| E marte, 29.09.2015, 08:40 PM |
ARRESTIMI
Tregim nga Qazim D. Shehu
Filip Guri vështroi luginën ku shtëpitë e shpërndara anës kodrave dukeshin të nemitura në diellin e mesditës. Kjo luginë rrethuar nga kodra të buta dhe me një mal që i vinte pas shpine, ishte fare afër vijës kufitare, dhe ai, shpesh mendonte sesi Fuqitë e Mëdha ia kishin lënë Shqipërisë, kur asokohe tokat e saj ndaheshin e gëlltiteshin sipas oreksit të fqinjëve.Dikur motit, lugina me luginën tjetër që ishte po shqiptare,mjerisht sot në shtet të huaj ,lidheshin për bukuri,njerëzit shkonin ,vinin,bëheshin martesa e lidheshin miqësi të reja.Ajo vijë e mallkuar kufiri me telat e klonit tani i ndante përdhunshëm.Filip Guri ndjeu një pickim ndërgjegjeje teksa mendonte kështu.Gjer tani i kishte arrestuar disa fshatarë që kishin tentuar të dilnin matanë,qoftë edhe për një dele e cila në rendjen pas kullotës nuk e kishte llogaritur mirë vijën kufitare, as vrapin e bariut për të mos e lejuar të tradhtonte atdheun.Arrestimet herë shpeshtoheshin e herë rralloheshin sipas periudhave e ,ai e dinte se, pikërisht atëhere kur lugina binte në qetësi bëheshin më shumë arrestime, sikur këtë e nxiste një dorë e fshehtë e fatit.Mendimet i rëndonin kapakun e ballit.Poshtë në luginë dritat po ndizeshin dhe tregoheshin si pika të kuqe në një fustan mëndafshi.Zilkat e bagëtive, me tingëllimin e tyre përhapeshin në shpatet e kodrave,ndërsa lugina zhytej ngadalë në një tis të hollë që sa vinte dhe trashej.Vegim Tanushi,që ishte komandanti i përhershëm i skuadrës së ushtarëve,zvkomandant i postës, erdhi dhe po instruktonte ushtarët që kishin shërbimin e radhës.Pastaj ai u ngjit në katin e dytë të ndërtesës të bënte një lojë domino me shefin, lojë që vinte si argëtim pas lodhjes.I shkathët siç ish, ai i linte gjithnjë dopiogjashtën në dorë Filipit.
-Një lojë tjetër na prêt sonte,tha papritur Vegimi, do shkojmë të arrestojmë Ajaz Prendin,ti nuk je i këtyre anëve dhe s`e njeh mirë… nuk ka qëndrim të mirë politik, është i varfër derdimeni, dhe kujton se do ta përmbysë këtë pushtet me zhelet e veta .
Filip Gurie dhe pse ishte komandant u çudit pakëz për këtë lajm.Pse duhej ta bënin ata këtë arrestim kur ishin postë kufitare dhe mbronin vetëm vijën e kufirit?Pse të mos e kryente këtë Dega e Brendshme e Librazhdit përmes operativit të sigurimit.Nëse ata kishin deleguar urdhërin pse të mos e njoftonin atë si komandant ,po njoftonin Vegimin.Mos këtu kishte ndonjë lojë,diçka si vënie në provë gatishmërie duke thyer rregullat hierarkike?Fytyra e Vegimit dukej e kënaqur,ndoshta pikërisht për këtë;ia njihte dhelpërinë dhe brutalitetin.A nuk e kishte arrestuar ky Dule Gjergjin në funeralin e së shoqes dhe më pas Dule Gjergji nuk e deshi veten më nga shoku psikologjik që pësoi dhe vajti dhe u var në telat me gjemba ku e griu mitralozi.Vegim Tanushi ishte imoral dhe hamës i madh.Jo rrallë u pakësonte rracionin ushtarëve për ta ngrënë vetë dhe ,shpesh ai e kishte qortuar për këtë.Filip Guri vështronte fytyrën e tij dhe hija e kënaqësisë sikur iu zhduk duke ia lënë vendin një zbrazëtie kutërbuese.
-Për më tutje , s`di ç`të të them, veçse merr me vete pranga.Vegim Tanushi po urdhëronte.
