i huazuar prej gjuhëve të tjera në bashkëmarrëdhëniet që shqipja ka pasur me to gjatë zhvillimit historik.
Këtij paragrafi do t’i shtonim edhe disa të dhëna plotësuese. Kur është fjala për fillimet e studimeve albanologjike në botën e jashtme, për albanistikën e huaj, s’ka si të mos nisemi nga themeluesi i gjuhësisë indoevropiane krahasuese, nga Franc Boppi. Pas punimeve të Franc Mikloshiçit të përqendruara kryesisht në fushën e gjurmimeve leksikore të shqipes, studimet albanistike i merr në dorë Gustav Meyeri, prof. I gjuhësisë indoevropiane krahasuese në Universitetin e Gracit me emrin e të cilit lidhen të gjitha nismat në fushën e kërkimeve dhe të studimeve të strukturës së gjuhës shqipe.
Fjalori i tij etimologjik i gjuhës shqipe, edhe se i kapërcyer dhe i vjetëruar në shsumë vise të tij, mbetet një vepër monumentale në këtë truall të studimeve albanologjike. Në shoshitjen e visarit leksikor të gjuhës shqipe, vetëm me Meyerin sistematik niset në një rrugë të re. Ai në njëfarë dore është figura qendrore në punë të organizimit të studimeve etimologjike të gjuhës shqipe. Por, për hir të së vërtetës, do thënë se fjalori i posazënë ngoje i tij etimologjik i gjuhës shqipe, që është një vepër sintetike, e ku janë përfshirë të gjitha rezultatet e korrura në lëmin e leksikut historik të gjuhës shqipe, - vuante që në kohën e botimit të tij nga të metat e ndjeshme metodologjike. Lënda e fjalësit të tij ishte qëmtuar në viset e ngulimeve arbëreshe të Italisë dhe në trevat arvanitase të Greqisë, shqipja e të cilave është trazuar në një masë të madhe me italianizma a greqizma.
Misi i dytë i trinomit të njohur të studimeve albanologjike Meyer-Pedersen-Jokl, Holger Pederseni po fillonte të trajtonte çështje të gjuhësisë shqiptare nga mbarimi i shekullit të kaluar, atëherë kur Gustav Meyeri po i jepte fund veprimtarisë shkencore albanologjjike. Puna e tij në këtë fushë studimesh është më shumë cilësore, kualitative se kuantitative, thotë Çabej. Mjerisht, ky njohës i shkëlqyer i çështjeve gjuhësore albanologjike, pasi ravizoi një rrugë të re, duke u përqëndruar në gjurmimin kryesisht të strukturës së shqipes dhe duke kundruar problemet e kësaj gjuhe së brendshmi u largua që herët nga studimet shqiptare.
Veprimtaria shkencore e Norbert Joklit, anëtarë e këtij trinomi, kap një spektër të gjerë degëzimesh albanologjjike me rrugë të reja dhe me rezultate të pamohueshme në studimet e gjuhësisë shqiptare. Puna e tij la gjurmë të thella në truallin e studimeve shqiptare. Shfrytëzoi më mirë se çdokush tjetër para tij dhe në kohë të tij materialin e regjistruar; zbërtheu duke shtënë në punë jo vetëm dëshmitë gjuhësore, por edhe të dhënat e kulturës materiale. Në gjithë trashëgiminë shkencore të Joklit albanologët nuk harrojnë të vënë në dukje rëndësinë e madhe historike që ka vjetari Indogermanisches Jahrbuch me recensimet e pasura e të gjithanshme të veprave albanologjike (1916-1940).
Erdhëm te pika kryesore e kësaj teme – te figura kryesore në fushën e gjuhësisë shqiptare të kohës sonë, te puna dhe frytet qe ka korrur linguisti shqiptar E. Çabej në lëmin e kërkimeve albanistike. Ne nuk e shohim të nevojshme të marrim e të shqyrtojmë duke peshuar ç’ka bërë albanisti i njohur shqiptar në gjithë degëzimet e gjuhësisë albanistike. Disa vjet më parë na kishte takuar të përpiqemi e të bëjmë një analizë pak a shumë të përimtuar të punimeve shkencore që albanisti shqiptar kishte vënë në ndërtesën e gjuhësisë shqiptare, duke prekur pothuajse të gjitha degët e shkencave albanologjike. As ne atëherë, as ndokush tjetër më herët a më vonë, nuk kemi arritur të zbërthejmë veprën e albanologut të njohur shqiptar në një mënyrë që do të kapte vlerën e veprës së këtij studiuesi në gjerësinë dhe në thellësinë e saj. Me këta rreshta të kësaj hyrjeje u përpoqëm të japim një pasqyrë të punës që në këtë fushë kërkimesh e studimesh është bërë sidomos në qendrat universitare e kërkimore të botës së jashtme e në saje të nismave individuale të punonjësve të zellshëm në ato anë të Evropës. Një paraqitje e punës së kryer në fushën e studimeve albanologjike në mjediset e jashtme shkencore ka për qëllim të përcaktohen qartas problemet që do të shtrohen e të rrihen, në ç’vise janë vërejtur të meta që kanë si në punë të metodës e të rezultataeve përfundimtare. Edhe nga pikëpamja metodologjike, mbase është e përligjur që vlerësimin e veprës linguistike të Eqrem Çabejt të rrahim e ta bëjmë që në fillim të këtij paragrafi. E kishim vënë re jo një herë në këtë vështrim, që puna e kryer e albanistikës së jashtme me gjithë shtigjet e hapura me probleme të shtruara e në raste të shumta me zgjidhje të drejta, që kanë zënë vend të qëndrueshëm në trashëgimin e studimeve të historisë së gjuhës shqipe, vuan nga dobësi e të meta jo të paka.
