| E shtune, 12.09.2015, 05:11 PM |
BETIMI I MUNGUAR I MËSUESIT
NGA NDUE DEDAJ
Vetëm
para pak kohësh ndoqem përmes ekranit betimin e 61 kryetarëve të bashkive duke
nënshkruar betimin e tyre solemnisht para këshilltarëve dhe publikut. Betohet
Presidenti i Republikës, kryeparlamentari, kryeministri, ministrat, deputetët,
gjykatësit, këshilltarët, oficerët, policët, ushtarët. Nga profesionistët
betohet vetëm mjeku sipas parimeve të Hipokratit se do t’i shërbejë me
përkushtim e humanizëm njeriut.
***
Revolucionarizimi i shkollës u ndërpre në 90-n, por mësuesi nuk shpëtoi nga politika, edhe sot stafi drejtues i arsimit parauniversitar ndryshon me rotacionin politik. Dhe deri sa kjo të ndodhë betimi i mësuesit, megjithëse i domosdoshëm, nuk mund të jetë në standarde vetëm profesionale. Edhe mandatin e kaluar qeverisës, edhe këtë mandat drejtuesit e arsimit kanë dashur të heqin drejtues shkollash të paaftë apo konfliktualë, por nuk ka qenë e mundur pasi ata kishin bekimin e Partisë për të qendruar në detyrë. Sidoqoftë, na duhet të integrohemi me shkolllën europiane, edhe pse të vonuar e jo në rrjedhën e duhur prej kohësh. Kur ne nisnim aksionin masiv për revolucionarizimin e shkollës, formulohej për herë të parë betimi i mësuesit nga pedagogu zviceran Robert Dottrens për nevojat e UNESCO-s (1966), “himn” të cilin prej gjysmë shekulli e përdorin institucione arsimore e vendore gjithandej, përfshirë dhe në Kosovë. Teksti i tij është i thjeshtë, siç është vetë mësuesi i tillë: “Do ta kryej detyrimin tim me ndërgjegje dhe krenari. Nxënësit e mi nuk do të jenë vetëm nxënës por edhe fëmijë dhe kurrë nuk do t’i harroj, ku për fatin e tyre edhe vetë mbaj një pjesë të përgjegjësisë. Do ta mbroj me të gjitha mjetet ekzistuese nderin e profesionit të arsimtarit. Kolegët e mi çdo herë do të jenë edhe miqtë e mi. Në bashkëpunim me ta do të përpiqem që vazhdimisht ta përkryej veprimtarinë e shkollës në kuptimin efikas të njohjes së të gjithave të drejtave në edukimin dhe barazinë sociale në arsim. Këtë betim solemn e jap plotësisht në mënyrë të lirë dhe me nder”. Ky është njëherësh dhe kodi etik i tij në shkollë, aq më tepër sot kur shkolla ka dhe një kartë të përformancës së saj. Kthehemi te letra e kolegës nga Amerika, e cila mendon se ky betim mund të nisë me shtatorin. “Betimin mund ta bëjnë jo vetëm mësuesit e rinj, por edhe ata që aktualisht japin mësim në shkolla. Do të përbënte një risi në Shqipëri, duke i dhënë vërtet një imazh tjetër punës së mesuesit, krahas të tjerave sigurisht”, shkruan ajo duke mos dashur t’i përmendet emri. Kjo dhe do ta mbronte mësuesin nga përdorimi politik, ashtu siç politika nuk iu afrohet gjykatësve, policëve etj. Mësuesi bëhet i paprekshëm në detyrë nga partitë që lypin militantë, tjetër gjë është marrja e tij me politikë. Por dhe ana tjetër, nëse mësuesi e pedagogu nuk i përmbahet betimit të berë, por bën politikë me nxënësit e studentët, është një arsye e mjaftueshme për ta larguar nga puna.
***
Shumë vende të botës po përpiqen se si ta ndryshojnë shkollën në mënyrë të tillë që ajo t’u përgjigjet kërkesave globale. Kudo po kryhen reforma në arsim për t’iu përgjigjur kërkesave të një shoqërie që ndryshon dita-ditës. Dhe ai që duhet të ndryshojë i pari është mësuesi, për t’iu përgjigjur ritmeve të zhvillimit, ndaj figura e tij nuk duhet lejuar të zbehet nga asgjë, përkundrazi, i duhen krijuar dhe më shumë mundësi për shpalimin e profesionalizmit të tij. Modelet i kemi. Në Finlandë profesioni i mësuesit është ndër më të kërkuarit dhe mësuesit janë shtresa intelektuale më e admiruar. Shqiptarët që kanë shkuar në emigrim mund të kontribuojnë duke sjell përvojat e vendeve ku jetojnë. Sollem shembullin e Singaporit, ku me siguri kanë vajtur dhe nga Shqipëria, por nganjëherë shqiptarët siç shkojnë, vijnë. E thamë më sipër, betimi i mësuesve atje është identitet. “Ne, mësuesit e Singaporit, betohemi se do t’i përmbahemi misionit tonë... Ne jemi të përkushtuar për zhvillimin e gjithanshëm të nxënësve tanë duke i trajtuar ata si individë të veçantë me nevoja dhe mënyra të nxëni të veçanta...” Nuk është synimi ynë ta sjellim të plotë këtu atë, por të bën përshtypje një frazë tepër kompakte: “Ne mësuesit do të tregojmë kurajo dhe integritet moral”. Për këtë na duhet betimi dhe ne mësuesve në Shqipëri! Për më shumë lartësim profesional e intelektual.
Ndoshta ministria e Arsimit, me fillimin e vitit të ri shkollor, ka menduar dhe për Betimin e Mësuesit, për ta vënë atë në zbatim dhe në shkollat shqiptare.