-Nuk reziston ai jo, e lidhim edhe me litarët e gomarit,- qe përgjigja.Ishte një përgjigje e kotë ,thënë ashtu si me përtesë sa për të plotësuar dëshirën e tjetrit.Ai nuk donte të linte hijen më të vogël të dyshimit tek Vegimi.Vegimi mund të fjaloste për këtë me shefin e Degës apo më lart.Fundja një arrestim ishte ,si çdo arrestim tjetër,natën,pa u marrë vesh.Po cmira e ushtarakut dhe inati që vjen prej shpërfilljes së pozicionit kur fjala ishte për të udhëhequr një aksion ,sikur ia turbullonte mendjen dhe ia trazonte shpirtin e fyer.Le ta linte Vegimin komandant për një çast dhe të shihte se çfarë do katranoste.Me siguri zi e më zi ,ashtu siç kishte vepruar përherë, po fundja le ta shikonte zillëkun e tij.
+++
Kur ata u nisën ,mbrëmja qe errësuar sa për të mos parë siluetën e njeriut.Filip Guri ecte para pa bërë zë.Kaluan një rrugë të gjërë, pastaj u futën shtegut në një arë me misër. Vegimi si gjithnjë ecte para me hapin e vet që e zvarriste ngadalë ,ndërsa Filipi ndjente fëshfëritjen e misrit nga një erë e lehtë që ndillte joshjen e stinës.Fshati ishte i madh, më i madh nga ç`dukej nga maja e kodrës ku ishte posta, i shpërndarë në disa kodra që priteshin me luginëza të vogla, dhe shtëpia e Ajaz Prendit ndoshta ishte në këmbët e kodrës së tretë, sipër së cilës vinte një korie me dushk e më pas vendi zhvishej ,sepse fillonte vija e kufirit dhe pylli aty ishte prerë sikur vendi të ishte me plagë.Filip Guri si komandant poste e dëgjonte për herë të parë këtë emër, ndonëse informacionin për zonën, siç pretendonte, e zotëronte majë gishtash.Dhe pikërisht për njeriun më të rrezikshëm ai nuk paskësh ditur gjë e, nga kjo i vinte plasje.Papritur një burrë dhe një grua me shami te bardhë u futën në arën me misër.Vegimi ndaloi dhe u hoq mënjanë duke e kapur Filipin për krahu.
-Ti ndjekim ,tha, mund të jenë ose dashnorë, ose hajdutë arash. Filip Guri hezitoi pakëz ,ndërsa zhurma në arën me mistër shtohej dhe shuhej me interval.
-Kemi tjetër detyrë, mërmëriti, s`kemi ardhë të ruajmë arat e kooperativës ,as kurvat e fshatit.
Vegimi nuk bëri zë. Kur ata u gjendën para shtëpisë së Ajaz Prendit, vunë re se dritat e katit të dytë ishin ndezur, dritaret po ashtu ishin të hapura dhe nga ato vinte muzika e një radioje.Të krijohej përshtypja se brenda kishte njerëz dhe kjo duhej të qe një manovër e sprovuar e njeriut që, pasi arratisej, linte pas tjetër përshtypje.Nëse do qe arratisur ,atëhere çfarë mund të thoshin para kryetarit të Degës?Filipit diçka i sëmboi në gjoks.Mbase fati , për pak minuta, mund t`i ndihmonte.
-Urdhëroni,brenda-u dëgjua një zë burri, sapo ata trokitën në portë.Filip Guri u lehtësua.
Pa u shfaqur burri që vinte nga brenda shtëpisë,Filip Guri i tha Vegimit se duhej ta arrestonin menjëherë,po Vegimi ishte i mendimit se nuk do të ishte keq që të pinin një kafe,ata në dorë e kishin, dhe, Ajaz Prendi s`kishte nga shkonte.Filipit iu duk i çuditshëm ky propozim , diçka si dredhi e tjetrit,një boshësi i kaploi kraharorin,por e pranoi këtë, se, mbase ,edhe kohë nuk pati dhe Vegimi ishte komandant i aksionit,apo sepse tjetri u shfaq në derë.Ajaz Prendi rrinte me fener në dorë. Ai ishte një burrë shtatmesatar,mbante një xhaketë krahëve,dhe kur shkelte në plloçat e oborrit, dukej sikur nuk ecte fare.Hapi i tij binte mbi plloça si pupël pëllumbi.