Ne nuk do të thoshim asgjë të re, pos një përsëritje, po të vinim re se është mendja sistematike e albanologut Gustav Meyer ajo që ndërtoi sisemin e tingujve dhe strukturën morfologjike, me çka u përcaktua karakteri i veçantë i gjuhës shqipe si dhe vendi i saj në rrethin e ligjërimeve të tjera indoevropianae.
Në disa vise të shtjellimeve të tyre që në trajtimin e albanistit austriak, kishin mbetur të dyshimta, jo bindëse e pa mbështetje të fortë linguistike, më vonë shtinë sqarime dhe bënë plotësime Holger Pederseni, Norbert Jokli dhe të tjerë. Por, me gjithë përparimin që edhe në këtë fushë ishte shënuar, disa anë të këtyre problemeve s’kishin marrë zgjidhje të kënaqshme.
As linguisti shqiptar Eqrem Çabej s’kishte mbetur i kënaqur me mënyrën dhe rrugën që ishin rrahur në punën e zgjidhjes së shumë problemeve nga fusha e fonetikës historike të gjuhës shqipe. Nga zgjidhja e ligjeve fonetike, që sundonin, ishte bërë e pamundshme t’u gjendej filli një morie timologjish të gjuhës shqipe; prandaj, linguisti Eqrem Çabej po rrihte që me një shqyrtim të ri të mataerialit dhe me një rrokje më të rreptë të ligjeve të brendshme të gjuhës t’u afrohej zgjidhjeve të tyre. Nga mangësia njohëse e ligjeve të brendshme fonetike dhe të strukturës morfologjike të shqipes, me të cilat operonin linguistët albanologë me dekada të tëra, ishte bërë punë e vështirë të konstatohej burimi i shumë fjalëve dhe të diktohej origjina e tyre. Me shtigjet e reja që kishin hapur burrat e njohur në truallin studimeve albanologjike, sidomos trinomi Meyer-Pedersen-Jokl në lëmin e fonetikës historike të shqipes – e këtu reflekset e guturaleve indoevropiane në shqipen, në shqyrtimin e serive të tyre, ishin vërejtur të meta e dobësi, që nuk lejonin të gjendej filli i një vargu etimologjish. Një herë duhej të hidhej dritë në punën e serive të përmendura të guturaleve. Atje ishte e nevojshme të sqarohet puna e velareve të thjeshta: a kanë ato në gjuhën shqipe dy palë refleksesh, sikur mendonin Meyeri e Pederseni dhe të tjerët, apo aty kemi të bëjmë me një palë paraqitjesh të tyre në këtë gjuhë. Ç’është e drejta, ishte Pederseni ai që në gjithë punën e guturaleve të shqipes kishte vënë rregull të madh, porse, bie fjala te velaret, si dhe te palatalet në shumë anë të tyre kishte pika të errëta. Me një gjest gjenial, me mprehtësinë që e shquante, Pederseni zgjidhi lëmshin e ngatërruar të reflekseve dyfishe të palataleve indoevropiane në gjuhën shqipe, duke konstastuar se aty kemi të bëjmë me një palë pasqyrimesh të tyre në gjuhën shqipe – me spirantet interdentale th, dhe (d): k= th; g, gh = dh (d): athët lat. Acidus, sllav. Ostro, ostro; lidh, lat. Ligare, e jo edhe me sibilante s, z, siç i dilte në doktrinën e tij Gustav Meyerit.
