| E shtune, 26.09.2015, 04:52 PM |
KRIPË E MËKATIT
QAZIM SHEHU
Shkulmet shkumëzojnë,
Dhe kur shkulmon bari
Uji ndizet nga zjarri.
Ndaj rrëshqet e shket
Me zjarrin e barit,
Shkon pushon në det
Merr kripën e mëkatit.
GRATË E DASHURUARA
Gratë e dashuruara nuk shihen kurrë
Ato rrinë në ajër,
Ndaj ajri na bëhet më i trëndafiltë
Ditët ecin me ritmin e kërkimit,
Në oshëtimë të pritjes na shpërthejnë si minë
Kur nuk u gjejmë fitilin…
NJË GOTË VERË
E pi një gotë verë,
Për shëndetin e përroit tim
Që dha ujë për pjergullën,
Për stinën si bekim,
Për vrugun që nuk erdh;
Dhe natyrisht,
Për dashurinë
E përroit,
Pjergullës
Stinës,
Shkrirë në lëngun e kuq,
Uritës…
NË TAVOLINA KONFERENCASH…
Në tavolina konfrencash shpesh
Derdhen aq fjalë sa,po ti mbledhësh,
Me to mund të bësh një ledh
E mbi ledh të rritet një numër pemësh.
Ato pemë nuk mund të çelin lule
Kokrra ,kuptohet,jo,
Ne s`rrimë pa dekorin e tyre,
Në fatkeqësi konferencash jeta shko…
Gjak dështimesh kapilarëve të mburrjes
Vërsho…
DËSHIRA
Në rrënjë të stërmundimit të dëshirës
Mbërrin zëri im,
Rrënjët nga trualli i cmirës kanë lëvizur
Dëshira kërkon pak pushim…
KAPËRCIM
Vrapoj të sjell më afër zemrës
Më ngjan përherë ke mbetur jashtë,
Me zjarrin e dikujt ti i afrohesh ëndrrës
Duke më lënë si prill pa maj…
Nga prilli hyj në korrik,
Dhe ti hyre në tetor,
Të ranë gjethet, tani prit
Sa të gjej majin mizor…
ETYD
Mbi fytyrë të malit një shami reje ra
Lotin t`i fshinte,
Aty ku reja ra, guri u ça
Dhe lulja e lotit mbinte…
PARA FATEVE TË MARRA
Bota mbetet e panjohur, përderisa
Të uriturit shtohen,
Pasuria veten e ha,
Dhe paratë s`i mbarohen..
Një vetëngrënie apokaliptike pa dëm,
Një gërryerje pa humnerë,
Të varfërit shtohen, kjo nuk shkon,
Kjo botë po mban erë….
SHPËRPJESTIM
Detet e njeriut e gjejnë një valvul shkarkimi
Në zemrën e tij.
Kaq të mëdha detet, zemra kaq e vogël,
Lojën bën të rëndë;
Mbulon detet dhe tokën,
Botën mban në këmbë…