-Urdhëroni ,more njerëz të mirë dhe mirë se ju ka prurë udha, mërmëriti me zë të sinqertë i zoti i shtëpisë.Ai e kuptoi se ata të dy qenkëshin gradetë, e ndoshta nga kjo iu shtua edhe më tepër respekti dhe begenisja ,sepse përsëriti me një zë të butë e miqësor fjalën e ftesës.Bëri para duke mbajtur fenerin në dorë dhe ata të dy ecnin pas tij duke ngjitur shkallët e gurta në krye të të cilëve vinte një shesh me dërrasë dhe parmakë druri.Kur Filipi u gjend tek pragu i dhomës nuk i hoqi këpucët, ndërsa Vegimi po.Oda e miqve ishte shtruar me qilima,shilte , jastëkë anës murit.Vinte era gëlqere dhe ndihej pastërtia.Një parajsë rehatie ndjellëse të ftonte të prisje një mirëkuptim më të madh nga fjalët e të zotit të shtëpisë, i cili me zemër në dorë ,po u shprehte atyre mirëseardhjen.Sytë e gjallëruar,flokët e drejtë si presh mbi kokën thatime,lëvizja e shpejtë e trupit,tregonin një njeri që vërtet i ishte bërë qejfi që kishin bujtur njerëz kaq të nderuar.
Vegim Tanushi u ul në krye të vendit pranë oxhakut, në rrasën e së cilës ishte skalitur në gur flamuri kombëtar me fjalët:”Rroftë Flamuri” , dhe :”Thoni marshalla.” Ajaz Prendi i pyeti gjërë e gjatë për shëndetin , familjen, për punët e tyre të përditshme dhe në zërin e tij kishte një mirësi dhe përvujtni kaq të ëmbël sa Filip Guri po çuditej.Përgjigjeve të tyre të thata, të prera , të lëna nganjëherë në heshtje ai nuk u vinte asnjë pikë dyshimi,përkundrazi e zhvlerësonte ankthin e pritshëm të tyre me një vrull të derdhur qejfi.
Siç dukej kishte kohë që s`kish pasur miq në konak dhe ardhja e tyre po ia rindizte e griste rroben e një vetmie të madhe.Kur ata mbaruan kafen me raki, Filipi bëri të ngrihej ,po Ajaz Prendi tha se kjo nuk mund të diskutohej.Filipi mendoi se tani Vegimi mund të jepte urdhërin e arrestimit sa nuk ishte trashur akoma pritja, kur,sakaq tek dera e çardakut u shfaqën dy gra.Njëra rrokulliste lehtë duke e mbajtur me njërën dorë sofrën,ndërsa tjetra mbante pjatat me meze.Pa bërë zë, ata e venduan sofrën në mes të dhomës, shtruan mbi të bezen e pastër dhe vendosën pjatat.Pastaj qetësisht , duke ecur mbrapsht, bënë për nga dera dhe u larguan.Ajaz Prendi i kishte afruar shiltetë dhe postiqet mbi to duke pritur që të uleshin miqtë përpara e mandej ai.Filip Guri vështroi nga Vegim Tarushi i cili po shihte me bisht të syrit mezet e bollshme. E pa se gjithçka tjetër ishte e kotë.Fytyra e kënaqur prej një derri të zhytur në llucë e Vegim Tanushit shprehte mirëfilli gëzimin që i buronte nga ushqimi .Disa njerëz lumturia e ushqimit i kënaq më shumë se çdo gjë tjetër.Pjatat e mbushura me copra djathi, patate të fërguara,thela të majme mishi,dhe faqoret e rakisë që shkëlqenin nga bardhësia e saj,përbënin një dekor të ngrohtë dhe ndjellës.Vegimi u ul e pas tij Filipi .I zoti i shtëpisë uronte me shpirt.Rakia ishte zjarr , ndërsa djathi ndriste nga bardhësia. Ajaz Prendi trokiti me mashë mbi dërrasat e dyshemesë dhe pas pak në derë u shfaq një nuse e re që mbante në duar një tepsi me pula të pjekura.Ai sikur të ishte përgatitur për këtë pritje.Mbase ai shtronte një darkë për vete dhe kjo duhej të qe për të darka e fundit, mendoi Filip Guri.Vegimi kishte thënë për të se ishte zhelan, por Ajazi ishte veshur për bukuri.Ajaz Prendi ngriti faqoren e rakisë, e tundi , shkuma e bardhë e saj gati e hodhi tapën përpjetë.Pse e bëri këtë gjest nuk u kuptua, veçse, më vonë ai e rimbushi gotën me rakinë e tundur dhe e hodhi në zjarr.Flaka që ngriti nga prushi erdhi gjer në rrasën e oxhakut.