Në studimin e tij themelor (Die Gutturale im Albanesischen, KZ, 36, 1900.), Pederseni thotë se ai kishte arritur ta zbresë numrin e fjalëve të gjuhës shqipe, që Gustav Meyeri i pandehte se përmbanin një s, z prej palatalesh indoevropiane, porse edhe atij i kishin mbetur disa raste me s, z e që s’ia doli t’i fuste në skemën e doktrinës së vet, sikur janë: vise, nesër, zet (njëzet) e ndonjë tjetër, mbi të cilat insistonte G. Meyeri se sibilantet e tyre do të ishin reflekse të palataleve indoevropiane k, g. Linguisti shqiptar jo vetëm që mendimin e Pedersenit e gjeti absolutisht të drejtë, por ai shkoi edhe një hap më tej: “Nuk ka në shqipen asnjë z nga g, gh.” Çabej rrahu një rrugë tjetër edhe për të shpjeguar gurrën e fjalës vise mbi të cilën Meyeri e mbështeste doktrinën e tij e Pederseni, duke mos qenë në gjendje ta përfshijë në rregullën e teroisë së tij, praktikisht e pranoi refleksin s, nga palatalja k indoevropiane. Duke depërtuar në thellësinë e problematikës, në thellësinë e fonetikës dhe morfologjisë historike të gjuhës së tij amtare, në shpjegimin e kësaj fjale (vise) Çabej rrahu një rrugë që atij i dha dorë ta nxjerrë nga burimi i shqipes, të krijuar relativisht vonë në këtë gjuhë. Fjala vise për Çabejn është një shumës i shprehjes vend. Dikush do ta këtë vështirë ta kuptojë ndërrimin prej vend në vise, ndonjëherë edhe vese; një ndërrim të tillë e gjejmë edhe te shpend, sh, shpesë; shpe; takohet si pjesë e shumë kompozitave: amvise, mjedis, te Buzuku vjedmis, një trajtë metatetike e mjedvis; fjala ka një përhapje të përgjithshme në shqipen; është e mbarë shqipes, - ka një denduri përdorimi, sidomos tek shkrimtarët e vjetër gegë e toskë, por vetëm si shumës. Sikundër po shihet, fjala jonë vise nuk ka lidhje me të lat. Vicus, as me të sllavishteve; dhe se s-ja e saj nuk mund të jetë refleks i palatales k indoevropiane. Teoria e Meyerit, që mbështetej mbi këtë fjalë dhe mbi ndonjë tjetër, si sulem, e cila nuk mund të veçohet prej sjell, meqë qëndron në këmbë të qelqta, u shemb me të parën goditje, me ç’gjë mendimi i Pedersenit mori një forcomë të qëndrueshme me argumente të palëkundshme në sajë të shtjellimit gjuhësor të linguistit shqiptar Eqrem Çabejt. Teoria e Pedersenit gjeti një përkrahje të sigurt te shpjegimi i palatales së zëshme indoevropiane g, gh nga ana e albanologut E. Çabej, që me dëshmi të gjalla vërtetoi se refleksi i saj në gjuhën shqipe s’është, sikur pandehej, një z, veçse ai tip i konsonantit z ndër fjalë që Çabej i merrte në shqyrtim, është pa dyshim pasqyrimi i një i-je indoevropiane në gjuhën shqipe. Vetëm me Çabejn teoria e Pedersenit mori shpjegim të plotë me mbështetje të fortë. Por, Çabejt po i takonte ta thoshte fjalën e vet edhe në lidhje me pasqyrimin e vlerave të thjeshta, a kanë ato pasqyrim të dypalshëm, apo refleksi i tyre është i njëllojshëm. Për velaret e thjeshta, Pederseni kishte pranur refleksin me k,g para vokaleve të mbyllta, bie fjala kopsht, greq. (kepos); por para zanoreve të çelta e, i, ato paraqiten si q, gj: qeth, gjejë, para të cilave zanore edhe labiovelaret indoevropiane në gjuhën shqipe kishin marrë reflekse s, z (ku+i, e =s; gu+i e=z; sjell, zjarr). Një lagje linguistësh e pranuan teorinë e Pedersenit, porse linguisti gjerman Eduard Hermanni e kundërshtoi këtë teori duke thënë se q e gj në fjalët e prura si shembuj janë zhvillime të vona sekundare ose të brendshme në gjjuhën shqipe. Meqë, këtu kemi dy mendime që kundërshtojnë njëri-tjetrin, Çabej e ka parë të përligjur ta rimarrë e ta shtrojë edhe një herë gjithë çështjen e reflektimit të velareve të thjeshta në gjuhën shqipe, si të themi ta rishikojë atë. Një seri fjalësh, sikur janë dergjem, gjej, helq, qeth pastaj format e fjalëve: desha dashun, dashur, erdha ardhun, ardhur, pranë shkel ka shkal – gabimisht për bazë merret forma e parë me e, pa peshuar njëherë e mirë se forma origjinale e tyre del me a, te participi e jo te trajta e aoristit. Në gjithë këtë punë ka vepruar metafonia, e cila përshkon mbarë sistemin morfologjik e leksikor të shqipe, në periodën e saj historike, e që fatkeqësisht si dukuri e njohur e përhapur në këtë gjuhë nuk është vlerësuar dhe s’është marrë parasysh me rastin e trajtimit të këtij fenomeni gjuhësor të shqipes. Atë e ndeshim edhe te formimet nominale, sikur janë ergjez, ergjiz që është konstatuar te ligjërimet e ngulimeve arbëreshe të Italisë, si shumës i njëjësit argull, sh. ergjëz “piccolo pidocchio, uovo di pidochio”.
Plotësimi i teroisë mbi reflektimin e guturaleve indoevropiane në gjuhën shqipe nga ana e prof. Çabejt, ka edhe një peshë tjetër të veçantë, sepse pikëpamjen e Pedersenit për ruajtjen e tri serive të guturaleve në shqipen e ka lëkundur me argumente bindëse, duke e bërë atë të pabesueshme. Paraqitja e velareve të thjeshta indoevropiane në gjuhën shqipe me palatale q, gj, sikur e kanë dëshmuar edhe më parë një lagje linguistësh e tash së voni edhe Çabej, është, padyshim dukuri e shfaqur relativisht vonë në gjuhën shqipe, e lidhur ngushtë me veprimin e metafonisë.
Edhe pse studimet e dijetarit shqiptar E. Çabej rrokin, pothuajse, të gjitha disiplinat kërkimore të albanistikës, trualli studimor i tij ishte historia e gjuhës shqipe – e atje shtimi i etimologjisë së leksikut të saj.
Për arsye të ditura, kërkimet e historisë së gjuhës shqipe, e bashkë me këtë edhe etimologjia, si degë e saj, kanë një rëndësi të madhe në punë të ndriçimit të çështjeve të historisë së popullit tonë. Me ndihmën e gjjurmimeve të degëve të ndryshme të gjuhësisë shqiptare, duke u mbështetur te rezultatet e arkeologjisë, historisë, etnologjisë studimet, etimologjike të gjuhës sonë kanë hapur horizonte të reja, duke shënuar përparime në të gjitha fushat kërkimore të gjuhësisë shqiptare. Ç’është e drejta, studimet etimologjike të gjuhës sonë kanë arritur përfundimet të shënueshme në saje të rrethanavae që brezat e studiuesve të mëparshëm nuk i gëzonin. Mbi bazën e rezultateve të korrura në fushën e studimeve të teksteve të autorëve të vjetër shqiptarë, mbi materiale të qëmtuara dialektore dhe mbi grumbullimin e një fondi të pasur e të ri leksikor, etimologu shqiptar E. Çabej shoshiti një visar për nga numri jo të madh, por cilësorisht të ri e të rëndësishëm leksikor prej katër mijë fjalë, që do të botohen në 8 deri 10 vëllime, prej të cilave doli në Tiranë, më 1976 bleni II (A-B) me titull: Studime etimologjike në fushë të shqipes, me afër një mijë fjalë të përpunuara nga sfera të ndryshme të kulturës popullore, të materiales dhe të mendores. Në vëllimin e parë, të botuar në Tiranë, më 1982, bëhet një vlerësim kritik i ngjeshur i studimeve etimologjike, që janë kryer deri më sot për gjuhën shqipe, dhe paraqiten parimet teorike mbi të cilat mbështetet autori në punën e tij bashkë me mtodat që i ka shtënë në përdorim.
Në pikëpamje të metodës të zbatuar në studimet e tij etimologjike E. Çabej ka ndjekur hullinë e mësuesit të madh Jokl, e që është parimi “Fjalët dhe sendet” që për shpjegimin etimologjik të një fjale qëndron në të dhënat e kulturës materiale, të etnografisë e të së drejtës zakonore, qysh shprehet vetë E. Çabej. Shtigjet që do të rrihen në studimet etimologjike sipas gjykimit të Çabejt është ajo rrugë që ndjek zhvillimin e fjalëve në fillin e tyre historik me qëllim që të dokumentohet shfaqja e parë e fjalës në trajtën dhe vështrimin e saj kuptimor; pastaj do t’i vihet gisht përhapjes së saj gjeografike brenda truallit të gjuhës. Në këto studime Çabej nuk harron të konstatojë a ka fjala përdorim të gjithmbarshëm në gjuhë, apo rrudhet në një përdorim dialektor. Zbatimi i kësaj metode në vështrimet etimologjike të gjuhës shqipe, autorit të fjalorit të saj i ka siguruar një epërsi në këtë fushë kërkimesh duke i bërë të mundshme atij që çdo fjalë ta endte nëpër truallin e shqipes, duke i gjetur asaj miset e përftuara nga një vatër e përbashkët që në rrymë të moteve u krijuan me forma e kuptime të reja gjuhësore. “”Mbështetje te një lëndë gjuhësore e pasur dhe e pashfrytëzuar më parë, njohja e thelluar e fakteve gjjuhësore, metoda e rreptë shkencore e ndjekur sistematikisht, duke vepruar së pari me krahasime të brendshme dhe duke kaluar në krahasime të jashtme në kuadrin ballkanik dhe indoevropian vetëm pasi sqarohen lidhjet brenda shqipes, i kanë dhënë mundësi autorit të arrijë në rezultate të rëndësishme, në zgjjidhje të reja, në etimologji më të drejta, më të sakta. Në saje të këtij vështrimi të ri u zbërthyen mjaft etimologji të pashpjeguara më parë ose të shpjeguara në mënyrë të gabuar, shumë fjalë që mbaheshin si huazime nga gjuhë të tjera iu kthyen shqipes, duke shtuar kështu fondin autokton të gjuhës sonë. Një anë tjetër me rëndësi e këtyre studimeve është se kanë vënë në dukje mjaft gjerë se shqipja në periudhat e ndrdyshme të historisë së saj u ka dhënë gjuhëve me të cilat ka qenë në kontakt fjalë e shprehje – thuhet në parathënien e vëllimit të parë të Studimeve etimologjike në fushë të shqipes, të Çabejt.