-Kështu duhet të digjet shpirti i njeriut për mikun, tha Ajazi. Kur ai mësoi se Filipi ishte shkodran e piu një gotë raki me fund për të. Në Shkodër kishte kryer ushtrinë , në Vermosh, dhe, nuk kishte njerëz më të mirë se populli i asaj ane.Të priste me bukë e besë dhe s`të lëshonte kollaj nga dora pa u vrarë bashkë me ty. Ai duhejtë ishte i zgjuar.Aq i zgjuar sati përcillte kuptimet e fjalës drejt një ideje shpëtimi prej Filipit duke e prekur atë në sedrën që ngrihet mbi vlerat e krahinës.Filipi ia priti urimet me një mirësjellje të butë,duke u çuditur nga mënyra se si tjetri rregullonte fjalët, duke i vendosur lehtësisht në një ekuilibër të lehtë të një zëri të ngjyer me mirësi.Fytyra e tij si fik i tharë tregonte se ky burrë nuk e kishte vrarë mendjen për të pritur miq, ngado që të ishin ata.E, megjithatë ai duhej arrestuar.Ai po mendonte se sa vështirë do ishte për të t`ia vinte prangat atij burri aq të mirë.Ndoshta pas mirësisë së tij fshihej e liga, kot nuk kishin urdhëruar arrestimin e tij, se nuk të arreston njeri kot.Ndërsa Ajaz Prendi fliste , Vegimi frynte bulçite me coprat e mishit, lyra i rridhte nëpër gishtërinj, Filipi e shihte me bisht të syrit dhe sa skërmiste pak në një copë djathë, sikur kjo mënyrë ta shpëtonte nga mendimet e veta që përplaseshin në një pikë:në ç`moment duhej të ndodhte arrestimi, kur të ngrihej sofra, duke e provokuar me ndonjë fjalë me spec, kur të përcillte miqtë, apo duke ia sjellë me takt , thjesht si një marrje në pyetje, si një shoqërim deri në postë dhe atje ta arrestonin.Sido që të ndodhë buka vret më shumë se plumbi, buka të zë sytë dhe ta bën shpirtin zeher, kur ti e shkel.Sepse buka është e shenjtë dhe mallkimi i saj kap brezat,mendonte Filipi dhe shihte tinëz nofullat e Vegimit që mbllaçiteshin me vrullin e një kohe që shtynte për ngutje..
-Që kur hyri kjo parti, fliste Ajaz Prendi,bujqësia po na ecën,vjet nuk pata vend për të sistemuar prodhimin.
-Ç`bëre me misrin e tepërt, pyeti Vegimi.
-E shita, tha Ajazi, shyqyr edhe sivjet e kam det…
“Matrapazi, mendonte Vegimi, jeton në bollëk dhe kërkon të arratiset,kështu janë këta kulakët, po nuk ua shtype kokën, të bëjnë gjëmën”…
-Po fshatarët e tjerë?-pyeti Filipi.
-Dëgjo, or mik vëllai,fshati ynë është punëtor, sa për ata të fshatit përballë s`ke ç`të thuash.Rrinë gjithë ditën nëpër livadhe dhe mbajnë konferenca.Po konferenca s`të jep bukë.