Në këtë kapitull do të vihet re në anë tjetër, e është merita e Çabejt që një numër fjalësh që për një periudhë të gjatë ishin mbajtur të fondit trashëgues në pasurinë e leksikut të shqipes, u diktua se ato kishin hyrë së jashtmi në gjuhën tonë. Sa e sa përpjekje janë bërë të gjendet burimi dhe përkatësia gjuhësore, ta zëmë, e fjalës së shqipes së Greqisë – dorbëri “tufë bagëtish”. Një lagje linguistësh e pandehnin të ardhur nga gjuhë të huaja, pala tjetër e gjenin fjalë vendi, autoktone. Në bazë të fjalës shqipe dorbëri duhet të qëndrojë shprehja torbari e njërës nga gjuhët ballkannike – një rrjedhojë e turq. Torba “torbë, trastë, strajcë”, që shkoi gjithandej në gjuhët ballkannike. Kuptimi i parë i saj, sipas mendimit të Çabejt, është “ai që mban bukën e vet në torbë; bari; tufë bagëtish”. Nga pikëpamja semantike, forma e serbokroatishtes largohet nga e shqipes dhe e greqishstes; atje del me kuptime: “mjeshtër që godit, thur torba, confecta perarum, 2. Ai që me torbë në krah a në shpinë endet nëpër katunde dhe shet cikërrime”. Edhe fjala asull (kullotë dimri, vërri), ka pasur një fat të tillë; e kanë venduar duke ia kërkuar burimin te gjuhë të ndryshme; tash së voni Çabej[2], goditi drejt në shenjë – te e turqishtes hasil “orzo verde falciato, per partuara”, me humbje të aspiracionit në shqipen. Një rrisk kësisoj i ka ndjekur një varg fjalësh në shoshitjen timologjike të shqipes[3].
Elementi trashëgues i shqipes në anë tjetër, mos për numrin e saj jo mbizotërues, për cilësinë e tij në pasurinë leksikore të shqipes mbetet pjesa më e rëndësishme në gjithë thesarin e fjalësit të gjuhëss sonë. Mbi bazën e metodës shkencore shkenca albanologjike është në gjendje të bëjë dallimin midis elementeve të huaja nga fondi autokton. Fjalët hardhi, rrush, vjel, venë, verë, veneshtë, vreshtë, që i takojnë fondit trashëgues të shqipes – nga sfera e punimit të vreshtarisë, janë dëshmi e pakontestueshme se të parët e shqiptarëve gjëllinin në zonat mesdhetare dhe kultivonin hardhinë, duke nxjerrë nga rrushi verë. Fjala e huazuar latine pjegull (pengula), siç thotë Çabej[4]– dëshmon për rritjen e kësaj peme nëpër kopshtije e oborre të shtëpive. Shprehja ledh është fjalë vendi po me vështrim të një thurime me gurë, e jo me lëndë tjetër druri, që quhet gardh.
Hartuesit e fajlorëve etimologjikë, punonjësit e kësaj fushe studimesh e dinë fort mirë dhe e thonë përherë se si askush prej tyre nuk i zotëron gjithherë të gjitha gjuhët, që kanë ushtruar ndikim mbi të tijën në një masë të mjaftueshme e të veçojë me kompetencë brumin trashëgues të leksikut prej elementeve me burim të huaj; prej këndej rrjedhin shpesh etimologji e zgjidhje të dyshimta e të pambështetura.
Nga kjo anë prof. Çabej u përgjigjej të gjitha kërkesave, duke i plotësuar kushtet e duhura për t’u marrë me kompetencë me studime etimologjike të shqipes. Ai i takonte asaj lagjeje të studiuesve të gjuhëve indoevropiane që trajtojnë gjuhë konkrete, të gjalla e që thellohen në studimin e natyrës dhe të veçorive të tyre dhe nxjerrin rezultate shkencore, duke krijuar baza të forta për të zbërthyer probleme të degëve të ndryshme të linguistikës nacionale dhe në anë tjetër për të provuar dhe vërtetuar fenomene të shfaqura në një tok gjuhësh. Çabej zbatoi metodën intensive të studimit të çështjeve gjuhësore, duke ecur në vazhdën e mësuesve të tij të mëdhenj, para së gjjithash ravën e Norbert Joklit – mësuesit të drejtëpërdrejtë të tij.
Një krah të forte, Çabej u ka dhënë studimeve albanologjike me rishikimin dhe plotësimin e disa rregullavae të fonetikës historike të gjuhës shqipe që i kanë ndihmuar atij vetë dhe të tjerëve në punë të zgjidhjes së një vargu etimologjish të shqipes.
Në punë të shoshitjes së etimologjive të gjuhës së tij amtare Çabej asnjëherë nuk qëndron i patundur në mendimin e vet kur argumentimet nuk flasin për burimin autokton të një fjale, e në anë tjetër kur s’ka të dhëna të vërtetuara për një brumë të huaj të saj, ajo atëherë lihet pa shpjegim, që është parim i drejtë.
Po deshëm në këtë kapitull të thellohemi pakëz më shumë, ne do të merrnim gand e pa ndonjë paramendim të shohim se çfarë rrugësh ka rrahur, çfarë metode ka zbatuar dhe çfarë përfundimi ka nxjerrë prof. Çabej në zbërthimin e leksikut historik të shqipes me burim sllav nga pikëpamja etimologjike. Prof. Çabej shpeshherë shprehte një mendim që e kishte ngritur në qëndrim të tij të përhershëm se në punë të tilla studiuesi duhet të ecë në rrugë të paanshme duke u shquar për frymën shkencore objektive. Kjo ecuri e ka shpënë Çabejn në rezultate të pamohueshme edhe në punë të vëzhgimit a të hetimit të fjalësit të hyrë së jashtmi në shqipen. Në qoftë se do ta kishim fjalën për sllavizmat ne duke studiuar veprën e Çabejt në mënyrë të posaçme hetimet e tij etimologjike, kemi formuar bindjen se ai, në shumicën e rasteve me zbatimin e një metode të drejtë shkencore u ka dhënë atyre shpjegime të drejta, duke ua gjetur burimin sllav – të ardhura në rrymë të kohës në të folmet shqipe – po edhe në gjuhën letrare shqipe. Meqë, Çabej nuk ishte familjarizuar me të gjitha gjuhët sllave, e atje sidomos me ligjërimet serbe a kroate dhe jo sa e donte puna e nevoja as me historinë e serbokroatishtes, atij në disa raste i kanë shpëtuar, i janë përvjedhur edhe gabime, duke mos qenë në gjendje t’i përballojë vështirësitë që i dilnin kur merrte t’ia kërkonte gurrën një sasie jo të vogël të fjalorit të shqipes. Në studimet tona s’kemi mundur të pajtohemi me Çabejn për prejardhjen e një numri fjalësh që përmban pasuria leksikore e gjuhës shqipe; bie fjala me nxjerrjen e gurrës shqiptare të hidronimeve Ombla të Dubrovnikut, të Limit te Liqeni i Plavës, me kracun, që pas mendimit të Çabejt, e hyrë në sferën kishtare të gjuhëve sllave nga shqipja; me gand e gandoj të nxjerrë nga shqipja (sllav. Ganuti, ganuci…l); me toponimin Raska, gjoja nga e shqipes rrafsh; …me teshet (teshet dosa, janë teshue dosat) që te Çabej lidhet me teshtij, teshtimë, teshem; me gremëratë kulloshtër” në arbërishten e Greqisë të regjistruar nga Reinholdi – Nochtes pelasgicae, 1855; forma greke e së cilës ishte gramenata.
Një anë tjetër e mirë studimeve etimologjike, të kryera nga prof. Çabej, siç u tha më lartë, është se kanë vënë në dukje se shqipja në periudha të ndryshme të historisë së saj, gjuhëve me të cilat ka pasur kontakt, u ka dhënë mjaft fjalë e shprehje. Sllavisti dhe albanologu jugosllav Ivan Popovi? me disa punime të botuara edhe në gjuhë të huaja i çoi përpara studimet e ndërsjella gjuhësore shqiptare-jugosllave. “Në fushën e marrëdhënieve shqiptare-sllave, merita ka I. Ajeti, thotë Çabej[5].
Studimet etimologjike të prof. Çabejt, përveç rëndësisë se madhe për historinë e gjuhës shqipe, njësimin e stabilizimin e formës letrare të saj, - për historinë e popullit kanë një peshë të veçantë, sepse në një gjendje të heshtjes së dëshmive historike të saj, lokalizimi i vendit të formimit të tij merr një rëndësi të dorës së parë me faktin që zhvillimi nga format e para në të sotmet i një numri toponimesh gjen shpjegimin te ligjet e fonetikës historike të gjuhës shqipe.
Pas vdekjes tragjike të Norbert Joklit – njohësit të rrallë të problemve gjuhësore të shqipes, puna në hartimin fjalorit të tij etimologjik pothuajse ra përgjithmonë në ujë, dhe vetëm Eqrem Çabej, nxënës i Joklit, ka mundur ta marrë mbi vete këtë detyrë të vështirë dhe ta kryejë më sukses.
Çabej, vite me radhë, në mënyrë sistematike, përgatiti terrenin, duke i bërë edhe parapërgatitjet e domosdoshme për fillimin e punës në hartimin e fjalorit etimologjik të gjuhës shqipe. Ai ishte i vetëdijshëm se vetëm ai ishte i paracaktuar për trajtimin e veprës monumentale – librit të parë të botuar në shqipe – aq i rëndsishëm për kulturën e popullit shqiptar. Ai ka përfituar nga rrethana se me vite kishte qëndruar në Romë, ku në mënyrë të papenguar ka mundur të gjurmojë dokumentet e rralla, të cilat vetëm në arkivat e qytetit të lashtë të Romës mund të gjenden, si ky i Mesharit të Gjon Buzukut (1555); ai këtë libër e studioi në mënyrë sistematike, duke e bërë translitermin e transkriptimin në mënyrë që të shërbejë si model se si duhet të veprohet në punën tgekstologjjike. Duke u njohur edhe me vepra të tjera të letërsisë së vjetër shqipe, si të Budit, të Bardhit, të Bogdanit, të Kazazit dhe me literaturën arbëreshe, Çabej pasuroi shumëfish skedarin e fondit leksikor me fjalë të panjohura deri atëherë. Ai shfrytëzoi edhe rrethanat e tjera të volitshme, si numrin e shtuar të të folmeve të trajtura, pasurimin e letërsisë së shkruar në gjuhën shqipe me vepra të reja, krahas kësaj edhe inventarin leksikor.