“E nxori kokën, tha me vete Vegimi, tani po futet në çështje ideologjike, me siguri do bjerë vetë në grackë dhe atehere një arsye më shumë”…
-Shteti ka sjellë shumë të mira këtyre anëve,-foli Filipi-,dritë elektrike, vatra kulture, brigada kulturore ngaJugu,që japin përvojë të përparuar…
-Po ,mor lum miku ,shteti të gjitha i ka pru..-po fjalën e tij Filipi s`dinte si ta merrte,se ai kuptoi që ky burrë nuk ishte dosido,se përveç bujarisë kishte një zgjuarsi natyrale të mirëfilltë ,pa u munduar për t`u treguar i zgjuar.Vegimi e rrafshoi edhe gjysmën e pulës së dytë që Filipi ia vuri para nga pjesë e vet.Ajaz Prendi bëri sikur nuk e pa,po Filipi e vuri re këtë.Ai shprushiti me mashë thëngjijtë e ndezur, gjest që tregonte se muhabeti nuk po ecte mirë, se njeriu kënaqet me të,jo me bukë.Në të vërtetë Ajaz Prendi donte që zjarri të mos shuhej, miqtë të ndjeheshin sa më rehat.
-Or mik, paç faqen e bardhë ,foli Filip Guri,na prite mirë e ditshim ta shpërblefshim…Do t`ia shpërblej mirë këtij kulaku, fliste me vete Vegimi, ja sa të mbaroj këtë pulë dhe po ia vë prangat në vend…
-Dera ime ka pritur hanedane, foli Ajazi,gjyshi im dilte tek udha dhe po të mos vinte një mik, nuk fillonte darkën.Atëhere njerëzit ishin individë , shkonin shumë tek njëri tjetri,sot që u bë kooperativë,edhe pse punojnë bashkë, secili rri në kolibe të vet…”E nxori helmin, mendoi me vete Vegimi.Dhe aq më tepër shtëpive të reja që janë ngritur, u thotë qëllimisht kolibe ,sikur të flitet për qentë e jo për njerëzit e lumtur që i gëzohen çdo ditë ndihmës së shtetit tonë”.
-Pse të ndodhë kjo, pyeti Filipi.
“Ky Filipi është oportunist ose kërkon ta zbrazë helmin e tij me marifet.Hidhe nga të duash macen ajo prapë bie më këmbë”,ckërmitej e ndrydhej në vetvete Vegimi.
-Se atëhere burrat nuk punonin,kishin kohë dhe e vrisnin vetminë me shkuarjeardhje,ndërsa sot, kjo parti i futi njerëzit në punë…”Doli nga situata” , mendoi Vegimi.
-Ty të falemderit për darkën,po ne duhet të ikim, tha Filip Guri.
-Kurrë,tani natën, s`bëhet..Bëni një sy gjumë ,nesër në mëngjes u përcjell..
-Jo, tha Filipi, duhet të ikim, se punët e shtetit na presin…
-Vetëm punë s`dua t`u prish, po dëgjoni, mos e harroni Ajaz Prendin,i cili ka ngrënë një thes me kripë në Shkodër.U kam bash miq.Urdhëroni herë tjetër se, helbete, në kodër mërziteni…Tani po u përcjell, di një rrugë që u jep gjysmën e kohës të rrugës nga keni ardhur.Shkoja atëherë me tim atë për në Strugë, kur kufiri ishte hapur…
Kur ata u ngritën, Vegim Tanushit i mbaheshin këmbët,fryrja e barkut dhe avujt e rakisë e kishin bërë të vetën.Ajaz Prendi ecte me fener përpara.Silueta e tij zgjerohej në dritën e fenerit.S`dihej sa orë natë kishte.
-Tani duhet ta arrestojmë, foli Vegim Tanushi.
-Jo, tha Filip Guri,herë tjetër.
-Mban ti përjegjësi…
Filip Guri nxori revolen.
-Ec para, se për ideal..
VegimTanushi heshti.Aiu bë esëll ose ndoshta kuptoi se komandant ishte Filipi ose ,fundja përgjegjësinë do ta mbante ai.
-Nuk arrestohet tjetri kur të jep bukë ,-mërmëriti shkodrani.Ajaz Prendi nuk i dëgjoi.Ai ecte para duke kërkuar rrugën më të shkurtër që i çonte drejt postës.”Miqtë” ishin të lodhur….