Që nga numri i katërt i revistës shkencore Buletin i Universitetit Shtetëror dhe Studime filologjike, filluan të botohen versionet selektive të Fjalorit etimologjik, në të cilin përpunoi afro njëmijë njësi leksikore; në vitin 1976, në botim të Akademisë, doli në dritë vëllimi i dytë i fajlorit të tij etimologjik (Studime etimologjjike në fushë të shqipes). Në këtë vëllim Çabej trajtoi dy shkronja (A-B) të alfabetit të shqipes, me afro njëmijë fjalë.
Vëllimi i parë, i cili paraqet hyrjen në librin e dytë të botuar (1976); e pa dritën më 1982, Libiri i parë përmban në vete studimin e përgjithshëm, në të cilin jepet në mënyrë kritike vlerësimi i studimeve etimologjjike të botuara deri atëherë në gjuhën shqipe, parashtroi parimet fonetike në të cilat autori mbështet punën e vet në këtë fushë shkencore dhe, natyrisht, procedeun metodik. Veç kësaj autori paraqet një varg të tërë të rezultateve themelore rreth përbërjes shtresore historike të leksikut të shqipes, pastaj çështje të raportit të fondit leksikor burimor ndaj fondit të saj të huazuar.
Nga ana tjetër, mbështetja në lëndën e pasur dhe deri sot të pashfrytëzuar, njohja e thellë e fakteve gjuhësore dhe rreptësia e metodës shkencore, së cilës autori i është përmbajtur në mënyrë të përpiktë, dhe në bazë të qëndrimit që vetëm pas krahasimit të brendshëm të kalohet në krahasimet e ndikimeve të jashme të gjuhëve ballkanike, dua të them të gjuhëve indoevropiane – e gjithë kjo ka mundur t’i japë autorit të fjalorit timologjik të gjuhës shqipe, Çabejt, mundësi të mëdha që të arrijë rezultate të rëndësishme, të zbërthejë etimologji të reja dhe të pranueshme. Falë mënyrës së këtillë të trajtimit, ka qenë e mundur të interpretojë e të shpjegojë një varg etimologjish engimatike ose së paku të nxjerra gabimisht.
Kuptimi i gjerë që autori i jeptë disiplinës etimologjike, e cila nuk merret vetëm me kërkimin e prejardhjes së fjalëve, por përcjell tërë jetën e tyre, mjedisin ku u krijuan ato, shtrirjen e tyre gjeografike brenda territorit gjuhësor të shqipes dhe jashtë tij, aftësinë e tyre për krijimin e fjalëve të reja, shkathtësinë që të hyjnë në përbërjen e fjalëve të tjera – e gjithë kjo i jep kësaj vepre të rrallë rëndësi të shumëfishtë për kërkime të shumëllojshme në fushën e problematikës gjuhësore të shqipes, në planin diakronik dhe në atë sinkronik.
Në veprën e vet Studime etimologjike të gjuhës shqipe, Çabej, pasi kishte bërë në mënyrë të thukët e kritike analizën e punës së kryer në fushën e studimeve etimologjike të studiuesve të mëparshëm, me argumente dhe bindshëm kontestoi një varg zgjidhjesh të etimologëve të mëhershëm, qoftë për shkaqe të mungesës së objektivitetit, qoftë, më në fund, për shkak të mangësive në punën metodologjike, a në parimet mbi të cilat mbështeste teorinë e tij gjuhësore, duke i përforcuar me të dhëna të e reja – shpjegimet e veta.
Në hyrjen e kësaj vepre të vëllimshme mbi studimet etimologjike të shqipes, si edhe në punimet e mëhershme të tij, Çabej dhe shumë studiues të leksikut histsorik të shqipes, e intereson raporti i pjesës së huazuar, në njërën anë, dhe i pjesës burimore të fondit leksikor të shqipes, në anën tjetër. Gustav Meyeri, në fjalorin e tij etimologjik të gjuhës (1891) mbi një lëndë leksikore prej afro 5140 fjalësh kishte arritur të vërtetonte burimin indo-evropian të 400 njësive leksikor, d.m.th. 7,77% të shprehur në përqindje; por nuk ia doli të përcaktojë prejardhjen e sasisë leksikore të afro 700 fjalëve. Para themelimit të gjuhësisë krahasuese indoevropiane, Xylanderi[6], në tërësinë leksikore prej 1800 fjalësh, konstatoi se gjysma e tyre i takonte pjesës së huazuar, ndërsa pjesa tjetër, pak më e madhe, kishte prejardhje indoevropiane F. Nopcza, Die; Albanere, Urania, Wien, nr. 1-2, 1913; e ribotuar: A. Baldacci, Rivista d’Albania, 3, 1930); duke i shqyrtuar 282 fjalë të gjuhës shqipe, të regjistruara në Shqipërinë e Veriut, në 136 sosh vërtetoi burim trashëgues, 52 me prejardhje turke dhe vetëm 18 me burim sllav. Shkencëtari prijatar në romanistikë, Meyer-Lubke, mendonte se Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe i Gustasv Meyerit përmban vetëm 10% nga fondi leksikor indoevropian e sipas Nahtigalit e Ostirit ky fjalor përfshin 14,2% të shprehjeve të pahuazuara të fjalorit, ndërsa albanologu anglez St. Mann shpreh mendimin se numri i njësive indoevropiane, të vërtetuara nga Gustav Mejeri, duhet pesëfishuar.
Nuk ka farë dyshimi se në mbështetje të njohurive të sotme të visarit leksikor të shqipes, është e pamundur të bëhet një statistikë definitive e raportit të fondit të trashëguar dhe atij të huazuar, sepse lënda e fjalorit të gjuhës shqipe as për së afërmi nuk është regjitruar, prandaj, si statistikat e hershme, edhe ato të sotmet të këtyre raporteve, mund të jenë vetëm të përafërta.
Stastistika e këtyre raporteve mund të bëhet si mbi njërën, edhe mbi tjetrën bazë: jo në mbështetje të raporteve numerike të visarit leksikor burimor ndaj atij të huazuar, por në mbështetje të cilësisë të vetë leksemavae, sipas asaj se në ç’denduri paraqiten në tekstin e dhënë. Do të thotë, është e nevojshme të shikohet se në cilat kategori leksikore të pasurisë gjuhësore është përdorur fjala burimore dhe me çfarë frekuence, në njërën anë, dhe të vërtetohet dinamika e një fjale të huazuar në tekstin e dhënë, në anën tjetër; edhe nëse ekzistojnë statistika të tilla,ato janë shumë të rralla.
Një pasqyrë e përgjithshme do të tregonte se elementi autokton burimor i visarit leksikor të shqipes është më i madh në raport me pjesën e saj të huazuar kur pasqyron format primitive (të pazhvilluara) të jetës, shkallën e ulët të ekonomizimit blegtoro-agrar dhe atë kulturor, ndërsa mbizotërues është fondi i shprehjeve të huazuara në sferat gjegjëse me format më të zhvilluara materiale e shpirtërore të jetës dhe punës: në emërtimet e konfiguracionit të terrenit, në emrat e botës bimore, të dukurive atmosferike, në emërtimet e prodhimeve bujqësore e të qumështit, në emërtimet e trupit të njeriut dhe funksioneve të tij, në të gjitha sferat e përmendura, mundësitë shprehëse të trashëgimisë indoevropiane janë më të shumta në raport me ato të huazuara; në tërësinë leksikore prej afro 564 fjalësh, raporti është 342 ndaj 222 huazimeve. Ndryshe nga ky përpjesëtim, në disa sfera të tjera, elementi i huaj që ka hyrë në gjuhën shqipe në rrjedhën e zhvillimit të saj, tejkalon elementin autokton. Në tërësinë leksikore prej afro 860 shprehjesh kemi këtë raport: 325 autoktone ndaj 535 elementeve të prejardhjes së huaj. Këto dy shuma përbëjnë tërësinë prej 1424 njësive leksikore në të cilat del përpjesëtimi 667 elemente autoktone ndaj 757 shprehjeve të huazuara. Siç shihet nga kjo pasqyrë, e cila, po e theksojmë, mund të jetë vetëm e përkohshme, kurrsesi përfundimtare, në tërësinë e gjithmbarshme leksikore të gjuhës shqipe, siç na është e njohur, pjesa e saj, e cila në një periudhë të gjatë kohore ka arritur të depërtojë në të, mbizotëron ndaj pusurisë leksikore autoktone, edhe se në gjendjen e sotme të shkencës, siç u theksua edhe më lart, në raportin midis këtyre dy përpjesëtimeve të leksikut të gjuhës shqipe, nuk mund të bëhet kurfarë bilanci përfundimtar.
Çështje e huazimeve, numri i të cilave në gjuhë çdo ditë shtohet pandërprerë, duhet vështruar në një kontekst më të gjerë, në dritën e marrëdhënieve të ndërsjella gjuhësore, dm.th. të gjuhëve në kontakt. Ndërvarësia sot është diçka e përhershme dhe çështje themelore në studimin e gjuhës[7].
Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe i Çabejt, për jetë të tij nuk mori formën përfundimtare; e ishte menduar të ketë 8-10 vëllime – si vepër e jetës e autorit. Të shpresojmë se bashkëpunëtorët dhe nxënësit e tij do ta vazhdojnë veprën e tij të papërfunduar dhe t’i japin asaj formë të kryer.
1 A. Kostallari, Gjendja e studimeve albanologjike në Shqipëri – Problemet dhe detyrat e reja”. Buletin i Universitetit Shtetëror, 1963|4,f.19.
[1] E. Çabej, Studime filologjjike, 1980|1, f. 59.
[2] Studime etimologjike në fushë të shqipes, II A-B, Tiranë, 1976, f. 99.
[3] Studime etimologjike, I, 1982, 116.
[4] Gjendja e sotme dhe detyrat e etimologjisë së gjuhës shqipe, te “Studime mbi leksikun dhe mbi formimin e fjalëve në gjuhën shqipe”, II, f. 208.
[5] I. Ajeti, Studime etimologjike në fushë të shqipes, I, 1982, f. 32.
[6] Die Sprache der Alabnesen oder Schkipetaren,
[7] Çabej, Studime timologjike në fushë të shqipes, I, 112-113.